Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 08:45

Romë – Qeveria italiane ka marrë hapa të drejtpërdrejtë kundra pronarit të anijes turistike “Costa Concordia”, për shkak të kostos të dëmit të mundshëm ekologjik dhe shpenzimeve të bëra për nxjerrjen e trupit të anijes.

Anija “Costa Concordia” më 13 janar u fundos në ishullin Giglio, ku si pasojë e kësaj tragjedie humbën jetën 32 persona.

Në fillim të këtij muaji, filloi operacioni i pompimit të derivatit të mbetur nga anija dhe pritet që kjo do të zgjasë deri në katër javë.

Qeveria italiane gjithashtu është e brengosur për shkak të shpenzimeve të nxjerrjes së anijes së madhe e cila u përmbys dhe u fundos deri në gjysmë në det. Operacioni do të mund të zgjasë prej shtatë deri në dhjetë muaj.

Në momentin e aksidentit, në anije kishte 4.229 persona nga 60 vende.

 
Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 13:00

Paris-Prokuroria franceze lajmëroi nisjen e një hetimi paralel për fundosjen e kryqëzorit turistik në brigjet e një ishulli italian, aksident që i mori jetën 32 personave, midis të cilëve edhe gjashtë shtetasve francezë.

Në një komunikatë zyrtare, hetuesit informuan se do të marrin në pyetje të mbijetuarit, për të “përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi fundosja dhe procedurat e ndjekura pas shpalljes së evakuimit”.

Ishin 450 shtetas francezë në “Kosta Koncordia”, kur ajo u përplas me shkëmbinj nënujorë dhe u fundos në afërsi të ishullit të Xhilios, në datën 13 janar.

Hetimet e kryera nga autoritetet italiane fajësojnë kapitenin për një gabim njerëzor. Megjithatë, ekspertë të Rojes bregdetare franceze do të dërgohen në vendin e aksidentit, për të rishqyrtuar rrethanat.

Vendimi i Parisit erdhi pas ankesave të shumta të kryera nga të mbijetuarit francezë, për mënyrën se si u trajtuan pas lëshimit të alarmit të përgjithshëm dhe komunikimit të vendimit për të braktisur anijen.

Midis 32 të vdekurve, 17 trupa janë rikuperuar, ndërsa 15 të tjerë vazhdojnë të konsideruar zyrtarisht si të zhdukur. Në total, 4.200 persona ndodheshin në “Kosta Koncordia” në ditën e aksidentit.

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 19:49

Romë- Zhytësit italianë kanë ndaluar përfundimisht kërkimet nën ujë për viktimat e tragjedisë “Kosta Konkordia”, pasi kushtet mbi ujë janë bërë shumë të pasigurta.

Agjencia për Mbrojtjen Civile njoftoi se ekipet e emergjencës, megjithatë, do të vazhdojnë të inspektojnë pjesë të anijes që ndodhen mbi ujë, duke përdorur pajisje speciale për të zbuluar ekzistencën e ndonjë kufome.

Anija “Kosta Konkordia” ka pasur mbi 4.500 udhëtarë dhe anëtarë ekuipazhi në bord kur është përplasur në brigjet perëndimore të Italisë më 13 janar.

Shtatëmbëdhjetë njerëz janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 15 të tjerë vazhdojnë të mbesin të zhdukur. Kapiteni i anijes, Françesko Shetino, përballet me akuzat për vrasje dhe braktisje të anijes së tij. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 18:14

Xhilio- Shefi i operacionit shpëtues dhe komisar i qeverisë italiane për fatkeqësinë e anijes “Kosta Konkordia”, Franko gabrieli, sot deklaroi se tashmë nuk ka shpresë për të mbijetuar të anijes, përafërsisht dy javë pas përmbysjes së saj, transmetuan agjencitë.

“Duhet me qetësi ta pranojmë idenë se nën këto kushte tashmë nuk ka shpresë për të mbijetuar”, deklaroi gabrieli në konferencën për shtyp në ishullin Xhilio, ku dha llogari për operacionet rreth anijes, që u përmbys më 13 janar.

Sipas të dhënave më të reja, janë gjetur trupat e 16 personave, prej të cilëve 13 janë identifikuar, ndërsa 16 të tjerë akoma llogariten të zhdukur.

Gabrieli saktësoi se përveç kërkimit të trupit të “Kosta Konkordia”-s, tre anije dhe ekuipazhet e tyre do të kërkojnë edhe në fundin e detit rreth anijes së përmbysur.

Agjencia toskanase për mbrojtjen e mjedisit jetësor sot tha se nuk ka problem me ndotjen e detit me kemikalie, që ndodhen në preparatet për larje, pasi që dje u kuptua se niveli i tyre në ujërat e Xhilios është i ngjashëm me atë në portet industriale, si Margera, në afërsi të venecies, përkatësisht paraqet ndërmjet dy dhe tre miligramë në litër.

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 07:30

Romë- Kërkuesit italianë nxorrën trupat e dy grave nga anija turistike luksoze “Kosta Konkordia”, e cila më 13 janar ka ngecur në afërsi të brigjeve të Toskanës, ndërsa numri i viktimave arriti në 15 persona dhe 17 të tjerë llogariten të zhdukur.

Përfaqësuesit zyrtar gjatë fundjavës deklaruan se në momentin e fatkeqësisë ka pasur edhe mysafirë të paregjistruar në anije, që do të thotë se numri i të zhdukurve mund të jetë edhe më i madh.

Admirali Ilarion del’Ana sot kumtoi se pompimi i 2.300 tonë derivateve nga anija do të mund të fillojë që nesër, me qëllim që të evitohet katastrofa ekologjike, e cila mund të shkaktohet nëse fillon rrjedhja e derivateve.

Përfaqësuesit zyrtar vendosën që operacioni për gjurmimin e trupave dhe operacioni për pompimin e derivateve të bëhen njëkohësisht, duke konsideruar se anija nuk mund të fundoset plotësisht.

Në fatkeqësinë e anijes ka gjithsejt 67 të lënduar. Në momentin e fatkeqësisë, në anije ndodheshin 3.200 udhëtarë dhe 1.023 anëtarë të ekuipazhit.

 
Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 20:30

Bruksel- Bashkimi Evropian përpiloi ligj sipas të cilit pronarët e anijeve janë drejtëpërdrejt përgjegjës në rast të fatkeqësisë së anijeve të tyre, por ai nuk do të hyjë në fuqi para përfundimit të vitit 2012, dhe nuk do të mund të zbatohet tek pasagjerët e anijes “Kosta Konkordija”.

“Legjislacionin evropian e zbaton konventa athinase nga viti 2005 dhe vendos përgjegjësi objektive për pronarët e anijeve. Nuk ka nevojë për dëshmi të gabimit që të mund të paditet pronari i anijes dhe personat e siguruar, deklaroi një ekspert anonim i komisionit.

Ligji parashikon se dëmshpërblimi mund të arrijë deri në 300.000 euro për pasagjerët e anijes të cilët janë viktima të fatkeqësisë. Megjithate, ligji nuk do të hyjë në fuqi para përfundimit të vitit.

“Ishin të nevojshme katër vite negociata që të miratohet ligj nga sfera e të drejtës evropiane”, theksoi eksperti.

Mbi 70 udhëtarë të cilët përjetuan anije mbytje në kryqëzorin italian “Kosta Konkordia” ngritën procedurë të përbashkët kundër pronarit të anijes me qëllim që çdo udhëtarë të marrë kompensim prej 10.000 euro.

Hulumtimi do të konfirmojë se e kujt është përgjegjësia, e pastaj gjykatat italiane do të caktojnë se cili ligj do të zbatohet, deklaroi eksperti nga Brukseli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 08:30

Romë- Një gjermane, e cila konsiderohej si e zhdukur pas fatkeqësisë së anijes “Kosta Konkordia” në afërsi të bregut perëndimor të Italisë, sot është gjetur e gjallë.

Njoftohet se turistja gjermane Gertrud Georgens është  kthyer vetë në vendin e saj.

Me këtë numri i njerëzëve, të cilët konsiderohen si të zhdukur u zvogëlua në 26. Një pjesë prej tyre me siguri do të gjenden mes viktimave të cilat ende nuk janë identifikuar. Deri tani është konfirmuar vdekja e 11 personave.

Ndërkohë mësohet se anija luksoze “Kosta Konkordia” që përjetoi një fatkeqësi tek brigjet e Toskanës, është siguruar në 395 milionë euro, sipas burimeve të ndryshme.

Tragjedia, në të cilën jetën e humbën të paktën 11 persona, është fatkeqësia më e madhe detare në historinë, sipas njërës prej kompanive të sigurimit.

Rreth 28 kompani të sigurimit duhet ta bëjnë pagesën e dëmeve të anijes, theksoi njëri prej tyre, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Shuma e siguruar për “Kosta Konkordia” është adekuate në rreth dhjetë përqind nga pagesat, të cilat çdo vit i paguajnë pronarët e anijeve, ose gjithsej mes pesë ose gjashtë miliardë dollarë.

Në anijen “Kosta Konkordia” ka pasur 4.229 persona – 3.200 turistë dhe rreth një mijë ekuipazh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 11:30

Romë- Ekipet e shpëtimit mbrëmë kanë gjetur edhe një trup të vdekur gjatë përmbytjes së anijes turistike italiane “Kosta Konkordia”.

Me këtë numri i viktimave të konfirmuara deri më tani në anije arrin shtatë persona, ndërsa edhe 28 llogariten si të zhdukur.

Deri më tani shpëtuesit kumtojnë për 16 të zhdukur, midis të cilëve katër turistë italianë, dy amerikanë, dy çifte nga Franca dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

Anija “Kosta Konkordia” me më shumë se 4.200 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit të premten në mbrëmje u përmbyt në afërsi të Toskanës pasi u përplas në një shkëmb. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 15:00

Romë- Pronari i anijes italiane, që ka ngecur në rërë në brigjet e Italisë, duke vrarë të paktën pesë njerëz, tha se kapiteni mund të ketë bërë “gabime në drejtim”, që kanë shkaktuar pasoja serioze.

Në deklaratën e kompanisë “Costa Crociere” thuhet po ashtu se nuk janë ndjekur procedurat standarde për raste emergjente.

“Kompania do të mbetet në bashkëpunim të ngushtë me kapitenin dhe do t’ia sigurojë tërë ndihmën e nevojshme, por duhet t’i pranojmë faktet dhe nuk mund të demantojmë se bëhet fjalë për gabim njerëzor”, tha Foski në konferencën për shtyp në Xhenova.

Kapiteni i anijes, Françesko Shetino, është arrestuar nën akuzat për vrasje dhe braktisje të anijes së tij.

Incidenti ndodhi me 4.200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në bord.

Burimet zyrtare në Itali kanë konfirmuar se kanë gjetur trupin e një të mbyturi në rrënojat e anijes që ngeci në rërë në brigjet italiane.

Viktima e sotme çon në gjashtë numrin e të vrarëve të konfirmuar në tragjedinë në fjalë. Të paktën 15 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur.