Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 15:07

Tiranë – Gazeta ‘DITA’ në Shqipëri ka publikuar sot një letërkëmbim të ish-presidentit Sali Berisha me Abdul Latif Saleh në tetor të vitit 1992, një person që erdhi në Shqipëri nën petkun e një ‘bamirësi’ islamik dhe që u dëbua disa vite më vonë si terrorist.
Abdul Latif Saleh u shpall në vitin 2005 nga qeveria amerikane si një nyje e rëndësishme e infrastrukturës së biznesit të Al-Kaedës, ai njihej si doktor në profesion, por operonte në biznes, mbante tre pasaporta shqiptare dhe dy pasaporta jordaneze. Në vitin 2011, ai u shkëput nga lista e personave të skeduar si anëtarë të Al-KAedës, por disa nga bizneset që ai menaxhoi ose mbështeti, në disa shtete, kanë qenë në pronësi të disa krerëve të Al-Kaedës dhe mbeten sot e kësaj dite asete të sekuestruara. Kjo gazetë e ka bërë ilustrim portretin e Berishës sikur të Bin Laden.

Më poshtë letërkëmbimi mes dy doktorëve në vitin 1992.

Abdula Latif Saleh i shkruan Berishës:


Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha
Lënda: Vizita e Sheikut Andulrahman El-Essa në Shqipëri
Zotëri,
Në vazhdim të vizitës suaj të shkëlqyer në Kuvajt dhe për t’i bërë marrëdhëniet më konkrete, unë po ju drejtohem më këtë faks me dëshirën që Zoti Abdulrahman El-Essa të vizitojë Shqipërinë me qëllim që të shohë për mundësinë e investimit në Shqipëri. Zoti El Essa është një investues i njohur në Kuvajt dhe ai është shumë i interesuar të shikojë mundësinë e investimeve në Shqipëri në fusha të ndryshme. (Ai do të jetë i shoqëruar me dy persona të tjerë). Unë mendoj së është shumë mirë që gjatë vizitës së tij në Shqipëri t’ju takoj ju dhe unë do të isha shumë i lumtur nëse qeveria mund t’i dërgojë një ftesë atij për t’i dhënë vizitës së tij pamjen e një vizite të programuar. Ai është gati të vijë javën e ardhshme dhe të qëndrojë disa ditë. Me këtë rast, unë do të doja t’ju falënderoja për mbështetjen tuaj për projektin tim në fushën e mjekësisë, ndërkohë që jemi duke shqyrtuar një projekt shumë të madh në këtë drejtim në Shqipëri.
Sinqerisht i Juaji,
Abdul Latif Saleh
Mbikëqyrësi për Shëndetësinë
Organizata Ndërkombëtare Islamike e Ndihmave
Tiranë – Shqipëri
22 tetor 1992

Përgjigja e Berishës për Sheikun El-Essa:

 

Republika e Shqipërisë
Presidenti
Tiranë, më 23.10.1992
I nderuar Sheik El-Essa
Pata mirësinë të informohem nga Dr. Abdul Latif Saleh, Mbikëqyrësi për Shëndetësinë në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmave , për dëshirën tuaj për të vizituar vendin tim, me qëllim për të parë mundësinë e investimeve këtu. Që nga ardhja në pushtet, kabineti im dhe unë kemi marrë përsipër një program për ringjalljen dhe ndryshimet në këtë vend, i cili përballet me detyra monumentale në vitet që vijnë. Do të ishte një nder i madh për mua t’ju prisja ju këtu dhe të diskutonim për nevojat e popullit tonë dhe mundësitë për zhvillim dhe investime. Gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri ju do të kini shansin të bisedoni në detaje me Kryeministrin dhe shumë ministra për projektet konkrete.
Duke shpresuar të takohem me ju shumë shpejt, mbetem
Sinqerisht i Juaji,
Sali Berisha

 

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 12:48

Berlin – Al Kaida planifikon sulme në rrjetin hekurudhor evropian, ka bërë rem diej sot gazeta gjermane “Bild”, e cila thotë të ketë cituar burime informuese.

Al Kaida, theksohet në tekst, mund të vërë mjete shpërthyese nëpër trena e tunele ose të sabotojë hekurudhat e instalimet elektrike, shkruan koha.

“Bild” thekson se informata kanë rrjedhur nga Agjencia amerikane informative (NSA), e cila ka përgjuar thirrjet konferenciale në të cilat kanë marrë pjesë operativistët më të mëdhenj të Al Kaidës.

Tema kryesore e këtyre bisedave ka qenë sulmi në rrjetin hekurudhor evropian.