Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 11:05

Nuk ishte parë kurrë një fushatë e tillë. Slogani “Adnan Januzaj, thuaj ‘po’ Shqipërisë” ka angazhuar mijëra shqiptarë anembanë botës. Secili sipas mënyrës së tij, në rrjetin social “Facebook” dhe jo vetëm, i kërkon mesfushorit-sulmues të Mançester Junajtid, Adnan Januzaj, t’i bashkohet ekipit kombëtar shqiptar. I pari që e nisi këtë fushatë ishte kapiteni Lorik Cana, i cili publikisht deklaroi: “Januzaj, hajde vishu kuqezi!” Menjëherë pas kësaj thirrjeje, mijëra shqiptarë i kanë kërkuar talentit 18-vjeçar të zgjedhë Shqipërinë për të luajtur me kombëtaren dhe jo Belgjikën apo Anglinë, raporton BW.

Kjo fushatë ka prekur edhe babain e Adnanit, i cili menjëherë pasi ka lexuar mijërat e mesazheve, ka këshilluar djalin e tij t’i bashkohet ekipit kombëtar shqiptar. Vetë protagonisti në fjalë nuk është shprehur në lidhje me të ardhmen. Trajneri De Biazi ka pohuar se kjo çështje është delikate dhe trajtuar mirë, pasi do të ishte mëkat të humbej një talent i tillë. Ndoshta në fillim të shtatorit Januzajt do t’i bëhet ftesa zyrtare për t’u bashkuar me Shqipërinë, ose të përgatitet terreni për në tetor, dy ndeshjet finalizuese për Eliminatoret e Botërorit.