Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 15:22

Ka kaluar vetëm një vit nga vdekja e këngëtares legjendare Amy Winehouse për shkak të varësisë së saj ndaj narkotikëve, dhe tani është ish-bashkëshorti i saj Blake Fielder-Civil që duket se rrezikon të përqafojë të njëjtin fat. 30 vjeçari ndodhet në gjëndje kome, në një luftë për të mbijetuar, edhe kjo pasojë e ovërdozës.

Sipas një intervistë nga The Sun, Aspin që është mamaja e djalit të tij 15 muajsh, tregon se Blake një natë më parë kishte qenë për të pirë me shokët dhe kur ishte kthyer në shtëpi dukej qartë që ishte i pirë. Sipas të dashurës së tij Aspin, Blake prej kohësh ishte mjaft mirë dhe madje të dy po diskutonin të martoheshin.

Mjekët nuk e kanë zbuluar ende se cila ka qenë substanca e konsumuar që i ka shkaktuar Blake-ut këtë gjëndje kome.

Fielder-Civil ka një histori të gjatë me abuzimin me substancat narkotike, të cilat janë dokumentuar mjaft mirë nga media gjatë dy viteve martesë me Winehouse. Në vitin 2008 në një intervistë ai pranoi se ishte ai që e kishte shtyrë Winehouse të provonte heroinën. Martesa e tyre që dukshëm bazohej në konsumimin e narkotikëve, ka qenë një marrëdhënie e stuhishme me dhunë fizike dhe arrestime të panumërta. Ata u divorcuan në vitin 2009. Po atë vit ai u njoh me Aspin gjatë qëndrimit të tij në një qendër rehabilitimi. Në vitin 2011 ai ra në burg me akuzën e vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Pavarësisht problemeve të shumta që kanë pasur me Blake qëkurse ai u njoh me Amy-n, Mitch, babai i legjendës së muzikës ka bërë një deklaratë në Tweeter duke thënë: “Një lajm i tmerrshëm për Blake… Mos harroni, Amy e ka dashur atë! Prandaj ju lutem të gjithëve të luteni për rikuperimin e tij”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 10:30

Amy Winehouse ndihej xheloze për suksesin e Adeles, të cilën e shihte si rivalen e saj kryesore, deklaroi miku dhe producenti i këngëtares së ndjerë, Mark Ronson.

Në një intervistë për një revistë rozë, Ronson, i cili ka prodhuar shumë prej këngëve të Winehouse, deklaroi se ajo ndihej “në ankth” nga ritmi i shpejtë i suksesit që po korrte Adele në skenën ndërkombëtare.

Ai zbuloi gjithashtu se suksesi i rivales britanike kishte inkurajuar Winehouse që të rikthehej të punonte për një album të ri, i cili do të niste të realizohej pak pas vdekjes së saj aksidentale, pothuajse një vit më parë.

”Kaluam pak kohë përpara vdekjes së saj, por mjaftueshëm për të kuptuar tensionin dhe gjendjen e keqe në të cilën ishte Amy. Vetëm Zoti e di arsyen e vërtetë, por në lidhje me Adelen, ajo ishte shumë e tensionuar. E pëlqente muzikën e saj, por njëkohësisht e tensiononte suksesi që Adele po arrinte në një kohë aq të shkurtër, duke i hapur asaj një konkurrencë tejet të ashpër”.

Amy dhe Adele frekuentuan të dyja të njëjtën shkollë, kolegjin e Croydon në Londrën Jugore, por nuk ishin studente në të njëjtën kohë.

Këngëtarja Winehouse u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare, në korrik 2011, si pasojë e një mbidoze alkooli.

 
Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 11:30

Pikërisht në vendin ku këngëtarja tragjike Amy Winehouse pati debutimin e saj amerikan në Nju Jork në vitin 2007, njerëzit pranë saj u bënë sërish bashkë, por këtë herë për një tjetër qëllim.

Familja e këngëtares dhe miq të ngushtë të tyre, këtë 12 Prill u bënë bashkë në pub-in e saj të preferuar ‘Joe’ në Nju Jork për të promovuar degën amerikane të fondacionit që mban emrin e saj. Një organizatë kjo e themeluar nga i ati me qëllimin e vetëm për të ruajtur kujtimin e saj dhe jo vetëm kaq, për t’i ardhur në ndihmë të rinjve që luftojnë me sëmundje të ndryshme; sidomos të rinjve që janë të varur nga lëndët narkotike dhe të varfërve të cilët për shkak të gjendjes financiare nuk mund të ndjekin ëndrrat e tyre.

Prindërit e këngëtares Janis Winehouse Collins dhe Mitch Winehouse janë të divorcuar, por janë duke punuar ngushtësisht bashkë për të çuar përpara misionin e këtij fondacioni, të ndihmuar edhe nga vëllai i saj, Alex.

“Nuk mund të mos jemi të gjithë zemërthyer për humbjen tonë të madhe, dhe më e pakta që mund të bëjmë për momentin, është që të bëjmë diçka për të rinjtë e tjerë”, është shprehur i ati i Winehouse për të pranishmit në “Joe’s Pub” në Nju Jork.

Sipas deklaratave të familjes së saj, deri më tani fondacioni që mban emrin e saj, ka mundur të grumbullojë mëse 1 milionë paund të cilat do të investohen për t’i ardhur në ndihmë të rinjve në nevojë. Sa i takon donacionit të parë të fondacionit të saj për Amerikën, mësohet se ndihma e parë ka shkuar për orkestrën e xhazit të New Orleans.

Ndërkohë, i ati i këngëtares është duke përfunduar librin e tij për të bijën, i titulluar “Amy My Daughter”, të ardhurat e të cilit do të shkojnë gjithashtu për fondacionin. Libri pritet të botohet gjatë muajit qershor.

 
Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 15:15

Mitch dhe Janis Winehouse janë prindërit e këngëtares së ndjerë, Amy Winehouse, që ndërroi jetë vitin e kaluar për shkak të problemeve të saj me drogën. Me të gjithë pasurinë e vajzës së tyre, ata ndërtuan një fondacion në emër të saj, për të ndihmuar njerëzit narkomanë dhe mbas kësaj kanë nisur edhe një projekt tjetër, për një qëllim mjaft të bukur.

Ata kanë caktuar një buxhet dedikuar një burse studimi për zbulimin e një “Amy të re” nga shkolla teatrale për të rinjtë  Sylvia, pikërisht ajo që zbuloi edhe Amyn kur ishte vetëm një vogëlushe 13-vjeçare.

Prindërit e saj janë mjaft të lumtur për realizimin e këtij projekti dhe shpresojnë që nga kërkimet e këtij konkursi të dalë një zë i talentuar po ashtu si Amy.

“Asgjë nuk do të na e kompensojë humbjen e Amyt, por kjo që po bëjmë është diçka vërtetë shumë e bukur. Na bën të ndjehemi mirë, një bursë në emër të saj të ndihmojë një talent që nuk ka mundësi financiare për të investuar për zhvillimin e talentit të tij. Kjo gjë do ta mbaj gjallë emrin e Amyt me një kujtim mjaft të bukur,” ka thënë babai i saj Mitch.

Shkolla e Sylvias, që e kishte mbyllur këtë aktivitet prej vitesh për shkak të mungesës së fondeve, është mjaft e lumtur që të rinisë këtë konkurs në zonën e tyre në emër të një ylli që doli pikërisht nga audienca e tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 13:50

Londër – Amy Winehouse vdiq tragjikisht në moshën 27 vjeçare këtë vit, por muzika e saj po vazhdon të pushtojë klasifikimet e albumeve muzikore.

Albumi i saj i publikuar pas vdekjes ‘Lioness: Hidden Treasures’ ka pushtuar sërish majat e klasifikimeve britanike edhe 4 muaj pas vdekjes. Albumi i saj menjëherë si ka dalë në shitje të hënën, ka arritur majat e klasifikimeve në Britani.

Si ka marrë vesh lajmin, babai i saj Mitch ka komentuar në profilin e tij në Twitter:
“Sapo më thanë që Amy është renditur e para. Zemra ime është e trishtuar por duke u përvëluar nga krenaria.”

Albumi i publikuar pas vdekjes së saj, është gjykuar si më i miri në krahasim me atë ‘Frank’ dhe ‘Black to Black’. Të gjitha shitjet e albumit më të fundit do të shkojnë në llogarinë e Fondacionit Amy Winehouse, të cilën e themeloi familja e saj, me këmbënguljen e babait, pas vdekjse tragjike të Winehouse. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 11:25

Lady Gaga i ka bërë një vizitë shtëpisë së këngëtares së ndjerë Amy Winehouse.

Ajo ka shkuar e maskuar për të mos tërhequr vëmendjen e askujt gjatë rrugës.

Thuhet se atë ditë ka qenë shumë e trishtuar dhe se është përlotur kur ka parë dhomën e fundit ku ajo mori frymë e gjallë. Lady Gaga gjithnjë kishte shprehur mjaft simpati për këngëtaren që ishte 3 vjet më e madhe se ajo.

“Kur fillova të publikoja këngët e mia, njerëzit kur më shikonin rrugës më thërrisnin Amy! Shumë prej tyre u ngjaja me të dhe shpesh herë në fillim më ngatërronin,” ka thënë Gaga para disa kohësh. Madje thuhet se Lady Gaga mund të jetë një nga kandidatet e mundshme për të interpretuar rolin e Amy-t në filmin e saj biografik.

Ndorkohë përpara tre ditësh është publikuar kënga e parë “Our Day Will Come” nga albumi i saj i fshehtë “Lioness”. Klipi i kësaj kënge përfshin një përzierje momentesh të këngëtares në skenë dhe mbrapa skene gjatë vitit të fundit, përpara se të vdiste më 27 korrik 2011.

Çdo shitje nga albumi i saj sekret do të shkojë në llogari të fondacionit bamirës të saj, “Amy Winehouse Foundation”. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 10:55

Fustani që këngëtarja britanike veshi për të pozuar për kapakun e albumit “Back To Black” do të dalën në ankand.

Fustani i dizenjuar nga stilistja Disaya do të dal në ankand me vlerën minimal 20 mijë paund.

Të gjitha fitimet nga kjo shitje do të shkojnë në llogari të Fondacionit Amy Winehouse, një organizatë bamirëse të cilën e ndërtuan prindërit e saj pas vdekjes tragjike të këngëtares.

Fustani do të dalë në shitje në Londër, në ankandin e Kerry Taylor “Passion For Fashion” më 29 nëntor.

Në këtë ankand fustani i Amyt do të jetë i ekspozuar përkrah fustanit të Elizabeth Taylor. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 16:55

Londër – Ajo ka qenë duke punuar prej vitesh për të nxjerrë një material që t’ia kalonte edhe albumit “Back To Black”. Dhe tani, disa muaj pas vdekjes së saj, po planifikohet për t’u publikuar albumi i saj i fshehtë. Albumi i saj do të quhet “Luanesha Amy Winehouse: Thesaret e Fshehura” dhe do të përmbajë thesare të fshehura, që janë regjistrime origjinale të saj.

Njëra prej këngëve flet për tradhtinë ndaj ish burrit të saj Blake Fielder-Civil, dhe një tjetër është e regjistruar kur këngëtarja ishte nën ndikimin e drogës. Albumi përfshin gjithashtu një duet me Tony Bennett, këngën jazz “Body And Soul”.

Babai i saj 60 vjeçar Mitch, është shprehur për tabloidin anglez “The Sun” duke thënë: “Kur fillova të gërmoja brenda këtyre materialeve filloi të më mbahej fryma nga emocioni. Kam shpenzuar aq shumë kohë duke i shkuar Amyt nga pas dhe duke i thënë se çfarë gjeniu ajo ishte!”

Ai ka treguar se familja e tyre nuk do të kishte dhënë aprovimin për publikim të këtyre materialeve në qoftë se ai nuk do të kishte qenë në nivelin albumeve të saj më të hershëm, si ai “Frank” në 2003-shin dhe “Back To Black” në 2006-ën. Producentët e saj Salaam Remi dhe Mark Ronson, duke dëgjuar materialet e saj kanë thënë: “Besoj se materiali që ajo ka lënë ka për të jetuar ndër vite. Në muzikën e saj ajo ka hyrë me mish dhe me shpirt dhe ka për të frymëzuar një brez të tërë.”

Këngëtarja Amy Winehouse u gjet e vdekur në shtratin e saj, në apartamentin në Camden të Londrës, të shtunën, më 23 korrik të këtij viti. Javën e kaluar dolën rezultatet e inspektimit mjeko-ligjor, të cilat treguan se niveli i alkoolit të gjetur në gjakun e saj, ishte pesë herë më shumë se niveli i lejueshëm.
Albumi i saj pritet të dalë në shitje gjatë muajit dhjetor. Çdo e ardhur prej tij do të shkoj për fondacionin “Amy Winehouse Foundation”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 October 2011 09:27

Vdekja e papritur e Amy Winehouse më 23 korrik, u vërtetua nga hetuesja britanike Suzanne Greenaway si një vdekje nga fatkeqësia. “Ajo kishte konsumuar alkool të mjaftueshëm dhe pasojat e padëshiruara fatale ishin vdekja e menjëhershme dhe e papritur,” tha Greenway.Patologu që ka bërë autopsinë mbi trupin e këngëtares së hitit “Rehab”, njoftoi se niveli i alkoolit në gjak ishte 4.5 herë më shumë nga kufiri ligjor i konsumit të pijes.

Doktoresha e Winehouse, Dr.Christina Romete, tha se këngëtarja kishte filluar të pinte sërish alkool pak ditë përpara vdekjes, pas një periudhe të gjatë moskonsumi. Kështu që, trupi i saj u dorëzua një ditë përpara se të gjendej e vdekur.Familja e saj, prindërit Mitch dhe Janis dhe vëllai Alex, ishin të pranishëm në sallën gjyqësore kur u shpallën rezultatet e raportit toksikologjik. Sipas një të afërmi të tyre, thuhet se pavarësisht zhgënjimit të asaj çfarë dëgjuan gjatë rezultatit, ata tashmë janë të qetë që gjithçka u sqarua. Deri dje, ata kanë predikuar se vajza e tyre nuk kishte konsumuar fare alkool në ditët e saj të fundit, gjë për të cilën u dha përgjigja zyrtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 09:45

Londër – Prindërit e këngëtares, Mitch dhe Janis Winehouse, do të marrin sot pjesë në seancën e  fundit të hetimit gjyqësor për gjetjen e shkaktarit të vdekjes së këngëtares Amy Winehouse.

Rezultati mjeko-ligjor do të bëhet i ditur në Gjykatën St Pancras Coroner, në qendër të Londrës.


Sipas tabloidit anglez “The Sun”, familjarët e këngëtares tragjike Amy Winehouse, kanë bërë të ditur se rezultati toksikologjik ka treguar se në trupin e saj gjatë vdekjes është ekzaminuar prezenca e alkoolit, por jo droga të paligjshme.

Këngëtarja 27 vjeçare e hiteve të famshëm Rehab, You Know I’m No Good dhe Back to Black, u gjend e vdekur në krevatin e shtëpisë së saj prej 2.3 milion paundësh, në Camden, në muajin korrik. Babai i saj Mitch 60 vjeçar, xhazist dhe dikur taksist, pati treguar se vajza e tij arriti një ‘shërim fantastik’ ndaj varësisë së drogës, ku prej tre javësh ajo nuk kishte konsumuar as edhe një gllënjkë alkool.


Burimet nga familjarët e saj tregojnë se vdekja është shkaktuar nga ndërprerja e konsumit të alkoolit në mënyrë të menjëhershme, duke injoruar në këtë mënyrë këshillat e mjekëve për të hequr dorë nga pija gradualisht. (LajmeShqip.com)