Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 18:23

Prishtinë- Mediet e Kosovës – kur shkruajnë për jetën private të politikanëve – gjithmonë i kanë portretizuar ata si njerëz të moralshëm dhe familjarë të përkushtuar; një qasje kjo që, zakonshëm, ndiqet në vendet jodemokratike.
Në anën tjetër, politikanët kosovarë kanë vazhduar të bëjnë jetë të shthurur; femra dhe jetë nate. Ndërkohë që të gjithë këtë e kanë parë si diçka që u takon veç atyre, se kjo është jeta e tyre private. Në fakt, askund në botë kjo nuk qëndron.

Poligamia

Poligamia ose martesa me shumë gra nuk parashihet në ligjet e Kosovës, ndërkohë që janë të paktën tre politikanë të lartë kosovarë që bëjnë jetë të dyfishtë, duke pasur nga dy gra.
Ata janë: Agim Çeku, Ish-kryeministër, Sami Lushtaku, kryetari i komunës Skenderajt dhe Blerim Shala, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Agim Çeku bashkëjeton dhe ka fëmijë me Mimoza Harxhin, ish-pjesëmarrëse në “Miss Kosova” prej kohës kur ishte kryeministër, ndërkohë që në një shtëpi tjetër, atë në Fushë Kosovë, kishte gruan tjetër, Dragicën, me të cilën ka dy djem të rritur.
Mes dy shtëpive jeton edhe Sami Lushtaku. Njërën grua e ka në Skenderaj, gruan e parë, ndërkaq të dytën në Prishtinë. Gratë e tij nuk janë emra të njohur për publikun. Ndryshe nga të tjerët, ai ka qenë transparentë për këtë detaj të jetës së tij.
Kështu vepron edhe Blerim Shala, por me një dallim: bashkëshortja e dytë njihet nga publiku në Kosovë. Ajo është Aurita Agushi, aktorja e njohur që u lidh me të gjatë kohës kur ky ishte Koordinator i Ekipit të Unitetit gjatë negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Aurita e Blerim Shala kanë dy fëmijë. Me gruan e parë, nënkryetari i AAK-së nuk ka fëmijë. /Express/

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 16:16

Pas ndihmës prej 10 eurove për Vetëvendosjen, Partia e Fortë I ka dalë në ndihmë edhe PDK-së duke plotësuar pyetësorin e Agim Çekut. 

“Pas pranimit të pyetësorit të shpërndarë nga zyra e z.Agim Çeku, duke u nisur nga fakti që shumica absolute e njerëzve nuk do t’i përgjigjen këtij pyetësori, Kryetari i Partisë së Fortë ka vendosur t’i drejtohet atij me një letër publike, ku i ofron asistencë miqësore.

Duke e pasur parasysh që z.Çeku është banor i ri i Prishtinës, PF mirëkupton mungesat dhe zbraztësitë eventuale në përndryshe njohuritë e tij të thella mbi Kosovën në përgjithësi, të cilat edhe shpalosen fuqishëm në mënyrën se si janë shtruar pyetjet e këtij pyetësori.

 

Në këtë frymë, ne nuk kemi se si mos ta shfaqim admirimin tonë për guximin e z.Çeku që si kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, të shprehë gadishmërinë e tij për t’u informuar më shumë rreth kryeqytetit dhe mënyrave më të mira për europianizimin e tij. 

Ky interesim i tij vjen 1 muaj para datës së votimit dhe tregon që gara nga ish-kryeministri është marë shumë seriozisht. Duke parë këtë seriozitet dhe duke ndjekur parimin e padiskutueshëm se konkurenca rritë cilësinë, ndihmesa për z. Çekun është ndihmesë edhe për cilësinë e garës zgjedhore në përgjithësi.

 

Fitorja në një garë jo të fortë nuk i ka hije një partie që mban emrin Partia e Fortë”, thuhet në komunikatën e PF-së. 

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 14:22

Prishtinë- Kandidati i PDK-së për Prishtinën, Agim Çeku dëshiron të lë pas historinë me vendbanimin e tij dhe të fokusohet në garën për Prishtinën. Duke folur në Interaktiv të KTV-së, ai e ka pranuar që “letrat” e Prishtinës i ka marrë vetëm më 4 shtator, dhe se shtëpia e tij në “Veternik” është diku mes Prishtinës e Çagllavicës. Ai tha se PDK do të paguajë shpenzimet e postës për të shpërndarë 50 000 pyetësorë nëpër kryeqytet, në bazë të të cilëve ai synon të krijojë programin.

I anëtarësuar së fundi në PDK, Çeku tha se Fatmir Limaj është “brum” i PDK-së dhe kërkoi përkrahjen e tij. “Nuk besoj se ai do të bëjë thirrje kundër PDK-së në Prishtinë. Unë pres që ai publikisht të përkrahë kandidaturën time në Prishtinë”, ka thënë Çeku.

Ai konfirmoi se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i ministrit të FSK-së, duke pohuar se do të ketë kohë për të dyja. Çeku nuk po e mendon aspak humbjen, duke pohuar se nga FSK-ja do të largohet me 4 nëntor, pasi ta fitojë Prishtinën.

 
Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 01:25

 

Ekspertë serb të sigurisë e shohin si të rrezikshme marrëveshjën ushtarake të

nënshkruar para disa ditësh në mes Ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami.

“Kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm një fazë drejt realizimit të projektit perëndimor të Shqipërisë së Madhe”, thekson Radomir Milasinovicit, dekan i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin e Beogradit,

Gazeta serbe “Vecernje Novosti”, raporton se Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosvës ka kufizuar numrin e pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës në 2.500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë.

Ndërsa vlerësimet për forcën e ushtrisë së Shqipërisë janë të ndryshme, por më së shpeshti përmendet numri prej 13 mijë ushtarëve.

“Ushtritë e bashkuara të Shqipërisë dhe Kosovës janë një forcë që meriton respekt. Serbia, duke mos braktisur parimin e mbrojtjes së sovranitetit, duhet të jetë e vetëdijshme se në anën tjetër të kufirit ka përballë fqinjët armiqësorë.

Marrëveshjen Kosovë –Shqipëri, e vlerëson shqetësuese edhe gjenerali serb, Radovan Radinovic.

“Serbia do të duhej qoftë edhe verbalisht t’i kundërvihet akteve të tilla”, thekson ai. 

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 14:51

Për anëtarët e komisionit parlamentar për mbikqyrjen e FSK-së, është shumë i rëndësishëm sqarimi i e-mailave të shkëmbyer ndërmjet zëvendëskryeministrit të FSK-së, Slavisa Filipovic dhe disa zyrtarëve të supozuar në Begorad. Kështu, ditë më parë, anëtarët e Komisionit parlamentar kanë miratuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të FSK-së, Agim Çeku, për të sqaruar përfundimisht rastin e përfolur të shkëmbimit të e-mailave. Ata theksuan se është e nevojshme që të sqarohet nëse informacionet në këto e-maila kanë prekur interest e vendit.

Zëvendës kryeministri Filipovic, gjatë komentimit të thirrjes së Komisionit parlamentar për ndërmarrjen e masave në këtë rast, ka thënë se ministri Çeku ka qenë në rrjedhë të kësaj çështje.

“Ministri e di se unë nuk i kam shkruar e-mailat e përfolur. Ai e ka vlerësuar çështje që nuk ka të bëjë me informacion të klasifikuar. Raportet tona kolegiale dhe të punës janë shumë korrekte”, ka thënë Filipovic, për Telegrafin.

Zv/ministri Filipovic ka deklaruar se nuk ka informacion nëse ministri Çeku e ka informuar kryeministrin Hashim Thaçi për këto çështje.

Zëvendësministri i FSK-së, Slavisa Filipovic, ka mohuar edhe një herë se ka bërë ndonjë vepër jo të ligjshme.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk i kam shkruar askujt e-mail që flet për informacionin e dhënë për FSK-në. Si zëvendësministër, unë jam i vetëdijshëm se sa do të dëmtonte kredibilitetin tim, për më tepër një gjë të tillë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë që të dëmtojë institucionin ku punoj”, ka thënë Filipovic.

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 10:54

Kryesuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërrnava,  ka aplikuar për  statusin e veteranit të luftës së UÇK-së. Me të kanë aplikuar edhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij, raporoton “Koha Ditore”.

Sipas myftiut Tërnava, për të marrë statusin  e veteranit të luftës, është i mjaftueshëm edhe  kontributi i dhënë në luftë duke dhuruar disa mijëra marka e ndihma ushqimore dhe sanitare për refugjatët shqiptarë në zona të ndryshme të luftës.

Tërnava pohon se ka lobuar për të marrë statusin, dhe se ka takuar kryetarin e Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku. Myftiu pohon se eprorë ka pasur Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën, Kadri Kastratin etj. Këtë kontribut e ka dhënë nga 6 marsi 1998 deri më 13 qershor 1999.

Në atë periudhë kryetar i Bashkësisë Islame ka qenë Rexhep Boja, i cili i ka këshilluar kolegët e tij hoxhallarë që të mos bëjnë një gjë të tillë.

Por sikur Tërnava për veteran ka aplikuar edhe kryeimami Sabri Bajgora, si dhe komplet kryesia.