Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 15:53

Adrian Nikçi ka kaluar disa net ankthi që të premten në darkë, pasi është shtruar me urgjencë në spitalin e Hanoverit pas simptomave të para të sëmundjes së meningjitit. Sulmuesi shqiptar që luan për Hanoverin do të mungojë për disa javë nga fushat e lojës, derisa të sistemohet gjendja e tij shëndetësorë, pasi situata ka frikësuar gjithë stafin e ekipit.

Futbollisti 22 vjeçar i blerë për pak më shumë se 500 mijë euro nga Zyrihu në Zvicër, cilësohet si një lojtar shumë i talentuar që pritej të shpërthente në Bundesligë dhe që me ekipin e tij të ri po luante një rol kryesor në këto javë të para të sezonit.

Por dy ditë më parë ai u shtrua me urgjencë në spitalin e qytetit. I pari që u shqetësua për situatën ishte trajneri Mirko Slomka, i cili ka paralajmëruar për shumë ditë pushim për lojtarin në fjalë. “Ai duhet të qëndrojë të paktën një javë i shtruar në spital. Meningjiti është një sëmundje e keqe, pasi duhet kujdes. Për ne, situata e tij ishte shumë e çuditshme”.

Sipas asaj që kanë treguar shokët e ekipit, ai ka udhëtuar me autobus me ekipin të premten, para ndeshjes me Hamburgun, ndërsa qëndroi edhe në hotel me ta. Në orët e darkës, ai kishte ethe të shumta dhe vetëm në mëngjes, mjeku i ekipit e ktheu në Hanover. Situata dukej më e mirë, por në orët e para të mëngjesit të së dielës, ai u përkeqësua dhe shkoi në spital, ku doktorët e lajmëruan se kishte simptomat e meningjitit dhe e shtruan me urgjencë.

Fatmirësisht, situata e tij shëndetësore nuk është në shkallën e rrezikshmërisë për jetën, por gjithsesi, klubi ka vendosur që t’i japë atij kohën e nevojshme për t’u riaftësuar nga kjo sëmundje e për të mos dëmtuar shëndetin e tij me sforco të tepërta. (LajmeShqip.com)