Lajme Shqip Tuesday, 27 November 2012 13:04

Palestinë – Radioja zyrtare palestineze ka raportuar se trupi i pajetë i ish liderit palestinez, Yasser Arafat është zhvarrosur sot në mëngjes, si pjesë e procesit të hetimeve lidhur me akuzat se ai ishte helmuar.

Gjyqtarët francezë e kishin hapur hetimin në muajin gusht të këtij viti, për vdekjen e Yasser Arafatit, në Paris në vitin 2004, pasi një institut zviceran tha se kishte zbuluar nivel të lartë të poloniumit radioaktiv në rrobat e tij.

Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë nga Zvicra, Franca dhe Rusia, do të marrin mostra nga trupi i Arafatit, për të analizuar se a mund të gjenden gjurmët e helmimit.

Kufoma do të varroset sot më vonë gjatë ditës me nderime të plota ushtarake.

Shumë në botën arabe besojnë se Yasser Arafati, simboli i luftës për pavarësi të palestinezëve për katër dekada, ishte vrarë nga Izraeli. Izraeli fuqismisht i ka hedhur poshtë këto akuza. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 13:57

Palestinë – Palestinezët kanë filluar të hapin varrin e liderit të ndjerë, Yasser Arafat, me qëllim të kryerjes së hetimeve rreth vrasjes së mundshme të tij.

Lajmi konfirmohet nga burime të afërta të familjes, të cilët bënë me dije se procesi i lëvizjes së gurëve nga mauzoleu i Arafat do zgjasë 15 ditë.

Ekspertiza do ketë disa faza, ashtu siç edhe hapja e varrit të kryer një vit më parë, nga ekspertë të forenzikës nga Franca, Zvicra dhe Rusia, të cilët do të kryejnë hetimet nëse Arafati ishte helmuar para vdekjes.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 July 2012 21:30

Francë – Bashkëshortja e Jaser Arafat deklaroi sot nëpërmjet avokatëve se po përgatit një ankesë në Francë për të kërkuar një hetim lidhur me vdekjen e Arafatit në vitin 2004 në një spital francez. 

Paralajmërimi i Suha Arafatit vjen pasi autoritetet palestineze aprovuan kërkesën për të zhvarrosur trupin e Arafat, për të vërtetuar nëse ai ishte helmuar para vdekjes së tij. 

Veprimi erdhi pas një raporti të publikuar në televizionin Al Jazeera ku flitet për gjetjen e një sasie të lartë të helmit polonium në trupin e Arafat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 July 2012 10:30

Palestinë – Autoritetet palestineze thonë se do të lejojnë zhvarrosjen e kufomës së ish liderit, Jaser Arafat, për më tepër analiza, lidhur me shkaqet e vdekjes së tij, në vitin 2004.

Lideri palestinez, Mahmud Abas, tha sot se është i gatshëm të bashkëpunoj në kuadër të procesit të testimeve të mëtejshme.

E veja e të ndjerit Arafat, Suha, ka kërkuar autopsi pasi një laborator zviceran ka gjetur nivele të rritura të izotopeve radioaktive në gjërat që lideri palestinez i kishte përdorë në ditët e tij të fundit.

Analizat në këtë laborator u bënë në bazë të kërkesës së zonjës Suha.

Ish lideri palestinez vdiq në nëntor të vitit 2004, në një spital ushtarak afër Parisit, nga ajo që mjekët francezë e patën përshkruar si hemorragji masive të trurit, disa javë pasi ishte sëmurë në shtëpinë e tij në Bregun Perëndimor. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 20:02

Tunizi – Gjykata e Tunizisë dha sot urdhërarrest ndërkombëtar për arrestimin e bashkëshortes të ish- liderit palestinez Jaser Arafatit për shkak të dyshimit se është e përzier në korrupsion.

Zëdhënësi i Ministrisë tuniziane të Drejtësisë deklaroi se gjykata  në Tunizi ka dhënë urdhërarrest  për arrestimin e Suha Arafat (48),  të cilës në vitin  2007 i është marrë  shtetësia tuniziane të cilën e mori tre vite më parë.

Autoritet tuniziane kërkojnë Suha Arafat, e cila momentalisht jeton në Malta,  për shkak të korrupsionit në vitin 2006, kur e ka themeluar Shkollën ndërkombëtare në Tunizi  së bashku me  zonjën e parë të Tunizisë  Lejla Trabesi, bashkëshortja e liderit  të mposhtur  Zin al Abidin  Ben Ali.

Arafat dhe Trabesi më pas janë grindur, ndërsa bashkëshortja  e liderit palestinez, siç zbulojnë dokumentet e publikuara nga “Ukiliks”, në bisedën me ambasadorin amerikan në Tunizi ashpër ka kritikuar familjen në pushtet në  këtë vendin afrikanoverior.

Suha Arafat menjëherë më pas është shpallur për “persona non grata” në Tunizi, i është marrë shtetësia dhe është dëbuar nga shteti.

Ajo është martuar për Jaser Araftin në vitin 1990  dhe ka qenë sekretare e përgjithshme e Organizatës çlirimtare palestineze, selia e të cilës gjendet në Tunizi prej viti 1982 deri në 1994. Lideri palestinez ndërroi jetë në vitin 2004.

Ajo shpesh herë është akuzuar se e ka shpenzuar fondet publike  që të jetojë një jetë luksoze në Paris.