12
 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 15:13

Tiranë-Kompania e naftës Albpetrol ndryshon strukturën e saj. 874 persona humbin vendin e punës, por do të trajtohen financiarisht edhe një vit pas shkëputjes së kontratës. Rekrutimet e punonjësve të rinj do të bëhen me konkurs, ndërsa punonjësit ekzistues do ti nënshtrohen testit për mbrojtjen e vendit të punës. Këto janë vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë Albpetrol, e cila ka miratuar dje strukturën e re. Sipas njoftimit zyrtar të Albpetrol, struktura e re e shoqërisë është e bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe udhëzimet e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë. “Struktura e re e shoqërisë do të ketë 1868 punonjës dhe ky numër punonjësish parashikohet të arrihet nga Albpetrol sh.a. brenda tremujorit të parë të vitit 2014, pasi edhe procedura përkatëse kërkon zbatimin e disa afateve kohore. Riorganizimi i Shoqërisë është rakorduar edhe me drejtuesit e Qendrave të Albpetrol sh.a. dhe specialistët e Burimeve Njerëzore të qendrave përkatëse”, thuhet një njoftimin e bërë publik nga Albpetrol. Pas negociatave të kryera me vetë punonjësit janë miratuar listat për punonjësit që përfitojnë trajtim sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe, 874 punonjës kanë përfituar trajtimet përkatëse. Për të gjithë punonjësit pagesa do të kryhet maksimalisht në 4 këste.

Shpërblime për punonjësit

Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Albpetrol sh. a, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, ka vendosur mënyrën e trajtimit të punonjësve që do të dalin të papunë e si pasojë e ristrukturimit do të përfitojnë shpërblim për një vit, pagë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës. Punonjësit do të përfitojnë edhe shpërblim për vjetërsi pune. Ky shpërblim është të paktën sa paga e një 15-ditëshi mbi çdo vit pune të plotë që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimin për vjetërsi e përfitojnë punonjësit aktualë të Shoqërisë që janë në marrëdhënie pune me këtë shoqëri jo më pak se tre vjet pa ndërprerje. si vjetërsi në punë do të llogaritet harku kohor data nga data e themelimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, 08 prill 1999.

Emërimet e reja

Shoqëria Albpetrol sh.a do të nisë tes-timin e të gjithë punonjësve të emëruar gjatë tre viteve të fundit. Qëllimi i këtij testimi është identifikimi i punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të kryer proceset e punës në vendin ku janë emëruar. Rezultatet e testimit do të bëhen publike në përfundim të tij. Ndërsa punonjësit e ri do të bëhen pjesë e stafit të kompanisë vetëm pasi ti jenë nënshtruar konkursit dhe tëkenë dalë fitues prej tij.

Pezullimet

Kompania Albpetrol sh.a, në fund të muajit të shkuar ka pezulluar nga puna të gjithë punonjësit e drejtorive që kanë për detyrë të monitorojnë dhe kontrollojnë marrëveshjet e hidrokarbureve me palët e treta. Në total janë pezulluar rreth 35 punonjës, pasi gjatë kontrollit janë gjetur shkelje që lidhen kryesisht me mungesën e monitorimit të kontratave. Kompanitë me të cilat ishin lidhur këto kontrata janë: Bankers Petroleum; Stream Oil; Sherëood; Transoil dhe Phoenix. Katër nga kompanitë e sipërcituara kanë deklaruar shpenzime që arrijnë deri në vlerën 1.5 miliardë dollarë, por nuk kanë dorëzuar asnjë faturë në Albpetrol për të justifikuar shpenzimet në fjalë. Të gjitha këto janë kontrata koncesionare të lidhura me shtetin shqiptar. Rreth 20 nga punonjësit e pezulluar janë supervizorë që kanë si detyrë monitorimin në terren të kontratave dhe investimet e kompanive, detyrë të cilën nuk e kanë kryer. Madje nuk ishin as të pajisur me rroba pune për të bërë kontrollin në terren, veshje të posaçme për të hyrë në kantier./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Friday, 29 March 2013 17:05

Tiranë – Ambasadori rus në Shqipëri, Leonid Grigorieviç Abramov ka deklaruar se kolosi rus i naftës, “Gazprom” është i interesuar të investojë në vendin tonë.

Në një konferencë për shtyp, Abramov ka bërë me dije se kompania prestigjoze ruse shpreson në një bashkëpunim të leverdisshëm me Shqipërinë.

“Ju siguroj se “Gazprom” është e interesuar që bashkëpunimi me Shqipërinë të jetë i leverdisshëm në mënyrë të ndërsjelltë. Nëse qeveria e re që do dalë nga zgjedhjet parlamentare të sivjetshme do të mbajë qëndrim konstruktiv, ne do jemi të gatshëm të shikojmë mundësinë e pjesëmarrjes në tenderin e “Albpetrolit””, ka deklaruar Abramov.

Ai ka theksuar se ambasada ruse në Tiranë, sikurse cdo ambasadë ruse në vendet e tjera të botës, përpiqet që të afrojë investitorët në Shqipëri. Turizmi, sipas tij, është një nga fushat e preferuara të kompanive ruse.

“Mund të them se për një gjë të tillë po mendohet dhe ka tre kompani ruse të intresuara për të shtuar numrin e turistëve rusë gjatë 2013-ës. Pengesa politike këtu nuk kemi”, ka thënë ambasadori.

I pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e Kosovës dhe mosnjohjen e saj nga Rusia, Abramov ka thënë se, është e drejtë e çdo shteti të vendosë në bazë të interesave të tij.

Ai ka shprehur mbështetjen e Moskës për dialogun e ndërmjetësuar nga BE, ndërkohë që është shprehur kundër nacionalizmit, fenomen që sipas tij mund të çojë në ndryshimin e kufijve.

“Patriotizmi është diçka e kuptueshme dhe për ne. Ndërsa nacionalizmi është i rrezikshëm se mund të kalojë tek çështja e ndryshimit të kufijve. Kategorikisht kjo është e papranueshme, duke marrë parasysh termin e sallatës ballkanase dhe terrenin e paqëndrueshëm. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë ka thënë më herët se është diçka e papranueshme jo vetëm për interesat e Rusisë, por edhe të çdo shteti tjetër”, ka shtuar Abramov.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 29 March 2013 15:23

TIRANË– CEZ Shpërndarje njofton se i ka ndërprerë energjinë shoqërisë Albpetrol.

Shkak për një ndërprerje të tillë është bërë detyrimi prej 6 milionë dollarësh që shoqërua i ka CEZ Shpërndarje.

Në një deklaratë për mediat, CEZ Shpërndarje thekson se ka njoftuar Albpetrol-in për detyrimet, si dhe afatin e shlyerjes duke zbatuar në këtë mënyrë të njëjtin standard me debitorët e tjerë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 18:09

Tiranë – Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto zbardhi detaje të reja mbi procesin e dështuar të shitjes së Albpetrolit.

I thirrur në interpelancë nga deputeti socialist Erjon Braçe, zoti Haxhinasto tha se pas dështimit të ofertës së parë, Qeveria e këshilluar nga ‘Patton Bogs’, tentoi në fillim të këtij muaji t’ia shesë Albpetrolin, kompanisë së renditur e dyta.

“Këshilli i Ministrave, me vendimin 74, datë 01/02/2013, në vijim të procedurave të privatizimit të shoqërisë vendosi të shpallë të mbyllura negociatat për kontratën e ‘Vetro Energy’. Në këtë vendim autorizohet Ministria e Ekononimisë, Tregtisë dhe Energjetikës për të vlerësuar vazhdimin e vlerësimit të ofertave të tjera”, tha ministri Haxhinasto.

Por vetëm pak ditë më vonë nga ky vendim, Qeveria e kuptoi se procesi ishte i paligjshëm, pasi ofertave u kishte kaluar afati një muaj më parë.

“Ministria e Ekonomisë, në zbatim të detyrës të caktuar nga Këshilli i Ministrave shfrytëzoi vlefshmërinë kohore të ofertave, nga ku konstatoi se ato ka qenë të vlefshme për periudhën 120 ditë, pas datës së hapjes së ofertës. Ofertat janë hapur në një proces publik në datë 7 shtator dhe për pasojë vlefshmëria e ofertave në garë ka përfunduar me 7 janar”, tha Haxhinasto.

“…Do të thotë se nga ajo ditë, e nga ajo orë nuk ka më oferta të vlefshme për këtë tender. Ju tentuat një javë më parë që të riaktivizoni tenderin. Pra është e qartë se cdo gjë ka mbaruar, jo se do Qeveria, sic u shprehët këtu pak më parë, madje pavarësisht saj, por sepse kështu thotë ligji dhe akti i dalë në zbatim të tij. Ka mbaruar po me një dëm kolosal, ekonomik në respekt të ligjit”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.

Në vendimin numër 107 të Këshillit të Ministrave përcaktohet, se nëse kompania e shpallur fituese nuk arrin të kryejë pagesën e plotë, Qeveria i tërheq garancinë e ofertës prej 10 për qind, që në rastin e “Vetros” ishte 85 milionë euro.

“Në këto kushte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës filloi menjëherë procedurat e tërheqjes së garancisë së ofertës së këtij konsorciumi, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi, pra në 7 dhjetor”, tha Haxhinasto.

“Dua të pyes Kryeministër dhe ministër, ku janë sot 85 milionë euro, që duhet t’i kishit të arkëtuara, pse nuk i arkëtoni, ku janë paratë? Paratë nuk janë”, tha Braçe.

Ky dëm për zotin Braçe ka përgjegjës me emra konkretë, të cilët nisin nga Komisioni i Tenderit e përfundojnë deri në majën më të lartë të Qeverisë.

“Komisioni i Tenderit që pranoi një letër kallp është i Qeverisë tuaj. Emërohet dhe kontrollohet nga Sali Berisha. Kompania ‘Patton Bogs’ që dha sigurinë mbi letrën kallp është lobisti juaj më i paguar dhe arrogant i Kryeministrit tuaj. Mbi këtë letër kallp, Komisioni i Kryeministrit shpalli fituesin. Të gjithë bashkë kanë shpërdoruar detyrën kanë mashtruar me një dëm ekonomik prej 85 milionë eurosh dhe ky është krim penal”, tha Braçe.

Një ditë më parë deputeti Braçe dorëzoi në Prokurori një kallëzim penal, për Komisionin e Ofertave dhe kompaninë konsulente “Patton Bogs”, si dhe persona të tjerë të përfshirë në tenderin e dështuar.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 15:46

TIRANË– Kuvendi nisi sot rreth orës 11:00 punimet e seancës plenare të radhës me ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, “për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Kuvendi nisi me debate mes deputetit të PS-së Erjon Brace dhe ministrit të Financave Ridvan Bode.

Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Brace gjatë diskutimit të pr/ligjit për gazifikimin, u shpreh se Albpetrolit iu dha e drejta ekskluzive e gazifikimit për ta privatizuar, në një kohë që sipas tij, kjo kompani nuk parashikonte gazifikim.

“Privatizimi i Albpetrolit është një turp kombëtar, është i dështuar. Albetrolin e frytë me të drejta ekskluzive”, tha Brace. 

“Albpetroli në asnjë plan biznesi të këtyre viteve të fundit nuk ka gazifikimin e Shqipërisë. I kam unë të gjitha planet e biznesit të Albpetrolit për 5 vitet e fundit, sic kam edhe buxhetet e Albpetrolit në 5 vitet e fundit dhe në asnjërin prej tyre nuk parashikohej që Albpetroli të ndërmerrte një investim për të gazifikuar Shqipërinë, apo për të ofruar shërbimin e transmetimit të gazit për ndonjë operator tjetër që nuk ekziston në Shqipëri. Ju dha thjesht dhe vetëm për procesin e privatizimit, e frynë me të drejta sovrane të shtetit shqiptar, sic ishin të drejtat e ndarjes së prodhimit të marrëveshjeve të hidrokarbureve, që i takojnë shtetit shqiptar dhe ju dhanë në një ligj këtu në parlamentin e Shqipërisë, privatizuesit. E frynë duke grumbulluar pafund në Albpetrol sasi nafte, e frynë edhe duke i dhënë licenca ekskluzive, sic është kjo licenca e gazit. Tani cpo bëjnë, tani që dështuan po kthehen mbrapsht. U kujtuan që kjo licenca ekskluzive që i kishin dhënë Albetrolit, për transmetimin e gazit cënon një projekt edhe më të rëndësishëm sic është projekti TAP”, tha Brace.

Në kundërpërgjigje, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se, “Nuk i është dhënë ekskluziviteti i gazit Albpetrolit, përkundrazi e ka pasur historikisht ekskluzive por në kontratën e privatizimit i është hequr”.

Duke folur për linjën e gazsjellësit TAP, për të cilën informoi se dje është nënshkruar marrëveshja në Greqi mes tre shteteve, Bode tha se “për fatin tonë të mirë dhe me këmbënguljen e qeverisë shqiptare në projekt ekziston një dalje e gazit të lëngshëm, e vetmja në të gjithë trajektoren në territorin shqiptar që do të përdoret për furnizimin e Shqipërisë, por edhe të gjithë bregdetit lindor të Adriatikut”.

Balla: Berisha ka kapur INSTAT prej fyti
Ndërsa deputeti Taulant Balla duke folur për ligjin ”Për statistikat zyrtare”, tha se, “Sot në Shqipëri INSTAT është larg të qenurit një institucion i besueshëm, pasi nuk boton statistika të vërteta”.
Sipas Ballës, INSTAT-in e ka zënë prej gryke kryeministri.

“Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit”. 

P/ligji për statistikat, debate Bode-Kodheli
Projektligji për Statistikat u shoqërua me debate mes maxhorancës dhe opozitës. Ministri i Financave, Ridvan Bode si dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e PS-së. Mimi Kodheli, diskutuan mbi saktësinë dhe përdorimin e statistikave zyrtare.

Kodheli theksoi se INSTAT, në varësi të Këshillit të Minsitrave, prodhon statistika në funksion të qeverisë. “Ne i kemi propozuar disa herë qeverisë të ndryshojë nenin në të cilin përcaktohet varësia e INSTAT nga Këshilli i Ministrave, për të patur një institucion të pavarur dhe të besueshëm”, tha Kodheli. Por, sipas saj, kjo kërkesë e opozitës nuk është miratuar nga maxhoranca.

“Pas qeshorit të këtij viti ne do t’i kthejmë dinjitetin dhe seriozitetin këtij institucioni kaq të rëndësishëm për qeverinë dhe publikun”, deklaroi Kodheli.

Por ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshte akuzat e opozitës. Sipas tij, INSTAT prodhon statistika të besueshme, mbi të cilat edhe janë hartuar politikat e suksesshme të qeverisë. Ai tha se jo vetëm statistikat e prodhuara nga INSTAT kanë vlerësuar se ekonomia shqiptare i bëri ballë presioneve të krizës globale financiare.

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që po performon pozitivisht dhe kjo është konfirmuar edhe nga raportet e Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Shqipëria zë vendin e parë sa i takon një sërë treguesish të rënëdsishëm si thithja e investimeve të huaja, niveli i eksporteve apo i investimeve në ekonominë shqiptare”, tha Bode. Këto, tha ai, janë publikuar nga këto institucione prestigjoze ndërkombëtare.
Ligji i propozuar nga qeveria parashikon që titullari i INSTAT të emërohet nga kryeministri për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Ky ndryshim u mbështet vetëm nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë variant, duke këmbëngulur që INSTAT-i të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri.

Sërish në rendin e ditës do të jenë edhe tre ligjet, miratimi i të cilave lidhet me statusin e vendit kandidat, përkatësisht: reforma parlamentare, pr/ligji “Për Gjykatën e Lartë” dhe ai “Për nëpunësin civil”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 16:29

Tiranë – “Kompania, e cila është renditur e dyta ‘Win Business” është një kompani, e cila është vlerësuar edhe nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, si një kompani që nuk i plotëson kushtet kryesore për të vazhduar negociatat me të. Ministria i ka kërkuar kësaj kompanie që të plotësojë me dokumentacionin përkatës ofertën e saj, gjë që kompania nuk e ka kryer. Në këto kushte vazhdimi i negociatave me këtë kompani është një kohë e humbur”, tha Kastriot Bejtja, inxhinier gjeofizik dhe konsulent për industrinë e naftës.

Në kushtet kur oferta e grupit kinez, “Win Business” ka mangësia të theksuara ligjore, ekziston rreziku që “Albpetrol” të përfundojë tek oferta e tretë, ajo me 106 milionë euro, që për ekspertët do ishte e papranueshme.

“Duke e gjykuar ose duke supozuar që kjo ofertë prej 106 milionë eurosh është një ofertë teknikisht dhe financiarisht e rregullt, unë do të gjykoja, që ajo nga pikëpamja e vlerësimit të vlerave të ‘Albpetrolit’ është një ofertë e paqartë dhe e paplotë, pasi e njeh realitetin e ‘Albpetrolit’, kështu që oferta e paraqitur është e padobishme për shtetin shqiptar”, tha Bejtja.

Në këtë fazë Kastriot Bejtja thotë se tentativa për të privatizuar “Albpetrolin” tashmë ka dështuar dhe zgjidhja më e mirë do ishte që Qeveria të zyrtarizojë anulimin e tenderit.

“Ministria, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet të marrë vendimin sa më parë sepse efektet negative do të vazhdojnë. Unë mendoj që ky proces, i cili nuk u realizua, duhet të mbyllet sa më shpejt, Ministria ta rishikojë me përgjegjësi të shikojë shkaqet përse erdhëm në këtë fazë dhe ndërkohë duhet të hapë rrugën për t’u zhvilluar ky sektor, ashtu siç ka qenë deri tani”, tha Bejtja.

“Win Business”, garancia me probleme

Por cilat janë mangësitë ligjore të ofertës së “Win Business”, grupit që u rendit i dyti në tenderin për ‘Albpetrol’ dhe me të cilin Qeveria ka lajmëruar se do të nis negociatat?

Dyshimi i parë është ai i mospërmbushjes së kriterit strategjik, që pranohet edhe nga vetë Qeveria në vendimin 634, pika 5 e të cilit thotë: Dokumentet e tenderit kërkojnë që investitori strategjik i çdo Konsorciumi të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të të drejtave të votimit të Konsorciumit. Meqenëse “Win Business” është një filial i zotëruar 100% nga “Brightoil” në mënyrë të tërthortë, Konsorciumi duket se e përmbush këtë kriter. Për shkak të pasigurive në lidhje me kriterin strategjik Qeveria,Komisioni i Ofertave kërkoi nga grupi “Win Business” dokumenta shtesë, por kjo kërkesë nuk u plotësua siç pranon dhe vetë Qeveria po në pikën 5.

“Ne kemi kërkuar sqarime nga kandidati në lidhje me specifikat e marrëdhënies midis dy entiteteve dhe me anë të letrës së datës 21 shtator 2012, kandidati kërkoi që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment, pa vënë në dispozicion dokumente shtesë”.

Por mospërmbushja e kriterit strategjik, që është i panegociueshëm, nuk është problemi i vetëm ligjor i ofertës. Dyshime të forta ka edhe për garancinë e saj, të cilën Qeveria e tërheq nëse kompania nuk paguan paratë e privatizimit. Në pikën 13 vetë raporti i komisionit thotë: Në lidhje me garancinë e ofertës, kandidati ka paraqitur një kopje të një transferte SUIFT në favor të qeverisë së Shqipërisë, në shumën prej 35 milionë eurosh. Komisioni i ka kërkuar kandidatit sqarime në lidhje me garancinë e tij, kandidati nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme, duke kërkuar që vlerësimi i ofertës së tij të kryhej në bazë të dokumenteve të sjella deri në atë moment. Garancia është një kriter i fortë ligjor, mungesa e të cilës skualifikon automatikisht cdo ofertë. Kjo pikë nuk u zbatua në ofertën e parë dhe tani që “Vetro” dështoi të paguante paratë, Qeveria nuk mund të tërheqë garancinë. Vec dyshimeve me garancinë dhe kriterin strategjik grupi kinez nuk zotëron as certifikatën iso 9000, një tjetër kriter i detyrueshëm ligjor.(T.Ch/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 13 December 2012 13:31

TIRANË– Konsorciumi “Vetro Energy” ka autorizuar bankën e saj jashtë vendit për kryerjen e pagesës së 20 % të garancisë për privatizimin e Albpetrolit, bankë e cila do të përmbushë të gjitha procedurat përkatëse për kalimin e kësaj shume pranë qeverisë shqiptare. Gjithashtu, mësohet se do të përfundojnë me ritme të përshpejtuara të të gjitha marrëdhënieve që Vetro Energy ka me ministrinë e Ekonomisë për këtë proces.

Lajmi konfirmohet eksluzivisht për News 24 nga aksioneri kryesor i konsorciumit, Rezeart Taçi. Me pagesën e shumës së mësipërme autoritetet shqiptare bashkë me kompaninë fituese të tenderit të blerjes së Albpetrol kanë afruar edhe datën e pagesës së totalit të shumës së kësaj blerje prej 850 milionë euro.

Zv.ministri i ekonomise, Sokol Dervishaj deklaroi pak ditë më parë se në rast se kompania do të depozitojë garancinë e kontratës prej 20 për qind, atëherë konsoricumit do t’i ofrohej mundësia për të vazhduar negociatat. 

Përfundimi me sukses i kësaj marrëveshje është një lajm i mirë për ekonominë. Pasi përvecëse realizohet me sukses blerja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga privatizimet, por kalimi i Albpetrolit me pronësi private pritet të rrisë performancën e kompanisë së nafteë, duke shtuar prodhimin, duke gjeneruar vende të reja pune dhe duke kontrobuar në rritjen ekonomike të vendit. 

Kompania Vetro Energi u shpall fituese në tenderin për shitjen e kompanisë Albpetrol . Vc ofertës financiare 850 milionë euro te ofruar për 100 % të aksioneve të Albpetrol, konsorciumi do të investojë ne 5 vitet e ardhshme 220 milionë dollarë. Aksionerët e “Vetro Energy” janë “YPO Holdings” dhe “SilkRoad Equity”. Konsorciumi do të investojë në rritjen e kapaciteteve të aseteve, në teknologjinë e përpunimit dhe po ashtu në mbrojtjen e mjedisit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 12:50

TIRANË- Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka shpallur fitues të ankandit të blerjes së kompanisë ‘Albpetrol’, kompaninë amerikane Vetro Energy, e cila dha ofertën më të lartë, por mori edhe vlerësimin e konsulentit ‘Patton Boggs’, sic tha kryeministri.

Vetro Energy renditet i pari me 97. 79 pikë. Edhe sipas konsulentit Patton Boggs’ ka marrë 97,79 pikë, ku vlerësimi teknik është 22,79 pikë dhe financiar, 75 pikë”. Kjo kompani ofroi në tender ofertën financiare më të lartë prej 850 milionë euro.

Berisha sqaroi më tej se kjo kontratë jep të drejtën e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, c’ka sic tha ai sjell më shumë të ardhura për cdo shqiptar. Berisha akuzoi Ramën se i ka servirur shqiptarëve mendësitë e së shkuarës për koncesionet.

“Ky privatizim synon para së gjithash, rritjen e eficensës së fuqsië nxjerrëse dhe eksploruese të vendit. Për ata të cilët u servirin shqiptarëve mendësitë e të shkuarës lidhur me koncesionet dhe kompanitë private dua tu kujtoj shqiptarëve se në këtë kontaratë, në këtë konscension dhe në cdo kontratë tjetër qeveria jep të drejtën e shfrytëzimit, që nafta dhe gazi që mund të jetë i fjetur në nëntokën shqiptare të mund të nxirret dhe të kthehet në vlerë për ekonominë shqiptare”, tha Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 15:42

Tiranë – Kompania amerikane “Vetro Energy” duket të jetë pretendentja kryesore për blerjen e kompanisë publike të naftës “Albpetrol”. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në ministrinë e Ekonomisë me konsulenten “Patton Bogs” ka vlerësuar më lart nga konkurentet  ofertën e “Vetro Energy” me pikët më të larta si në ofertën financiare prej 850 milionë euro, edhe atë teknike.

Zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj paraqiti sot vendimin teknik të Komisionit të Vlerësimit të ofertave për privatizimin e paketës së plotë shtetërore “Albpetrol”. Vendin e parë në renditje sipas vlerësimit të pikëve e merr kompania amerikane “Vetro Energy”, me 97.79 pikë. “Edhe sipas konsulentit Patton Boggs’ ka marrë 97,79 pikë, ku vlerësimi teknik është 22,79 pikë dhe financiar, 75 pikë”, tha Dervishaj për kompaninë që ofroi në tender ofertën financiare prej 850 milionë euro.

Në vendin e dytë renditet grupi “Ëin Bussies” ku Komisioni për vlerësimin teknik dha 18.18 pikë, për ofertën  financiare 26.21 pikë, me total 44.39 pikë. Në vendin e tretë renditet kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, ku vlerësimi teknik ka marrë  21.48 pikë dhe ai financiar 9.35 pikë, me 30.33 pikë në total. Dervishaj tha se kompania konsulente  “Paton Boggs” i paraqiti Komisionit të Vlerësimit raportin e konsulencës në të cilin paraqitet ecuria, problematika, standardet që përmbushin kompanitë dhe pikët përkatëse, ku 75 pikë e zë oferta financiare dhe  25 pikë oferta teknike.

Këto kritere i plotësojnë tre kompanitë “Vetro Energy”, Ëin Bussines” dhe “Bankers Petroleum”. Grupi amerikan “Vetro Energy” që ofroi 850 milionë euro në tender ka marrë edhe më shumë pikë nga të tjerat, c’ka e rendit më afër blerjes së kompanisë “Albpetrol”. Dervishaj tha mes të tjerave, se nisur nga oferta e lartë që ky grup paraqiti në tender, kërkesat ndaj saj ishin më të mëdha dhe të hollësishme dhe të gjitha dokumentat e dorëzuara prej saj janë në Komision. Ai sqaroi dhe përbërjen e konsorciumit të “Vetro Energy”, që ka dorëzuar si këshillues financiar Grupin BP, një nga bankat më të mëdha të korportave dhe investimeve. “”Vetro energy” është konsorcium nga fondi i investimeve “Silk Road”, që zotëron 49% të aksioneve në grup, ka dorëzuar certifikatën ISO për 3 vjet të vlefshme e verifikuar. Si ortak “Vetro Energy” ka pjesëmarrës edhe aksionerë të “Silk Road” me marrëveshje bashkëpupunimi si kompaninë të specializuar në naftë e gaz “Patonston”, e cila ka si aksionerë me 51% kompaninë “Yple Oil energy”, që zotëron 100% një kompani nafte dhe gazi në Teksas, me eksperiencë të gjatë në riparim pushesh, nxjerrje nafte, zhvillim fushash nafe me aktivitet në SHBA. Secila kompani që përbëjnë konsorcuiumin “Vetro Energy” dhe “Silk Road” e plotësojnë kriteret e tenderit në raste të grupimeve të tillë”, tha Dervishaj.

Zv/ministri i Ekonomisë sqaroi vijimin e procedurave të mëtejshme. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave sot do të njoftojë për këtë renditje kompanitë pjesëmarrëse, të cilat brenda 5 ditëve kanë të drejtën e ankimimit. Pas kësaj faze, raporti i vlerësimit të ofertave do të dërgohet në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të dalë dhe kompania fituese. Pas kësaj faze, do të nisë negocimi i kontratës, për 28 ditë kohë kur kompania fituese duhet të ngrijë 20% të vlerës së kontratës në një prej 50 bankave më të mëdha në botë, tha Dervishaj. “Më tej, kontrata do miratohet në qeveri dhe ratifikohet në Kuvend, ku fituesi do të bëjë pagesën e plotë prej 850 milionë euro”, tha Dervishaj.

Zv/ministri Dervishaj sqaroi procedurat në të cilat Komisioni i Vlerësimit pas hapjes së ofertave me ndihmën edhe të konsulentit, filloi shqyrtimin e ofertave. Nga shikimi i dokumentave të dorëzuar në hapjen e ofertave, dy kompani,  “Ecolog International” dhe “JSC Gasprom” nuk plotësonin kushtet e tenderit, si ofertë financare dhe garancia finaciare, për të cilat Komisioni vendosi skualifikimin e tyre nga gara. Komisioni vijoi punën me 4 kompanitë e tjera në një proces, ku u kërkua informacion më i plotë dhe paraqitje dokumentash të tjera sipas kritereve që kishte tenderi të nevojshme për procesin në vijim. Kështu kompania “Amber shine” j’u përgjigj kërkesës me shpjegimet se nuk posedonte certifikatën ISO, nuk kishte kapacitet për kapital të paguar 80 milionë euro, nuk kishte kapital asetesh të konsoluduar 100 milionë euro, nuk kishte garancinë e ofertës. Nga mosmbushja e kritereve, edhe kjo kompani u skualifikua nga gara.

Në tenderin ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë publike të naftës, “Albpetrol” që u zhvillua në datën 7 Shtator në ministrinë e Ekonomisë, u paraqitën 6 kompani.    Kompania “Silk Vetro Road Equity” Ltd dha ofertën më të lartë, 850 milion euro. Kompania “Amber Shine” INC dha ofertën 790 milionë euro. Kompana kanadeze “Bankers Petroleum” dha ofertën 303.8 milionë euro dhe sigurinë e garancisë. Konsorciumi “ËIN Bussines” dha ofertën 297,6 milionë Euro dhe sigurinë e garancisë. Kompania “JSC Gasprom” dha ofertën financiare 52 milionë usd, pa paraqitur sigurimin e garancisë. Ndërsa kompania “Ecolog International” nga Dubai nuk kishte paraqitur as ofertë dhe as garancinë e saj.

Komisioni i Vlerësimit të ofertave drejtohet nga zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj dhe ka në përbërje përfaqësues të drejtorisë së Privatizimit, ministritë e Financave, drejtësisë, konsulentja “Pattom Bogs”. Në paketën e ofertave për privatizimin e “Albpetrol” 75% e zë oferta financiare dhe 25% kriteri teknik që përfshin plan-zhvillimin e biznesit. Të paktën 19 kompani europiane, amerikane, aziatike, tërhoqën dokumentcionin 19 kompani etj, të cilët zhvilluan dhe vizitat pranë “Albpetrol”-it. Procesi për privatizimin e “Albpetrol”-it është konsultuar nga kompania amerikane “Pattom Bogs”. Privatizimi 100% i aksioneve të “Albpetrol” synon të sigurojë investime private në zhvillimin e sektorit, përmirësim të teknologjisë, sistem menaxhimi me standarde mjedisore, liberalizim të tregut të hidrokarbureve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 18:14

Tiranë – Berisha do blejë zgjedhjet me paratë e privatizimit të “Albpetrol”. Kjo është akuza e kreu të Aleancë Kuqezi, Kreshnik Spahiu e bërë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie. Për realizimin e këtij qëllimi, Spahiu tha se Berisha nuk po kursen as shitjen e territorit.

“Shqipëria ka dalë në ankand, atdheu është në rrezik. Për të siguruar para për të blerë përsëri pushtetin por shiten dhe privatizohen të gjitha pasuritë nëntokësorë.

Shtetasi Sali Berisha ka bërë zgjidhjen e tij, ai do që me privatizimin e puseve të naftës të mbushi xhepin e tij, portofolin e qeverisë dhe të blejë zgjedhje të ardhshëm parlamentare”, tha Spahiu.

Ai shpalli edhe maratonë e takimeve me elektoratin për të hapur siç e quajti ai një faqet të re në politiken shqiptare pa Sali Berishën dhe u shpreh se kursesi nuk do të lejohet që deti t’i falet Greqisë.

“Në qoftë se tankistë e qeverisë së Sali Berishës nuk marrin në mbrojtje territorin ne do të marrim masa me njerëzit tanë vullnetarë për të mbrojtur jugun e Shqipërisë”, tha Spahiu.

12