Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 22:38

Dy gola të Karim Benzema dhe një gol i Kaka në 15 minutat e fundit të ndeshjes i kanë mjaftuar Real Madrid për të marrë një sukses 3-0 në Qipro dhe për të mbyllur praktikisht çerekfinalet e Ligës së Kampioneve përballë APOEL. 

Madrilenët e kanë patur shumë të thjeshtë përballë vendasve, të cilët janë mbyllur në gjysmëfushën e tyre, pavarësisht mbështetjes së zjarrtë të 23 mijë tifozëve në stadium. Reali mund të kishte shënuar disa herë por Ozil, Benzema e Kristiano Ronaldo kanë falur para portës gjatë 45 minutave të para ku ekipi i tyre mbajti 70% topin dhe regjistroi 11 gjuajtje në portë përballë asnjë të vendasve.

Edhe pjesa e dytë shfaqi të njëjtën tablo, por këtë radhë madrilenët vendosën të mbyllnin praktikisht kualifikimin. Kaka, i futur në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes, gjeti Benzema, i cili nga një distancë e afërt devijoi topin në rrjetë në minutën e 74-t. Vetëm 8 minuta më vonë është vetë braziliani që gjen rrugën e rrjetës pas një aksioni të Marselos ndërsa rezultati 3-0 vuloset nga goli i dytë personal i Benzema, i gjetur saktësisht në zonë nga Ozil në minutën e 90-të.

Tashmë Reali mund të mendojë si të kursejë energjitë për ndeshjet e tjera në këtë fund sezoni pasi me këtë fitore, takimi i kthimit në “Santiago Bernabeu” është thjesht formalitet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 18:58

Pas thuajse një jave heshtje për shkak të polemikave në kampionat, Zhoze Murinjo është kthyer të flasë, por këtë radhë për Ligën e Kampioneve, ku Reali i tij është përballë qipriotëve të APOEL.

“Duhet të respektojmë APOEL, kanë bërë një Champions fantastike dhe e meritojnë të jenë këtu. Kanë një grup të mirë që është më i rëndësishëm sesa cilësia individuale e lojtarëve”.

“Në këtë sport, gjithçka është mundur, duhet të jetë një leksion për të gjithë. Falënderoj njerëzit e Qipros për mbështetjen ndaj klubit tonë”, tha ai duke iu referuar pritjes së jashtëzakonshme që i kanë bërë kësaj skuadre në momentin e mbërritjes në Nikosia.

“Jemi favoritë, nuk mund ta mohojmë. Reali dhe APOEL nuk mund të krahasohen, por i respektoj shumë, kemi studiuar evoluimin e tyre. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Virtyti më i madh i APOEL është se janë një skuadër e ekuilibruar, gjë që për mua është një gjë shumë e rëndësishme në futboll”.

“Do të jetë e vështirë që të sigurojmë kualifikimin që nesër, mjafton të mendosh për CSKA. Shpresoj që pas ndeshjes të flitet për lojtarët dhe jo për gjyqtarët”, delaroi Zhoze Murinjo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 09:47

Pivos Erotokritov, presidenti i APOEL të Qipros po bëhet gati që të përjetojë një nga netët më të bukura të jetës së tij, pasi ekipi i tij do të përballet me Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Një tregtar armësh në jetën e përditshme, ai ka zbuluar se ka vënë rregulla strikte në klubin ku drejton, për ta nxjerrë nga ujërat e turbullta ku notonte deri disa vite më parë dhe për ta kthyer në një ekip që luan çdo vit për trofe dhe në Kupat e Evropës.

“Kemi shpenzuar shumë në vitet 2009 dhe 2010, por vendosëm të mos shpenzonim për blerje edhe pse hymë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve”.

“Unë preferova që  klubi të mos hynte në borxhe të panevojshme. Buxheti jonë aktual është 9 milionë euro në vit, më pak sesa merr rrogë Kristiano Ronaldo, ndërsa dy lojtarët më të mirë marrin nga 400 mijë euro në vit. Pjesa tjetër e futbollistëve marrin mesatarisht nga 250 mijë euro. Të ardhura të tjera janë bonuse për golat dhe përqindje nga ajo që fitojmë në Ligën e Kampioneve, një formë socializmi”.

“Këtë vit nga turneu kemi fituar 22 milionë euro, por nuk do t’i shpenzojmë si të çmendur. Jemi një vend i vogël dhe nuk i sigurojmë dot 9 milionë eurot që shpenzojmë çdo vit. Nëse shpenzojmë para në mënyrë të panevojshme dhe për 2 sezone nuk luajmë me sukses në Ligën e Kampioneve apo Europa League, atëherë do të përfundojmë në faliment. Sa për informacion, paratë që fitojmë ne nga e drejta televizive janë më pak se ajo që fitohet në kategorinë e dytë në Spanjë apo Angli. E megjithatë, në fushën tonë do të mundohemi të fitojmë ndaj Realit”, ka qenë premtimi i Erotokritov par gazetën spanjolle “As”. (LajmeShqip.com)