Lajme Shqip Wednesday, 16 April 2014 12:07

Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Mësohet se, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, si pasojë e përplasjes së tre automjeteve. Burime nga policia bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Kafaraj.

Mësohet se në aksident është përfshirë një furgon me targë AA881GJ, një autoveturë me targë AA746DA dhe një tjetër mjet, targat e të cilit nuk duken pasi janë shkatërruar tërësisht. Paraprakisht dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga mjeti tip furgon, i cili ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe  drejtuesi i tij ka humbur jetën. Identiteti i viktimave nuk bëhet ende i ditur, ndërsa pesë të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, në automjetin me targë AA746DA udhëtonin 5 pjesëtarë nga e njëjta familje, të cilët ishin nisur drejt Greqisë.  Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 23:41

Nuk kanë të ndalur aksidentet e rënda nëpër rrugët e vendit këtë fundjavë, me bilanc si të një lufte.

Pas 11 të vdekurve në Kukës dhe Sarandë të shtunën, 9 persona u plagosën të dielën në një tjetër aksident rrugor në komunën Luzni, në Dibër.

Një automjet tip furgon, me 9 pasagjerë, rrezikoi të përfundonte në greminë për shkak të motit të keq dhe lagështirës në rrugë.

Drejtuesi i mjetit, pasi konstatoi se sistemi i frenimit nuk funksiononte në një vend me shumë pjerrësi, për të parandaluar rrëzimin e automjetit në lumit Drin, manovroi duke goditur një shpat kodre. Për pasojë, të gjithë pasagjerët pësuan dëmtime, përfshi edhe një foshnje 4-muajshe, e cila u dërgua me urgjencë për në Tiranë. Sipas mjekëve, të plagosurit janë të gjithë jashtë rrezikut.

Shmanget kështu tragjedia e radhës në rrugët e përgjakura që prej ditës së shtunë, kur u shënuan 11 viktima dhe disa të plagosur në gjendje të rëndë.

Rastet e ditës së shtunë ishin ato të aksidentit automobilistik të ndodhur në aksin rrugor Shishtavec-Kukës, ku 6 persona u ndanë nga jeta dhe 7 të tjerë u plagosën, me një furgon të linjës nga fshati Shtrezë drejt qytetit të Kukësit, si dhe aksidenti tragjik në aksin nacional Sarandë-Qafë Botë, ku dy mjete u përplasën me njëri-tjetrin në vendin e quajtur Ura e Bogozës, si pasojë e të cilit u shënuan 5 viktima. / Top Channel/

 
Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 14:49

E mbijetuara e aksidentit të rëndë në Kukës, Hyrije Kovaçi, rrëfen për “A1 Report” momentet tragjike të ngjarjes, kur furgoni me pasagjerë ra në humnerë, duke shkaktuar 6 viktima.

67-vjeçarja Kovaçi, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në kryeqytet, tregon se gjithçka ndodhi vetëm 10 minuta nga nisja e furgonit nga Shishtaveci në drejtim të Kukësit.

“Shoferi nuk ecte me shpejtësi. Ne sa ishim nisur nga fshati, vetëm kur kemi parë që u rrëzuam. Pasagjerët bërtisnin duke thënë ‘na mbyte’, vetëm kur kemi parë njerëzit në tokë, disa të vdekur dhe nuk mbaj mend më shumë”, ka treguar Kovaçi.

 Ndërsa mjeku, Artan Distafa, tregon se, gjendja e të aksidentuarve është e rëndë veç 67-vjeçares, Kovaçi. Sipas Distafës, Petrit Mustafa dhe Rustem Bina, janë në gjendje të rëndë dhe kanë mbetur të paralizuar.

Të aksidentuarit Petrit Mustafa dhe Xhezair Çuni, të dy iu nënshtruan një operacioni shtatë orësh pas mbërritjes në gjendje tepër të rëndë në Spitalin Kombëtar të Traumës me helikopter dhe për momentin të dy ndodhen në gjendje kome.

Gjatë natës u përmirësua gjendja e 67-vjeçares Hyrije Kovaçi, e cila tashmë konsiderohet jashtë rrezikut.

Në aksidentin e ndodhur të shtunën në Kukës, kur një furgon doli nga rruga duke rënë në një humnerë, gjashtë persona humbën jetën, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën, nga të cilët katër u transportuan me urgjencë në Tiranë.

Megjithatë, në gjendje kritike tashmë mbeten vetëm të aksidentuarit Mustafa dhe Çuni.

Ndërsa, nëndrejtori i spitalit foli edhe për gjendjen e tre fëmijëve të plagosur nga shpërthimi i një granate. Ai tha se të tre të miturit e aksidentuar në Fushë-Krujë kanë marrë trajtimin e përshtatshëm dhe janë jashtë rrezikut.

Në këtë aksident, humbi jetën një 6-vjeçar, fëmija i katërt pranë të cilit shpërtheu granata.

Dita e shtunë ishte një prej ditëve më të zeza në historinë e vendit, pasi në një aksident tjetër në Sarandë humbën jetën pesë persona, duke e çuar në 12 numrin e shtetasve që mbetën të vrarë gjatë 24 orëve të fundit./shekulli/