Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 11:10

Prishtinë – LDK-ja dhe Vetëvendosja kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtë. Koha e përshtatshmë për zgjedhje sipas tyre është pjesa e dytë e shtatorit, apo fillimi i tetorit, në mënyrë që të evitohet vjedhja e votave si në zgjedhjet e kaluara. Pikërisht për këtë fakt LDK-ja është e bindur se i humbi zgjedhjet e kaluara.
E për Vetëvendosjen, nëse presidentja Jahjaga nuk e cakton datën e zgjedhjeve deri më 29 maj, atëherë ajo do të bëhet bashkëfajtore në procesin e vjedhjes së votave. Albulena Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë se zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë periodike çdo katër vjet.
Por, shoqëria civile vlerëson se Presidentja po pret takimin e radhës mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq në Bruksel, për të shpallur datën e zgjedhjeve lokale. Ndërsa këshilltari i presidentes Atifetet Jahjaga, Arbër Vllahiu, i ka thënë KTV-së se presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve lokale atëherë kur të përfundojnë të gjitha konsultimet me të gjithë liderët e partive politike.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 15:57

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, në përbërjen e Albin Kurtit, kryetar i saj dhe i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, deputet i kësaj lëvizjeje dhe Boiken Abazi, koordinator i sekretariateve në Lëvizje, do të qëndrojnë për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga data 24 maj, u njoftua përmes një komunikate.

Gjatë qëndrimit në SHBA ky delegacion do zhvillojë takime me përfaqësues dhe organizata të shtetit dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA. Anëtarët e tij do t’i informojnë mikpritësit me situatën aktuale ekonomiko-politike në Kosovë.

 Sipas komunikatës, delegacioni do të qëndrojë në Washington DC, New York, Boston, Detroit, Chicago dhe Dallas.

 Albin Kurti është i ftuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për t’i mbajtur disa ligjërata në disa organizata në SHBA, dhe po ashtu në këtë cilësi do të zhvillojë edhe takime me kongresmenë e përfaqësues të tjerë të shtetit amerikan. 

 
Lajme Shqip Saturday, 30 March 2013 15:33

Prishtine – Një numër i madh qytetarësh me parulla pankarta si “Rroftë Mitrovica e bashkuar”, “Kriminelët nuk falen”, “Jo amnisti për drejtësinë”, “Nuk bëhet pazar me sovranitet”, “Poshtë negociatat, rroftë Mitrovica”, “Jemi një”, etj, moren pjese në tubimin e organizuar nga Vetëvendosje sot në Mitrovicë.

Në ajër, vazhdimisht shihej një helikopter i KFOR-it dhe një numër i vogël i policëve të Policisë së Kosovës dhe atyre të

Lideri i VV-së, Albin Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka kritikuar bisedimet në mes të dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Ai tha se Plani Ahtisaari është i dëmshëm, pasi që ndan Mitrovicën në dy pjesë, transmeton Koha Ditore,  

“Mitrovica nuk mund të ndahet në dy pjesë. Është një qytet që duhet të bashkohet”, ka thënë Kurti. 

Në tubimin protestues ka folur edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili tha se “pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”. Ai tha se Mitrovica ka qenë këtu tash e 14 vjet në këtë gjendje, dhe atij iu kujtua ky vend vetëm një ditë para protestës sonë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 March 2013 22:28

Prishtinë – Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë organizoi një tubim mobilizues për protestën që është paraparë të mbahet më 30 mars në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë. Kreu i VV-së për Prishtinën, Berat Lahu foli për arsyen e këtij tubimi, me qëllim të mobilizimit për protestën e quajtur “Bashkohemi në Mitrovicë” dhe me këtë rast ftoi të gjithë që të jenë pjesë e këtij tubimi protestues në Mitrovicë, të dielën në orën 13:00.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurtit tha se ndarja e Mitrovicës nuk ishte fatkeqësi natyrore, por ishte e programuar politikisht prej Serbisë, me ç’rast ura që simbolizon bashkimin u shndërrua në urë të ndarjes. “Kjo ndarje është toleruar nga KFOR-i francez dhe më shumë se kaq. Aso kohe, ka pas mungesë të vigjilencës nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe komandantëve atje, që nuk e kanë kuptuar momentin historik të ndarjes së Mitrovicës. Flitet se ka pas urdhër të çuditshëm që UÇK të mos shkojë në veri, por të koncentrohet në jug të Mitrovicës e në Prishtinë”, u shpreh Kurti, duke vlerësuar se gjendja në veri të vendit është kriminale.

Ai shtoi se shqiptarët në veri të Mitrovicës, njësoj si shqiptarët në Preshevë e Bujanoc, jetojnë të shtypur, të terrorizuar, të shfrytëzuar ekonomikisht e të nënpërfaqësuar. “Këta shqiptarë jetojnë në gjendje lufte pa luftë. Këtyre shqiptarëve nuk iu del zot as Prishtina e as Tirana zyrtare”, theksoi ai.

“Para luftës, 53% e banesave në veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve, sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë sesa ato serbe, atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishte shqiptare. Vetëm më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose plagosur, ndërsa 1 564 familje me 11 364 anëtarë janë dëbuar. Përkundër këtij terrori të përditshëm atje, shqiptarët nuk i kanë lëshuar trojet e veta. Janë mbi 4 000 shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë atje. Ata po e bartin çmimin e madh të pavarësisë së gjymtuar, të paplotë, e në disa raste edhe të rrejshme”, vlerësoi Kurti.

Sipas tij, “është e domosdoshme që ne si VETËVENDOSJE!, si qytetarë të Kosovës e si shqiptarë, ta dëshmojmë e ta tregojmë me vepër solidarizimin tonë për Mitrovicën, përmes këtij tubimi në sheshin Mehë Uka. Ajo nuk është çështje lokale. E gjithë Kosova e kombi shqiptar duhet të ngrihet për Mitrovicën, sepse Mitrovica është vend strategjik tradicional shqiptar”, tha Kurti, për të shtuar se angazhimi për Mitrovicën është angazhim për Trepçën dhe liqenin e Ujmanit, që janë jetike për Kosovën. “Trepça e Mitrovica nuk janë vetëm gjigant ekonomik i së kaluarës, por shans për zhvillim ekonomik në të tashmen e në të ardhmen. Një vend pune në minierë, i siguron 4 vende të reja pune mbi tokë. Liqeni i Ujmanit është interes strategjik i Kosovës. Asnjë ditë të vetme nuk mund të ketë Kosova energji elektrike pa të”, theksoi pos tjerash lideri i VV-së. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 01:26

Lëvizja Vetvendosje publikoi një komunikatë pas përfundimit të protestët ku thotë se disa mijëra qytetarë të Kosovës dolën në demonstratën e djeshme 4 orëshe e cila e bllokoi punën e Qeverisë së Kosovës.

Hyrje-daljet e Qeverisë u bllokuan për ta pezulluar kështu punën e kësaj Qeverie që na e ka pezulluar shtetin dhe pavarësinë. Ndërsa policia e Kosovës që në nisje të protestës publikoi se gjithsej në protestë nuk ishin më tepër se 600 persona.

Gjithësesi në komunikimin për mediat, Lëvizja Vetvendosje thotë se “ne dje i kemi dorëzuar në Kuvend 15 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilët kërkojnë debat parlamentar dhe mospranim të kësaj marrëveshje. Kryesia e Kuvendit nuk pranoi ta caktojë këtë seancë duke e konsideruar kërkesën tonë  në kundërshtim me procedurat.”

Prandaj sipas Lëivjzes, në kushte të tilla, protestës vetëm sa vjen e i shtohet legjitimiteti. Për shkak se, kur përfaqësuesit heshtin e nuk përfaqësojnë, e kur qeveria ua shkel, në vend se t’ua mbrojë interesin, është obligim qytetar e demokratik i popullit që të protestojë.

 
Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 00:28

Prishtinë – Pas një deklarate të ambasadorit gjerman në Kosovë, me të cilën fushata e Lëvizes Vetëvendosje për Kosovën Republikë është quajtur nga ai si kopsht fëmijësh, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaratën e ambasadorit gjerman e ka quajtur joserioze dhe etiketuese.

“Deklaratat e ambasadorit gjerman janë joserioze dhe etiketuese. Së pari, nuk është brenda përshkrimit të punës së një ambasadori të japë deklarata të tilla lidhur me një subjekt politik në Kosovë e aq më pak të interferojë në çështjet që janë pjesë e debatit politik në Kosovë. Përveç kësaj, deklarata e ambasadorit është e pasaktë edhe sa i përket përfaqësimit të Kosovës në konferencat rajonale”, tha Kurti në një intervistë për Express.mk.

Sipas tij, krahasimet që janë bërë në deklaratën e tij midis Gjermanisë dhe Kosovës nuk qëndrojnë sepse Gjermania dhe Kosova janë kontekste të ndryshme.

“Gjermania është anëtare e OKB – së e nuk i mohohet shtetësia nga askush, ndërkaq Kosovës i janë imponuar negociata dhe po tentohet t’i hiqet mbishkrimi “Republikë” pikërisht për shkak të Serbisë, prej të cilës edhe jemi pavarësuar”, vlerësoi Kurti.

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 19:15

Berlin-Duam dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur. Është kjo deklarata e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, bërë gjatë një interviste për DW ndërsa ndodhet për vizitë në Gjermani.

“Që të ecim përpara duhet të ndërrohet kjo qeveri dhe ne duam që kjo të bëhet në zgjedhje të parakohshme”-shprehet Kurti. Ai nuk përjashton vazhdimin e protestave në pikat kufitare me Serbinë ndërsa deklaron se VV do të vazhdojë betëjen e saj edhe në rrugë ligjore.

“Qeveria e tanishme e ka uzurpuar shtetin dhe e ka shndërruar vendin në një republikë qeveritare – me shumë qeveri dhe pak republikë. Aktivitetet tona në kufi nuk i bëjmë me qëllim që të rrëzojmë qeverinë, t’ia marrin pushtetin, apo të forcojmë veten si opozitë. Por këto aksione janë kundër Serbisë, kundër hyrjeve dhe ndërhyrjeve të saj në Kosovë. Është fatkeqësi e madhe që qeveria në vend se të bllokojë Serbinë destruktive, po i bllokon aksionet  tona. Për të shkuar përpara, duhet të ndërrohet kjo qeveri. Ne duam që kjo të bëhet në zgjedhje të parakohshme. Pra, duam dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme – sa më shpejt aq më mire”-thotë kreu i Vetëvendosjes. Kurti thekson se nuk është kundër serbëve të Serbisë apo të Kosovës dhe se kjo lëvizje ka një plan se si të bashkohet Mitrovica dhe për ndërprerjen e strukturave paralele në veri.

“Lëvizja Vetëvendosje ka një plan se si mund të bashkohet Mitrovica. Plani parashikon masa socio-ekonomike si dhe masa politike dhe të sigurisë. Ndër masat që duhen ndërmarrë janë rivitalizimi i Trepçës, zbutja e papunësisë, ndihmat për arsim, shëndetësi etj. Ndërsa sa i përket masave të sigurisë, duhet ndëprerë financimi i strukturave paralele të Serbisë, të ndërpritet shitja e pronave të shqiptarëve, duhet të hapen nën stacione policore në lagjet e banuara me shqiptarë. Mos të harrojmë, strukturat paralele në veri i ka lënë Millosheviqi, më vonë i ka mirëmbajtur Koshtunica e tani këtë po e bën edhe Tadiç”-vazhdon Kurti.

Lidhur me dialogun mes Prishtinws dhe Beogradit, ai pwrswrit edhe njw herw se pse Vetwvendosje wshtw kundwr ketyre bisedimeve.

“Dialogu me Serbinë për çështje të brendëshme të Kosovës na bosnjizon neve dhe rezulton me kantonizimin e Kosovës, rezulton me një shtet jo funksional. Nuk mund të përfitojmë nga ky dialog për çështjet e brendshme, do të kemi vetëm dëme. Situata është sikur para 40 vitesh, kur shqiptarëve u lejohej përdorimi i flamurit kombëtar, por vetëm brenda shtëpisë dhe jo në publik. Me trysni ndaj Serbisë mund të arrihet kjo. Serbia mund të  hidhet në defansivë me dy poteza: e para, duhet t’i ndërpresim bisedimet, dhe e dyta, ta bllokojmë hyrjen dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë”.-vijon Kurti.

I pyetur për qëndrimin e Vetëvendosjes ndaj ndërkombëtareve në Kosovë, Kurti thotë se nuk janë kundër pranisë së tyre, por për të ndryshuar karakterin e kësaj pranie.

“Nuk duam një prani ndërkombëtare e cila na sundon dhe dikton, por një prani që na mbështet dhe ndihmon për zhvillim, demokraci dhe drejtësi. NATO duhet të qëndrojë në Kosovë, por duhet të bëhet me një marrëveshje të re. Marrëveshja duhet të nënshkruhet mes NATO dhe Kosovës dhe jo të qëndrojë mbi bazat e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila është nënshkruar prej shumë personave që janë dënuar në Hagë  për krime lufte. Natyrisht që ne kërkojmë që edhe forcat e sigurisë së Kosovës të shndërrohen në ushtri, sepse nuk është në rregull që Mali i Zi apo Maqedonia të kenë ushtri, e Kosova nuk lejohet ta ketë ushtrinë e vet”-thotw Kurti.

Sipas tij, Serbia duhet të lërë pas të kaluarën, të ndryshojë në mënyrë që të ketë marrëveshje, komunikim dhe bashkëpunim normal me Kosovën.

“Serbia duhet ta lerë prapa periudhën e regjimeve fashiste dhe nacionalshoviniste të Shekullit 20-të. Serbia duhet të heqë dorë nga e kaluara, të paguajë dëmet e luftës, të na i kthejë 1800 të pagjeturit, ta ndryshojë pjesën e kushtetutës së saj, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, të pushojë me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Serbia duhet të na i kthejë depozitat e  plaçkitura bankare, fondet pensionale, dokumentacionin kadastral, librat e amzës, të na i dorëzojë kriminelët e luftës dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës. Vetëm për një Serbi të tillë mund të thuhet se nuk është më ajo Serbia e vjetër dhe me të mund të krijojmë marrëdhënie të reja”-thotë Kurti.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 09:00

Prishtinë- Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës shqyrtoi sot, raportin e Policisë së Kosovës lidhur me ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime.

Ata kërkuan që raporti i Policisë së Kosovës të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore, të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve, arrestimin e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, arsyetimin për ndërhyrje në pronat private, lëndimin e gazetarëve, si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 janarit.

Komisioni kërkon gjithashtu që organet përgjegjëse të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.

Më tej në këto rekomandime thuhet që pjestarët e Policisë së Kosovës kanë nevojë për trajnime shtesë për menaxhimin e turmave dhe pajisje shtesë për situata të tilla, si dhe kanë nevojë të përmirësojnë nivelin e komunikimit përmes pajisjeve teknike, pasi ka pasur pengesa teknike në komunikim mes njësiteve përkatëse.

Gjatë mbledhjes u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e Policisë së Kosovës dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 18:33

Merdare- Ish ambasadori William Walker, i cili ishte shef i Misionit vëzhgues të OSBE në Kosovë në kohën e luftës, në një deklaratë për median para pak çastesh, nga Merdara tha se njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por pa dhunë.

Edhe në Merdare, edhe te Dheu i Bardhë, situata vazhdon të jetë e qetë. Sipas njoftimeve, në të dy vendkalimet kufitare atje nuk ka hyrje të mauneve me mallra nga Serbia, për aq kohë sa protesta vazhdon.

Ai tha se ka ardhur që të shohë protestat për bllokimin e mallrave serbe në Kosovë, të cilat në javën e kaluar rezultuan me përplasje mes policisë dhe protestuesve.

“Kam ardhur sot për të parë protestat, për të parë reagimin e policisë ndaj protestuesve. I kam parë raportet për protestat e javës së kaluar ku qeveria tha se policia ka vepruar në mënyrë proporcionale, por Amnisty International dhe disa OJQ-të të tjera kanë mendime të tjera se çfarë ka ndodhur. Kështu që kam dëshiruar të vij dhe ta shoh vetë se çka po ndodh.”, tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Walker.

Walker nuk ka komentuar vendimin e Vetëvendosjes që të organizojë protesta në rrugë për bllokimin e mallrave serbe, por është shfaqur skeptik në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës karshi Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se përderisa protesta është paqësore, nuk sheh arsye pse duhet kundërshtuar ajo.

“Kështu po ndodh në shumë pjesë të botës, bota po i mirëpret protestat publike në Siri, Libi, Egjipt, edhe këtu ka protesta, dhe nuk shoh pse duhet kundërshtuar këto protesta, përderisa ato janë paqësore”, tha Walker. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 17:19

Prishtinë-Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë të bëjnë fare me vendosje të reciprocitetit me Serbinë.

“Ajo çfarë po ndodhë s’ka lidhje me reciprocitet. Kjo është bllokadë. Dua të them se kjo formë nuk është e duhura dhe nuk do ta ketë efektin të cilin synohet të arrihet”, ka thënë Kusari-Lila, në një prononcim për KTV’në.

Ajo ka zhvlerësuar tërësisht protestën e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas saj, mallrat serbe nuk bllokohen nëse bllokohen dy pikëkalimet kufitare, ajo e Merdares dhe Dheut të Bardhë.

“Çdo firmë që importon mallra nga Serbia mund ta bëjë këtë përmes pikave tjera kufitare, siç janë pikat me Maqedoninë apo me Malin e Zi”, ka thënë ajo.