Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 18:24

Prishtinë – Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar se vendi i saj nuk mund të vendos raporte normale me Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa ajo nuk ndryshon taktikat e dhunshme.

Në një intervistë për “InfoMagazinën” e televizionit Klan Kosova, diplomatja amerikane ka treguar për herë të parë edhe përmbajtjen e një letre që kohë më parë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Aty, sipas saj, ai e kërcënuar miken e madhe të Kosovës.

“Me Vetëvendosjen kemi kontakte ne nivele të ndryshme. Njerëzit mund të mos pajtohen për çështje të ndryshme, por ne nuk pajtohemi me taktikat e tyre të dhunshme”, ka deklaruar ajo.

“Kam parë një letër të z. Kurtit kur kam ardhur këtu në Kosovë, e po ashtu kam parë një letër që z. Kurti ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ku ai e ka kërcënuar ish-Shefen time se nëse ajo viziton Kosovën, ai do t’i nxjerr njerëzit e tij në rrugë”, ka shtuar Ambasadorja Jacobson.

Sipas saj, Vetëvendosje duhet të ndryshojë.

“Ne dëshirojmë te kemi marrëdhënie të mira me ta, nëse ata ndryshojnë taktikën e tyre të dhunës dhe agresionit. Ne nuk mund të pajtohemi me ta përderisa ata bëjnë demonstrata të dhunshme dhe letra kërcënuese”, ka thënë ajo.

Ambasadorja amerikane në Kosovë në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun politik me Serbinë, marrëveshjen që solli në Presidencë Atifete Jahjagën dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.(G.E)

 
Lajme Shqip Thursday, 01 November 2012 16:30

Pragë – Anëtarët e Shoqatës “Miqtë e Serbëve nga Kosova”, janë shfaqur kohë më parë në Pragë në promovimin e librit të ish-Sekretares amerikane, Madeleine Albright. Në vend të librit për nënshkrim, ata provokuan duke vendosur fotot që për ta ishin të urryera, ndër të cilat edhe nga ato takimet e saj me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Organizatorët nuk ia dalin të largojnë menjëherë aktivistët antishqiptarë, për çka Albright detyrohet të bërtas: “Dilni jashtë”! Por, tash në internet qarkullon videoja e re ku Albright ofendohet me fjalët “plaka gjakpirëse”, ndërsa ajo ju thotë: “Serbë të ndyrë, dilni jashtë”!

Incidenti ndodhi gjatë nënshkrimit të librit “Dimri i Pragës: Rrëfimi persona për luftën dhe kujtimet”, nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka lindur në Pragë, në një familje hebrenje.

Në mesin e provokatorëve ishte edhe regjisori çek Vaclav Dvorak, autor i filmit kontrovers antishqiptar, “Kosova e rrëmbyer”, si dhe deputeti me prejardhje serbe në Parlamentin çek, Jaroslav Foldin. Dvorak iu afrua i pari dhe ia dha për nënshkrim pllakatin “Kosova e rrëmbyer”.

“Me mirësjellje jemi afruar t’ia japim filmin që e kemi xhiruar në Kosovë, pa marrë parasysh se fjala është për ‘Kosovën e rrëmbyer’ që i është dhuruar narko-mafisë me ndihmën e agresionit dhe bombardimeve të NATO-s, si dhe kompanisë IPKO përmes së cilës ajo i ka mbushur xhepat”, ka thënë Dvorak në faqen parlamentnilisty.cz.

Video e postuar më parë në internet

Në xhirimin e parë që telegrafi e ka transmetuar telegrafi shihen demonstruesit që në duar mbajnë pllakatet ku shkruan “Kosova e rrëmbyer” dhe nën të fotografia e ish Sekretares Albright me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, si dhe fotografitë që sipas tyre “paraqesin krimet e NATO-s dhe krimet e shqiptarëve në Kosovë”.

Ata kishin edhe pllakatet ku shkruante “Spastrimi etnik në Kroaci”, si dhe “IPKO”, që sipas tyre është në pronësi të “Albright Group”.Telegrafi, duke raportuar për këtë ngjarje, ka shkruar se Albright serbëve u thotë: “Ju jeni kriminelë”. Ndërsa në xhirimin e ri që do ta postojmë më poshtë, Albright dëgjohet tek thotë: “Disgusting Serbs (serbë të ndyrë)”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 12:15

Prishtinë – “Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive.

Në ditën e dytë  të Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave”,  presidentja Atifete Jahjaga  ka folur për fuqizimin  e pozitës së gruas në Kosovë, rajon por edhe ne nivel global. Ajo tha se duhet bërë më shumë për avancimin e femrave në pozita vendimmarrëse.  “Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive, por gjithashtu për t’ju hapur një mundësi grave të pranishme në Samit që të përfitojnë nga perspektivat globale dhe rajonale përmes një shkëmbimi përvojash që unë shpresoj do të prodhojnë rezultate të prekshme dhe partneritete të reja. Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t’u bërë nismëtarë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejmë të gruas si faktor kyç për zhvillim.”

Ministrja e punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane të Kroacisë Vesna Pusiç, përshëndeti nismwn  pwr kwtw samit, duke vlerësua se fuqizimi i pozitës së gruas ndihmon të gjithë në krijimin e një të ardhme më të mirë.  Ajo tha se nga mënyra e trajtimit të grave në një shoqëri, është treguesi më i mirë i orientimit politik të atij vendi. 

Gjatë ditës së sotme në Samit, panelistet nga mbarë bota  do të  kenë rastin të diskutojnë për fuqizimin ekonomik, të drejtat pronësore dhe barrierat që shoqërojnë femrat në pjesëmarrjen politike. Ndryshe samiti ndërkombëtarë i gruas do të vazhdojnë punimet edhe nesër ku pritet të bëhet  miratimi i formal i dokumentit të samitit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 14:28

Prishtinë – Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje ish-Sekretares Albright, duke shprehur mirënjohjen dhe konsideratat më të larta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo personalisht kanë dhënë për Kosovën në të gjitha fazat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 14:25

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar pjesëmarrjen e ish sekretares amerikane, Madeleine Albright, në Samitin Ndërkombëtar të Gruas, me temën: “Partneriteti për ndryshim – fuqizimi i gruas”, që organizohet në Prishtinë nga data 4 deri më 6 tetor. Konferenca organizohet nga Presidentja Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së.

Samiti do të hapet më 4 tetor 2012 me pjesëmarrjen e sekretares Albright dhe adresimin e saj për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti.

“Përmes këtij samiti synohet avancimi i çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës, përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare”, tha me këtë rast, Jahjaga.

“Kosova dhe kryeqyteti i saj, në këto ditë gjatë mbajtjes së këtij Samiti, do të shndërrohet në kryeqendrën botërore ku do të diskutohet progresi dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë sa i përket fuqizimit të gruas, të gjitha ato reforma dhe mekanizma që janë krijuar deri tash për fuqizimin e rolit të gruas dhe që të identifikohen rekomandimet që hyjnë në punë për Kosovën, për vendet e rajonit, por edhe për vendet e tjera të botës, që në njëfarë mënyre i kanë sfidat e njëjta, siç i kemi ne në Kosovë dhe në rajon”, ka vlerësuar presidentja Jahjaga.

Ajo gjithashtu tha se në këtë samit do të jenë të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova, Rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika, përkatësisht 100 pjesëmarrës vendorë dhe 100 nga rajoni dhe bota.

Gjatë samitit do të adresohen të gjithë ata faktorë që ndikojnë në avancimin dhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, fuqizimin ekonomik të grave, me përfaqësimin politik dhe rolin e gruas në vendimmarrje, si dhe të drejtën e pronës dhe qasja e gruas në burime. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 14:48

Prishtinë – “Ajo që në fund kemi bërë në Kosovë për ndaljen e pastrimit etnik, sipas mendimit tim, ishte e drejtë”, tha Albright, në intervistën e botuar në numrin e sotëm të javores çeke Tyden.

“Besoj në paqe, por nuk jam pacifiste. Mendoj se ndonjëherë duhet ta përdorni dhunën për t’i ndalur vrasjet”, tha Madeleine Albright, dhe shtoi se “tash ekziston doktrina e përgjegjësisë për të mbrojtur, pasi qeveria duhet t’i mbrojë njerëzit e vet, e nëse këtë nuk e bënë, atëherë këtë duhet ta bëjë bashkësia ndërkombëtare, që nuk do të thotë se çdoherë duhet bërë me forcë”.

E pyetur për çështjen e privatizimit të Telekomit të Kosovës, ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha: “Tash nuk mund të flasë për këtë sepse jemi në mes të këtij procesi, por ne investojmë tash e shtatë vite edhe në vende të tjera, në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, në tregjet e ndryshme në zhvillim, ku mungon infrastruktura. Këtë e bëjmë për të ndihmuar”.

Biseda me Albright u bë me rastin e daljes në shitje të librit të saj të ri “Dimri i Pragës”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 16:51

Washington – Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i ndau në Shtëpinë e Bardhë nderimin më të lartë kombëtar për civilët, Medaljen e Paqes, ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

“Madeleine Albright ka qenë e para femër sekretare e shtetit”, thuhet në arsyetimin për ndarjen e nderimit për Albrightin. Ajo u nderuar për meritat e saj gjatë kohës si sekretare e shtetit, për kontributin për zgjerimin e NATO-s, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe spastrimit etnik në Ballkan.

Në mesin e të nderuarve tjerë janë edhe ish-presidenti i Izraelit, Shimon Peres, si dhe astronauti John Glenn.

“Ata na kanë inspiruar dhe e kanë bërë botën një vend më të mirë”, thuhet në kumtesën e Obamës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 22:18

Prishtinë – Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, mund të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës.

Ky propozim është shtruar nga kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, i pritur sot në takim nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, i cili e ka theksuar se shpalla e ish-sekretares Albright qytetare nderi, do të ishte nder për Mitrovicën dhe për Kosovën në përgjithësi.

Nënkryetari Haziri, tha se ky propozim do të shtrohet në të gjitha strukturat komunale në mënyrë që të procedohet me kohë. “Ne do të angazhohemi që ky propozim të jetësohet, meqë kontributi për Kosovën i znj. Albright është shumë i madh”, u theksua në takim, bëhet e ditur nga zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 17:24

Uashington – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar sot një takim me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Në takimin miqësor, kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Albright ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës, njoftohet nga zyra e kryeministrit kosovar.

Në takim, kryeministri Hashim Thaçi e njoftoi znj. Albright për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për reformat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.

Nga ana e saj, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright rikonfirmoi mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, si dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Albright po ashtu përgëzoi kryeministrin Thaçi për marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për fillimin e procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.