Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 15:05

Gjashtë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, në këtë klinikë, nga infeksioni i traktit të poshtëm respirator, që shkaktohet nga virusi H1N1, i njohur dikur si “gripi i derrit”.
“Ka vdekur, sot diku rreth 4.30, njëri prej dy pacientëve që ka qenë në respirator”, tha Dreshaj për Radion Evropa e Lirë.
Viktima e sotme, ishte njëri nga dy pacientët me H1N1, që ishin në gjendje kritike nga ky virus.

Pak javë më parë, Kosova ka shënuar viktimën e parë nga gripi H1N1, një grua 57 vjeçe nga komuna e Dragashit.

Në Klinikën Infektive në Prishtinë, 40 pacientë janë konfirmuar si të infektuar me “gripin e derrit”, që nga fillimi i këtij viti.

Mirëpo, drejtori i kësaj klinike, ka thënë se nuk ka vend për panikë, meqë tash e pesë vjet është menaxhuar suksesshëm sezoni i viruseve, dhe se ka barna të  mjaftueshme për të trajtuar këto infeksione.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 12:56

Ditën e sotme është shënuar edhe viktima e tretë nga virusi AH1N1, ose i njohur ndryshe në gjuhën popullore si gripi i derrit. Viktima rezulton të jetë një 71-vjeçar, i cili ndërroi jetë në QSUT. Sipas ISHP-së, Hiqmet Fekollari rezultoi pozitiv ndaj virusit AH1N1 dhe ka ndërruar jetë orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë dje, një tjetër e moshuar humbi jetën nga virusi vdekjeprurës AH1N1. 86-vjeçarja mësohet se kishte probleme me zemrën dhe me sistemin e frymëmarrjes. Ajo u shtrua ditën e shtunë në pavionin e infektivit në QSUT, ndërsa ditën e djeshme ndërroi jetë, raporton shekulli.

Ndërsa viktima e parë nga gripi i derrit, ishte një 30-vjeçare shtatzënë, me inicialet I.M., e cila vuante nga diabeti i tipit 1, Insulinovartëse dhe kishte simptoma të Nefropatisë Diabetike. 

Mjekët thonë se ky virus është i pritur të shkaktojë më shumë viktima kur personat vuajnë edhe nga sëmundje të tjera dhe që imuniteti i tyre është i dobët.

Ndërkohë ISHP-ja ka theksuar se  nga java e tretë e muajit tetor dhe deri më datën 2 mars, janë dërguar 486 mostra nga persona të dyshuar për grip. Gjithsej, 77 (16%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e gripit. 36 (47%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 41 (53%) mostrave pozitive me virusin A(H1) .

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 February 2014 12:34

Gripi i derrit është rikthyer në Shqipëri. Mjekë të Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza pohojne se një pacient po trajtohet prej fundjavës, por autoritetet nuk e konfirmojnë këtë.

Jashtë kamerave mjekët e Qendrës Spitalore thonë se pacienti është në gjendje të rënduar dhe po trajtohet me Tamiflu. Por drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë mohojnë që ai të jetë i prekur nga virusi i gripit të derrit apo që të ketë raste të tjera të konfirmuara me AH1N1.

Sipas tyre, pacienti në fjalë ka pësuar krizë pneumologjike, si pasojë e disa ndërhyrjeve kirurgjikale të mëparshme.
Por mjekët e Infektivit thonë se ka edhe 7 persona të tjerë që dyshohet se janë prekur nga AH1N1 dhe që janë shtruar në këtë repart prej fundjavës.

Në Institutin e Shëndetit Publik po kryhen analizat në 280 mostrave të dyshuara në të gjithë vendin.
Që nga dhjetori i vitit 2009, analizat për gripin e derrit kryhen në Shqipëri në laboratorin që ndodhet në Institutin e Shëndetit Publik, të çertifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Rezultatet e tyre dalin brenda 48 orësh, si në çdo vend të botës.

Kur gripi i derrit u shfaq për herë të parë në vitin 2009, autoritetet sensibilizuan opinionin publik dhe morën masa paraprake dhe shëndetesia rriti nivelin e alarmit. U shpërndanë mbi 20 mijë formularë dhe u përdorën mediat për të njoftuar publikun. Në pak kohë Tamiflu, ilaçi që përdoret kundër këtij virusi, u shpërnda në të gjitha spitalet e Shqipërisë, ndërkohë që nisi edhe vaksinimi i popullsisë.

Por këtë vit, nga autoritetet nuk është folur për rrezikun e këtij virusi dhe as për vaksinimin kundër tij. Më të ekspozuar ndaj gripit të derrit janë personat me sëmundje kronike, fëmijët, të moshuarit dhe kryesisht ata që kan imunitet të ulët.

Prej shpërthimit të këtij virusi, në Shqipëri janë shënuar të paktën 5 viktima, shifër kjo e ulët në krahasim me fqinjët apo vendet e tjera të Europës.