Lajme Shqip Wednesday, 05 March 2014 15:39

Familjet që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për liri i nderon secilin komb, por jo të gjitha kombet kanë madhështi të tilla siç është Familja Jashari. Kjo familje, në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë të përbotshme

Çlirimi i Kosovës është vepër e disa brezave të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Lëvizja Kombëtare për çlirim nga pushtuesi serb ka kontiunitetin që nga viti 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër padrejtësisht përgjysmoi Shqipërinë dhe la jashtë kufijve të saj më shumë se gjysmën e popullit shqiptar.

Nga fillimi i shek. XX, Drenica bëhet një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare për çlirim. Në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të shekullit të kaluar, Prekazi është dalluar për veprime të guximshme e të rëndësishme kombëtare. Historia na tregon për qëndresën burrërore të AhmetDelisë i cili me sëpatë u ndesh suksesshëm me bandat çetnike serbe. Kjo qëndresë do të përcillej edhe gjatë viteve të Lëvizjes Kaçake dhe më pas në Luftën e Drenicës, 1944 – 1945.

Prekazi u dallua edhe në vitin e parë të Pranverës shqiptare, kur më 13 maj 1981, Tahir dhe Nebih Meha luftuan trimërisht kundër njësive speciale jugosllave. Në këtë kohë në skenë nis të dalë familja Jashari, Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën dhe Ademin, të cilët mbi varret e dëshmorëve, Tahir e Nebih Meha, betohen se do të vazhdojnë luftën për çlirimin e bashkimin e kombit. Gjenealogjia e familjes Jashari është e vjetër Prekazi i Poshtëm përbëhet prej katër lagjeve: lagjja Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku.

Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve: Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët janë të ardhur më vonë në Prekaz. Jashari ka pasur tre djem, ndërsa familja e Adem Jasharit, rrjedh prej djalit të tretë të Jasharit, Muratit, prej të cilit pastaj janë krijuar brezat e tjerë të familjes tonë: Fazliu, Murati, Shabani. Shabani (Murat) Jashari, ishte martuar me Zahiden, dhe i kanë lindur tre djem: Rifati, Hamza dhe Ademi. Kështu, trungu i familjes Jashari vazhdon të zgjerohet dhe të shtohet dita ditës duke u ripërtërirë breza të tërë.

Mirëpo, Shaban Jashari dashurinë për komb e atdhe e kishte shfaqur që në vitet 50 të shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze, më publike e familjes Jashari që do të marr dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me forcat policore serbe. Në mëngjesin e 30 dhjetorit, forca të mëdha policore serbe ia kishin mësy Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur. Në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo e familjes Jashari, për Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur nuk ishte rastësi, ishte ngjarje e pritur, e përgatitur, e planifikuar dhe e realizuar suksesshëm.

Adem Jashari vite më parë ishte i organizuar në Lëvizjen Kombëtare, në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës më vonë të quajtur LPK. Në fillim të viteve ’90, i kishte mbaruar përgatitjet ushtarake në Shqipëri me qëllim formimin e Ushtrisë së Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve tjera me Shqipërinë. Këtij qëllimi Adem Jashari dhe familja e tij do t’i qëndrojnë besnik e konsekuent deri në rënien e tyre të lavdishme me 5,6 e 7 mars 1998.

Për këtë qëllim të lartë njerëzor, politik e kombëtar Adem Jashari e kishte bekimin e prindërve, mbështetjen e vëllezërve dhe miratimin e tërë familjes Jashari. Këtë gatishmëri, këtë guxim e qëllim nuk e kishin për hir të interesit të ngushtë familjar, apo ndonjë interes tjetër meskin, sepse ishin të vetëdijshëm se gjithçka që po bënin, po e bënin për interesin e kombit e të atdheut. Familja Jashari, ishte e vetëdijshme për shkallën e rrezikshmërisë, por me ndërgjegje të lartë dhe e bindur se pa luftë, pa gjak e flijime të dhimbshme nuk ka e nuk mund të kishte lirim dhe bashkim kombëtar, hyri në veprime luftarake e vetëmohuese, për të bërë kthesë historike në Lëvizjen tonë kombëtare. Këtë gatishmëri e guxim të ndërgjegjshëm familja Jashari e tregoj disa herë, më 30 dhjetor të vitit 1991, më 22 janar 1998, dhe së fundi në Marsin e lavdisë e të krenarisë kombëtare, në marsin e mobilizimit e të masivizimit të shqiptarëve për luftën çlirimtare.

Më 30 dhjetor 1991, qëndresa në familjen e Shaban Jasharit, nga formacioni i armatosur i Adem Jasharit, në historinë më të re të Kosovës paralajmëroi fuqishëm daljen në skenë të organizimit më të lartë kombëtar, politik e ushtarak për çlirimin dhe bashkimin e kombit tonë.Të gjitha formacionet e armatosura e çlirimtare të formuara më vonë në hapësirat tona kombëtare, do ta pinë ujin e frymëzimit në këtë gurrë të pashtershme shqiptare, e cila do të shërbejë në çdo kohë për edukimin e liridashësve dhe të atdhedashësve të çdo brezi. Në familjen Jashari po niset një fillim i ri dhe i vështirë për të gjithë në Kosovë. Atë ditë do të maltretohej e gjithë familja dhe lagja e Jasharëve. Maltretimi, përbuzja dhe nëpërkëmbja e shqiptarëve po shtrihej gjithandej Kosovës. Të pakt ishin ata që nuk donin ta shihnin e ta ndjenin poshtërimin e përditshëm që u bëhej shqiptarëve. Nga 30 dhjetori i vitit 1991 lagjen e Jasharëve, e veçanërisht familja e Shaban Jasharit vazhdimisht është vëzhguar nga forcat policore dhe ushtarake të armikut, por Jasharët vazhdonin të jetonin me krenari në shtëpitë e tyre, në pronën e tyre, në Kosovën e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe, me ndonjë mungesë të shkurtër, familjes Jashari dhe Prekazit i bënte roje vigjilente formacioni i armatosur i Adem Jasharit. Në Prekaz asgjë nuk po zhvillohej spontanisht apo rastësisht. Familja Jashari vazhdonte jetën nën shtetrrethim të plotë, por e bindur në fitore.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme në historinë e familjes Jashari që tregoi vitalitetin e mobilizimit luftarak të kësaj familje të madhe shqiptare, është ai i 22 janarit të vitit 1998.Atë ditë ndodhi sulmi i diversantëve serbë mbi këtë familje liridashëse, me synimin kryesor zhdukjen e familjes dhe të rezistencës së shqiptarëve për liri. Siç kanë treguar ata që e kanë përjetuar, sulmi ishte i rrufeshëm por edhe përgjigjja ishte e rrufeshme. Sulmi i diversantëve serbë, familjen Jashari nuk e gjeti të befasuar, përkundrazi mobilizimi ishte i shpejt, i guximshëm dhe mjaft profesional. Ky mobilizim i familjes Jashari është një vlerë shtesë e kësaj familje atdhetare me përgatitje të lartë ushtarake. Një sulm i tillë, diversant dhe i befasishëm do ta gjente në befasi edhe një garnizon ushtarësh profesionistë, por jo familjen Jashari. Diversantët e gjetur në befasi ikin tinëzisht e më “bisht nën shalë”. Kurse, nga Jashar ët mbeten dy vajza të plagosura.

Ky sulm ishte një paralajmërim tjetër serioz se Serbia po përgatitej për të ushtruar dhunë në çdo familje shqiptare dhe për t’i luftuar shqiptarët kudo në Kosovë. Drenica dhe tërë Kosova ishin vënë nën rrethim të hekurt. Politika shqiptare në Prishtinë vazhdonte të ishte vetëm në vëzhgim pasiv. Rreziku për luftë, për masakra e dhunë serbe ishte kudo. Ngjarjet që rrjedhin në vazhdim do ta vërtetojnë këtë.

Pak më shumë se një muaj, pas sulmit diversant serb mbi familjen Jashari, më saktë më 28 shkurt e 1 mars 1998 ndodhi sulmi dhe masakra serbe në Qirez dhe në Likoshan të Drenicës.Gjatë këtij sulmi brenda dy dite u vranë 24 veta, kryesisht njerëz të paarmatosur e civil. Humbje patën shumë familje të këtyre fshatrave, por fatkeqësia më së rëndi goditi familjen Ahmeti nga Likoshani dhe atë Sejdiu nga Qirezi.

Me këto sulme, Serbia po godiste bërthamën e shoqërisë shqiptare – familjen. Pas masakrës së Qirezit e të Likoshanit, makineria policore dhe ushtarake serbe do të sulmoj Jasharët e Prekazit, me qëllim likuidimin e familjes Jashari, likuidimin e bërthamës së UÇK-së dhe komandantit të saj Adem Jashari. Armiku synonte që pas kësaj në Kosovë të sundonte frika nga dhuna, terrori e masakrat serbe dhe kështu të shuheshin përpjekjet e shqiptarëve për liri e shtet kombëtar.

Më 5, 6 e 7 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë, me forca të mëdha policore dhe ushtarake sulmohet nga shteti i Serbisë. Kaq seriozisht e kishte marrë Serbia luftën me Jasharët legjendar. Serbia në Kosovë ka vrarë, ka masakruar, përgjysmuar e shuar shumë familje shqiptare, pse ishin shqiptare, pse Serbia kërkonte dëbimin dhe shfarosjen e tyre dhe planifikonte përjetësimin e sundimit serb mbi Kosovën. Sulmi mbi familjen Jashari, nuk u bë vetëm pse ishte shqiptare, por pse pjesëtarët e saj ishin luftëtarë, pse ishin bërthama e UÇK-së, pse ishin shembulli i familjes liridashëse, pse Serbisë i kishin shkaktuar humbje dhe kërkonte të hakmerrej mbi një familje për të përhapur tmerr e frikë në çdo vatër shqiptare. Sulmi në familjen Jashari nuk kishte vetëm qëllimin e zhdukjes së një familje shqiptare dhe vrasjen e komandantit të UÇK-së, por qëllim kryesor kishte vrasjen e guximit të shqiptarëve për të luftuar për çl irim e bashkim kombëtar.

Edhe në sulmin e marsit si në sulmet tjera familja Jashari nuk u kap në befasi. Sulmit iu përgjigjën përsëri nga “shtatë deri në shtatëdhjetë”, një traditë e vjetër kjo shqiptare. Asnjë anëtar i familjes Jashari nuk është viktimë, të gjithë janë kapedanë dhe heronj: Luftëtari i fundit i rënë, i njëzet, nga familja Jashari, sipas të dhënave ishte Kushtrim Adem Jashari i moshës 13 – 14 vjeçare. E tillë ishte shkolla e edukimit atdhetar në familjen Jashari të Prekazit të Drenicës. Një shkollë që do të mbahet mend brez pas brezi dhe përjetësisht.

Familja Jashari ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë të përbotshme, për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin e UÇK-së, ka rolin e pashembullt për mobilizimin e masivizimin e popullit në luftën çlirimtare, për mbështetjen e kësaj lufte nga faktori ndërkombëtar si dhe ka merita të pakrahasueshme për lirinë, dhe mbarësinë kombëtare, për Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran e demokratik. Familjet e tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjitha kombet kanë madhështi të tilla.

Në çdo përvjetor, Jasharët që mbijetuan, Jasharët e ripërtërirë, në fytyrat e tyre nuk kanë ngrysje, lot e zhgënjim; në çdo fytyrë të Jasharëve sheh dashuri, bujari krenari për fitoren e arritur kombëtare. Edhe në këtë rrafsh, edhe në Kosovën e re Jasharët dëshmojnë dhe rrezatojnë veçantinë e tyre familjare të trashëguar, që është për tu lakmuar nga të gjithë shqiptarët kudo që janë./Express/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 19 December 2013 15:19

Në Gazetën DITA, që botohet në Tiranë, autori Bedri Islami ka publikuar sot një letër të Komandantit Legjendar të UÇK’së, Adem Jashari, shkruar 15 vjet më parë.

 

Dëshmia historike e një letre, dërguar nga Drenica

 

Në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së ruhen mjaft dëshmi që kanë lidhje me figura të jashtëzakonshme të luftës dhe ngjarje madhore të saj. Mes tyre, si një pasuri e vyer e kombit, ruhen edhe letra të shkruara nga personalitetet drejtuese të saj, në kohë dhe në vende të ndryshme, e për probleme që kishin lidhje me luftën, përgatitjen e zhvillimin e saj.

Ndër më të vyerat janë kasetat me inçizime të ardhura nga Adem Jashari dhe grupi i Drenicës, filimime, por edhe letra, njëra nga të cilat, mjerisht e fundit dërguar prej tyre, tani, në dhjetor, bën 15 vite. Ajo ka vlerat e saj historike, si një nga dëshmitë e luftës, por edhe vlerat njerëzore, sepse pas rrjeshtave të saj fshihen njerëz me ideale të mëdha, të cilët e kanë dashur Shqipërinë më shumë se sa dritën e syve.

Këtë letër, në 15 përvjetorin e saj, mendova të bëj të njohur për lexuesit e gazetës DITA, e cila edhe me herët ka bërë vend në faqet e saj për një periudhë të ndritur të Rilindjes së Kombit.

Kjo letër, e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës është njëri ndër mesazhet e luftës. Natyrisht, ajo nuk është shkruar me mendimin se do të botohet ndonjëherë; ajo është një letër mes shokëve të luftës, flet për realizimin e një aksioni dhe për probleme të tjera. Por, në gjithësecilin rrjesht të saj, tepër dukshëm, mund të shikosh atë që do të vinte më pas. E shkruar thjeshtë, si gjithçka që është madhërisht e bukur, pa fjalë të mëdha dhe pa mburrje, ajo mbart në vete dëshminë historike, jo vetëm të një beteje.

Kjo letër është shkruar në fundin e vitit 1997, më saktësisht në dhjetor të këtij viti. Fillimisht ajo është faksuar, nga jashtë Kosovës, sipas të dhënave nga një faks në aeroportin e Shkupit, e më pas ka ardhur edhe origjinali, pas disa ditësh, përmes kanaleve ilegale. Letra ruhet sot në arkivën e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe është adresuar, ndërsa një kopje e saj ruhet në Kosovë.

 

Ja edhe letra, thuajse e plotë:

 

“Të dashur shokë e vëllezër,

 

Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit “niva” me katër përsona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjjja e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t’i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë duke u paraqitrur njëri prej tyre se “jemi shqiptarë” dhe porsa ai e mbaron fjalën, njeri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku.

Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky thehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor.Ashtu edhe ndodhi.

Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një “NIVË” dhe mësyejnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrim ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtiejnë në drejtimesh të ndryshme, për të përhapur panik. por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra,si e thamë edhe më lart, nga katër përsona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruam të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtyejnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati.

Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka patur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat.

Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të anëtarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevcit, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata. Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e antarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të veten dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjezit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu.

Pra aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasë mundësi edhe më heret, pra në vend tjetër t´i ” shkurtojmë”, por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën, ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3 – 4 e deri në 5 veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash ( kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur “kryqat e popit”). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha.

Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitralozë. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13 -14.

Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërperë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin të parët, përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushen malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami.

Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje antiplumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotësjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin “Kryqat e popit” ishte e mbuluar nga gëzhonjat. Damet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, mitralozin e shkatrruar, njërin nga ” pizgauerët” e djegur e disa blinde të damtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysëm ore para se të tërhiqeshin.

Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqsohemi me nji nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ “VESHI”.

Në fund të këtij rrëfimi ju përshendesim përzemërsisht nga Drenica.

Lavdi të rënve për liri.

Nga një grup shokësh,

 

Të nënshkruar: Rafeta, Gipa, Zena, Dili, Nura, Dyli, Gafurri.

 

Një sqarim për lexuesit: Kush janë të nënshkruarit e kush është “Veshi”

– “Rafeta”ishte pseudonimi i Adem Jasharit,

– “Gipa” ishte Iliaz Kodra (komandant i brigadës “Fehmi Lladrovci”- vrarë në luftë),

– “Zena” ishte Zenun Kodra,

-“Dili”ishte Fadil Kodra,

-“Nura” ishte Nuredin Lushtaku,

-“Dyli” ishte Hamëz Jashari,

-“Gafurri” ishte Abedin Rexha, i njohur më vonë si “Sandakani”, komandant brigade, i vrarë në luftë.

Nga shtatë të nënshkruarit, katër janë vrarë në luftë, tre të tjerët janë sot në TMK, me gradat superiore, gjeneral major e më tej. Ndërsa “Veshi” ishte emri konspirativ i Ramiz Ladrovcit – gjatë luftës i caktuar me detyra të një rëndësie të veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, si përfaqsues i saj në Shqipëri dhe pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Jam mrekulluar gjithnjë prej kësaj letre, që kur e kam pasur në duar për herë të parë, mrekullohem edhe tani. Përgjithsisht aksionet e ndryshme të UÇK-së janë informuar në Shtabin e Përgjithshëm ose në Kryesinë e Organizatës. Disa prej tyre ruhen ende. Por kjo letër, e shkruar thjeshtë, nga njëherë duke i rënë shkurt disa ngjarjeve, ajo ka në vete edhe një vlerë të madhe: Asnjëherë e askund nuk mund të gjesh mburrje, rrahje gjoksi, askund nuk gjen emra të përveçëm, se ishte ai apo isha unë, por gjithçka mbeti në emërin e shokëve dhe të luftëtarëve të lirisë.

Rreth tre muaj pas kësaj letra Adem Jashari u vra në luftë. Mirëpo kushdo që ka rastin të lexojë këto rradhë mund të kuptojë fare mirë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme.