Lajme Shqip Lajme Shqip Saturday, 08 October 2011 14:15

Një prokuror i EULEX-it i cili po heton për blerjen e armëve për nevoja të Policisë së Kosovës, që besohet të jetë bërë në kundërshtim me ligjin do të përfshijë në hetim edhe kryeministrin Hashim Thaçi me llogjikën se “me autoritetin që ka ai, ka bërë që gjatë blerjes së armëve të mos respektohet fare Ligji për prokurim publik i Kosovës”.

Në shkresat e lëndës dhe në kërkesat e prokurorit për caktimin e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit, përmendet ndërhyrja e kryeministrit Hashim Thaçi.

“Kryeministri kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve Brendshme për blerje të jashtëzakonshme, ndërsa ky autorizim nuk ishte në përputhje me Ligjin e prokurimit, i cili ishte i vetmi ligj në fuqi lidhur me procedurën për blerjen e armëve.  Neni 3, paragrafi 1, i LPP-së thotë se megjithatë mund të përdoren masa të veçanta të sigurisë, por duhet të merren vesh PSSP-ja dhe kryeministri”… thuhet në dosje.

Por shefi i Qeverisë nuk ishte konsultuar me PSSP-në, ani se blerja e armëve në atë kohë bëhej me rregullore të UNMIK-ut.

“Zyra e UNMIK-ut për çështje ligjore ka konfirmuar se nuk ishte dhënë asnjë aprovim nga ana e PSSP-së për cilëndo nga blerjet e kërkuara. Kështu, ishte shkelur ligji i aplikueshëm për prokurimin e armëve”, thuhet në këtë dosje.

Kërkesa për blerjen e një sasie armësh, që besohet të jetë implikuar kryeministri, ishte bërë më 23 janar 2009, kur ministër ishte Zenun Pajaziti. Kërkesa e këtij ish-ministri, e cila për prokurorinë konsiderohet e paligjshme, ishte aprovuar nga kryeministri më 25 mars 2009.

“Informatat e mbledhura nga dëshmitarët gjatë hetimit tregojnë se atij nuk i ishte siguruar dokumentacioni komplet, por vetëm kërkesat që tregonin shumat e caktuara të shpenzimeve dhe jo shumat e plota të paguara te kompania ndërmjetësuese e “NTP Friends”, si përfaqësuese e ‘Heckler & Koch’ në Kosovë”, thuhet në dosje.

Implikimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës në këtë shitblerje përforcohen edhe nga dëshmitarë në këtë proces.

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 14:01

Prishtinë (PLOTËSUAR 17:42) – Burime të portalit kanë konfirmuar se njëra nga të arrestuarit e djeshëm, Xhevahire Vatovci, sapo është liruar nga arresti, për t’u mbrojtur në liri.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 17:30) – Ashtu siç ka raportuar dje, ekskluzivisht, Portali LajmeShqip.com, edhe misioni i EULEX-it ka konfirmuar sot, në një njoftim zyrtar, se pas operacionit policor të ditës së djeshme, të zhvilluar nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, vendosi masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona dhe një muaj arrest shtëpiak për personin e tretë, të cilët u arrestuan dje.

Pasi u morën në pyetje nga Policia e EULEX-it, dy persona të tjerë u liruan nga ndalimi policor. Ndërsa një person tjetër vazhdon të mbahet në ndalim.

Arrestimi i gjashtë personave dhe bastisjet në 14 lokacione janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë lidhur me dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim, ku përfshihet Policia e Kosovës dhe bizneset që e furnizojnë policinë me armë dhe municione.

Dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar.

***************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E enjte, 6 tetor, 14:01) – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha sot se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përkrahin gjyqësorin dhe nese ka dyshime të bëhen hetimet.

Ministri Rexhepi, duke komentuar bastisjet e djeshme në Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se ai ka qenë në dijeni për një aksion të tillë dhe se e përkrahë gjyqësorin e vendit. Ai ka sqaruar se bëhët fjalë për nje tender që ka të bëjë furnizimin e policisë me armatim dhe municion. Ministri Rexhepi ka sqaruar se në ate kohë Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka patur kompetenca për importim të armatimit, ndërkaq sot me ligjin e ri ministria e bën listën nacionale të armatimit.

Në takimin i cili mblodhi të gjithë kryetarët e komunave të reja në vend, u fol për zhvillimin e infrtastrukturës për funksonalizimin e stacioneve policore në komunat e reja.

Gjithashtu, u kërkua një bashkëpunim më i ngushtë në mes të komandantëve të stacioneve dhe kryetarëve të komunave. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 23:41) – Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se të arrestuarve të sotëm, Armend Selimit dhe Astrit Pirës, biznesmenë, iu janë ndarë nga 30 ditë paraburgim, shkaku i rrezikut potencial që këta të ikin jashtë vendit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kadrush Koliqit gjykata ia ka ndarë nga 30 ditë arrest shtëpiak. Ky është zyrtar policor në Departamentin për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 22:33) – Burime të portalit LajmeShqip.com, kanë bërë të ditur se seanca ndaj të arrestuarve të sotëm nga EULEX-i, për keqpërdorimet në MPB dhe në Policinë e Kosovës, është duke vazhduar edhe në këto momente. Nuk priten zhvillime të tjera rreth rasti.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 18:28) – Burime të portalit bëjnë të ditur se Armend Selimi dhe Astrit Pira janë dy të arrestuarit tjerë, në aksionin e Policisë së EULEX-it.

Seanca ndaj këtyre dy të arrestuarve dhe Ragip Bunjakut është duke vazhduar ende.

Ndërkohë familjarë të Ylber Salihu kanë konfirmuar për ExpressOnline se ai eshte liruar rreth orës 16:00. Ai eshte intervistuar rreth 2 ore nga hetues te EULEX’it.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 14:36) – Xhevahire Vatovci, shefe  e prokurimit në Policinë e Kosovës, shefi i administratës së Policisë Ragip Bunjaku, Ylber Salihu, pronar i firmës Triomed dhe biznesmeni Kadrush Koliqi, janë ndër të arrestuarit e sotëm, në aksionin e Policisë së EULEX-it, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Këta të arrestuar këta dyshohen në rastin e blerjes së armëve, të cilat Policia i ka sot në shfrytëzim Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur burimet e portalit.

Ndërkohë EULEX-i ende nuk i ka konfirmuar zyrtarisht emrat e të arrestuarve.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:12) – Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se është arrestuar njëri nga ndihmësdrejtorët e Policië së Kosovës, për rastin e njëjtë të arrestimeve të bëra nga EULEX-i.

****************************

Prishtinë (E mërkurë, 13:50) – EULEX-i ka nis gjuetinë kundër keqpërdorimeve dhe krimit të organizuar në dikasterin kosovar të Punëve të Brendshme.

Sot në mëngjes, policët e EULEX-it nga Njësia për hetimin e krimit të organizuar e kanë kryer një operacioni të bastisjes dhe arrestimit, lidhur me hetimet e pohimeve për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim, thuhet në një kumtësë të lëshuar nga Policia e EULEX-it.

Keqpërdorimet e pohuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere.

Gjithsej janë bërë gjashtë arrestime, duke përfshirë tre punëtorë biznesi, dy zyrtarë nga administrata e PK-së dhe një punëtor nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç kësaj, janë bastisur edhe dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, objekte afariste dhe zyra publike, bëhet e ditur në kumtesë.

Po ashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt afarist dhe një shtëpi private në Gjermani.

Hetimi udhëhiqet nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Bastisjet dhe arrestimet u bënë me autorizimin përkatës të gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it, thuhet në fund të kumtesës së Policisë së EULEX-it. (LajmeShqip.com)