Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 20:00

Autoriteti i Konkurrencës mund të hetojë tregun e fluturimeve. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se kompania Albanian Airlines ka paraqitur një ankesë, pas ndërprerjes së aktivitetit të saj, në Nëntor të vitit të kaluar. Autoriteti i Aviacionit Civil revokoi certifikatën e fluturimit të Albanian Airlines, me argumentin se kjo shoqëri nuk plotësonte kriteret teknike të Komitetit të Sigurisë së Transporteve në Bashkimin Europian. Por, Albanian Airlines e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe akuzoi Autoritetet se po përpiqen të favorizojnë kompaninë konkurrente, Belle Air. Për këtë arsye, kompania e biznesmenit turk, Ali Evsen, i është drejtuar edhe Autoritetit të Konkurrencës, me pretendimin se vendimi i Autoritetit të Aviacionit Civil dëmton konkurrencën dhe krijon një monopol të Belle Air, që ngelet e vetmja kompani shqiptare e fluturimeve.

Është hera e dytë që kjo kompani bëhet objekt akuzash të tilla. Belle Air nisi aktivitetin në vitin 2005 dhe, menjëherë pas hyrjes së saj në treg, Ministria e Transporteve bllokoi kompaninë konkurrente Albatros Airways. Kjo i mundësoi Belle Air një zgjerim të shpejtë në treg. Sipas të dhënave të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, deri në fund të 9-mujorit 2011 Belle Air zinte 46% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të udhëtarëve. Pas pezullimit të aktivitetit të Albanian Airlines, besohet se pjesa e tregut të Belle Air të jetë rritur akoma më shumë. Me daljen nga loja të Albanian Airlines, Belle Air, në destinacione të veçanta, sidomos drejt Italisë, është tashmë një monopol. Përqendrimi në rritje i tregut të fluturimeve ka bërë që Autoriteti i Konkurrencës shqyrtojë mundësinë e hapjes së një hetimi. Vendimi pritet të merret brenda kësaj jave. Nëse hapet një hetim, ai duhet të përcaktojë pozitën e mundshme dominuese apo monopoliste të Belle Air dhe, ç’është me rëndësishmja, nëse Belle Air po abuzon me këtë pozitë dominuese në tregun e fluturimeve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 18:40

Tiranë – Aeroporti “Nënë Tereza” ka regjistruar një rritje prej 16.7 përqind të trafikut të pasagjerëve gjatë nëntë muajve të vitit 2011, me një total prej 1.4 milionë pasagjerësh që kanë kaluar përmes portave të tij. Aeroporti ka regjistruar 17.652 lëvizje në trafikun ajror, një rritje prej 9 përqind në krahasim me vitin e shkuar, lexohet në një komunikatë për shtyp të TIA-s.

Gjatë nëntë muajve të vitit 2011 linjat ajrore që kanë transportuar më shumë pasagjerë nga Tirana ishin Belle Air me 45.8 përqind të totalit, Albanian Airlines me 10 përqind dhe Alitalia me 8.5 përqind.

Aktualisht janë 13 linja ajrore që fluturojnë për në Shqipëri dhe jashtë saj, duke e lidhur kryeqytetin shqiptar direkt me 30 destinacione.

Këtë rezultat, Andrea Gebbeken, drejtoresha ekzekutive e Tirana International Airoport (TIA), e komentoi si “mjaft të shkëlqyer”, gjatë një interviste për mediat. Ky rezultat, tha ajo, “u bazua në suksesin e vitit të kaluar, kur qytetarët shqiptarë filluan të lëvizin pa viza në zonën e Bashkimit Europian”.

Duke folur për 2012-ën znj. Gebbeken u shpreh se “e dimë që nuk do të jetë e thjeshtë, por kemi besimin e duhur dhe jemi shumë optimistë dhe të sigurtë për mirëadministrimin e këtij rezultati”.

 
Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 21:02

 Tiranë-Prej kohësh kompania Belle Air përflitet se është në pronësi të politikanëve të lartë shqiptarë por dyshimet tashmë janë shtuar edhe më tepër pas vendimit të Autoritetit tëAviacionit Civil i cili ka tërhequr dje (datë 10.11.2011) çertifikatën e Operimit Ajror të Operatorit “Albanian Airlines” (AL-065) si dhe ka pezulluar ARC (Certifikatën e Rinovuar të Vlefshmërisë Ajrore) të një aeroplani të kompanisë “Belle Air” me shenjë regjistrimi (ZA-ARD).

Në njoftimin për mediat thyhet se ky avion si dhe tre avionët që bënin pjesë në Certifikatën e Operimit Ajror (AOC) të operatorit “Albanian Airlines” ishin pjesë e Regjistrit Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.

Ndërhyrja e Autoritetit të Aviacionit Civil bëhet në ushtrim të funksionit dhe detyrimeve që ka ky autoritet, në përputhje me standartet e ICAO-s, për të mbikqyrur mbarëvajtjen e avionëve që bëjnë pjesë në Regjistrin Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.

Duke ruajtur si prioritet kryesor sigurinë ajrore dhe interesin më të mirë të pasagjerëve me të dy operatorët ajrorë të licensuar prej tij, Autoriteti i Aviacionit Civil mbetet i vendosur të ushtrojë rigorozisht detyrën dhe funksionet e tij si dhe të kërkojë po rigorozisht respektimin e kritereve dhe standardeve të ICAO-s dhe EASA-s nga të dy këta operatorë që përdorin avionë që janë pjesë e Regjistrit Aeronautik Shqiptar.

Ky vendim i është komunikuar edhe “Komitetit  të Sigurise Ajrore” pranë KE-së.

Belle Air, “kompania e preferuar” e Lulzim Bashës…

Belle Air është e vetmja kompani shqiptare e cila preferohet dhe përdoret rëndomtë nga Lulzim Basha gjatë kohës që ai mbulonte ministrinë e jashtme dhe ministrinë e brendëshme në udhëtimet e veta drejt Brukselit.

Madje gjatë udhëtimit të parë të 50 studentëve drejt Brukselit pa viza ishte pikërisht kompania Belle Air e cila vuri në dispozicion të kësaj nisme personale të ish-minsitrit të brendshëm Lulzim Basha një avion çarter.

Dhe për këtë “nder”, pas mbërritjes në Shqipëri, Basha nuk hezitoi të falenderonte kompaninë përpara studentëve duke e nënvizuar faktin se kishte qenë Belle Air që kishte mundësuar “falas” udhëtimin e tyre.

Një tjetër fakt interesant është se Belle Air u shfaq si kompani gjatë vitit 2006 kur pasi iu hoq licensa e operimit një kompanie mjaft të suksesshme low-cost “Albatros” e cila asokohe kishte një “të metë” të madhe që menaxhohej nga nipërit e ish-presidentit Alfred Moisiu dhe për shkak të përplasjeve Moisiu-Berisha, ish-drejtori i aviacionit civil Gazmend Dibra mori një vendim absurd duke i hequr liçesën “Albatros”.

Dhe Belle Air u shfaq menjëherë si një kompani alternative low-cost në Shqipëri në kohën kur ministër i transporteve ishte pikërisht ministri Lulzim Basha, kompani të cilën shumë njerëz nën zë thonë se në të vërtetë është pronë e tij!… (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 11:15

Kompania e fluturimeve Albanian Airlines, në një letër të hapur, dërguar për mediat, denoncon atë që e quan një falimentim të detyruar nga shteti. Kompania thotë se asaj i janë ndaluar fluturimet dhe i është këshilluar që pasagjerët të dërgohen tek kompania Belle Air. Gjeni më poshtë letrën e plotë:

Të nderuar partnerë të medias,
Arsyeja që ju shkruajmë sot ka të bëjë me një veprim të padrejtë që ka ndodhur sot ndaj kompanisë Albanian Airlines me një vendim pa paralajmerim të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Repubikës së Shqipërisë. Vendim i cili revokon certifikatën e operimit ajror (AOC-Al 065). Kjo nënkupton bllokimin e operimit të kompanisë në një mënyrë të padrejtë, duke sjellë si pasojë anullimin e fluturimeve.

Heqja e kësaj certificate bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Nacionale të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditoreve Nderkombetar te Nenkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj,afat maksimal I mundshem.

Kjo tregon që  Albanian Airlines ka qënë gjithmonë konform rregullave të Bashkimit Europian dhe në kooperim të mirë me Auditet dhe Autoritetet Shqipetare dhe te Huaj,cka është faktori më I rëndësisishëm në sigurinë dhe besueshmërië e operimeve.

Vec këtij vendimi abuziv, Aviacioni Civil na ka “këshilluar” që të mbrojmë pasagjerët tek kompania konkuruese “Belle Air”. Kjo është një shprehje e qartë e interesave klienteliste dhe konkurrencës së padrejtë.

Forma dhe përmbajtja e kësaj letre është abuzive dhe sjell pasoja të pariparueshme të karakterit ekonomik dhe social, duke qënë kështu dhe një antireklamë e pamënjanueshme për kompaninë tonë. Kjo tregohet edhe me faktin që lajmi për revokimin e certificates Operimit Ajror u publikua në media, para sesa të mbërrinte në zyrat e komanisë sonë.

Shoqeria do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore të mundshme për të mbrojtur veten nga ky veprim I padrejtë, dhe në të njëjtën kohë siguron pasagjerët tanë që pavarsisht kësaj tentative për ta dëmtuar kompaninë Albanian Airlines, ne do të jemi këtu për tu shërbyer atyre ashtu si u kemi shërbyer gjithmonë.

Kompania dhe stafi i saj do te vazhdoje punën e tyre per te zgjidhur kete situate.

 
Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 17:02

Autoriteti i Aviacionit Civil u hoqi sot të drejtën e fluturimit 4 avionëve, të kompanive “Albanian Airlines” dhe “Belle Air”,  pasi nuk plotësonin standardet teknike të Komisionit Europian.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë seancës plenare të Kuvendit. Gjithsesi, ministri vëren se, gjatë viteve të fundit aviacioni civil shqiptar ka qënë mjaft i sigurtë dhe nuk ka pasur asnjë incident.

Gjatë seancës së sotme u miratuan ndryshimet në ligjin për “Autoritetin e Aviacionit Civil”. Këto ndryshime kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij institucioni në përzgjedhjen dhe punësimin e specialistëve të huaj në këtë sektor, pasi mungojnë kapacitetet vendase.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:36

Tiranë – Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri edhe këtë vit “hedh” në treg 100 vende të reja pune.

Përmes një panairi pune, që do të çelet më 27- 28 prill, në Hotel “Tirana International”, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka mbledhur mbi 20 biznese që ofrojnë vende të lira pune në pozicione si specialist IT, inxhinieri aviacioni dhe menaxhim biznes dhe kontabilisti.

Këto oferta pune do të shpërndahen në qytetin e Tiranës dhe rrethe.

Sipas organizatorëve, këtë vit panairi ofron risi edhe mundesia për t’u këshilluar me profesionistë. Ndërkohë projekti “Rritje Albania” i USAID ofron konsulencë për pjesëmarrësit, se si të përmirësojnë CV-të e tyre dhe të përballojnë me sukses një intervistë pune.

Aplikimet për të interesuarit do të vijojnë deri nesër në mesditë. Por kompanitë Porsche Albania dhe British American Tobacco do të jenë të hapura për t’u prezantuar dhe tërhequr CV-të pjesëmarrësve gjatë ditëve të Panairit te Punës.

Kompanitë që do të ngrenë stendat në panair janë ABCom, Agna Group, Albtelecom, Aluflor Construction Group, ANDE-LM, Belle Air, Boga & Associates, British American Tobacco, Coca-Cola Bottling Shqiperia, Connext, DM Consulting, Eagle Mobile, Eurofast Global, ICTS, Konsort, KPMG Albania, Porsche Albania, PriceëaterhouseCoopers Albania, ProCredit Bank, Vodafone Albania, Programi i USAID Rritje Albania.

Këto biznese kërkojnë profesione të tilla si financier, audit, menaxher shitjesh, shërbim klientele, këshillues për individë/biznesi, marketing, administrator ekzekutiv, administrator zyre, drejtor kreativ, menaxher i telefonisë, konsulent IT – Informatikë, drejtues njësie (TV), programues softëare, inxhinier kompjuterash, inxhinier i mirëmbajtjes së rrjetit, inxhinier i rrjetit qëndror, asistent-arkitekte, inxhinier mekanik në sektorin e prodhimit dhe të zbatimit, mekanik i trajnuar për avionët, specialist montimi, asistente administrative, asistente juridike, agjent sigurie, magaziniere, logjistikë, graduate, menaxher i zhvillimit të biznesit, menaxher aktivitetesh, shop representative

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, e cila operon që prej një dekade në vend, e ka kthyer në një traditë organizimin e panaireve të punës duke nisur që nga viti 2001.