Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 15:19

Mesfushori i talentuar i Paderborn, një nga zbulimet e Bundesligës 2 në sezonin e kaluar, Alban Meha, do të vesh fanellën e përfaqësueses shqiptare për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës në shtator.

Futbollisti kosovar ka marrë ftesën nga trajneri Xhani De Biasi pasi është pajisur me pasaportën shqiptare dhe do të jetë në gjendje të zbresë në fushën e lojës në këto takime kaq të rëndësishme për kuqezinjtë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014.

Meha është një lojtar mjaft i talentuar dhe për këtë arsye, shumë kuqezinj të tjerë që aktivizohen në Gjermani si Mavraj, Kapllani, por edhe Lala apo Skela, i kanë këshilluar trajnerit De Biasi që ta grumbullojë atë sa më parë në kombëtare. Sapo është marrë garancia e sigurimit të pasaportës shqiptare për Mehën, FSHF i ka dërguar atij ftesën, siç është konfirmuar sot edhe nga vetë klubi i Paderborn.

“Alban ka patur një zhvillim të shkëlqyer te Paderborn. Thirrja e tij në kombëtare është konfirmimi i një pune të mirë të përbashkët”, ishin fjalët e menaxherit të klubit, Mikael Born.

Ndërkohë, një tjetër futbollist kosovar i afruar në kombëtare për këto dy ndeshje, Burim Kukeli i Zyrihut, është bërë objekt polemikash në Zvicër. Ka bërë shumë bujë fakti se gazeta zvicerane “Blick” e ka cilësuar vendimin e tij për t’u bashkuar me Shqipërinë si të gabuar, ndërsa edhe ka ironizuar me lojtarin duke i kujtuar se miku i tij më i afërt, Gokhan Inler, ishte kapiten te Zvicra, ndërsa ai kishte bërë kontratën e parë si profesionist vetëm në moshën 24 vjeçare.

Për më tepër, kjo gazetë në mënyrë të turpshme ka tentuar të ulë figurën e mesfushorit kosovar, duke i kujtuar atij se në vitet e para të karrierës së tij, kishte punuar edhe si pjatalarës.

Këto komente në mediat zvicerane duket se po tensionojnë më shumë situatën para ndeshjes mes dy kombëtareve, duke patur parasysh se në radhët e përfaqësueses zvicerane luajnë shumë futbollistë me origjinë shqiptare si Behrami, Xhemajli, Shaqiri, Xhaka e Mehmedi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 20:58

Alban Meha është kthyer në një lojtar të domosdoshëm për Paderborn, duke ndihmuar këtë skuadër jo vetëm në lojën në mesfushë, por edhe duke shënuar me rregullsi apo duke dhënë pasim të sakta. Futbollisti kosovar që ka shpërthyer këtë sezon në Bundesligën 2 vazhdon të mahnitë Gjermaninë me goditjet e tij të dënimit, ndërsa ka shënuar golin e 5-të sezonal në fitoren 3-2 ndaj Union Berlin.

I aktivizuar si titullar në mesfushë bashkë me kosovarin tjetër Alushi, Meha ka dhuruar një paraqitje mëse të mirë, ndërsa ka arritur që të gjejë përsëri rrugën e rrjetës me një goditje dënimi kur rezultati ishte 2-1 për ekipin e tij.

Ky ishte goli i 5-të në kampionat për futbollistin kosovar, ndërsa ai ka dhënë edhe 6 asist, duke u kthyer në lojtarin më të vlefshëm të skuadrës që tashmë gjendet në vendin e dytë në renditjen e Bundesliga 2 dhe synon ngjitjen një kategori më lart në sezonin ardhshëm.

Pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalon Meha, duket e çuditshme heshtja e FSHF që nuk është interesuar zyrtarisht për lojtarin për ta afruar në kombëtare dhe për ta pajisur me pasaportën shqiptare. Kjo heshtje duket edhe më e çuditshme duke parë se ai aktivizohet në një repart që do të pësojë një remont total pas largimeve të Skelës e Lalës. Fakti që futbollisti është një ekspert në goditje dënimi, mund të ishte një armë më shumë për përfaqësuesen shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 11:52

Katër muaj i kanë mjaftuar mesfushorit kosovar Alban Meha që të afirmohet në Bundesliga 2 dhe të marrë vlerësimet e specialistëve të futbollit gjerman. 25 vjeçari shihet si një nga zbulimet e këtij sezoni dhe po ndihmon skuadrën e Paderborn të zhvillojë një sezon të suksesshëm në kërkim të ngjitjes në elitën e futbollit gjerman falë goditjeve të dënimit që realizon në mënyrë të shkëlqyer.

 

 

Vetë trajneri i kësaj skuadre, Roxher Shmidt, ka vlerësuar atë që po bën futbollisti kosovar, i cili ka realizuar 4 gola në 16 ndeshjet ku është aktivizuar, 3 prej të cilëve me goditje dënimi.

“As në Bundesligë nuk ka lojtarë që mund të godasin topin me aq saktësi”, janë fjalët e trajnerit i cili i besoi lojtarit duke e marrë nga Ligat Rajonale.

Vetë Meha tregon për gazetën gjermane “Bild” edhe arsyen e këtij suksesi: “Kur aktivizohesha me ekipin e të rinjve, pas çdo stërvitje unë gjuaja vetëm goditje dënimi. Në disa raste, aq shumë sa më dhembnin këmbët. Edhe tani e bëj një gjë të tillë, por në mënyrë më të kontrolluar”.

Futbollist i lindur në Mitrovicë ka patur një ngritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Në sezonet 2008-2009 dhe 2009-2010, ai ishte pjesë e Rojtlingen në Regionalliga, duke shënuar 15 gola në 42 ndeshje.

Sezoni 2010-2011 është për t’u vënë në kornizë, pasi shpallet golashënuesi më i mirë i Regionalligës Perëndimore me 15 gola dhe 16 pasime për gol, duke u aktivizuar gjithmonë si mesfushor i djathtë me ekipin e Eintraht Trier. Ndërkohë, gazeta prestigjioze gjermane “Kicker” e shpall atë futbollistin më të mirë të këtij kampionati për sezonin 2010-2011.

Që nga ai moment, për Mehën hapen dyert e futbollit të rëndësishëm, ndërsa ai nënshkruan një kontratë dyvjeçare me Paderborn. Por vështirë se ai do ta çojë këtë kontratë deri në fund, pasi që tani ka filluar interesimi i klubeve të mëdha gjermane për “Bekamin” kosovar i cili është kthyer në makthin e portierëve të Bundesligës 2. (LajmeShqip.com)