Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 16:15

Tiranë – Objekte të rralla, me vlerë unike për Shqipërinë, do të ekspozohen në Kosovë. Këto objekte do të bëhen pjesë e ekspozitës së quajtur “Thesare të Kulturës Shqiptare”, aktivitet që do të zhvillohet nga 20 prill deri më 21 gusht.

Instituti i Monumenteve të Kulturës do të kujdeset për shoqërimin e ikonave nga Tirana drejt Kosovës, si dhe për kthimin e tyre në vendin e origjinës.

Qeveria e Shqipërisë miratoi një ditë më parë vendimin për lejimin e ekspozimit të tyre duke hyrë në kategorinë e objekteve të rralla me vlera unike, bazuar në ligjin për trashëgiminë kulturore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 14:35

Tiranë – Shteti shqiptar duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme para përfundimit të vitit 2014, për të shmangur rreziqet serioze për Pasuritë Botërore të Njerëzimit, Beratin dhe Gjirokastrën, në mënyrë që të shmangë gjithashtu futjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”. Ky është paralajmërimi e njëkohësisht “kërcënimi” që bën ICOMOS (Organizata Ndërkombëtare e Profesionistëve të Trashëgimisë) përmes një raporti që zbardhet sot në “Gazeta Shqiptare”.

Eleni Maistrou (specialiste e ICOMOS) ka qenë në Shqipëri në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe ka vizituar Beratin e Gjirokastrën, qytete pjesë të UNESCO-s tashmë, të shpallura pasuri e njerëzimit. Pas vizitës disaditore, ajo ka hartuar një raport ku tregon problematikat dhe arritjet e shtetit shqiptar në këto dy qendra historike. Ajo ka bërë me dije se ndërtimet pa leje dhe mungesa e planeve të menaxhimit, janë problematike, e nga ana tjetër, i këshillon një sërë detyrash e përgjegjësish Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky “kryqëzim” që i bëhet IMK-së lidhet me të qenit një prej institucioneve më të rëndësishme për trashëgiminë, e megjithatë Maistrou sugjeron që ky institucion duhet të ketë me shumë shkencëtarë e mjeshtra… Ajo lë të kuptohet që IMK-ja duhet të marrë frerët në dorë dhe kjo, deri në vitin 2014, shprehet Maistrou në raport, duke nënvizuar afatin kohor, pra deri më 2014-ën.
ICOMOS, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare profesionistësh, që i është dedikuar ruajtjes së monumenteve dhe vendeve historike në botë. Ajo njihet ndryshe edhe si International Council on Monuments and Sites – Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Sajteve. Misioni i kësaj organizate, vuri në dukje se shteti shqiptar e ka vullnetin dhe qëllimin që të përmbushë angazhimet dhe kërkesat e Konventës së Trashëgimisë Botërore dhe direktivat e saj. Institucionet e tjera, përpiqen për të qenë një partner i gatshëm në mbrojtjen dhe menaxhimin e vlerave të jashtëzakonshme universale. Prandaj, në këtë moment nuk duhet të kihet në konsideratë futja e këtyre zonave në listën e rrezikut.
Rekomandimet
Instituti i Monumenteve Kulturore (IMK), një institut shkencor shtetëror, duhet të bëhet “trupi përgjegjës” për konservimin dhe menaxhimin e dy qendrave historike ‘as one unit’. Ai duhet gjithashtu të jetë i përgjegjshëm për monitorimin, shembjen ose përshtatjen e ndërtimeve pa leje, si dhe për lejet për ndërtime të reja apo zhvillimin e qyteteve-muze. Drejtoritë rajonale duhet të veprojnë si zyra lokale të IMK-së, drejtuar dhe kontrolluar drejtpërdrejt nga IMK. Bashkitë duhet të ndjekin udhëzimet e IMK-së në të gjitha veprimet lidhur me ndërhyrjet në qendrat historike. IMK duhet të forcohet me personel të specializuar dhe me më shumë fonde. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është afrimi i më shumë shkencëtarëve më të specializuar dhe i mjeshtrave në restaurim. Raporti vë në dukje se përpos kësaj duhet bërë ndërgjegjësimi i komunitetit për vlerat e trashëgimisë.
Konkluzionet
Duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë mes grupeve të ndryshme të interesit: institucioneve vendore dhe atyre kombëtare, e kjo është një çështje urgjente. Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr 983, datë 10.11.2010, thotë që të gjitha institucionet lokale që merren me menaxhimin e trashëgimisë kulturore (Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare deri tani nën varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve) janë nën përgjegjësinë i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky vendim i jep Institutit të Monumenteve të Kulturës të drejtën për të propozuar një strukturë të re organizative. Pra, thotë raporti, IMK duhet të jetë organi përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e të dy qyteteve-muze si një njësi. IMK duhet të kujdeset për zbatimin e planit të menaxhimit të përbashkët. Si pjesë e kësaj strukture të re, IMK ka propozuar themelimin e një njësie që do të ketë të bëjë me kontrollin e territorit dhe ekzekutimin e projekteve të restaurimit. Kjo njësi i raporton periodikisht IMK-së dhe bashkëpunon me Inspektoratin Ndërtimor e bashkitë mbi masat administrative dhe të detyrueshme që duhet të ndërmerren. Sipas Eleni Maistrou, realizimi i strukturës së re organizative do të jetë i mundur në vitin 2013…
Problemet aktuale
Sipas raportit Eleni Maistrou, shqetësimet e ICOMOS për Beratin dhe Gjirokastrën janë: ndërtimet e paligjshme që datojnë nga pas 1990-ta, për shkak të presioneve të zhvillimit; mungesa e monitorimeve të veçanta; mungesa e një programi për gërmimet arkeologjike; mungesa e marrëveshjeve të duhura për mbrojtjen nga zjarri dhe mungesa e një plani të detajuar të zhvillimit të turizmit.
Shteti përballet me një numër vështirësish për shkak të burimeve të pakta dhe fuqisë punëtore, si dhe ato që rrjedhin nga mangësitë në legjislacionin ekzistues dhe strukturën e menaxhimit. Në raportin e konservimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 35-të, Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe organet këshilluese kanë vënë në dukje se “më pak vëmendje i është dhënë ruajtjes së vlerave së rralla e universale të Gjirokastrës krahasuar me Beratin”. Misioni, rikonfirmon se përparimi i vazhdueshëm në ruajtjen e Beratit qëndron në kontrast me çështje shumë më të vështira në Gjirokastër, për shkak të mungesës së fondeve dhe efektivitetit të menaxhimit, si dhe për shkak të mangësive ligjore. “Mbetet e qartë për misionin se ka një angazhim të fortë nga ana e administratës shtetërore dhe lokale për të siguruar që këto vlera, pasuri universale të mbrohen e të menaxhohen siç duhet, është po ashtu e qartë se shteti duhet të procedojë menjëherë duke marrë të gjitha masat e nevojshme para përfundimit të vitit 2014, në mënyrë që të shmangin shfaqjen e rreziqeve serioze për Pasuritë Botërore e Njerëzimit duke shmangur gjithashtu futjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik” – thekson raporti duke nënvizuar afatin kohor, pra deri më 2014-ën.
Ndërtimet pa leje
Sipas raportit, sistemi ekzistues i kontrollit për të shmangur ndërtimet pa leje nuk është efikas. Prandaj, një sistem më i mirë kontrolli i bazuar në mjetet e duhura ligjore duhet të marrë jetë për të parandaluar çdo shkelje të mëtejshme. Këshilla e Maistrou edhe për Beratin edhe për Gjirokastrën është: pezullimi i menjëhershëm i të gjitha ndërtimeve pa leje në zonën e ndaluar për to.(G.SH/LajmeSHqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 12:58

TIRANE – Revista e famshme amerikane “Archae ology” që shtypet nga Instituti Amerikan i Arkeologjisë, ka botuar në numrin e saj të prill/majit një artikull mbi dëmtimin e afreskeve të famshme të Onufrit. Kjo revistë, me mbi 3 milionë kopje, më e madhja në botë, i ka dedikuar një shkrim problemit të dëmtimit të kishës së Valshit, si dhe humbjes së madhe që ky dëmtim i solli kulturës shqiptare.

 Një revistë me shumë ndikim në qarqet universitare dhe intelektuale amerikane dhe europiane, denoncimi i vjedhjeve të Onufrit prej saj e bën këtë lajm tashmë prezent në nivele të larta shkencore të trashëgimisë kulturore botërore. “Afresket e Onufrit” – shkruan revista e famshme – “u dëmtuan dy herë në kapërcyellin e vitit të ri, si dhe javën e parë të vitit 2013, duke treguar qartë neglizhencën shtetërore mbi këtë pasuri të jashtëzakonshme të artit kishtar në Shqipëri”. 

E denoncuar nga dy ekspertë të trashëgimisë kulturore shqiptare, deputeti Auron Tare dhe arkitekti Artan Shkreli, kjo vjedhje u kthye në një debat të ashpër në median dhe publikun shqiptar, duke treguar qartë paaftësinë e madhe shtetërore për të ruajtur pasurinë kulturore shqiptare. Forumi i Trashëgimisë dhe zëra të tjerë nga bota intelektuale kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Kulturës së kohës, Aldo Bumçi.(LajmeSHqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 March 2013 14:38

HIMARE – Eshtë vjedhur kisha 300- vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë. Ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë, ndërsa keqbërësit kanë marrë në këtë objekt 9 kolona të ikonostasit të shekullit të XVIII. Lajmi konfirmohet për “Gazeta Shqiptare” nga Gentian Stratobërdha, arkitekt, restaurator dhe drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Zoti Stratobërdha, ndërsa vëren se objekti është monument kulture, sqaron se elemente të rëndësishme të dekoracionit të brendshëm të saj, janë ikonostasi prej druri të gdhendur dhe tavani.
Vjedhja
Sipas drejtorit të trashëgimisë, monumenti në fjalë ka qenë një ndër më të mirëmbajturit e trashëgimisë ortodokse, pasi i është nënshtruar një restaurimi, në fund të viteve ’90, me fondet e Kishës Autoqefale. Nga ana tjetër, ajo i kishte rezistuar mirë kohës. Eksperti shënon se në këtë kishë, gjendej një ndër të paktët ikonostase origjinale, i realizuar në shekullin e 18-të, i gdhendur thellë, dhe i restauruar së bashku me kishën disa vite më parë.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë vënë re vjedhjen e bërë, ndërsa kanë shkuar në mëngjes dhe e kanë gjetur derën të hapur. Më pas është pikasur që janë vjedhur 9 kolona të ikonostasit, të gdhendura në dru. “Unë jam ndodhur aty rastësisht pak ditë pas ngjarjes dhe kam verifikuar dëmin e bërë. Kam komunikuar me banorët e zonës dhe më kanë sqaruar se çka ndodhur”, tha dje për “GSH” Stratobërdha. Ai rikujtoi se kjo nuk është hera e parë që objekti vidhet. “Ishte vjedhje për arsye përfitimi, pasi kolonat janë çmontuar në mënyrë të kujdesshme, si duket për t’u shitur në tregun e zi”,- shprehet drejtori i Trashëgimisë në KOASH, teksa sqaron se nga këqyrja në vendngjarje pjesët janë hequr për t’u ruajtur. I pyetur për ikonat, ai përgjigjet se ato nuk kanë qenë origjinale, dhe prandaj vijojnë të jenë në kishë. Sipas Stratobërdhës, origjinalet e tyre ruhen nga institucionet e shtetit shqiptar. Mosvjedhja e ikonave, të bën të mendosh në fakt, për njerëz profesionistë, që dinë të dallojnë origjinalen nga kopja, a në mos ashtu, kanë qenë tejet të informuar se çfarë vlente në kishë e çfarë jo.
Policia
Stratobërdha tregon se kanë qenë besimtarët ata që kanë njoftuar policinë dhe kanë bërë kallëzim. Sipas tij, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet pasi ka marrë materialet e nevojshme. Kjo nuk është hera e parë që grabitësit ia mësyjnë këtij objekti. Ai është sulmuar edhe disa muaj më parë.
Vlerat
“Kisha e Gjithë Shenjtorëve është një ndërtim i shek. XVIII, ngrihet në një pozitë zotëruese, dhe është kisha kryesore e Himarës fshat. Është një bazilikë trenefëshe,e mbuluar me tavan të rrafshët. Dy harkada gjatësore mbi kollona guri ndajnë nefet nga njëri-tjetri. Në qoshen jugperëndimore të oborrit të kishës ngrihet kulla e lartë e këmbanares”, shprehet Stratobërdha. Ai bën me dije se vlertat e ikonostasit janë të paçmueshme, pasi ai ka qenë unik, i prodhuar enkas për atë kishë. “Në atë kohë ikonostaset bëheshin me porosi për kishat, ishin si dedikime, ndaj them se vlerat e tij janë të mëdha. Nuk mund të jap një shifër për vlerën monetare”, thotë ai. Nga ana tjetër, Stratobërdha mendon se ngjarjet e mëparshme, ashtu sikundër ajo e kishës së Valshit ku u dëmtuan shenjtorët e Onufrit, apo debati i madh që u shkaktua në opinionin publik, nuk kanë ndikuar në sigurinë e monumenteve.
Kalaja dhe Kisha
Kështjella e Himarës është aty ku dikur shtrihej qyteti i vjetër i Himarës. Kalaja në vetvete është një monument i rëndësishëm që ka nevojë për mbrojtje që të mos pësojë dëme të pandreqshme. Në këtë kështjellë (kala) ekzistojnë shenja të prezencës së pandërprerë të njerëzve për më shumë se 3500 vjet. Në të veçohet kisha e Gjithë Shenjtorëve që u ndërtua më 1775 në hyrje të saj. Thuhet se aty ka predikuar Shën Kozmai nga Etolia.(G.Sh/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 17:59

TIRANË – Mozaiku “Shqipëria”, më i madhi i këtij lloji në vend, që ndodhet në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar është dëmtuar dhe kanë filluar të bien pjesë nga kjo vepër unikale.


Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka akuzuar institucionet përgjegjëse për këtë vlerë të trashëgimisë kulturore duke thënë se ajo është dëmtuar për shkak të indiferencës nga ana e tyre.


“Në qoftë se ministri, para disa ditësh deklaroi që kisha e Valshit u dëmtua nga dhunues dhe jo nga indiferenca, sot kemi faktin më të prekshëm që ky mozaik po bie nga indiferenca, nuk ka grabitës, por indiferencë totale e shtetit”, u shpreh për mediat Artan Shkeli, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Një prej autorëve të mozaikut, Aleksandër Filipi, në një prononcim për mediat tha se artistët që e krijuan punuan brenda standardeve më të mira të kohës dhe se restaurime të herë-pas-hershme do ta ndihmonin të mos degradojë.


Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar është një vepër e realizuar në vitin 1981 nga një grup artistësh si, Vilson Kilica, Josif Dobroniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi. Ai ka një sipërfaqe prej rreth 440 metrash katrorë, me përmasa 40×11 metra. Suporti i tij përbëhet nga një panel me llaç çimentoje, brenda të cilit është përfshirë një skarë hekuri. Mbi skarën e hekurit është vendosur një shtresë e hollë fine, po llaç çimentoje, mbi të cilën janë vendosur teserat.   

  
Sipas Kreut të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Tiranës, Arbër Kadia mozaiku është zbatur gabim që në fillimet e tij, është i destinuar fatkeqësisht të prishet dhe situata është e pakthyeshme. Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi ka deklaruar se do të ngrihet një grup pune me specialistë për të marrë vendimin se çdo të bëhet me këtë mozaik. Gjatë vitit që shkoi mozaiku “Shqipëria” ka qënë i mbuluar për arsye restaurimi. MTKS ndërmori një studim mbi mozaikun dhe u fol për një restaurim të tij.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 16:35

Korce – Rrënojave të kishës së Shën Palit, që dolën në dritë gjatë një ekspedite arkeologjike shqiptaro-greke pak vite më parë dhe Kishës së Shën Mërisë, e cila njihet si Monument Kulture prej kohësh, tashmë iu ka dalë edhe pronari i truallit. Të dyja ndodhen në ishullin e Malingradit në Liqenas të Korçës.

“Këtë herë pronarët “fantazmë”, me një vendim të AKKP-së kanë përvetësuar pronat në fjalë me dokumentacion”, thotë kreu  i kësaj komune, Edmond Themelko.

Kryekomunari i Liqenasit shprehet se: “ne si komunë i kemi refuzuar pretendimet e kësaj natyre, pasi këto prona kanë qenë pjesë e kishave dhe pjesë e pronave që janë ndarë me ligjin 7501 në fshatrat Kallamas dhe Goricë. Atëkohë nuk kemi firmosur asnjë dokument dhe tani e ndjejmë veten të habitur nga vendimi i AKKP-së. Ne do të kërkojmë një informacion të plotë dhe të saktë nga AKKP-ja. Nëse gjithçka rezulton kështu, atëherë është një problem i madh që duhet t’i gjendet një zgjidhje. Objektet duhet të ruhen dhe të mbrohen nga institucionet.  Ato nuk duhet të shiten apo t’i kthehen ndonjë pretenduesi të quajtur ish–pronar. Asnjëri nuk është dhe nuk mund të jetë pronar i një objekti kulti apo objekteve historike, ky është realiteti”.

Themelko pohon se të gjitha objektet e kultit janë kisha të shekullit të 14, 15 dhe 16-të dhe nuk ka asnjë logjikë që të dalë ndonjë ish- pronar.

Ai deklaron se janë në pritje të një sqarimi të plotë nga AKKP, dhe nëse nuk e marrin, do t’i drejtohen gjykatës.(T.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 14:40

Tiranë – Banorët e komunës së Gjinarit, ku ndodhet Kisha Shëne Premte në të cilën u dëmtua afresku i Onufrit, kanë vendosur të mbledhin vetë para që të paguajnë rojë për monumentin. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i komunës, Kristaq Shqau. Të hënën ai konfirmoi për “GSH” se familjet e të gjitha fshatrave kanë vendosur që t’i ruajnë me kontributin e tyre financiar kishat shekullore të rëndësishme për trashëgiminë kulturore që ndodhen në zonë.

“Të hënën, pleqësitë e lagjeve të çdo fshati në komunën Gjinar të Elbasanit kanë raportuar dakordësinë e çdo familjeje për të kontribuar në ruajtjen e kishave të zonës së Shpatit. Gjithçka ka ardhur natyrshëm dhe solidariteti i shpatarakëve ka qenë i jashtëzakonshëm”, – ka thënë kryekomunari i Gjinarit, Kristaq Shqau. Shuma që familjet do të japin është simbolike, rreth 50 lekë të reja në muaj, ndërsa rojat sërish nuk do të jenë 24 orë, por do të kenë rolin e vëzhguesit.

Në këtë zonë banojnë rreth 7600 vetë. E ndërsa kanë kaluar dy javë nga koha e shkatërrimit barbar të afreskeve të Kishës Shën e Premte në Valsh të komunës së Gjinarit në Elbasan, ende e gjithë ngjarja vazhdon të mbetet e mbuluar me mister. Gjatë gjithë këtyre ditëve është aluduar në të gjitha format e mundshme rreth qëllimit të vërtetë që mund të kenë pasur keqbërësit që shkatërruan afresket e pikturuara nga Onufri në këtë kishë, por me kalimin e ditëve çdo gjë po bëhet edhe më e mistershme. Pas sensibilizimit mediatik që iu bë kësaj ngjarjeje, edhe strukturat shtetërore janë angazhuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, që tashmë është regjistruar edhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Drejtuesi i saj, Elvin Gokaj, nga ana e tij, i pyetur për ecurinë e hetimeve, deklaroi se çështjen për zbulimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes, si dhe të shkatërrimit të afreskeve të pikturuara nga Onufri në kishën Shën e Premte në Valsh të komunës së Gjinarit ia ka deleguar policisë së Elbasanit.
Më herët, arkeologu dhe historiani Riza Hasa ka denoncuar publikisht se dëmtime të tilla të ngjashme kanë ndodhur edhe në kisha e objekte të tjera shumë të lashta të Qarkut të Elbasanit, si në kishën-shpellë të Koshorishtit në fshatin Letëm në komunën e Lunikut dhe në atë të Urakës pranë vendit të quajtur “Kthesat e Qafë Thanës” në komunën e Rrajcës në nënprefekturën e Librazhdit etj. Kishat e qarkut të Elbasanit kanë qenë dhe mbeten me vlera të jashtëzakonshme. Në shumicën e tyre nuk mbahen mesha dhe në to rrjedhimisht as shërbejnë priftërinj. Megjithatë ato prej kohësh janë kthyer ndër vendet më të vizitueshme nga besimtarët dhe turistët.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 January 2013 17:04

ELBASAN – Vjedhja dhe dëmtimi mjaft i rëndë dy herë rradhazi i afreskeve të pikturuara nga Onufri në Kishën e Shën e Premtes pranë fshatit Valësh në Elbasan ka sjellë reagimin e Lëvizjes për Mbrojtjen e Vlerave të Trashëgimisë Kulturore.

Emrat të njohur të kësaj lëvizjeje si Auron Tare dhe Artan Shkreli, por edhe mjaft të tjerë kanë shprehur keqardhjen për këtë lloj barabarizemi sipas tyre të ushtruar së fundi ndaj afreskeve të pikturuara në këtë kishë nga Onufri, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Kulturës.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ndërhyrja e parë në afresket në kishën Shën e Premte ka ndodhur në datën 30 dhjetor. Ndërkaq, autorët ende të paidentifikuar duke mos qenë profesionistë të çmontimeve të afreskeve i kanë dëmtuar me mjete primitive ato. Ndërsa, grabitjes nuk i ka shpëtuar as shenjtorja e kishës, Shën e Premten, ikona e të cilës nuk ekziston më.

Sipas specialistëve objekt i kësaj grabitje është bërë edhe pjesa e mbishkrimit në zonën e sipërme të ikonostasit prej guri, e cila ishte jo vetëm pjesë e artit të kësaj kishe, por edhe burim informacioni për të gjithë specialistët.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 15:44

Berat – Një skulpturë e rrallë e periudhës romake të shek.I-II është zbuluar në lagjen Goricë të Beratit. Ka qenë rilevimi i një banese karakteristike e tipit me çardak, monument i kategorisë së parë vendi ku ajo ka dalë në dritë. Studiuesi beratas Dritan Çoku, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, tregon se rëndësinë e këtij zbulimi. Skulptura, një tors-trup i punuar në mermer të importuar.
Z. Çoku, çfarë përfaqëson zbulimi i bërë?
Në Shqipëri njihen një sërë skulpturash të periudhës perandorake romake, nga shek.I deri në shek.II e.s. Veçanërisht të shumta janë skulpturat që i përkasin periudhave në paqe të perandorisë, shek.II dhe shek.III. Ato na japin të dhëna të shumanshme për jetën, përfytyrimet fetare, tregtinë dhe ekonominë e kohës. Këto skulptura janë kopje të shtatoreve greke, të gjetura në radhë të parë në Apolloni dhe Butrint; portrete kryesisht nga Durrësi, Apolonia dhe Butrinti; relieve dhe altarë funeralë, të përhapur në tërë vendin tonë me një shumëllojshmëri formash: si dhe shtatore dekorative, relieve, urna hiri dhe së fundi sarkofagë.
Ajo që na çoi në gjetjen rastësore të një skulpture të periudhës perandorake romake, ishte rilevimi i një banese karakteristike e tipit me çardak, në lagjen Goricë, gjendja e sotme e së cilës na vjen mjaft e transformuar. Objekti i trashëgimisë kulturore është torsi i një të riu. Ai është prej mermeri dhe ka gjerësi 17cm e lartësi 33cm. Trupi ka formë atletike, gdhendur me shpatullën e djathtë ngritur pak, trupin me fletë notimi të gjoksit të përcaktuara mirë, pesha pushimi në këmbën e djathtë, këmba e majtë e relaksuar. Rrotullim i lehtë nga e djathta në të majtë të shtyllës kurrizore. Mendojmë se mund të jetë i shek.I-II.
Si arritët në këtë përfundim?
Ofruam një vështrim të përgjithshëm mbi gjetjet në Berat të kohës perandorake, për të saktësuar mendimin se nuk është një rastësi a çudi e pranisë së kësaj vepre në skulpturë me realizim të lartë artistik në qytetin e mrekullueshëm të Beratit. Do të ishte shumë e rëndësishme njohja dhe studimi i tij. Ashtu siç duket, ai është prej mermeri me kristale relativisht të vogla, do të ishte me interes përveç të tjerave përcaktimi i llojit të mermerit. Siç dimë, mermer nuk gjendet në shtresat gjeologjike të vendit tonë dhe gjatë antikitetit ka qenë i importuar.
Nga është origjina e këtij mermeri?
Kjo është një pyetje e natyrshme. Mos është nga Prokonezi (Marmara), ishulli i mermerit në Propontidë, në detin e sotëm të Marmarasë, ku do të kishim mundësi për të nxjerrë përfundime të mëtejshme? A mos vallë kjo të lë të mendosh për një përkushtim perandorak dhe dhuratë për ndonjë person të rëndësishëm? Ky arsyetim vazhdon edhe për një element arkitektonik të plastikës dekorative, një kapitel, mbeturinë e një kishe ose e pajisjeve të saj, në mesin e shek.V, kur Antipatrea u rithemelua dhe mori emrin Pulheriopolis nga Teodosi apo Markianosi. Materiali i mermerit për monumentet sepulkrale duhej të importohej si bllok i papunuar, ose në gjendje gjysmë të punuar ose krejtësisht të punuar. Në Shqipëri për sarkofagë kemi pak copë, gjysmë të përpunuar, ndërsa shumica janë importe plotësisht të punuara. Ata i përkasin kryesisht qendrave kryesore të prodhimit, përkatësisht Romës dhe në shumicën dërmuese, Athinës. Po tek skulptura jonë (tors i një të riu) si mundet të jetë vepruar, për realizimin e punimit? Akoma s’dihet!
A ka shumë monumente të shekujve I-III në vendin tonë?
Shekujt I-III të e.r. përfaqësojnë një nga periudhat më të lulëzuara të artit në vendin tonë. Skulptura është dega kryesore e artit dhe qendrat më të rëndësishme të punimit të saj janë Apolonia, Dyrrahu, Bylisi, Amantia dhe Foinike. Shekulli I i e.r. është edhe koha e zotërimit të modës së kopjimit të skulpturave të hershme. Nga tipat më të parapëlqyer janë ata që lidhen me shkollën e Praksitelit. Është pranuar nga të gjithë studiuesit që në Apoloni arti, veçanërisht ai i skulpturës, kishte arritur të krijonte një shkollë, që nuk kopjonte me besnikëri veprat e mjeshtrave të dëgjuar të botës greke, por ndiqte shpesh një rrugë të vetën dhe krijonte vepra origjinale. Që nga koha e sundimit të perandorit Hadrian, Apolonia bëhet qendra kryesore e skulpturës, duke na dhënë kryeveprat e saj. Kulmin arti apolonistik i skulpturës e arrin në shek. III të e.r., në periudhën e dinastisë së Severëve. Ky arsyetim të çon në logjikën, se skulptura jonë që kemi marrë në shqyrtim mund të jetë punuar nga skulptorë të shkollës apoloniate dhe mund të jenë sjellë në Berat nga Apolonia. Ndonëse disa çështje mbeten të hapura, megjithatë, del, se torsi i një të riu i gjetur në Berat është një shembull i rëndësishëm i skulpturës perandorake romake në Shqipëri dhe një dëshmi interesante e marrëdhënieve të gjera ekonomike dhe tregtare në perandorinë romake.
Aktualisht ku gjendet objekti?
Pas gjetjes të kësaj skulpture mjaft interesante, e rrallë në llojin e vet në Shqipëri, u bë pastrimi i saj. Mendojmë se është e nevojshme për një trajtim më të specializuar për sa i përket pastrimit dhe konservimit me anë të analizave konkrete laboratorike për largimin e njollave të errëta, gjurmëve të myshkut dhe të ndryshkut, sidomos në pjesën e prapme të torsit, e cila ishte e ekspozuar nga agjentët atmosferik. Më pas realizuam “pasaportën e objektit”, pra kartelën e identifikimit të këtij objekti trashëgimi kulturore, i cili u iventarizua pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore-Tiranë. Aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat dhe fatkeqësisht mesa jam në dijeni është i paekspozuar.(G.SH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 09:25

Në Shqipëri, drejtues të Institutit të Arkeologjisë vlerësojnë si shumë të rëndësishme gërmimet arkeologjike, të kryera gjatë këtij viti në Koman të Shkodrës, ku ruhen dëshmi të vazhdimësisë Iliro-shqiptare.

Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongercaj, tha se gërmimet në Koman janë zhvilluar në saje të bashkëpunimit të arkeologëve shqiptarë me ata të shkollave franceze të arkeologjisë.(LajmeShqip.com)