Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 00:26

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka mbyllur sot përfundimisht listën e përfaqësueses për ndeshjen kundër Norvegjisë, duke i bashkuar grupit ekzistues prej 18 lojtarësh edhe 8 emra të tjerë. Bie në sy fakti se pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, tekniku italian ka vazhduar të eksperimentojë, duke mbledhur tashmë në total 6 emra të rinj për kombëtaren shqiptare, 6 futbollistë që mund të debutojnë që në ndeshjen e fundjavës.

Debutuesve Gjasula e Llullaku, tashmë i janë bashkuar edhe mbrojtësi Ilir Berisha, mesfushorët Amir Abrashi, Ergys Kaçe dhe Vullnet Basha., duke çuar në 6 numrin e futbollistëve që mund të luajnë për herë të parë me kombëtaren ndaj Norvegjisë. Ndërkohë, pjesë e “listës shtesë” të kombëtares ishin edhe mbrojtësi i Empolit, Elseid Hysaj, mesfushorët Emiliano Vila e Valdet Rama, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi.

Të gjithë këto lojtarë do të jenë të pranishëm në rifillimin e grumbullimit në ditën e hënë, për t’i hapur rrugë pjesë së dytë të përgatitjeve për ndeshjen kundër skandinaveve. (LajmeShqip.com)

Lista përfundimtare e kombëtare shqiptare të futbollit:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo), Etrit Berisha (Kallmar), Orges Shehi (Skënderbeu).

Mbrojtës: Admir Teli (Karabak), Debatik Curri (Gençlebirligi), Mërgim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Tefik Osmani (Teuta), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Ilir Berisha (Orebro), Elseid Hysaj (Empoli)

Mesfushorë: Jurgen Gjasula (Duisburg), Migjen Basha (Torino), Ansi Agolli (Karabak), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Ervin Bulku (Sepahan), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Valdet Rama (Real Vajadolid), Vullnet Basha (Sion), Amir Abrashi (Grasshopers), Emiliano Vila (Pas Janina), Ergys Kaçe (PAOK),

Sulmues: Azdren Llullaku (Gaz Metan), Erjon Bogdani (Siena), Edgar Çani (Katania), Hamdi Salihi (Jiangsu Sainti).

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 21:51

Amir Abrashi do të jetë e reja e radhës e kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjen kundër Norvegjisë, duke u bërë një ndihmë më shumë për kuqezinjtë në sfidën e rëndësishme kundër Norvegjisë.

Mesfushori, që pak ditë më parë mori edhe shtetësinë shqiptare, do të jetë pjesë e ekipit kombëtar, siç ka konfirmuar vetë ai duke bërë të ditur se një ditë më parë i kishte thënë jo Zvicrës dhe Otmar Hitzfeld në një takim që kishte pasur me këtë të fundit.

“Zhvilluam një bisedë miqësore me z. Hitzfeld. Ai më tha që po më ndiqte me vëmendje dhe unë thjesht duhej të kisha pak durim. Por unë jam i ndërgjegjshëm që në pozicionin tim te Zvicra, janë 7 lojtarë para meje”, tha 23 vjeçari për repartin ku aktivizohen futbollistë si Inler, Behrami, Xhemajli, Shvegler, Gelson, Fabian Frei dhe Salatiç.

“Ndaj kam vendosur që të luaj me Shqipërinë. Më vjen keq, por kjo është e rëndësishme edhe për karrierën time”, tha futbollisti që më në fund ka siguruar lejen nga Federata Zvicerane për të veshur fanellën kuqezi të përfaqësues shqiptare.

Mesfushori i talentuar ka qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Zvicrës, me të cilën ka luajtur 18 takime si dhe është shpallur nënkampion Evrope në vitin 2011. Ai ishte pjesë e kombëtares olimpike zvicerane që mori pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 një vit më parë. (LajmeShqip.com)