Lajme Shqip Sunday, 02 February 2014 21:45

Gazeta greke “To Vima”, në një artikull të ditës së sotme, shkruan se të dyshuarit për vrasjen e dy anëtarëve të Agimit të Artë, më 1 nëntor të vitit të shkuar, janë 1 shqiptar dhe 2 grekë. 

Dy anëtarët e Agimit të Artë u vranë para zyrës së kësaj partie në Athinë në nëntorin e shkruar. Gazeta nuk i zbardh emrat e të dyshuarve, por shkruan se ata kanë qenë të akuzuar edhe për vepra të tjera penale si grabitje të armatosur dhe vrasje të mbetur në tentativë. 

Gazeta greke i referohet një raporti hetimor të policisë, e cila ka mbledhur prova që implikojnë shqiptarin dhe dy shtetasit grekë në këtë ngjarje. 

Këto prova janë mbledhur përmes përgjimeve të telefonatave të të dyshuarve. Këto përgjime janë kryer nga Antiterrori grek. 

Po kështu, u mblodhën edhe të dhëna nga kamerat e sigurisë, si edhe u analizuan të gjitha lëvizjet e të dyshuarve. Vrasja e Jorgo Funduli dhe Manoli Kapeloni mendohet se mund të jetë porositur nga grupet ekstremiste të majta. /shekulli/

 
Lajme Shqip Friday, 01 November 2013 22:58

Në bulevardin “Irakliu 420” në Athinë, vend i cili ndodhet pranë zyrave të partisë neonaziste të Agimit të Artë, pasditen e së premtes janë ekzekutuar dy persona, të cilët janë anëtarë të kësaj partie neonaziste.

 

Informacionet bëjnë të ditur se dy persona, të cilët ishin në një autoveturë tip “Honda Varadero” dhe ishin të maskuar me kaska, kanë ekzekutuar gjakftohtësisht dy persona 26 dhe 28 vjeç, të cilët bëhet e ditur se ishin anëtarë të Agimit të Artë.

Mendohet se ekzekutorët kishin një grup mbështetës në prapavijë.

Njëri nga personat e goditur me armë zjarri është transportuar në spitalin “J. Genimatas” ku po i nënshtrohet një operacioni.

 

Zona në fjalë është rrethuar nga forca të shumta policie ndërkohë që në orën e ngjarjes zyrat e Agimit të Artë ishin të mbyllura.

 
Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 14:00

Romë- Pas rasteve të çuditshme të shqiptarëve që janë evidentuar si militantë aktivë të Agimit te Arte në Greqi, një rast i ngjashëm vjen nga Italia.

“La Repubblica” shkruan për një prej ultrave kryesorë të Varese, që i përket grupit ekstremist “Blood and Honour” të neonazistëve. Quhet Landi Gjoni, është një shqiptar nga Talja e Lezhës që jeton prej 20 vitesh në Itali, I dënuar më parë për drogë dhe prostitucion.

Gjoni, përveç se pjesëtar i flakte i tifozerisë ekstreme të futbollit, është edhe lideri i padiskutueshëm i grupit tjetër nazist, Gli Arditi, që mbështet skuadrën e basketbollit të qytetit në veri të Italisë.

Gazeta italiane publikon fotot e tij të profilit në Facebook, me tatuazhe naziste, armë, i gjakosur mes karabinierëve, duke bërë përshëndetjen fashiste para bustit të Duçes e kështu me rradhë. Landi Gjoni madje, deri dy vjet më parë ka qenë pjesë e grupit të sigurisë të ish presidentit të Interit, Moratti. Gazeta italiane “La Repubblica”, për të theksuar absurdin që një imigrant është pjesë e një grupi ekstremistësh që janë verbërisht kundër imigrantëve, kujton rastin e vitit 2005 kur dy shqiptarë vranë një anëtar të ultrave në Varese dhe grupi i neonazistëve nisi një gjueti shqiptarësh nëpër rrugët e qytetit duke rrahur imigrantë shqiptare me dokumente të rregullta. /Shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 17 October 2013 22:30

Athinë- Policia greke bllokoi 25 kontenierë me armatime dhe materiale propagandistike, të cilat dyshohet se bëjnë pjesë e armatimit sekret të partisë naziste “Agimi i Arte”.

Zbulimi i konteniereve u bë në rruge operative, pas informacioneve se partia naziste greke zotëron sasi të mëdha armësh automatike, madje edhe mitraloza të rëndë.

Që prej mëngjesit të së enjtes, dhjetëra policë kanë bllokuar një parkim të një biznesmeni të fuqishem grek dhe po hapin një nga një kontenierët.

Hapja e tyre bëhet prej specialisteve të xhenios dhe me ndihmen e aparaturave të sofistikuara ëe ushtria greke ka vënë në dispozicion.

Prej rezultateve të para rezulton se në konteniere gjenden më tepër se 4 000 armë të llojeve të ndryshme, si dhe sasi të mëdha fishekesh e lëndësh shpërthyese.

Midis tyre radhiten armë të tipit kallashnikovë, mitraloze, kundra-ajrore, pushkë snajper dhe pistoleta.

Po ashtu, në disa prej konteniereve, por dhe në banesen e biznesmenit tashmë të shpallur në kërkim, Anastasios Palis, janë gjetur edhe materiale propandistike pro-naziste.

Autoritetet thonë se gjenden shumë pranë “çarmatosjes” së partisë naziste.

Analistës vendas thone se nëse vërtetohet lidhja e “Agimit të Arte” me armatimin e gjetur në 25 kontenieret e sekuestruar, atëherë pritet edhe nxjerrja e saj jashte ligjit, ndërsa për kreret e kesaj partie, tashmë të arrestuar, do të përballen me dënime tepër të ashpra. / Top Channel/

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 October 2013 12:23

Athinë- Greqi, prokuroria liron me kusht 3 deputetë të Agimit të Artë

Prokuroria greke vendosi të lirojë më kusht 3 nga deputetët e arrestuar të Agimit të Artë, me akuzën “për krijim të organizatës kriminale”.

Eshtë vendosur liri me kusht për deputetët Ilias Kasidiaris, Ilias Panajotaros dhe Nikos Mihos, ndërsa mbetet në burg vetëm deputeti Janis Lagos.

Në kurriz të Janis Lagos rëndojnë të dhënat nga thirrjet dhe bisedat telefonike të rregjistruara, pas vrasjes së këngëtarit grek, Pavlos Fissas.

Sipas informatave, për Ilias Kasidiaris imponohet një dorëzani prej 50 000 eurosh. Të liruarit me kusht ndalohen gjithashtu të dalin jashtë vendit.

Vendimi erdhi pas një seancë tejet të gjatë dëshmish të 4 deputetëve të sipërpërmendur.

Që nga ora 15:30 e ditës së djeshme dhe gjatë gjithë natës kanë vijuar në prokurori dëshmitë e 4 deputetëve të të arrestuar të Agimit të Artë.

I pari dëshmoi dje deputeti Ilias Kasidiaris, i cili është përgjigjur në mënyrë politike dhe i ka mohuar të gjitha akuzat, duke vënë në dukje se emri i tij nuk përmendet në asnjë nga telefonata e përgjuara.

Pas tij, Ilia Panajotaras ka thënë se prokuroria është politike dhe se provat kundër tyre janë fabrikuar.

Janis Lagos ka deklaruar se ata nuk janë nazistë por grekë nacionalistë. “Ne jemi të interesuar për të mirën e Greqisë. Për organizatën kriminale që pretendon aktakuza asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe nuk e njohim”, ka thënë ai, ndërsa Nikos Mihos dëshmoi sot në mëngjes dhe gjithashtu mohoi akuzat ndaj tij. Ndërkohë pritet që sot pas mesditës të dëshmojë kreu i partisë Nikos Mihaloliakos, ndërsa nesër kreu i deputetëve Kristos Papas. /BW/

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 11:40

Përgjimi i telefonatave të kryera mbrëmjen e 17 shtatorit mes anëtarëve dhe krerëve të Agimit të Artë, tregon se ata të gjithë ishin të përfshirë, me veprime ose me dijeninë e tyre, në vrasjen e këngëtarit Pavlos Fissas.

Sipas hetuesve, mbi 100 telefonata janë kryer atë natë, kur krerët e Agimit të Artë informonin njëri-tjetrin, nga poshtë-lart, sipas hierarkisë së parashikuar në statutin e partisë.

Pateli dhe Lagos kanë folur, para dhe pas vrasjes, plot 34 herë.

Për vrasjen njoftohet së pari kreu i degës lokale të partisë, Jorgos Pateli, i telefonohet deputetit Janis Lagos, deri sa më në fund, brenda 30 minutash, informacioni shkon tek kreu i partisë, Nikos Mihaloliakos.

40 minuta pas vrasjes, në ora 00:37, Mikaloliakos i dërgon deputetit Janis Lagos një sms, ku me sa duket kërkon një informacion më të detajuar, i cili i jepet vetëm pak sekonda më vonë

“E mbërthyem në bark, jo në zemër”, është thënë në njërën prej telefonatave të përgjuara, duke lënë të kuptohet se Pavlos Fissas u qëllua me thikë në bark, plagë e cila i shkaktoi vdekjen.

Telefonatat vazhdojnë me intensitet edhe të nesërmen, kur Jorgos Patelis, kreu i degës lokale të Nikeas (zona ku u vra këngëtari) i telefon Mihaloliakos 14 herë.

Ishin të shumtë ata që dinin çdo gjë në lidhje me vrasjen e Fissas. Gjithkush u përpoq të mbulonte gjurmët e veta. Mediat transmetojnë të transkriptuara telefonatat, ku protagonistët duken të frikësuar pas krimit dhe shprehen se rrezikojnë të “fundosen” apo të “shkatërrohen”.

Në gjykatë të arrestuarit e parë
Sot shkojnë në gjykatë të arrestuarit e parë të Agimit të Artë.

Pas dëshmisë së Jorgos Patelit dhe 2 policëve, pritet të deponojnë para hetuesve 4 deputetë të Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, Janis Lagos, Ilias Panajotaras dhe Nikos Mihos.

Kryetari i partisë Nikos Mihaloliakos do të deponojë nesër, ndërsa Kristos Papas të enjten.

Të arrestuarit akuzohen si krerë të organizatës kriminale. Prokuroria ka prova të forta që iu jep rol qendror 6 deputetëve në organizatën kriminale.

Samaras: Kam besim te drejtësia greke
Në një prononcim publik, kryeministri grek, Antonis Samaras, ka deklaruar vendosmërinë e qeverisë së tij për t’i shkuar deri në fund çështjes së Agimit të Artë.

Duke folur para këshillit amerikan të hebrenjve në SHBA ai tha se “Çështja e Agimit të Artë ka marrë rrugën e drejtësisë. Do të bëjmë gjithçka. Krerët e Agimit të Artë janë arrestuar për veprimtari kriminale dhe do të gjykohen në mënyrë demokratike. Kem besim te drejtësia greke që e filloi mbarë dhe do ta mbyllë në mënyrën më të mirë çështjen”, tha kryeministri.

Samaras sqaroi, se “është drejtësia dhe sistemi gjyqësor që po merret, jo qeveria”. Ai vuri në dukje se Greqia është një fenomen unikal në Europë sa i përket arrestimit të krerëve të Agimit të Artë, megjithëse edhe vende të tjera kanë probleme të ngjashme me organizata neonaziste.

Kryeministri shpjegoi para pjesëtarëve të komunitetit hebre se nazistë janë krerët e organizatës, jo votuesit e Agimit të Artë. Votuesit e tyre janë njerëz që janë goditur nga kriza ekonomike dhe nga niveli i lartë i papunësisë. Ai shprehu bindjen se populli grek ka konceptim politik dhe se do t’i izolojë neonazistët.

Ndërkaq Parlamenti ka filluar procedurat mbi prerjen e gjithë financimeve shtetërore për Agimin e Artë./bw/

 
Lajme Shqip Sunday, 29 September 2013 14:02

Athinë- Është vetëdorëzuar në policinë e Atikës, në Athinë deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas, i cili është me origjinë shqiptare. Ndaj tij ditën e djeshme ishte lëshuar një urdhër-arresti nga ana e prokurorisë. Papas është vetëdorëzuar në orën 12.00 me orën lokale në Shqipëri.

Kristos Papas njihet në Greqiedhe si “kamzhiku i artë”.Papas ka marrë një taksi ku ka zbritur përpara policisë në Athinë duke u dorëzuar ai ka thirrur, “Jam i lirë. Drejtësia do të triumfoj, rroftë Hrisi Avgi ( Agimi i Artë)”. Në momentin që ka hyrë në ambientet e komisariatit të policisë, ai ka përshëndetur si Hitleri.

Policia greke ka vënë në pranga kreun e partisë ekstreme Agimi i Artë, 56-vjeçarin, Nikos Mihaloliakos dhe disa deputetë të këtij subjekti politik.

Ndaj partisë neonaziste, prokuroria greke ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste ndërsa ende nuk janë ekzektuar të gjithë. Deri më tani janë të arrestuar 20 persona. /albeu./

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 18:31

Po t’i besohet asaj çka është publikuar në gazetën e madhe Ethnos, Agimi i Artë ka një bashkëvendase (sepse është turp t’i quash bashkatdhetarë) të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Bëhet fjalë për një grua, e cila nuk është një tifoze dosido e partisë naziste, por shefe e seksionit të grave në degën e “Agimit të Artë” në Nikea, që konsiderohet si më agresivja nga gjithë skalionet partiake.

 

Më 20 shtator, gazeta Ethnos publikoi një intervistë ekskluzive me një eksponent të “Agimit të Artë”, në të vërtetë ishte një rrëfim tronditës, shokues, për gjithë mënyrën e organizimit dhe të veprimit të skuadroneve të sulmit, të cilat mbajnë autorësinë e dhjetëra agresioneve ndaj emigrantëve të pafajshëm dhe që dolën zbuluar pas vrasjes së Pavlos Fyssas.

 

Në intervistë, ai është pyetur nga gazetarët edhe për një grua, e cila duket ka tërhequr vëmendjen me aktivitetin e saj. Nuk ia thonë emrin e plotë, por thjesht pyesin: “Cila është N. Beneki?”.

 

“Është e dashura e Janis Lagos” (shënimi ynë deputet nga më aktivët e Agimit të Artë). “Ai e kishte vënë në organizatën e Pireut. Ishte në zyrat qendrore, por e përzunë, pse ishte shqiptare. Është atje (në Nikea, shënimi ynë) nga shpatullat e Lagos. Unë që jam grek, nuk pranoj të më bëjë mësime ideologjie një shqiptare”,  vazhdon ish-eksponenti i Agimit të Artë duke rrëfyer për N.Beneki.

 

Për të shuar kuriozitetin tonë, kërkuam në internet dhe një nga gjetjet interesante (bashkë me fotografinë) ishte lajmi mbi një takim të “Agimit të Artë”, të zhvilluar në Nikea, ku ndër të tjera thuhet: “Të enjten, më 27/06/2013, u mbajt me sukses të plotë ligjërata e bashkëluftëtares dhe përgjegjëses së seksionit të gruas të periferisë së Nikeas, Nikol Beneki. Tema e ligjëratës ishte “Një vit “Agimi i Artë” në parlament”. Ajo trajtoi disa prej çështjeve që ka prekur “Agimi i Artë” në parlament përmes pyetjeve dhe interpelancave, që askush prej deputetëve të tjerë që i përkasin të ashtuquajturit “bosht demokratik” nuk ka guxuar “t’i shkundë”…”.

 

Sigurisht, shumëkush lutet që përkatësia etnike si shqiptare e Nikol Benekit, të jetë një lapsus.

 

Marrë nga gazeta “Tribuna”, Greqi

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 11:15

Athinë- Policia greke ka arrestuar liderin dhe zëdhënësin e partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë.

Akuza është ajo e krijimit të një organizate kriminale.
Policia thotë se ka urdhra arresti edhe për të tjerë anëtarë dhe deputetë të kësaj partie.
Sipas Reuters, policia po heton lidhjet e kësaj partie me vrasjen e një këngëtari anti- fashist nga një mbështetës i Agimit të Artë.
Vrasja e Pavlos Fissas më 17 shtator provokoi protesta të dhunshme në Athinë.
Dy të arrestuarit janë Nikolaos Mihaloliakos dhe zëdhënësi Ilias Kasidiaris, bëri të ditur policia.
Agimi i Artë është partia e tretë më popullore në Greqi, sipas sondazheve më të fundit. Ajo ka mohuar lidhjet me vrasjen e këngëtarit dhe ka paralajmëruar se do të tërheqë 18 deputetët nga Kuvendi nëse vazhdon ky sulm ndaj tyre./tema/

 
Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 15:31

Athinë- Protesta të dhunshme kanë nisur në disa qytete greke pasi disa anëtarë të partisë “Agimi i Artë” vranë një këngëtar anti-fashist grek. 

Protestuesit në Selanik janë përplasur me policinë duke mbajtur në duar parulla anti-fashiste.
34-vjeçari Pavlos Fyssas, vdiq në spital pasi u godit me thikë brenda ambienteve të një kafeneje në Keratsini, në pjesën perëndimore të Athinës.
Agresorët të cilët e goditën viktimën dy herë në gjoks, u arrestuan menjëherë nga policia. Kjo e fundit gjeti si dëshmi, thikën e gjakosur në një automjet aty pranë.
Kryeministri Samaras ka deklaruar se do të përdorë kompetencat ligjore për ta goditur partinë ekstremiste.
Zëvendëskryeministri Evangelos Venizelos, deklaroi se “ ‘Agmi i Artë’ ka kaluar tashmë çdo limit”, transmeton gazeta Start
“Agimi i artë” i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ngjarja po përdoret politikisht.