12
 
Lajme Shqip Monday, 17 March 2014 13:53

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka takuar mëngjesin e sotëm Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Takimi është zhvilluar në zyrën e ministres së Mbrojtjes, ndërsa në fokus të diskutimeve kanë qenë  dosjet e dorëzuara në Prokurorinë e Përgjithshme nga Kodheli, për ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami.

Në muajin dhjetor ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dorëzoi në Prokurori dosjen e abuzimeve të paraardhësit të saj, Arben Imami dhe disa zyrtarë të tjerë.

Ish-ministri Arben Imami akuzohet për konsumin e veprës penale ‘shpërdorim detyre’, ‘shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti’, si dhe ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik.

 
Lajme Shqip Monday, 06 January 2014 19:48

Prokuroria e Tiranës ka nisur marrjen në pyetje të 9 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët janë përfshirë në shkeljet për të cilat akuzohet ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. 

Dosja “Imami” kaloi gjatë ditës së sotme nga Prokuroria e Përgjithshme të Prokuroria e Tiranës, ndërsa pritet të përfundojë edhe marrja në pyetje e anëtarëve të Komisionit të Ofertave të Ministrisë së Mbrojtjes. 

Këta persona, të cilët janë marrë në pyetje më parë, do të pyeten sërish lidhur me kriteret që janë përdorur në pranimin e ofertave dhe lidhur me bazën ligjore ku janë mbështetur për shpalljen fituese të një kompanie të caktuar mediatike. 

Pas vlerësimit të kësaj çështjeje, do të vendoset më pas marrja ose jo në pyetje e ish-ministrit Imami. Ky i fundit u akuzua nga Ministria e Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, duke abuzuar me një fond prej 1.2 mln dollarësh.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 04 January 2014 18:20

Kjo është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga një zonjë. Por ajo nuk i druhet sfidave, madje i shikon si forcë e shtuar.

“Është më e bukur puna kur ka sfida të mëdha dhe shpresoj dhe besoj që ky është edhe rasti im”, kështu shprehet ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Në më pak se katër muaj në këtë detyrë, Kodhelit i është dashur të ndërmarrë disa vendime të rëndësishme.

Më i bujshmi ishte denoncimi i aferave korruptive të pasardhësit të saj, Arben Imamit.

Kodheki deklaron se do të zbardhet çdo aferë korruptive në dikasterin që ajo drejton duke paralajmëruar denoncime të tjera, përveç atyre që kishin lidhje me spote publicitare për ushtrinë shqiptare.

“Puna nuk mbaron me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimit, dhe është vetëm fillimi. Detyrimi që auditimi i brendshëm ka, apo inspektimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka, për të bërë transparencë është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të jetë deri sa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe në ministritë e tjera”, shprehet Kodheli.

Një nga arritjet me të cilat Shqipëria krenohet më shumë është anëtarësimi në NATO, por 4 vjet pas këtij moment Forcat tona të Armatosura ende janë larg standardeve të kërkuar nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

“Ushtria shqiptare ka pasur paratë dhe mundësitë për ta realizuar këtë gjë. Mendoj që ka munguar vullneti politik për të kryer këtë investim le të themi. Paratë për të modernizuar ushtrinë shqiptare kanë shkuar në drejtime të tjera. Në funksion të pushtetit të atëhershëm apo në funksion të interesave personale , që kanë dëmtuar modernizimin dhe transformimin e ushtrisë shqiptare”, nënvizon Kodheli, shkruan shekulli.

Viti 2014 sapo ka nisur dhe Mimi Kodheli duhet të realizoje një sërë reformash e më së pari duhet të reformojë kuadrin ligjor të Forcave të Armatosura që ende funksionojnë me ligje të vitit 2002 apo 2004, por sfidat duket se i përshtaten ministres shqiptare të mbrojtjes. 

 

 
Lajme Shqip Monday, 16 December 2013 17:16

Tiranë- Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për dosjen “Imami” dhe 4 ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, që janë denoncuar nga Kodheli për abuzime në shumë prej 1.2 milionë dollarësh.

Hetimi do të drejtohet nga anëtarët e Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës. Pas kallëzimit penal nga ministrja Mimi Kodheli, dosja ishte dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Por pas verifikimeve të rastit, kjo dosje është deleguar për moskoopetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Hetimet do të bëhen me qëllim për të parë, nëse në këtë dosje ka elementë të veprës penale atë të “shpërdorimit të detyrës”, raporton Shqiptarja.

Nëse gjatë hetimit prokurorët do të konstatojnë vepër penale në ngarkim të ish-ministrit, Arben Imami, ky i fundit do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme e cila do të kërkoj edhe heqjen e imunitetit si deputet që është.

Ndërkaq, zyrtaret e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen nga ana e Prokurorisë së Tiranës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 December 2013 20:04

Tiranë- Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili është denoncuar për korrupsion, deklaroi sot se për kallzimin ndaj tij janë ndjekur procedura joligjore.

Imami kërkoi sqarime se kush ishin ekspertët që kishin verifikuar dokumentacionin, për sa kohë, sipas tij, raporti i auditit të brendshëm nuk është përfunduar, ndonëse siç tha ai, edhe ky raport nuk ka gjetur shkelje që mund të ndiqen penalisht, raporton “Zëri i Amerikës”. Ai deklaroi se në një shtet të së drejtës nuk mund të ketë hetime nga persona të paautorizuar me ligj.

Padia ndaj Imamit

 

Dy ditë më parë ministrja e Mbrotjes, Mimi Kodheli, njoftoi se kishte bërë denoncim ndaj ish-ministrit Imami për afera korruptive, që përbënin, sipas saj, vepra penale të “shpërdorimit të detyrës”, “shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. 

“Ky nuk është një kallëzim i zakonshëm. Është një padi e mirëargumentuar dhe e përgatitur nga një grup ekspertësh që e kanë shqyrtuar deri në detaje këtë aferë korruptive. Ata kanë dalë në konkluzionin, se kush ka qenë pjesë e kësaj afere, të dalë para drejtësisë.  I kërkoj në mënyrë të veçantë Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë në lidhje me këto procedura që kanë çuar në abuzime të mëdha me paratë publike. Kjo nuk është aspak komode për mua apo për bashkëpunëtorët e mi, ndaj paraardhësit tim, por kjo ishte gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara fakteve të tilla”,- deklaroi dy ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Imami akuzohet së bashku me katër ish-zyrtarë të tjerë, për një fond prej afër 1.2 milionë dollarësh, të dhënë për reklama televizive. Por ai i hodhi poshtë si të paqena akuzat, duke folur për një hakmarrje sipas tij personale dhe politike nga ana e kryeministrit, Edi Rama.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 December 2013 11:53

Tiranë – Zbardhet padia e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj ish-ministrit Arben Imami. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur dje, për “Gazeta Shqiptare” se nën titullin e padisë së ministres aktuale të Mbrojtjes për “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, flitet për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD. Kjo u paralajmërua pak kohë më parë, në një nga seancat parlamentare edhe nga vetë ministrja Kodheli, e cila akuzoi Imamin për “masakër buxhetore në 2013”. 

Sipas saj, ushtria u kthye në bazë logjistike të PD-së. “Në kundërshtim me ligjin, paratë e MEICO-s i shpenzuat për spote publicitare dhe aktivitete sportive në shumën 120 mln lekë të reja”, tha Kodheli. Ajo akuzoi gjithashtu se vetëm në periudhën maj-qershor 2013 u harxhuan 62 mijë litra karburant. Gjithashtu para zgjedhjeve të 23 qershorit ishte deputeti socialist Taulant Balla, që në një dalje publike akuzoi ish-ministrin Imami për shpërdorim fondesh publike për fushatë, në favor të Partisë Demokratike në pushtet. “Plot 1 milion dollarë ka shpenzuar ministria e Ben Imamit për reklamë vetëm gjatë muajit të fundit. Para që kanë shkuar në pjesën dërrmuese në llogaritë e mediave pranë pushtetit”, – ishte denoncimi që bëri Balla në qershor të këtij viti. 

“Në datën 21 maj, Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht Qendra e Kulturës së kësaj ministrie, xhiroi nga buxheti 99.9 milionë lekë për llogari të kompanisë ‘Zoom Event’, e cila për çudi është themeluar vetëm në muajt e parë të këtij viti. Një ditë më vonë, në datën 22 maj”, – citohen akuzat e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, “kompania në fjalë ia transferoi fondin një tjetër kompanie, të quajtur, ‘Pro Image’, e cila pastaj ka vijuar të shpërndajë fondin në mënyrë preferenciale. Pjesa dërrmuese e këtyre parave, ose mbi 71%, kanë shkuar vetëm për një grup mediatik, ‘Media 6’. Shpërndarja tregon përdorimin klientelist të parave të shqiptarëve, duke diskriminuar mediat, që nuk i shërbejnë dhe duke favorizuar ato që ia kthejnë paratë me hapësira televizive në fushatë. Për më tepër, përveç aspektit qartazi korruptiv, Ministria e Mbrojtjes me këto reklama ka shkelur hapur edhe nenin 88 të Kodit Zgjedhor, i cili pengon përdorimin e burimeve publike për mbështetjen e subjekteve të caktuara”, – u shpreh aso kohe deputeti i PS-së, Taulant Balla. 

Përpara kësaj padie, PS kishte njoftuar se kishte depozituar në prokurori një denoncim për abuzimin me reklamën shtetërore në shifrën 16 milionë dollarë gjatë 5 vjetëve të fundit. Gjithashtu, edhe nënkryetari tjetër i grupit të PS-së, Erjon Braçe, në një nga publikimet e tij pati bërë të ditur se, reklama e Ministrisë së Mbrojtjes, e shfaqur nëpër TV ka kushtuar 1 miliard lekë të vjetra vetëm për një muaj fushatë elektorale. Edhe një nen tjetër i Kodit Zgjedhor shkelet me këtë rast, përkatësisht neni 84 e ndalon qartësisht përdorimin e fondeve publike për reklama dy muaj para zgjedhjeve, duke lënë hapësirë vetëm për reklamat informative mbi procesin zgjedhor dhe njoftimet e tenderave. Në fakt, akuzat për tenderin e reklamave nuk kanë qenë të vetmet që i janë bërë ish-ministrit Imami. Ai është akuzuar edhe për shitjet e pronave të ushtrisë si edhe për tenderin e uniformave të ushtrisë, në prag të 100-vjetorit të Forcave të Armatosura.

 
Lajme Shqip Monday, 09 December 2013 17:08

Ministria e Mbrojtjes padit ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami dhe disa punonjës për shpërdorim detyre, kontributeve nga shteti si dhe shkelje të barazisë. Deklarata ka ardhur nga vetë ministrja aktuale Mimi Kodheli, e cila tha se padia vjen pas konkluzionit nga një grup ekspertësh. Sipas saj provat e evidentuara nga një grup ekspertësh janë të pamohueshme.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli njoftoi sot se është dorëzuar në prokurori një kallëzim penal për paraardhësin e saj, ish-ministrin Arben Imami dhe disa funksionarë të tjerë të këtij institucioni. 

Në një deklaratë për mediat, Kodheli ka theksuar se “nuk kemi të bëjmë me një kallëzim të zakonshëm, por me një padi të mirëargumentuar nga ana e ekspertëve që kanë shqyrtuar situatën e gjetur në institucion e nga e cila rezultoi se përgjegjësit duhet të përgjigjen para ligjit”. 

“Kallëzimi penal ndaj ish-ministrit Imami për shpërdorim të detyrës, shpërdorim kontributesh dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender dhe ankand publik”, tha Kodheli. 

Ajo i bëri apel Prokurorisë së Përgjithshme të investigojë mirë lidhur me padinë e bërë. 

Imami: Përpjekje e Ramës per të çuar deri në fund hakmarrjen e tij


Ish- ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka hedhur poshtë akuzat e ministres së re të Mbrojtjes Mimi Kodheli për abuzim me fondet e kësaj ministrie dhe shpërdorim detyre. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se kryeministri Edi Rama do të çojë deri në fund hakmarrjen e tij. 

“Akuzat ranë se nuk kishte si mos binin, por e vetmja që nuk ra është vendimi i njeriut të çmendur për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale, që ka lidhur me qëndrimet e mia lidhur me 21 janarin përgjegjësi kryesor që për mua është Rama. Të dy këta persona, kur drejtonin bashkinë e Tiranës kanë qenë të detyruar të pranojnë se reformat në ushtri kanë qenë të suksesshme, nuk ka asnjë abuzim me ligjin, paratë e taksapaguesve shqiptarë, por ishte përcaktuar armiku i kryetarit të PS e u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model, prej së cilës nuk do dalë asgjë. 

I them Rames, se po kapërcen vijë të kuqe ligjore, etike e politike, kërcënimet e tua nuk trembin askënd e aq më pak mua”- deklaroi Imami. Më tej ai shtoi se kallëzimi penal i Kodhelit është një përpjekje për të ngritur një akuzë falsë. /ballkanweb/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 12:36

Tiranë- E përditshmja Dita ka publikuar një raport denoncues, që i është dërguar ambasadës amerikane në vitin 2012 nga Ndriçim Ashiku, ish- shofer i Drejtorit të Uzinës së Mjekësit në Elbasan, Daniel Karanxha.
Ashiku denoncon një rrjet të tërë mafioz me në krye ish- ministrin e Mbrojtjes, Arben Imamin. Megjithatë fijet e këtij rrjeti i tërheq biri i Sali Berishës, Shkëlzeni.
Ashiku thotë se e ka denoncuar në kryeministri këtë skandal, por ka marrë kërcënime me jetë ai dhe familja e tij.
“Drejtori ishte një mik i ngushtë i Arben Imamit, por edhe mik me Flamur Kuçin, që punon në kryeministri dhe njeri i afërt i drejtorit të Klik Ekspo Klik, L. Muhametaj, i cili merret me shitjen e të gjitha lëndëve plasëse dhe municioneve të uzinës. Drejtori është gjithashtu një njeri i besuar i Ndriçim Berishës, drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, kushëri i Sali Berishës. Pas këtij takimi në kryeministri, u bëra të ditur personave që më pritën se do i drejtohesha edhe ambasadës tuaj dhe që do i denoncoja të gjitha. Pas këtij takimi më vjen një kërcënim i hapur nga deputeti i PD-së në zonën e Peqinit, Dashnor Sula,” thotë Ashiku.
Por si fitohen milionat?
“Loja e abuzimeve është e ndërtuar në këtë mënyrë: nga baza logjistike ku komandant ishte gjeneral Gjunkshi, në çdo poligon vendosen njerëzit e tyre, ku bëjnë furnizime me kamionë të municioneve. Por në të vërtetë, që në ngarkesën e tyre në tunele, bëjnë seleksionimin e municioneve me metale me ngjyra dhe pa ngjyra, në fishekë bronzi, në predha me unaza bakri dhe këto grumbullohen në uzinë për demontim me shkrirje dhe për shitje municioni jashtë vendit. Kurse metali i shkrirë shitet nga uzina si skrap i thjeshtë me çmimin 340 lekë të vjetra, por në të vërtetë bakri dhe bronzi kanë një çmim real prej 6.7 mijë lekë të vjetra”.
Por si del emri i Shkëlzenit në skenë?
“Në raste të përsëritura e kam dërguar drejtorin në një lokal në periferi të Tiranës, i quajtur “Sofra e Ariut”, ku ai zhvillonte kryesisht takime me biznesmenë të huaj, por është për t’u theksuar se në këtë lokal drejtori mbante dhe disa takime që i quante veçanërisht të rëndësishme. Po ju përmend një prej tyre. Pas një takimi me disa biznesmenë të huaj, që nuk i njoh, e pyes drejtorin se si shkoi takimi. Ai më thotë se: “Këta që unë takova sot, kanë ardhur me porosi të Imamit dhe të Shkëlzenit”. E theksoj se në shumë takime me të huaj, drejtori përmendte emrin e Shkëlzen Berishës. Më gjatë nuk di”./ep

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:12

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do mbetet një nga figurat më të përfolura të këtij kabineti në largim.
Edhe pse kanë mbetur pak ditë nga largimi, Imami vazhdon që të përdorë postin për përfitime.
Kështu, siç raporton Shekulli, Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura.
Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim.
Tenderi do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat.
Por shitja për skrap e avionëve , helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura.
Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarak të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 14:45

Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i ka dhënë një tender mikut të tij me vlerë plot 1.9 miliard lekë.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Dita, që shkruan se bëhet fjalë për një tender për uniformat, që është zhvilluar pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve dhe faktit se Imami është në largim.
Për më tepër, fituesi i tenderit me këtë vlerë nuk është një firmë e certifikuar për standardet që kërkohen nga NATO për uniformat, por një subjekt bar- restorant, me aktivitet edhe vreshtarinë.
Bëhet fjalë për një tender të uniformave të ushtrisë, në një periudhë 7 vjeçare, 2013-2019, (të zhvilluar së fundi nga Ministria e Mbrojtjes. Tenderi përfshin të gjitha llojet e uniformave ushtarake.
Po çfarë ka ndodhur me tenderin? Ligjërisht ai duhej të zhvillohej nga Drejtoria e Tenderimit në Ministrinë e Mbrojtjes. “Ngaqë specialistët e kësaj Drejtorie kanë kundërshtuar, nuk kanë qenë dakord me fituesin e paracaktuar nga Imami dhe tenderin me vlerë mbi limit, është urdhëruar që tenderi, në kundërshtim me ligjin, të bëhet në Brigadën e Logjistikës. Urdhri, me porosi të Imamit, për këtë është firmosur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Tenderi në Brigadën e Logjistikës, është bërë nën drejtimin e gjeneral Syrja Gjokës, që njihet si njeri i afërt i Imamit. Është një nga shumë shkelje të rënda ligjore të kohëve të fundit që po bëhet në ministri,” shtojnë burime nga Ministria e Mbrojtjes.

12