Lajme Shqip Monday, 24 March 2014 14:40

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka bërë zyrtarizuar sot padinë e bërë nga ky institucion ndaj dy gjyqtarëve dhe një ambasadori. Gazeta “Shekulli” e njoftoi një lajm të tillë mëngjesin e sotëm, por për arsye etike nuk publikoi emrat e personave të përfshirë në hetim. Bëhet fjalë për ambasadorin Agim Isakun, gjyqtarin Ken Dhima dhe gjyqtaren Klorinda Çela. Të tre këta persona akuzohen për  “Fshehje ose deklarim të rremë të pasurive”.

Sipas njoftimit të ILDKPKI-së pas kontrollit të plotë të deklaratave të subjektit Agim Isaku dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare, ka rezultuar mosdeklarim i plotë i pasurisë. Për ambasadorin Isaku ka rezultuar “Fshehje e transaksionit dhe burimit të krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sipërfaqie 268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë”, si dhe fshehje e disa llogarive bankare.

 Për gjyqtarin Ken Dhima ka rezultuar “deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë, të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese, në shumën prej 2.770.000 lekë. Si dhe mungesa e burimit të krijimit të depozitës prej 1.050.000 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit”.

 E njëjta gjë ka rezultuar edhe për gjyqtaren Klorinda Çela. “Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese, në shumën prej 2.770.000 lekë”, -thuhet në njoftimin e ILDKPKI-së./shekulli/