Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 18:58

Prishtinë – Plani i presidentit Marti Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në bazë të cilit ishte shpallur pavarësia e këtij vendi, u ka ofruar komuniteteve pakicë një shkallë të lartë të vetëqeverisjes që ushtrohet përmes pushtetit lokal, thonë përfaqësues të institucioneve nga të dyja nivelet.Për shkak të ndjeshmërisë politike, Kosova ka të ndarë trajtimin e pakicave në komunitetin serb të cilit i njeh një shkallë më të larët të përfshirjes në institucione dhe pakicat tjera jo serbe.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tani deputet në Parlamentin e Kosovës, thotë se me decentralizimin e pushtetit dhe dispozitat e Pakos së Ahtisaarit, të cilat janë përfshi tashmë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, komunat, kanë në përgjegjësitë e tyre 24 kompetenca.

“Me ligjin për vetëqeverisje lokale, komunave iu parashikohet një gamë e gjerë e kompetencave, duke filluar nga arsimi parashkollor, fillor e i mesëm. Mjekësia primare, pastaj rregullimi i territorit, dhënia e lejeve, kultura, sporti, rinia dhe një mori, diku afër 24 kompetenca parashihen, përfshi ato të parapara dhe deleguara”, thotë Ferati.

Për akomodimin e pakicave, sidomos asaj serbe, Kosova kishte formuar edhe 6 komuna të reja, prej tyre 5 me shumicë serbe dhe një me shumica turke.

Komunave serbe u njihet dhe e drejta për ta ruajtur komunikimin me Serbinë dhe kultivuar bashkëpunim në fusha të caktuara. Komunat si Graçanica, Ranilluku, Kllokoti, Shtërpca dhe Novobërda,  tani funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Mirëpo, janë edhe tri komuna në veri, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani si dhe komuna e paraparë e Mitrovicës së veriut, që ende funksionojnë jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

Bojan Stojanoviq, është kryetar i komunës së Graçanicës e cila kufizohet me Prishtinën dhe popullohet nga shumica serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Stojanoviq thotë se kjo komunë ka filluar të rimëkëmbet nga ngecjet në zhvillim me dekada.

Tani, sipas tij, nuk mund të shihet se është bërë ndonjë mrekulli, por mund të vërehen rezultate të dukshme.

 “Nuk bëhet fjalë vetëm për projekte të infrastrukturës, bëhet fjalë për një energji pozitive. Infrastruktura nuk nënkupton vetëm anën fizike, si kanalizime, ujësjellës, rrugë e trotuare. Bëhet fjalë për infrastrukturë socio-ekonomike”, thotë Stojanoviq.

Aktualisht, vijon ai, po punohet në ndërtimin e sallës së sporteve, përderisa ndërtesa e teatrit është në përfundim e sipër.

Ndërkaq numëron edhe renovimet e shkollave si dhe kryerjen më efikase të shërbimeve publike.

Në bazë të planit të Ahtisaarit, përveç nivelit lokal, ku serbëve u janë lanë të udhëheqin me nëntë komuna, është paraparë edhe përfaqësimi në nivelin qendror.

Ky plan, u ka mundësuar serbëve t’i kenë 10 ulëse të rezervuara në Parlament, e po aq edhe pakicave jo serbe.

Këto ulëse janë paraparë të ekzistojnë për dy mandatet e para të legjislaturës së Kosovës së pavarur, kurse nga mandati i tretë parashihet të kalohet në ulëset e garantuara.

Megjithatë, liderët serbë kanë kërkuar që të vazhdojnë edhe për dy mandate tjera me 10 ulëset e rezervuara, kërkesë kjo që ende po shqyrtohet nga lidershipi i Kosovës dhe faktori ndërkombëtar.

Sadri Ferati thotë se edhe nëse vjen deri të vazhdimi i kësaj të drejte, atëherë ajo do të duhej të ishte e përkohshme.

“Edhe nëse shtohet mandati i ulëseve të rezervuara, fluidet se do të jetë i përkohshëm, për një apo dy mandate të ardhshme, por jo edhe të përhershme, sa për t’iu dhënë mundësi që edhe serbët që kyçen tash nga pjesa veriore të kenë mundësinë pak a shumë që të jenë më prezent në institucionet qendrore”, ka thënë Ferati.

Përveç legjislaturës, ku njëri nga nënkryetarët e Kuvendit është serb, ky komunitet mbanë edhe një post zëvendëskryeministri në qeveri si dhe dy poste ministrore.

Po ashtu, serbët si edhe komunitetet tjera kanë përfaqësim edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe së shpejti, parashihet të hapet edhe një kanal televiziv publik në gjuhën serbe.

Sidoqoftë këto të drejta të parapara me Pakon e Ahtisaarit nuk kanë mjaftuar edhe për komunat veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat kanë refuzuar çdo përpjekje për integrim në kuadër të juridiksionit të shtetit të Kosovës.

Madje, as dialogu Prishtinë – Beograd i ndërmjetësuar nga Brukseli nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret në lidhje me integrimin e kësaj pjese.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 September 2012 15:15

Prishtinë – Ish emisari i sekretarit të përgjithshëm ë OKB- së në negociata për statusin Kosovës Marti Ahtisaari, një intervistë për “Vesti”, thekson se nuk do të ketë ndryshim të planit të tij, as status special për veriun, duke thënë se Beogradi qysh në fillim të vitit 2006 e ka ditur se më nuk do të ketë kompetenca mbi Kosovën.

Presidenti Ahtisaari, duke folur për planin e tij, thotë se ai garanton mbrojtjen më të mirë të mundshme të pakicave në Kosovë, veçmas asaj serbe.

“Nuk është faji te plani, por te qëndrimet e njerëzve. Të gjithë duhet të ndryshojnë. Jo vetëm politikanët, por edhe qytetarët e thjeshtë, shqiptarët dhe serbët. Për këtë duhet kohë…”.

Lidhur me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Ahtisaari thotë se “në vend të fjalëve për bisedime, sugjeroj që të zbatojnë marrëveshjet e arritura”.

Asnjë vend nuk mund as të mendojë që të hyjë në Bashkimin Evropian në qoftë se ka probleme të brendshme ose probleme me fqinjët.

Ahtisaari mohon mundësinë e hapjes së negociatave lidhur me çështjen e kufijve, duke thënë se Këshilli i Sigurimit i ka pranuar kufijtë ekzistues.

Ai i porosit serbët që në vend se të kërkojnë plan të ri, të punojnë në bazat e planit ekzistues, e të mos shkaktojnë probleme. “Kjo nuk do t’ju ndihmojë në qëllimet për anëtarësim në BE”.

Ahtisaari është kategorik se plani ekzistues nuk mund të ndryshohet, në mënyrë që veriut t’i jepet status special.

Presidenti Ahtisaari thotë se nuk ndjehet keq që sipas planit të tij Serbia e ka humbur ndikimin ndaj serbëve në Kosovë.

“Dy vendet janë të pavarura dhe në këtë mënyrë duhet të sillen në mes veti. Nuk duhet harruar historinë, se çfarë ka ndodhur në Ballkan. Kur ndodhen disa zhvillime të caktuara, Serbia ka humbur të drejtën që të qeverisë me Kosovën. Kjo është thënë qartë, edhe plani im është i qartë lidhur me këtë.

Ai porosit Serbinë se duhet ta ketë të qartë se nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në qoftë se do të shkaktojë probleme, qoftë të brendshme apo të jashtme.

“Marrëdhëniet duhet të normalizohen, pavarësisht nga ajo që ka ndodhur në të kaluar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ndër të tjera Serbia nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Kosovës”, tha Ahtisaari, duke besuar se një ditë të dy vendet do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.(Telegrafi)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 18:23

Prishtinë – Paqja ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk bëhet vetëm përmes nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje, por me ndryshimin e qasjes së popujve dhe udhëheqësve të të dyja palëve ndaj njëri-tjetrit, tha të martën në Prishtinë, ish-i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

Në një fjalim që mbajti gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe shprehi bindjen se nga 11 shtatori po hapet një kapitull i ri që, siç tha ai, mund të shërbejë në përmirësimin e raporteve ndërmjet vendeve në rajon.

“Paqja nuk nënkupton harrimin e së kaluarës nga Kosova e Serbia, por pranimin se e ardhmja e tyre mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ky është një mësim për diplomacinë ndërkombëtare se suksesi i vërtetë nuk mund të gjendet në sallën e negociatave ose në nënshkrimin e marrëveshjes. Ai mund të gjendet në sjelljen e njerëzve-të ministrave, zyrtarëve e fqinjëve të përjetshëm. Ne duhet të flasim më pak për arritjen e paqes si rezultat dhe më shumë për sjelljen dhe qasjen ndaj paqes”, tha ai.

Diplomati finlandez tha se Bashkimi Evropian paraqet një mundësi të mirë për arritjen e paqes, ndërsa e cilësoi të pashmangshëm integrimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

“Kosova është këtu dhe Bashkimi Evropian duhet ta përfshijë atë në masat e saja politike dhe ekonomike. Nëse nuk bëhet kjo, do të mbetet një problem permanent për themelet e rajonit evropian”, u shpreh ai.

Ahtisaari theksoi rëndësinë për fuqizimin e politikave të jashtme të BE-së. Ai e quajti të padobishëm një Bashkim Evropian që do të ishte i unifikuar vetëm në çështjet e brendshme dhe i ndarë në çështjet diplomatike.

Duke folur për përpjekjet e autoriteteve kosovare në përmbushjen e kritereve për integrim evropian, Ahtisaari tha se Kosova duhet të jetë një tregim suksesi i BE-së.

“Shpresoj që të gjithë anëtarët e BE-së të kuptojnë se Kosova duhet të respektohet si pjesë e partnerëve evropianë”, theksoi hartuesi i planit me të cilin do të vendoseshin bazat e themelit të shtet-ndërtimit.

Ai konsideroi se është e pamundshme që Kosova t’i ndryshojë raportet me Brukselin, por tha se mund të ndryshojë domethënien dhe fuqinë e atyre raporteve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 15:50

Prishtinë (PLOTESUAR 10 SHTATOR 19:15)- Presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh. “Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh, duke qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë e duke fuqizuar si faktor, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, ka theksuar Jahjaga.

Duke folur për dialogun, Jahjaga ka thënë se institucionet e Kosovës do të dialogojnë me qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke arritur kështu mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve jep rezultate më të mira.“Në demokracinë tonë qytetare dialogu i brendshëm me mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë është parim i veprimit të institucioneve. Ne do të dialogojmë me qytetarët tanë në tri komunat e territorit tonë të Kosovës, duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve, qeverisja në nivel komunal, ashtu si dha rezultat në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, do të jenë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke u mundësuar qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legalë dhe legjitimë dhe të përfaqësojnë interesat e tyre”, ka deklaruar presidentja e vendit.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë në këtë rast se kur është në pyetje interesi i shtetit, faktori politik në vend gjithmonë e ka dëshmuar se është bashkë. Shefi i Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë mundësuar që Kosova të arrij deri këtu. “Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, pozita dhe opozita në Kosovë gjithmonë janë bërë një kur kanë qenë interesat e Kosovës në pyetje. Procesi i Vjenës do të kulmonte me planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovës. Përkundër kompromiseve ne pranuan planin dhe pikërisht bazuar në këtë plan, me 17 shkurt të vitit 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka thënë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se ai ka ardhur për të festuar të arriturat e Republikës së Kosovës.“Qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Janë gjithashtu duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi të tjetër. Pesë vite me parë, unë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ua kam dhënë materialin tim, propozimin për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën. Ne sot festojmë miratimin e plotë të të gjitha parimeve dhe instruksioneve të inkorporuara në institucione, në procese dhe në kornizën ligjore të një shteti funksional të pavarur”, ka thënë ndër të tjera projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari.

“Suksesi në Kosovë dhe suksesi në Serbi nuk do të gjenden në duartrokitje apo nga kureshtja, por duhet të gjenden në përkushtimin dhe zbatimin e planit që ka prodhuar rezultate konkrete. Ky plan në fillim u pa si fantazmë, por tashmë është fakt. Kjo është e arritur e përbashkët e jona”, ka deklaruar ai. Ahtisaari ka theksuar se tash u mbetet vendësve të punojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, duke kujtuar ata që ranë për të arritur në këtë ditë.

Nga një fjalim rasti e kanë mbajtur edhe dy kontribuesit e pavarësisë Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger. Ata përkrahën përmbylljen e mbikqyrjes së pavarsisë dhe përgëzuan institucionet e vendit për marrjen e përgjegjësive të reja.(LajmeShqip.com)

*****************************************

Washington (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:45)- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si arritje historike, ndërkohë që vendi merr përsipër kontrollin e plotë të sovranitetit të tij.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama në një komunikatë të lëshuar për shtyp.(LajmeShqip.com)

*********************************************

Berlin (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:00)-  Gjermania mirëpret mbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo ka zbatuar refomat për hapin që çon ka sovraniteti.

“Fakti që sot merr fund mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe një sukses i përpjekjeve ndërkombëtare. Kosova ka përmbushur kërkesa rrënjësore demokratike dhe ka arritur progres në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave”, ka theksuar Ministri Federal për Punë të Jashtme, Guido Westerwelle.

Sipas tij, Qeveria Federale do të mbështes fuqimisht Kosovën edhe në të ardhmen në procesin ekonsolidimit të shtetit. “Prioritet mbetet procesi i mëtejmë i afrimit të Kosovës me BE-në dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe stabilitetin qëndrueshëm të gjendjes në veri të Kosovës“, ka theksuar ai.

Propozimi i bërë me mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, i Presidentit finlandez Martti Ahtisaari ka ndërlidhur të drejtat e autonomisë së gjerë të komunave serbe në Kosovë me mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Përkufizimet e Planit të Ahtisaar-it rregullojnë posaçërisht çështjen e mbrojtjes së të drejtave të pakicave jo-shqiptare, forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe mbrojtjen e monumenteve ortodokse serbe. (LajmeShqip.com)

********************************************

Prishtinë -Mbledhja e gjashtëmbëdhjetë dhe e fundit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012, thuhet në komunikatë.
Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit. 10 shtator 2012, Prishtinë (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 13:45

Prishtinë – I ftuari i nderit i Kosovës, me rastin e shënimit të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, Presidenti Martti Ahtisaari, ka arritur në Kosovë.

Ahtisaari, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është pritur nga ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje Presidentit Ahtisaari duke shprehur konsideratat më të larta të institucioneve dhe popullit të Kosovës për kontributin që ai ka dhënë për Kosovën.

Ndërkaq, Presidenti Ahtisaari, nuk është prononcuar për media.

Ministri Hoxhaj u ka uruar mirëseardhje në Kosovë edhe Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe shumë personaliteteve të larta ndërkombëtare të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në këto ngjarje historike për Kosovën. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 17:07

Prishtinë – Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti i ka dërguar një letër ish-të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, duke e kritikuar atë për propozimin e zgjidhjes së statusit.

Një ditë para se Kosova të përmbyllë zyrtarisht mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj, Kurti e quan të padrejtë “logjikën” mbi të cilën diplomati finlandez kishte hartuar propozimin për zgjidhjen e statusit.

“Ideja juaj do të ketë qenë që t’i drejtpeshoni sa më shumë interesat, ama kjo rrjedh nga një keqperceptim i thelbit të çështjes së Kosovës – nga konceptimi i Kosovës si problem shqiptaro-serb. Prandaj edhe zgjidhja e ofruar nga ju ka qenë po kështu – zgjidhje shqiptaro-serbe: komuna të reja serbe, eksterritorialiteti i 45 kishave, të cilat i definuat si ‘serbe’, pastaj shumica e dyfishtë, që nënkupton pamundësinë e ndryshimeve kushtetuese pa u pajtuar serbët, etj…”, shkruan Kurti në letrën drejtuar Ahtisaarit.

Lideri i VV-së thekson se nëpërmjet zgjidhjes së propozuar nga Ahtisaari, “ Serbisë i janë ofruar mundësi të mëdha për ta kontrolluar stabilitetin politik të Kosovës”, ndërsa shpreh bindjen se “shumica e serbëve në Kosovë ende mbesin peng i politikave destruktive dhe hegjemoniste të Serbisë”.

Letra flet dhe për mungesën e përmbushjes së planit në pjesën veriore të Kosovës.

“…Plani juaj është zbatuar vetëm pjesërisht – vetëm aty ku ka pranuar Beogradi: nëpër enklava po, kurse në veri jo. Kurse tash Kosova ndodhet përpara negociatave të reja për veriun, në të cilat Pakoja juaj do të hapet. Zgjidhje tjera mund të pasojnë e që shkojnë edhe më larg sesa propozimi juaj. Dhe, në fund, mund të përballemi me kohën kur për një pjesë të Kosovës të vlejë propozimi Juaj, kurse për veriun një zgjidhje tjetër”, thuhet në letrën e Kurtit.

Lideri i VV-së vlerëson se plani, që para pesë vjetësh mund të ishte shikuar si zgjidhje, sot paraqet një pengesë, “pengesë për sovranitet dhe kufizim për pavarësi të plotë. Plani Juaj e mban peng Kosovën nga strukturat e Serbisë”, shkruan Kurti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 29 July 2012 16:19

Beograd –  Kryetari i Partisë demokratike të Serbisë, Vojislav Koshtunica ka vlerësuar sot se deklarata e ish të dërguarit të KB në Kosovë, Marty Atissari se Serbia nuk duhet të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën, ngjanë sikur kërcënim me pushkë zbrazur.Në një deklaratë të dorëzuar në agjencinë Beta, Koshtunica ka vlerësuar se Kushtetuta e Serbisë është “digë e patejkalueshme“ për pavarësinë e Kosovës, dhe nuk duhet as të mendohet që kushtetuta të ndryshohet derisa tërësia  e vendit është e rrezikuar.

“Në në çastin e duhur më 2007  siguruam që KS i KB të hedh planin e Ahtisaarit, dhe me kurrfarë shantazhesh të ndërkohshme nuk mund të ngjallet projekti i Ahtisaarit që Serbia ta njoh Kosovën”, tha Koshtunica.

Gjithashtu ka reaguar edhe Kryeministri i ri serb, Ivica Daçiq, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se nuk ka nevojë  që Serbia “të reagoi rrëmbimthi” ndaj deklaratës së Ahtisaarit, sepse ai nuk ka folur në emër të BE-së. I pyetur  të komentojë deklaratën e ish të dërguarit të KB në Serbi, Daçiq u ka thënë gazetarëve se deklarata e tij mund të nxit vetëm “kundërefekt” dhe se do të duhej të reagojë BE. Kryeministri i ri serb tha se Ahtisaari në rend të parë do të duhej të angazhohet për aplikimin e Rezolutës 1244 për Kosovën. Poashtu, siç raporton B92, Daçiq ka theksuar se KS i KB e ka hedhur planin e Ahtisaarit.

Borislav Stefanoviq, ish shefi i ekipit negociator serb, ka theksuar se është qëndrim personal i Ahtisaarit që Serbia nuk duhet të hyjë në Be derisa ta njohë Kosovën, por fjala e tij ka peshë në BE. “Në pyetje është qëndrimi personal i Ahtisaarit, i njohur për angazhimin  e tij për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ai gëzon një reputacion të madh në Evropë dhe fjala e tij ka peshë, edhe pse nuk është personalitet që mund të vendos rreth kësaj çështjeje”, tha Stefanoviq.

Ai ka shtuar se Serbia nga Ahtisaari nuk ka dëgjuar asgjë të re, por ajo deklaratë vërteton se prapavija e planit të tij  gjithnjë ka qenë që Serbia edhe formalisht duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Nëse njerëz si Ai do të vendosnin, para Serbisë vërtet do të paraqitet një kusht i këtillë”, ka tërhequr vërejtjen Stefanoviq.

Shefi i Zyrës për Kosovën, Aleksander Vulin thotë se deklarata e Ahtisaarit, është kompensim i borxhit ndaj lobistëve shqiptarë, por Serbia nuk i ka asnjë borxh dhe se do t’i përmbahet Kushtetutës së vet. “Shteti i Serbisë nuk është shtet banane. Ai ka Kushtetutën e vet, dhe asaj do t’i përmbahet. Serbia është anëtare e KB dhe për këtë do ta respektojë Rezolutën 1244”, tha Vulin.

Ndërsa, kreu i Këshillit Nacional Serb, Millan Ivanoviq ka thënë se me deklaratën e tij, Ahtsiari ka treguar se edhe më tej “paguhet nga separatistët shqiptarë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 July 2012 14:31

Helsinki – Serbinë nuk duhet lejuar të hyjë në BE gjithnjë derisa nuk e njeh Kosovën dhe as duhet ofruar kurrfarë favoresh, tha Martti Ahtisaari, fituesi i çmimit Nobel për paqe, i cili ka qenë edhe i dërguar i OKB-së për çështjen e statusit të Kosovës.

“Serbinë nuk do ta lejoja të hyjë në BE derisa nuk e njeh Kosovën. Serbia që moti e ka humbur të drejtën në Kosovën. Ajo me vite të tëra është sjellë keq ndaj kosovarëve”, tha Ahtisaari nga selia e institutit për paqe Crisis Management Initiative, transmeton Koha Ditore.

“Besoj se së shpejti edhe shteti i 100-të do ta njohë Kosovën”, theksoi ai. Momentalisht 91 shtete e kanë njohur Kosovën, por në mesin e tyre nuk janë edhe pesë vende të BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro. “Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë trimëruar Serbinë në përpjekjet e saj, por jam i bindur se kjo do të ndërrojë së shpejti”, tha ish presidenti i Finlandës.

Presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliq para pak kohësh deklaroi se nuk do ta njohë Kosovën, madje as me kusht të (mos) hyrjes në BE. “Nëse duan në Rusi, le të shkojnë atje. Kurrfarë lëshimesh pe nuk janë të pranueshme, as në BeH as tjetërkund”, thekson Ahtisaari.

Deklarata e tij nuk është pjesë zyrtare e politikës finlandeze, por diplomatët theksojnë se Ahtisaari ka ndikim të madh në politikën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 10:19

Ambasadori francez në Prishtinë Jean Francois Fitou ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe partitë politike në veri duhet të ulen dhe ta studiojnë planin e Ahtisaarit për të gjetur rrugëdaljen nga kriza në veri.

Fitou ka deklaruar se e vetmja mundësi për dalje nga kriza në Veriun e Kosovës është dialogu i të gjitha partive politike në Veri, Qeverive të Kosovës e Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. “Para se të propozohet ndonjë ide, të gjitha palët do të duhej të ulen dhe të studiojnë mirë Planin e Ahtisaarit dhe të shohin se çka mund të nxirret nga ai… Në vend që të merremi me atë që është reale dhe e mundshme, ne humbim kohë me disa ide pa lidhje”, ka thënë Fitou për agjencinë serbe të lajmeve, “Fonet”. Duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Fitou vlerëson se rezultatet tashmë kanë filluar, vetëm se marrëveshjet duhen zbatuar. Diplomati francez ka thënë se nuk është aq mirë sa është pritur, por nuk është keq. “Dialogu ndikon mjaft në pranimin e kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, por të gjitha palët do të duhej të ndikojnë që dialogu të ketë sukses”, vlerëson ai, duke shtuar se ka mjaft miq në Veri të Kosovës dhe se bashkëndien me ta, sepse vuajnë për shkak të situatës aktuale atje.

Fitou ka shprehur mendimin se “do të ishte më së miri që Qeveria e Kosovës të bisedojë me këta njerëz në Veri”. Megjithatë, sipas tij, Serbia do të duhej më së shumti nga të gjithë të kontribuojë në këtë drejtim. Ai konsideron se rruga e Kosovës drejt BE’së “është e njëjtë sikundër edhe për Serbinë” dhe sqaron se “të dyja vendet marrin pjesë në jetën e të njëjtit rajon”. Ai ka thënë se nuk do të ishte mirë të iniciohet çështja e ndarjes, për shkak se “shumica e serbëve jeton në jug të lumit Ibër”, ndërsa mendon se “të gjithë serbët duhet të bashkohen në mënyrë që të nxjerrin sa më shumë nga Plani i Ahtisaarit, i cili ofron mundësi për të mirën e tyre”.