Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 10:44

Prishtinë- Një padi e ngritur para shtatë vjetësh po ‘myket’ në sirtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Njëmbëdhjetë shqiptarë nga Presheva, shtetas të Serbisë, kanë paditur gjashtë kosovarë për uzurpim prone. Në mesin e personave që u është bërë padi figuron edhe emri i kryeagjentit të Kosovës, Bashkim Smakaj.
Paditësit nga Presheva pretendojnë se Smakaj ka uzurpuar hiq më pak se 150 metra katrorë të një prone në Prishtinë. Në dokumentin e siguruar nga gazeta Tribuna, të protokolluar më 2 maj të vitit 2006 në Gjykatën Komunale në Prishtinë, emri i Smakajt është i radhitur i dyti në listën e personave që u është bërë padi në gjyq, si uzurpatorë.
Paditësit Rami Hyseni, Suad Hyseni, Sefedin Sadiku, Mehmet Hyseni, Selami Hyseni, Fikret Sadiku, Samir Limani, Shenur Hyseni dhe Mirvete Rexhepi, nga fshati Bushtran i komunës së Preshevës si dhe Sabedin e Mehmet Mehmeti nga fshati Bilaç i Preshevës, kanë paditur Maliq Pacollin, Bashkim Smakën, Fadil Gashin, Abaz Ajetin, Sedat Gashin dhe Hajriz Pacollin, shtetas të Kosovës./Tribuna/

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 August 2013 12:13

Prishtinë – Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), e di më së miri se a ka vehabistë apo fundamentalistë islamikë në Kosovë.
Kështu deklarojnë zyrtarët e ekzekutivit por edhe përfaqësues të legjislativit kosovar.
Derisa asnjëra palë nuk mohon se Kosova ka probleme me vehabistë.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërrnava.
Ai ditë më parë, në një paraqitje televizive tha se nuk është në dijeni se në Kosovë ka vehabistë.
“Unë këtë nuk e di nëse organet e sigurisë kanë informacione për këtë le të merren me ta”, ishte deklarata e Myftiut Tërrnava.
Në këtë mënyrë, Tërrnava ka sfiduar të institucionet të cilat shprehen të rezervuara rreth kësaj teme.
Express ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kuptuar nëse kjo e fundit ka të dhëna lidhur me ekzistencën dhe aktitivitetet e vehabistëve në Kosovë.
Krejt çka i është dhënë gazetës nga dikasteri që ka mbi supe rendin dhe sigurinë e shtetit ishte një orientim tek organet tjera shtetërore.
“Ne nuk kemi asgjë,për këtë duhet t’i drejtoheni AKI’së”, ishte përgjigja e Zëdhënëse së MPB’së, Rroksana Qarri për Express.
Të dhënat e AKI’së siç dihet janë konfidenciale për opinion.
Express ndërkohë ka kontaktuar me zyrtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri.
Nënkryetari i këtij Komisionit, Deputeti Rexhep Selimi ishte më i prerë kur u pyet nëse Kosova ka probleme me vehabistë.
“Unë po them se problemi me vehabistët nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i Kosovës”, tha Selimi.
Mirëpo ai ka pohuar se AKI’ja, në krye me Bashkim Smakajn, e di më së miri këtë punë.
“Siç thashë, AKI’ja. Por, e përsëris vehabizmi nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i Kosovës”, u shpreh Selimi.
Çka thonë raportet ndërkombëtare për vehabizmin në Kosovë?
Vehabizmi njihet si lëvizje fetare, ose degë e Islamit, e cila u zhvillua në shekullin e 18-të në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhammad ibn Abd al-Wahhab
Veçori e kësaj lëvizje është se njihet si formë më e rreptë e Islamit që insiston në në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.
Për shumë kritikë botëror ngurtësia e vehabistëve ka çuar në keqinterpretimin dhe shtrembërimin e Islamit, duke marrë për shembull ekstremistët si Osama Bin Laden dhe talebanët.
Në një raport të Departamentit të shtetit amerikan për liritë fetare në botë, të vitit 2011, kur flitet për Kosovën thuhet se në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës me besim islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike.
Mirëpo, aty theks të veçantë i jepet një veshje karakteristike, kryesisht me pantallona te shkurtër dhe mjekër të gjatë, të cilën hasen edhe nëpër Kosovë.
“Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje”, thuhej në raport.
Ndërkohë që disa kosovarë me shtetësi të huaj, si në SHBA dhe Gjermani, janë akuzuar për sulme terroriste, të motivuara nga Islami radikal.
Ndër t’o vlen të përmendet rasti i Asllan Bajramit nga Mitrovica, njëri nga njerëzit më të kërkuar nga FBI , nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste e i cili jetonte i lirë në Mitrovicë, në mungesë të një marrëveshje ekstradimi mes Kosovës dhe SHBA’së.
Ai akuzohej se ka lidhje me njerëz nga Karolina e Veriut, të arrestuar kohë më parë për një komplot të dyshuar për të sulmuar bazën e marinës amerikane në Kuantiko të Virxhinias dhe plane të dyshuara për të lënduar njerëz në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 17:13

Prishtinë – Strukturat e shërbimeve serbe që kanë vepruar në veri nuk mund të inkuadrohen në AKI, pavarësisht marrëveshjes mes kryeministrave Thaçi e Daçiq, e cila parasheh integrimin e strukturave të sigurisë në veri në  institucione të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së hedhin poshtë çdo mundësi që në AKI të ketë infiltrim të shërbimeve sekrete serbe. Kryetari i këtij komisioni, Florin Krasniqi, ka thënë se pjesëtarët e BIA-s nuk mund të jenë pjesë e AKI-së, transmeton KTV. 
Por, ka ironizuar duke thënë se ata mund të jenë agjentë të dyfishtë. Ndërkohë Bekim Haxhiu i PDK-së ka thënë se është absurde të mendohet që amnistia do të përfshijë edhe sektorin e sigurisë së BIA-s. Ai tha se asnjë agjenci e sigurimit apo e inteligjencës të vendeve të tjera nuk mund të punojë apo  të inkorporohet në AKI. 
Edhe Burim Ramadani i AAK-së është shprehur i bindur që asnjë agjent i shërbimit të Serbisë nuk do të jetë në strukturat e AKI-së. Në komisionin që mbikëqyr AKI-në ka raportuar Agron Selimaj, inspektor i përgjithshëm i AKI-së, por raportimi i tij ka qenë i mbyllur për media. 
Ndërkohë javën që vjen para këtij komisioni pritet të raportojë drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, rreth asaj se çka po ndodh në bisedime, çka pret agjencia pas kësaj marrëveshjeje dhe pas integrimit të veriut.

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 16:39

Anëtarët e Komisionit për mbikqyrjen e AKI-së, deklaruan që  gjasat për t’u përfshirë në Agjensinë Kosovare të Intelegjencës për strukturat intelegjente të Serbisë janë të përjashtuara. Ata poashtu shtuan se njerëzit që kanë qenë pjesë e një strukture intelegjente në shërbim të një vendi tjetër,ne asnjë mënyrë nuk mund të jenë pjesë e një institucioni të një vendi tjetër. KTV citon anëtarët e këtij Komisioni, sipas të cilëve ky është një prej kritereve themelore për të qenë pjesë e AKI-së. 

Nënkryetari  i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Fadil Demaku  ka thënë se njerëzit që kanë qenë pjesë e një strukture inteligjente në shërbim të një vendi tjetër, assesi nuk mund të jetë pjesë e një institucioni të një vendi tjetër. Ndërsa Burim Ramadani  ka thënë se AKI-ja është Agjensi e Kosovës, ku nuk mund të punojnë njerëz që punojnë për shërbime të tjera dhe kjo është një prej kritereve themelore për të qenë pjesë e AKI-së.