Lajme Shqip Tuesday, 24 December 2013 22:00

Pothuajse 550 persona që aktualisht mbahen si të dënuar në burgje, pa llogaritur një numër të konsiderueshëm që janë nën shërbim prove, që në total mund të shkojnë rreth 1000 mijë të burgosur, pritet të përfitojnë nga amnistia.

Në amnisti propozohet të përfitojë çdo i dënuar me burg për vepra që parashikojnë deri në dy vjet burg, çdo person që është me dënim alternativ i dënuar deri në dy vite burg, si dhe të pushohet çdo hetim apo procedim penal në prokurori për vepra penale të kryera deri më datën 30 nëntor që parashikojnë dënimin deri në dy vjet burg. 

Për shkak të mbipopullimit, Ministria e Drejtësisë para pak ditësh paralajmëroi amnistinë dhe lirimin e 1000 të burgosurve, të dënuar për vepra të lehta. Siç bën të ditur njoftimi zyrtar nga MD sot, një projektligj mbi amnistinë është dërguar për konsultim pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prokurorisë së Përgjithshme e më pas do kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave.

Personat që përfitojnë amnisti: 

a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

b) personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

c) personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

ç) personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

d) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

dh) të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

e) të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të kodit penal.

Personat që nuk përfitojnë amnisti:

Konkretisht, neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë;

c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit;

ç) krime seksuale;

d) vepra penale kundër lirisë së personit;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

f) vepra penale kundër mjedisit; 

g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

h) vepra me qëllime terroriste;

i) krime kundër autoritetit të shtetit;

j) vepra me qëllime terroriste;

k) vepra penale kundër drejtësisë;

l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale./shekulli/ 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 September 2013 15:59

Prishtinë- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dekretoi shpalljen e Ligjit nr. 04/L-209, për Amnistinë, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më datë 11 korrik 2013 dhe të pranuar në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës më datë 12 shtator 2013.

Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 80, pika 2 dhe në nenin 84, pika 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e Presidencës.

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 14:48

Prishtinë – Ligji i amnistisë që u miratua kohë më parë në Kuvendin e Kosovës e që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Kështu, transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle, në një storje të transmetuar në emision “Europa Sot “, thekson se ligji i amnistisë kërcënon të vë në pikëpyetje të gjithë punën e EULEX’it në Kosovë.
Mediumi gjerman, rikujton se ligji fillimisht ishte menduar për Veriun e Kosovës, ku lulëzon kontrabanda dhe krimi i organizuar. Por, aty theksohet edhe dëshira e elitës kosovare të korruptuar dhe të zhytur në evazion fiskal, për ta amnistuar edhe vetën.
“Amnisti tingëllon bukur edhe në Parlamentin e Kosovës, të dominuar prej shqiptarëve. Deputetët kanë miratuar një ligj amnistie, i cili vlen jo vetëm për serbët në Veri, por edhe për aktet penale në mbarë Kosovën. Madje, një ligj edhe për vet deputetët. Elita e Kosovës është e zhytur në korrupsion në evazion fiskal dhe kriminalitet të organizuar. Por për të vendosur paqen e qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës, ishte në radhë të parë BE që ushtroi presion për këtë ligj” thuhet në storjen e DW.
Po ashtu, përmendet tregtia ilegale me produkte farmaceutike në Kosovë, që thuhet se është një ndër bizneset kriminale me qarkullimin më të lartë të parave.
“Por, tani mafia kosovare e shëndetësisë mund të shpresojë tek amnistia për falsifikuesit e dokumentave”
Ndërkaq, potencohet edhe rasti i ish – Sekretarit të Ministrisë Shëndetësisë Ilir Tolajt, që mund të përfitojë nga amnistia, sikurse edhe ai ish -Kryetarit të Ferizajt Bajrush Xhemajli, që kishte shkaktuar aksident duke lënë të vdekur një kosovar.
DW ka rikujtuar se tani ligji ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, por se ka pak shpresa të ndryshojë
“Por askush nuk beson se kjo instancë do ta rrëzojë atë, të gjithë janë pro Qeveria, Parlamenti dhe tek e fundit edhe Bashkimi Europian”.

 
Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 15:19

Prishtinë – Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Ligji për Amnisti është duke u shqyrtuar në këtë institucion dhe se më së largu më 16 shtator do ta kenë gati përgjigjen.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, Gjykata ka njoftuar se lënda që ka ardhur nga deputetët e Vetëvendosjes do të shqyrtohet në bazë të Ligjit dhe rregulloreve të këtij institucioni.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është në fazën shqyrtuese të kërkesës për Ligjin e Amnistisë, dhe se Vendimi do të merret brenda afatit ligjor dhe në përputhje me nenin 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës, shkruan Express. 
Sipas nenit 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese precizohet se ky institucion obligohet që nxjerr vendimin mbi kontestin, jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë, pas dorëzimit të kërkesës.
Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje është dorëzuar në Gjykata para tetëmbëdhjetë ditësh dhe sipas llogarive del se vendimi për Ligjin për Amnisti do të publikohet më së largu më 16 shtator.
“Sapo të merret vendimi, Gjykata Kushtetuese do t’ju informojë me kohë ju dhe opinionin për këtë, dhe Vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës”, thuhet më tej në përgjigje.
Ndryshe Ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 11 korrik me 90 vota për dhe 17 kundër.
Tetë ditë më vonë, deputetët e Vetëvendosjes të mbështetur edhe nga deputetë të Lëvizjes për Bashkim kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij ligji.
Sipas Vetëvendosjes, me miratimin e Ligjit janë shkelur neni 31, 32. dhe 24, nene këto që flasin për gjykim të drejtë, të drejtën e palëve për t’u ankuar dhe barazinë para ligjit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 12:21

Prishtinë – Ligji për amnistinë përfundimisht pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është vendimi i presidentes Atifete Jahjaga, e cila i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të veprojë në përputhje me nenin 43.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Pas kësaj Kuvendi ka marrë vendim të mos e dërgoj për publikim në “Gazetën zyrtare”, që do ta bënte atë ligj të plotfuqishëm, shkruan koha.

Ligji për amnistinë është dorëzuar për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët të Vetëvendosjes dhe të Lëvizjes për Bashkim. Po ashtu në kundërshtim të tij u zhvilluan protesta, kurse OJQ-të mblodhën mbi 12 mijë nënshkrime për një peticion, me të cilin kërkohej modifikimi i tij. Ai mund të hynte në fuqi edhe pa nënshkrimin e Presidentes, pasi Kuvendi ta publikonte në “Gazetën zyrtare”, një mundësi e ligjshme.

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:20

Prishtinë – Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Grupi i Rrjetit të Grave të Kosovës, Community Building Mitrovica, Syri i Vizionit, EC Ma Ndryshe dhe INPO, dorëzuan sot në Presidencë Peticionin e qytetarëve me mbi 12 mijë nënshkrime të cilët kërkojnë ndryshimin e Projektligjit për Amnisti, së bashku me kërkesën për kthimin e këtij Projektligji në Kuvend.

Mbledhja e nënshkrimeve siç njoftojnë vet këto organizata është bërë brenda 4 ditësh.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave, në letrën që ja kanë dorëzuar të premtën presidentës Atifete Jahjaga, janë shprehur se ata pajtohen me rëndësinë e këtij ligji, porse ai duhet të vlejë për integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës, shkruan rel. 

“Ky ligj ka dalë si detyrim nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e  Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe si i tillë duhet t’u adresohet në mënyrë eksplicite personave/subjekteve të cilat kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë. Versioni aktual i ligjit është shumë larg bërjes së një dallimi të tillë dhe lejon hapësirë për amnisti edhe të personave/subjekteve që nuk kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë”, thuhet në pikën 1 të kësaj letre.

Përpos një grupi të organizata jo qeveritare, projektligji është kundërshtuar edhe nga lëvizja Vetëvendosje.

 
Lajme Shqip Saturday, 13 July 2013 14:51

Prishtinë- Ligjin për Amnisti e kundërshtojnë 12 564 qytetarë. Kështu tregojnë nënshkrimet e grumbulluara në peticionin e organizuar nga Shoqëria civile, e cila vazhdon ta kundërshtojë ligjin për amnisti, të miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së të enjtes.

Ilir Deda, drejtor i KIPRED, gjatë një konference të sotme për shtyp, ka paralajmëruar se këtë peticion javën e ardhshme do ta dërgojnë tek presidentja dhe tek organizmat ndërkombëtarë, raporton koha.

Ai ka thënë se shoqëria civile kërkon që ky ligj të specifikojë personat dhe natyrshmërinë e veprave kriminale.

 
Lajme Shqip Thursday, 11 July 2013 09:45

Prishtinë – Kundër miratimit të Projektligjit për amnisti sot janë paralajmëruar të mbahen protesta para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Demonstrata fillojnë në ora 11;00 dhe ftohen të gjithë bashkëqytetarët ftohen që në shenjë solidarizimi t’iu bashkëngjiten edhe më herët atyre që para Kuvendit të Republikës së Kosovës po qëndrojnë me net të tëra.

Demonstratat mbahen në organizim të qytetarët e Republikës së Kosovës dhe sipas pas vendimeve që kanë ata marrë nga tubimet dhe diskutimet me bashkëqytetar tjerë.

 

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 11 July 2013 09:43

Prishtinë – (E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Republikës Kosovës sot, me leximin dytë të Ligjit për amnisti dhe pas refuzimit të amandamenteve të propozuara nga deputetja Alma Lama, miratoi Ligjin për Amnisti. Për këtë Ligj votuan 90 deputetë, kundër ishin 17, ndërsa njëri abstenoi. 

 

Miratohet në lexim të parë Ligji për Amnistinë 

 

Kuvendi i Kosoves ka miratuar ne parim Ligjin per Amnistine.

91 deputete kane votuar “per”, kurse 17 kane qene “kunder”.

Seanca vazhdon ne ora 15:00 ku Ligji per Amnistine do te votohet edhe ne leximin e dyte.

 

PDK, LDK, AKR dhe AAK pro Amnistisë, VV kundër

 

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, po vazhdon debati i deputetëve për Projektligjin për Amnistinë. Deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare kanë dhënë mendimet të ndara rreth ligjit.

Deputeti i VV’së, Glauk Konjufca ka numëruar disa nga të metat që sipas tij ka projektligji i propozuar nga Qeveria e Hashim Thaçit.

Ai tha se Ligji për Amnistinë është një kontratë që e vendos me një pjesë të qytetarëve të vet, e që ndodh nga kalimi i një gjendje politike në një tjetër me që rast në shoqëri lindin konflikte të thella apo konflikte të armatosura.

“E në Kosovë nuk është ky rast prandaj kur analizohet Ligji për Amnisti duhet të vendoset në kuadrin e plotë juridik për të cilin ai është propozuar e pastaj të sillet në Kuvend për miratim”, tha ai.

“Shtrohet pyetja cili është konteksti politik i këtij Ligji. Së pari nuk është kontratë mes shtetit të Kosovës dhe një pjesë e qytetarëve të vet, në këtë ligj nuk e kemi si palë të vetmuara shtetin dhe qytetarët e amnistuar por është kontratë e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Beogradit që doli nga bisedimet mes tyre në Bruksel”, vazhdoi Konjufca. Sipas tij bisedimet me Serbinë janë thelbi i Ligjit derisa përmes tij, tha se qeveria e Kosovës po i bënë të paprekur kriminelët e veriut

“Tash ata të cilët e krijuar rajonin e spastruat të Veriut të Kosovës me dhunën e armëve dhe barrikadave amnistohen nga Qeveria jonë kurse Beogradi i vendos ata në pozita udhëheqëseve të Autonomisë së Veriut”, tha ai.

Problem tjetër sipas tij është se Amnistia nuk po bëhet për shkak të qytetareve të thjeshtë të Kosovës të cilët kanë gabuar ndonjëherë duke shkelur ligjin.

“Këtu amnistia po ndodh për njerëzit të cilët deri sot kanë zhvilluar aktivitet ilegale dhe tash me këtë ligj do të kenë mundësi ë kthehen e të konkurrojnë për postë publike në institucionet e Kosovës”, tha deputeti i VV’së.

Menjëherë pas deputetit të VV’së, fjalënnga mazhoranca e mori deputeti i PDK’së, berat Buzhala.

Ai tha se të gjithë ata të cilët po kundërshtojnë Ligjin po thirren në emër të moralizimit të cësthjes për t’i ikur esencës së problemit.

“Në politikë sikurse në jetën e përditshme nuk asgjë më të pavlerë dhe të kotë se moralizimi megjithatë disa njerëze shohin endekëtë gjë sikur diçka atraktive sepse i shpëtojnë detyrës për t’u thelluar në esencën e problemit.

Lev Davidovich Bronshtein i njohur si Leon Trotsky shkruan në veprën e tij “Korrespodenca nga luftërat ballkanike”.

“Ju dhe ne jemi lodhur me moralizimin rreth çështje, i madh e i vogël të shumtënpa e lexuar Ligjin e të tillë e konsiderojë edhe atë që e lexon por nuk e kupton apo atë që e lexon e kupton por e transmeton qëllimshëm gabimisht”, shtoi Buzhala.

Sipas tij krejt moralizimi po ndodh vetëm se në Krye të Ligjit nuk shkruan që vlen vetëm për pjesën veriore të territorit të Kosovës apo vetëm për serbët e asaj pjese apo pjesës tjetër. “Sepse ky ligj do të quhej në rregull sipas këtyre moralizuesve po që se në krye të atij shkruan se nga dënimet nuk do të liroheshin punëtorët e sigurimit shtetëror, rojet e urave etj”.

“Të parin, atë që e përmenda më lartë kryesisht e përdorin revolucionarët e vetmuar të këtij shekulli derisa të dytin e përdorin të gjithë ata që dëshirojnë ta okupojnë hapësirën mediale prapa demagogjisë populliste por edhe më tutje shpresojnë të mos i këpusin fijet e fundit të donacioneve të cilat i lidhen me miq ndërkombëtarë.

Për këtë kategori thesari popullor ka rezervuar një thënie të bukur “Kryt te nana e pjesën tjetër të trupit te burri”, tha Buzhala.

Sipas deputetit Buzhala me amnistinë falen deri në një përqindje kriminelët të cilët cenuan shtetësinë e Kosovës duke hyrë kështu në rendin kushtetues të Kosovës e që dëshmon se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

“Të nderuar qytetarë kur ka ndodhur që Kryeministri i Serbisë të mbajë kryet kah puna që ne po bëjmë.

Ne po falim komunitetin serbë se[se ka cenuar integritetin e shtetit të Kosovës, pra nëse ua falim atyre çka kanë bërë deri në qershor atëherë ata edhe Daçiç që po besoj po na përcjellë do të hyjë në rendin kushtetues të Kosovës e kjo konfirmon se Kosova është shtet i pavarur”, tha Buzhala. /Express/Lajmeshqip/

 

Projektligji i amnistisë sot prapë në Kuvend

 

Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë sot para vetes sërish projektligjin për amnistinë, por në një formë që thuhet të jetë më ndryshe nga drafti i parë.

Në leximin e parë, ky projektligj nuk arriti që të kaloj, pasi nuk mblodhi dy të tretat e votave të nevojshme, që kërkohen për ndryshime të tilla.

Për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-ligji, mbi 6,000 qytetarë janë nënshkruar në një peticion të shoqërisë civile i cili pritet të dërgohet në kuvend.

Në kohën kur në parlament do të debatohet për projekt-ligjin e amnistisë, jashtë ndërtesës është paralajmëruar një protestë e cila është thirrur për në orën 11.

Tash e gjashtë ditë, përballë kuvendit proteston një grup i qytetarëve dhe aktivistë të Vetëvendosjes, në shenjë kundërshtimit të projekt-ligjit për amnistinë.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 19:59

Prishtinë – Grupi i qytetarëve që po qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës kundër Projektligjit për amnistinë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të enjten, më 11 korrik në ora 11:00 të bashkohen para Kuvendit të Kosovës, për të kundërshtuar Projektligjin që konsiderohet i dëmshëm për vendin.

“Ne, në cilësinë e bashkëqytetarëve, ju ftojmë juve, shtetasve të Republikës së Kosovës, të bashkohemi në protestën e nesërme, më 11 korrik 2013, e enjte, duke filluar nga ora 11:00 te Kuvendi i Kosovës. Përderisa protesta do të filloj në ora 11:00, të gjithë bashkëqytetarët ftohen që në shenjë solidarizimi t’i bashkëngjiten edhe më herët atyre që para Kuvendit të Republikës së Kosovës po qëndrojnë me net të tëra”, thuhet në deklaraten e shperndare prej tyre.