Lajme Shqip Wednesday, 18 June 2014 18:38

Rinumërimi i votave në të gjitha kutitë e votimit, të dala nga procesi zgjedhor i 8 Qershorit, është i pashmangshëm. Kjo për faktin se pothuajse në të gjitha kutit e votimit, rezultati zgjedhorë është manipuluar. Ky fakt pranohet edhe zyrtarisht nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që deri më tani ka vendosur që rreth 500 kuti votimi, t’i dërgoj në rinumërim. 

Ndërkohë që pritet që edhe qindra kuti të tjera votimi, që pritet të auditohen, të kthehen në rinumërim duke iu ofruar kështu gjysmës së vendvotimeve ne rinumërim, që tregojnë haptas se është manipuluar vullneti i votuesve. Siç shihet nga të dhënat paraprake zyrtare, është Aleanca Kosova e Re, ajo që është dëmtuar më së shumti nga ky proces i parregullt i numërimit të votave. 

Sipas të dhënave të dala nga auditimi i kutive të dyshimta të votimit, AKR del të jetë parti që ka marr rreth 10 për qind të votave dhe jo më pak se 5 për qind sa thuhet në rezultatet të bazuar në të dhënat e manipuluara nga komisionerët e papërgjegjshëm. Me këtë rast AKR, që deri më tani në çdo kuti të audituar ka pas të paktën 10 për qind të votave, shpreh shqetësimet e saj lidhur me mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votimit, që ka rezultuar me keqpërdorim të vullnetit të votuesve, respektivisht votës së subjektit politik Aleanca Kosova e Re. 

Andaj AKR, edhe një herë kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm kutit e votimit, ku manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre. Aleanca Kosova e Re, këtë kërkesë do ta mbështesë edhe me faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet në KVV, të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, nga të cilat shihet se votat e AKR-së u janë bartu subjekteve të tjera politike. 

Rinumërimi i plotë i fletëvotimeve do të eliminonte edhe pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin në shesh nga kandidatët dhe ankesat e tyre për manipulim të votave të brendshme. Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për AKR-në të mos manipulohet. 

 
Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 16:35

Prishtinë-  Presidenti iAleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Prishtinës, z.Korab Sejdiu, kanë qëndruar në Kodrën e Trimave, ku kanë pirë çaj më qytetarët e kësaj ane. Pacolli nga këtu e ka ftuar publikisht  kryetarin aktual të Prishtinës, z.Isa Mustafa, që të dalë në debat dhe të mos vjedhë ide nga AKR-ja.

“E ftoj kryetarin aktual të Prishtinës të debatojë me kandidatin tonë dhe mos të na kopjojë idetë, po të vijë dhe ta zbërthejë idenë e tij, unë jam i bindur që nuk ka ide, përndryshe do t`i kishte zbatuar për 8 vjet”, ka thënë Pacolli.  I pari i AKR-së, z.Behgjet Pacolli, ka folur edhe për Kodrën e Timave dhe kaosin në komunikacion. Ai ka thënë që plani i AKR-së për ta ndryshuar këtë gjendje është të bëhet një Tunel nga fshati Bardhosh në drejtim të Xhamisë së Llapit.

“Familja ime posedon 70 hektarë tokë në Prishtinë dhe në ditën që ne do ta marrim Prishtinën, atë tokë do t` ia falim Komunës, pasi që do të krijohen zona të lira ekonomike dhe pastaj nga to do të hapen edhe vendet të lira të punës. Isa Mustafa tash e tetë vjet e ka penguar punën time në Fushë Kosovë, ku do të hapeshin vende të punës dhe veprimtari ekonomike, mirëpo ai nuk dëshiron që ju të punësoheni”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa kandidati I AKR-së për kryetar të Prishtinës, z.Korab Sejdiu, ka folur për mungesat dhe problemet e përgjithshme të lagjes Kodra e Trimave.

Presidenti I partisë z.Behgjet Pacolli së bashku me kandidiatin për Prishtinën z.Korab Sejdiu, më pas vizituan tenden që është e vendosur në shesh të qytetit ku vazhduan bashkëbisedimin më qytetarë./koha/ 

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 12:54

Prishtinë – Fadil Maloku ia ka kthyer akuzat Aleancës Kosova e Re. Ai thotë se ajo nuk funksionon si një parti e mirëfilltë dhe ka një kryetar të vetëshpallur. Ai thotë t’i jetë ofruar një post tjetër, nëse do të jepte dorëheqje, para se ta largonin dhe të nisnin procedurat për zëvendësim, transmeton KTV.

Maloku, përveç kundërshtimeve për heqjen e logos nga fletëvotimet, ka thënë se nuk ka pranuar që organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës të bëhet nga OSBE-ja. Sipas tij, e gjitha kishte nisur me shkuarjen e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka në Bruksel, pas marrëveshjes së 19 prillit. Anëtar i KQZ-së, ka thënë se kryetarja Daka ishte kthyer nga atje me një listë të temave që do të prekeshin. Ndër to, edhe logot e fletëvotimeve dhe roli i OSBE-së në zgjedhjet e 3 nëntorit në komunat në veri të Kosovës. Ndërkohë, për shkarkimin e tij thotë se është në pritje të përgjigjes së Zyrës së Presidencës, pasi një gjë e tillë, sipas tij, nuk mund të bëhet dhe se nuk është përfaqësues vetëm i AKR-së, por i koalicionit Kosova e Re. Maloku e thotë këtë duke u bazuar në nenet 61.5 dhe 61.6 të Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, ku flitet për mandatet e anëtarëve të KQZ-së, e ku shkarkimi nga partia nuk parashihet.

AKR të shtunën bëri të ditur se ka dërguar në presidencë emrin e Arbërie Nagavcit për të zëvendësuar Fadil Malokun.

 
Lajme Shqip Friday, 24 May 2013 13:18

Kompania private “Komtel”, ka fituar miliona tenderë në KEK dhe KOST dy ndërmarrje publike ku Fadil Ismajli ka qenë menaxher.

Ismajli tash ministër për Zhvillim Ekonomik ka qenë themelues i kompanisë private “Komtel”, raporton e përditshmja “Zëri”, në Prishtinë.

KEK dhe KOSTT i kanë dhënë kompanisë tenderë për veprimtari të ndryshme duke nisur prej furnizimit me kompjuter, mirëmbajtje të softuerëve si dhe furnizimit me njehsorë.

Gazeta raporton se tenderët të cilët janë dhënë në KEK sa ka qenë Ismajli në krye të saj janë hetuar edhe nga zyra e BE-së Kundërmashtrim OLAF e cila disa vite më parë kishte gjetur konflikt direkt interesi mes Ismajlit dhe kompanisë “Komtel”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 15:19

Molliqaj tha se Vetëvendosja  ka hedhur poshtë mundësië e  koalicionit me PDK-në, LDK-në,  AAK-në dhe AKR-ne, duke shtuar kështu me optimizëm se VV në këto zgjedhje loakle do të shënojë rritje të madhe dhe në shumicën e komunave do të shkojë në balotazh.Ai poashtu tha se Vetëvendosje! do të përzgjedhë kandidatë seriozë për kryetarë komunash.

“Lëvizja Vetëvendosje! do të jetë alternativë serioze në zgjedhjet lokale të këtij viti. Prishtina është cak për të gjitha partitë politike, por është mundësi vetëm për disa prej tyre. Sikur për Prishtinën ashtu edhe për komunat e tjera Vetëvendosja do të kandidojë njerëz seriozë, të cilët do të mund të kontribuojnë më shumë për komunat përkatëse dhe për Kosovën në përgjithësi, e që ka nevojë për ndryshime”, ka thënë Molliqaj për Epoka e Re.

“Do të shënojmë rritje të madhe. Nga puna dhe përgatitjet që kemi bërë në shumë prej komunave Vetëvendosja do të shkojë në rundin e dytë, atë të balotazhit. Por, nuk do të lëshohem tash se cilat do të jenë ato komuna për shkak se lëvizshmëria e votës në Kosovë është mjaft e madhe. Zgjedhjet lokale nga ato nacionale kanë ndryshime qoftë në aspektin pozitiv apo negativ”, ka deklaruar Molliaj, duke shtuar se Vetëvendosja do ta kalojë me sukses këtë proces zgjedhor.

Ai ka thënë se zgjedhjet lokale për Vetëvendosje!-n nuk janë test, por mundësi.

“Deri më tani Vetëvendosja i ka kaluar me sukses shumë sfida. Po ashtu, mendoj se edhe zgjedhjet lokale më shumë janë një mundësi për Vetëvendosje!-n sesa një test për shkak se do të jemi i vetmi subjekt politik që do të ofrojë alternativa të shkruara qeverisëse për kuvendet komunale. Do të jemi një koncept krejt tjetër politik, një alternativë për qeverisje tjetër, si dhe një mundësi për qytetarët për ta ndërruar pushtetin në nivelin lokal, të cilin e karakterizojnë korrupsioni dhe nepotizmi”, është shprehur Molliqaj.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash nga Vetëvendosja sipas tij do të fillojë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.

“Përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë komunash në Vetëvendosje! bëhet ndryshe nga partitë e tjera. Kandidatët për kryetarë komunash nuk i zgjedh as kryesia e qendrës së komunës përkatëse, as kryesia në nivel qendror, por anëtarësia. Ky proces do të jetë transparent, i cili do të fillojë pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidentja e vendit”, ka treguar Molliqaj.