Lajme Shqip Tuesday, 11 December 2012 19:31

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar një letër ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson – e cila në një intervistë televizive ka kritikuar sjelljen e këtij subjekti politik. Sipas Vetëvendosjes, deklaratat e ambasadores Jacobson, janë shqetësuese për shkak se ato bazohen në keqinformim.

E nderuara Ambasadore, znj Tracey Ann Jacobson,

Deklaratat tuaja të fundit për Lëvizjen VETËVENDOSJE! na kanë befasuar. Jo për shkak të kritikës ndaj qasjes sonë politike për shkak se një kritikë e tillë, pavarësisht qëllimit, është e mirëseardhur. Për dallim prej akterëve tjerë në skenën politike të Kosovës, ne e bazojmë konceptin tonë në parime politike që mund t’i gjeni gjithandej nëpër botë. Dhe, sikur gjithandej nëpër botë, edhe te ne do të ketë njerëz që nuk do të pajtohen me këtë konceptim të organizimit shoqëror, ekonomik e politik të vendit dhe qytetarëve që jetojnë në atë vend. Dhe, kjo është normale.

Deklaratat tuaja kanë qenë shqetësuese për shkak se ato bazohen në keqinformim. Tërë kundërshtimin ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! e bazoni në dhunën e supozuar nga ju, që po e ushtroka Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe të cilën e paskemi promovuar si mjet politik. Tutje, për ta ilustruar këtë argument tuajin të paqenë, ju na akuzoni se e paskemi kërcënuar ish Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Madeleine Albright, përmes një letre të cilën sipas jush ia paska dërguar kryetari i Lëizjes Albin Kurti znj. Albright. Këto asnjëra nuk qëndrojnë.

Ia kemi përsëritur disa herë edhe pararendësve tuaj, veçanërisht z. Christopher Dell, se Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje politike e cila është e organizuar sipas parimeve të aktivizmit qytetar dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrjen politike. Ne u mbetemi besnik parimeve bazë të demokracisë, sipas të cilave sovraniteti institucional shtetëror buron nga populli dhe i takon vetëm atij; secili popull duhet ta gëzojë të drejtën e lirisë dhe pavarësisë, dhe të barazisë me popujt tjerë; qytetarët duhet të jenë të barabartë me të tjerët, dhe të lirë nga arbitrariteti i pushtetit; secili popull duhet të jetë i lirë t’i gëzojë të mirat e veta materiale, pasuritë e veta, kapacitetet e veta ekonomike e prodhuese për rritjen e mirëqenies. Në këtë pikë besoj që pajtohemi.

Angazhimi ynë politik, meqenëse bazohet në aktivizëm, natyrisht se përfshin aksione protestuese, protesta e demonstrata aktive të qytetarëve kundër nëpërkëmbjes së të drejtave tona dhe kundër shpërdorimit të pasurisë sonë. Por këto manifestime tona të pakënaqësisë asnjëherë nuk kanë marrë kahje dhune të ushtruar nga ne. Dhuna është ushtruar ndaj nesh. Më 10 Shkurt 2007 policia e UNMIK-ut me ndihmën e krerëve politik të UNMIK-ut dhe të Institucioneve të atëhershme të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, kishin vrarë 2 demonstrues dhe plagosur 80 të tjerë. Në shumë raste në protestat tona policia dhunshëm kanë arrestuar dhe rrahur, e keqtrajtuar protestuesit paqësorë. Për këtë kemi edhe reagime të shumta të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si Amnesty International, të cilat e kanë dënuar dhunën e policisë. Pra prej nga i cilësuat ju aktivitetet tona si të dhunshme? Se analizë empirike përgjatë kohës sa ekzistojmë ne nuk na duket se keni mundur të bëni.

Ne nuk jemi Lëvizja e vetme politike në botë që aplikon metoda të tilla të angazhimit politik. Aksionet e tilla të aktivizmit qytetar shohim gjithandej nëpër botë sot. Dhe kemi parë gjithandej nëpër botë edhe në të kaluarën. Edhe në vendin prej nga vini ju, pra në ShBA, ka pasur dhe ka lëvizje të tilla. Madje këto edhe kanë lënë një gjurmë të theksuar pozitive në ndërtimin e demokracisë amerikane. Demokracia amerikane nuk do të kishte qenë e njëjtë pa Lëvizjen për të Drejtat Civile për Afrikano-Amerikanët. Diskriminimi nuk do të zhdukej pa ngritjen në këmbë dhe përpjekjet e të diskriminuarve kundër këtij diskriminimi. Sot, në kohën kur tërë globin e ka kapluar kriza ekonomike e financiare, jemi dëshmitarë të ngritjes së qytetarëve gjithandej nëpër botë kundër shkurtimeve buxhetore që shkojnë në dëm të publikes e mirëqenies së qytetarëve. Por jemi edhe dëshmitarë të kthimit të pushteteve demokratike kah qytetarët. Vetë Presidenti i ShBA-së Barack Obama doli në përkrahje të kërkesave dhe protestave të Lëvizjes Occupy Wall Street.

Letra së cilës i referoheni ju nuk i është dërguar znj. Albright. Ajo ka qenë një letër publike të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kërkuar nga të gjithë qytetarët ta dërgojnë në adresat e kompanive të interesuara për blerjen e PTK-së. Dhe këtë e kanë dërguar shumë qytetarë të Kosovës, krahas aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s. Qëllimi i kësaj letre nuk ka qenë kërcënimi por informimi i këtyre të interesuarve për kundërshtimin që këtij procesi të privatizimit ia bëjnë qytetarët e shtetit. Përmes letrës ne u kemi treguar kompanive të interesuara se qeveria e Thaçit nuk e gëzon as legjitimitetin më të vogël demokratik, politik e as etik për të marrë një vendim të tillë të rëndësishëm dhe me pasoja afatgjate për Kosovën. Prandaj u kemi sugjeruar ta rishikojnë interesimin e tyre për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike të qytetarëve të Kosovës, të cilën nuk janë të interesuar ta privatizojnë atë. Dhe u kemi thënë po ashtu se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje dhe ndërmarrjeve tjera publike në këtë mënyrë dhe nga kjo qeveri do të përballet me protesta të qytetarëve dhe me procese tjera ligjore që mund të rrjedhin pas çlirimit të gjyqësorit nga ndikimi i kësaj politike ditore të Hashim Thaçit. Ne nuk e kemi kërcënuar askënd, e aq më pak, siç thoni ju, znj. Albright që të mos vijë në Kosovë. Pas kësaj letre të dërguar më 1 shtator, znj. Albright ka qenë në vizitë në Kosovë në nëntor të këtij viti. Dhe nuk ka pasur kurrfarë kundërshtimi nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Madje në këtë vizitë ajo edhe i ka takuar disa deputete të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Është e vërtetë se ne kemi qasje tjetër ndaj politikës, krahasuar me subjektet tjera politike në vend. Ne mendojmë ndryshe nga ata. Ne jemi kundër dialogut jo parimor dhe pa kushte me Serbinë dhe jemi kundër koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë në kurriz të Kosovës. Ne e shohim Kosovën të ndarë nga Serbia dhe duke e pasur parasysh pozicionin armiqësor të Serbisë ndaj nesh, e sidomos krimet e Serbisë të kryera përgjatë viteve kundër shqiptarëve të Kosovës si një realitet i pakalueshëm i cili kërkon pendesë politike, vendosje të drejtësisë në vend dhe shpagim për dëmet materiale para se Serbia ta fitojë denjësinë që të ulet në tavolinë bisedash me ne. Ne angazhohemi që shteti ta ketë një rol më aktiv në ekonomi, e jo të shërbejë si spektator karshi rritjes së varfërisë së qytetarëve e degradimit të kapacitetit prodhues të vendit. Ne insistojmë në një Kosovë me qytetarë të lirë e të barabartë, me solidaritet të institucionalizuar shoqëror, me gjyqësor të lirë e të pavarur, me barazi para ligjit e me institucione të lira nga korrupsioni. Ne nuk e pranojmë legjitimimin e Tomislav Nikoliqit, zëdhënësit te Vojislav Sheshelit, e Ivica Daçiqit, zëdhënësit të Slobodan Milosheviqit, si vendimmarrës në Kosovë, gjë që po ndodh përmes këtij dialogu. Ne nuk do ta pranojmë shitjen e aseteve tona strategjike si Rrjeti i Distribucionit dhe Furzizimit të Energjisë Elektrike, dhe atë për vetëm 26 milionë euro. Ne nuk do ta pranojmë këtë shpronësim të popullit të Kosovës për xhepat e pushtetit. Ne nuk mund ta pranojmë një qeveri e cila punët i kryen në biseda telefonike mes miqsh, ku rehatojnë dajë e miq në institucionet e Kosovës. Këtë politikë nuk mund ta pranojmë sepse kjo politikë po na e shkatërron jo vetëm të tashmen por dhe mundësinë për të ardhmen. Kosova nuk ndihmohet as sa i përket demokracisë dhe as shtetndërtimit përderisa protestat opozitare konsiderohen problem shumë më i madh sesa korrupsioni multimilionësh qeveritar.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 18:24

Prishtinë – Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar se vendi i saj nuk mund të vendos raporte normale me Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa ajo nuk ndryshon taktikat e dhunshme.

Në një intervistë për “InfoMagazinën” e televizionit Klan Kosova, diplomatja amerikane ka treguar për herë të parë edhe përmbajtjen e një letre që kohë më parë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Aty, sipas saj, ai e kërcënuar miken e madhe të Kosovës.

“Me Vetëvendosjen kemi kontakte ne nivele të ndryshme. Njerëzit mund të mos pajtohen për çështje të ndryshme, por ne nuk pajtohemi me taktikat e tyre të dhunshme”, ka deklaruar ajo.

“Kam parë një letër të z. Kurtit kur kam ardhur këtu në Kosovë, e po ashtu kam parë një letër që z. Kurti ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ku ai e ka kërcënuar ish-Shefen time se nëse ajo viziton Kosovën, ai do t’i nxjerr njerëzit e tij në rrugë”, ka shtuar Ambasadorja Jacobson.

Sipas saj, Vetëvendosje duhet të ndryshojë.

“Ne dëshirojmë te kemi marrëdhënie të mira me ta, nëse ata ndryshojnë taktikën e tyre të dhunës dhe agresionit. Ne nuk mund të pajtohemi me ta përderisa ata bëjnë demonstrata të dhunshme dhe letra kërcënuese”, ka thënë ajo.

Ambasadorja amerikane në Kosovë në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun politik me Serbinë, marrëveshjen që solli në Presidencë Atifete Jahjagën dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.(G.E)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 13:18

Prishtinë – Ambasadorja e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson ka thënë të enjten se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka arritur përparim të jashtëzakonshëm, duke shprehur gjithashtu përkushtimin që së bashku me udhëheqësit e Kosovës mund të qojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vendosin themele të forta të demokracisë.

Jacobson, këto komente i bëri gjatë dorëzimit të letrave kredenciale, Presidentes Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Jacobson, e ka ndier veten krenare që përfaqëson Presidentin Obama dhe SHBA-të, gjithashtu ka thënë se SHBA-të janë krenare ta quajnë Kosovën mike.

Ajo duke folur për përparimin që ka bërë Kosova që nga viti 2008, ka thënë se në Kosovë ka një përparim të jashtëzakonshëm. “Është me të vërtet kënaqësi që jam këtu në ceremoninë zyrtare të prezantimit të letrave kredenciale, ilustron pak nga përparimi i jashtëzakonshëm që Kosova ka arritur prej shpalljes së pavarësisë. Gjatë kohës sime të shkurtër këtu, vetëm sa kam vërejtur edhe llojshmërinë dhe pasurinë që e ka Kosova”, ka theksuar Jacobson.

Ajo ka shtuar se mirëpret angazhimin në biseda të shumta me politikanë e biznese, si dhe me shoqërinë civile. Ajo beson se duke punuar së bashku me liderët e Kosovës, do të mund të ketë përparim në sundim të ligjit. “Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të qojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vënë themele të forta për një të ardhme të begatshme, stabile dhe demokratike”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale, i ka uruar ambasadores në Republikën e Kosovës, Tracy an Jacobson, punë të mbarë dhe sukses. Ajo ka shtuar se në këtë detyrë dhe mision shumë të rëndësishëm, Jackobson do të vazhdojë punën e mirë që kanë bërë të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Sipas saj për Republikën e Kosovës, zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me SHBA-të është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve. “Përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e SHBA-ve vlerësohet lartë nga populli ynë në rrugë tonë të çlirimit, të pavarësimit dhe për liri, si zgjidhje e drejt që Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur me sovranitetin dhe integritetin e garantuar, është faktor paqeje dhe stabiliteti, që zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me shumë shtete, të cilat tashmë e kanë njohur pavarësinë e vendit”, ka thënë Jahjaga.

E para e vendit ka thënë se Kosova duke qenë një vend demokratik i gjithë qytetarëve të saj pa dallim, synon edhe integrimin në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkim Evropian. “Edhe me këtë rast dëshiroj të theksoj, se Republika e Kosovës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë, pa dallim përkatësie etnike, e fetare, është e sigurt në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike dhe Bashkim Evropian, po jep kontribut shumë të rëndësishëm që vendi i ynë t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe t’i arrijë të gjitha standardet që me sukses të kapërcejë të gjitha fazat deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka theksuar presidentja.

Për më tepër ajo ka shtuar se për vendin tonë krahas zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm dhe sistemit të mirë të arsimit, të shëndetësisë dhe të fushave të tjera, është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit, të ketë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Në këtë proces jemi të gjithë bashkë, kemi vullnetin dhe përkushtimin, dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi suksese”, ka thënë ajo. (LajmeShqip.com)