Lajme Shqip Wednesday, 23 April 2014 19:14

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka raportuar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e këtij institucioni në vitin 2013. Sipas Llallës aktiviteti i institucionit është rritur ndjeshëm në vitin 2013,  krahasuar me vitet e mëparshme dhe për gjithçka ai i është referuar analizës dhe shifrave. Kryeprokurori thotë se “gjatë vitit 2013, aktiviteti i prokurorisë është mbështetur në katër prioritetet kryesore: lufta kundër korrupsionit; kundër krimit të organizuar; mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.”

Llalla ka theksuar faktin se procedimet penale janë rritur ndjeshëm, 12% më shumë se vitin 2012 duke arritur në 54%, ndërsa për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike, ai ka nënvizuar faktin se sasitë më të mëdha të saj janë kapur në pikat kufitare.

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT

Në vitin 2013 ka një rritje prej 22 % të numrit të procedimeve penale të regjistruara për vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik në krahasim me vitin 2012.

Në lidhje me të pandehurit, për grup vepra penale kundër korrupsionit, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar prej 18.5%  krahasuar me një vit më parë. Është konstatuar një ulje e numrit të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 13 %. Por, ndërkohë, ka rritje të numrit të pandehurve të dënuar nga gjykata me 67% përkundrejt vitit 2012.

BASHKËPUNIMI ME RENDIN DHE SHISH-IN

Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror është hartuar një platformë e përbashkët për realizimin e hetimeve proaktive në kuadër të hetimeve kundër korrupsionit. Kjo strategji e përbashkët ka dhënë rezultate pozitive.

Së pari, duke filluar nga viti 2013, Këshilli i Prokurorisë ka nisur procesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve. Ky proces zhvillohet për herë të parë dhe do të vijojë të jetë periodik çdo vit.

Së dyti, janë krijuar kushtet që, gjatë procesit të rekrutimit, emërimit, transferimit dhe shkarkimit të prokurorëve, Këshilli i Prokurorisë, krahas shqyrtimit të anës dokumentare, do të ketë mundësi të marrë edhe opinionin verbal të kandidatëve apo të prokurorëve të propozuar për masa disiplinore

LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR

Gjatë vitit 2013, konstatohet një rritje e ndjeshme e procedimeve penale të dërguara për gjykim, krahasuar me vitin 2012. Para gjykatës janë dërguar rreth 68% procedime më shumë. Po ashtu, rritje me 54% ka edhe për sa i përket numrit të pandehurve të dërguar për gjykim, krahasuar me vitin 2012.

Në grupe-veprat penale të krimit të organizuar, vendin kryesor e kanë procedimet penale për trafikun e lëndëve narkotike. Konstatohet rritje e ndjeshme e referimeve për këtë vepër penale, kjo falë edhe rritjes së numrit të arrestimeve të kryera në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Policisë së Shtetit.

LENDA NARKOTIKE, PJESA ME E MADHE BLLOKOHET NE KUFI

Konstatohet se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të sasive me lëndë narkotike të sekuestruara gjatë vitit 2013, pjesa më e madhe është bllokuar në flagrancë në pikat e kalimit kufitar.

TRAFIKU NJEREZOT, NË TË NJEJTA VLERA ME 2012-ËN

Gjatë vitit 2013, numri i procedimeve për trafik të qenieve njerëzore ka qenë thuajse në të njëjtat vlera me vitin 2012.

PRITET NJE PROJEKT I RI PËR TË NDALUR “PASTRIMIN” E PARAVE

Hetimi për veprën penale të “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka vijuar të jetë një prioritet i punës së prokurorisë edhe gjatë vitit 2013. Vlen për t’u theksuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, është duke u punuar për mundësinë e përftimit të një projekti të ri me objekt “Përmirësimin e luftës kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri”. 

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2013 konstatohet shtimi i rasteve të bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me strukturat homologe të vendeve fqinje, të anëtarëve të Bashkimit Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rezultatet pozitive kanë ndikuar në forcimin e imazhit të institucioneve shqiptare, duke shtuar në këtë mënyrë shkëmbimin e informacionit për shtetas shqiptarë ose të huaj, të përfshirë në trafiqe të paligjshme.

Gjatë vitit 2013 janë realizuar disa operacione të rëndësishme ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe strukturave homologe, në goditjen e organizatave kriminale, në përbërje të të cilave ka pasur edhe shtetas shqiptarë që vepronin në Shqipëri dhe në disa vende evropiane.

Gjithashtu, një ndikim pozitiv në punën e Prokurorisë ka patur edhe Projekti Rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”. Për forcimin e luftës kundër trafikut ndërkombëtar do të ndihmojë edhe  projekti PAMECA IV.

 

 
Lajme Shqip Monday, 10 February 2014 12:36

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot nga Durrësi se kriminaliteti në rang vendi ka shënuar rritje dhe situata kriminale në vend mbetet ende shqetësuese. Këto deklarata ai i ka bërë gjatë prezantimit të analizës vjetore të Prokurorisë së Durrësit. Llalla theksoi se problematikë mbeten vendimmarrjet e Gjykatës së Apelit, e cila sipas tij shumë herë ka rrëzuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë.  Duke folur në analizën e Prokurorisë së Durrësit, Llalla ka kërkuar më shumë vëmendje nga njësia taks-forcë në qarkullimin e mallrave.

“Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Apelit kanë një rol të rëndësishëm në goditjen e kriminalitetit në vend, kjo për faktin se Durrësit ndodhet në një pozicion ku qarkullojnë shumë njerëz dhe mallra përgjatë gjithë vitit. Për këtë arsye kërkohet një bashkërendim më i madh i punës nga të gjitha strukturat ligjzbatuese përfshi këtu policinë e shtetit, policinë e kufirit dhe të çdo institucioni tjetër.  Gjithashtu në këtë zonë qarkullojnë interesa të mëdha ekonomike të cilat në mjaft raste ka dyshime të arsyeshme se tentojnë të shmangen kontrolleve të ndryshme.  Kjo kërkon më tepër vëmendje nga institucionet tona sidomos nga njësia taks forcë e kësaj prokurorie”, theksoi Llalla.

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 22:59

Tiranë- Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i drejtuan sërish një kërkesë Kryeprokurorit Adriatik Llalla për rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Shoqata e familjarëve të “Gërdecit”, bën thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të rinisë veprimet ndaj Fatmir Mediut aty ku janë ndërprerë, për shkak se në 2009-ën ai gëzonte imunitet. 

Kërkesa e firmosur nga 18 familjarë të viktimave të Gërdecit nënvizon se: “Lidhur me veprimet ose mosveprimet e ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe humbjes së paligjshme të jetës së viktimave është e mundur ekzistenca e një lidhjeje organike. Këto veprime kanë lidhje me aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec dhe me shkallën e përfshirjes së mbikëqyrjes ushtarake të këtij aktiviteti me rrezikshmëri të lartë. Ka shumë për të zbuluar nëse rregullat ishin të pamjaftueshëm për të garantuar një proces normal demontimi dhe për të minimizuar çdo faktor risku, apo nëse rregullat ishin të mjaftueshëm, por shpërfillja e tyre ka sjellë pasojën e dëmshme.” 

Sipas familjarëve të viktimave, vlen për tu theksuar se “Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuza në lidhje me humbjen e jetëve për disa nga drejtuesit e dikastereve që kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin procesin” 

“Ish-Ministri i Mbrojtjes sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e forcave të armatosura, është drejtuesi më i lartë i strukturave ushtarake në kohë paqeje dhe se për çdo akuzë që ngrihet ndaj eksponentëve të lartë të dikastereve, ashtu duhet të hetohet dhe gjykohet edhe shkalla e përfshirjes së çdo zyrtari tjetër, përfshirë këtu edhe Ministrin e Mbrojtjes si urdhërdhënësi kryesor dhe; për arsye të një hetimi të plotë e të gjithanshëm, përkrah gjykimit të 29 të pandehurve të Gjykatën e Apelit Tiranë, duhet të gjykohet paralelisht edhe Ministri për akuzat e ngritura, lidhjen me akuzat e tjera dhe mundësinë e ngritjes së akuzave të reja” -thuhet në kërkesën e familjarëve./ballkan web/ 

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 14:50

Tiranë – Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, hapi sot mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, në të cilën u diskutua kandidaturat që do t’i propozohen titullarit të institucionet për pozicionet drejtuese vakante në prokuroritë e Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. 

Ndërkohë, brenda një kohe të shkurtër, Këshilli i Prokurorisë pritet të marrë në shqyrtim kandidaturat për drejtues të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Vlorë dhe Kurbin. 
Prokurori i Përgjithshëm, në fjalën e tij para Këshillit të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e këtij organizmi konsultativ në ndihmesë të titullarit të institucionit dhe e vlerësoi si “një filtër rëndësishëm për të promovuar vlerat më të larta të stafit”. 

Lidhur me drejtuesit e prokurorive, z. Llalla u shpreh se “kjo detyrë, për këdo që do të promovohet në pozicion drejtues, më shume se sa një sfidë e fituar, është një sfidë e pafilluar. 
Ai theksoi gjithashtu se “ky është një mesazh jo vetëm për drejtuesit e rinj, por edhe për ata kolegë që janë promovuar në këto kohë; pozicionet nuk janë të hipotekuara dhe cilido prokuror, në çdo nivel, është dhe do të jetë në monitorim të vazhdueshëm për cilësinë e punës së tij”, raporton BW.
Lidhur me situatën kriminale të ditëve të fundit, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se “ka pasur disa ngjarje të rënda, kryesisht të krimit brenda familjes. Këto raste, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë hetuar në mënyrë të menjëhershme dhe ndaj personave të dyshuar është vendosur masa e sigurisë me burg. Do të kërkoj nga të gjithë prokurorët që të vijojnë të ndjekin një politikë të ashpër penale për këdo që cënon rendin dhe sigurinë publike”.