12
 
Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 16:10

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, nuk pajtohen me veprimin e presidentes Atifete Jahjaga për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese çështjen për mandatarin e qeverisë, duke e vlerësuar atë si hap të ngutshëm. Ndërsa anëtari i Kryesisë së NISMËS, Bilall Sherifi, nuk e ka komentuar këtë veprim të presidentes, me arsyetimin se deklarimi rreth kësaj çështje mund të konsiderohet si presion mbi presidenten e vendit dhe Gjykatën Kushtetuese, megjithatë ka thënë se NISMA mendon se Kushtetuta është e qartë sa i përket asaj se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë.

I pari që ka reaguar ka qenë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në një postim në profilin e tij në ‘Facebook’ ka shkruar se edhe presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës. “Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë, edhe kësaj radhe, Kushtetutën si në rastin e presidentes dhe të na tregojë se ‘çfarë pret populli’”, ka shkruar Mustafa. Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. “Qeverinë e themelon ai që e arrin shumicën në Kuvend. Këtë shumicë nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve. Qytetarët kanë vendosur se si do ta votojnë çdo subjekt politik (apo koalicioni parazgjedhor) dhe çdo kandidat për deputet, kurse koalicionet ndërmjet partive politike, mbi bazën e votave dhe besimit që e kanë marrë nga qytetarët, po vendosin se kush do ta qeverisë vendin. Asgjë nuk po vendoset jashtë fuqisë së votës”, është shprehur kreu i LDK-së.
Në të njëjtën vijë ka qenë edhe reagimi i partisë së Ramush Haradinajt, AAK-së. Nënkryetarja e kësaj partie, Melihate Tërmkolli, ka thënë për “Epokën e re” se presidentja Jahjaga është ngutur me veprimin e saj për të kërkuar sqarim te Gjykata Kushtetuese se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë. “Mendoj se presidentja duhet t’i dijë kompetencat e veta. Në rast se ka dilema rreth kompetencave që ka, atëherë duhet të paraqesë kërkesë për interpretim nga Gjykata Kushtetuese më herët. Paraqitja e saj në këtë moment, pa pasur asnjë kërkesë zyrtare, mendoj se është shumë e parakohshme. Ajo do të mund ta paraqiste kërkesën e saj vetëm atëherë kur do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe kur të kishim një apo dy grupe parlamentare të cilat do t’i paraqitnin kandidatët për kryeministër”, ka deklaruar Tërmkolli, duke shtuar se një veprim i tillë është i dyshimtë dhe mund të jetë në shërbim të kryeministrit aktual, Hashim Thaçit. “Ky veprim është i hershëm. Në interes të kujt po e bën këtë nuk e di. Mund të jetë në interes të qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim. Por, sido që të jetë, kjo është një ngutje”, është shprehur ajo.
Më tutje, Tërmkolli ka deklaruar se partitë që kanë arritur marrëveshjen e kanë shikuar mirë këtë punë. “Ne i kemi respektuar dhe vazhdojmë t’i respektojmë institucionet tona dhe vendimet që dalin nga ato institucione. Por, para së gjithash, e respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është shumë e qartë në këtë aspekt. Po të mos ishte e qartë nuk do t’i hynim një ndërmarrje të tillë. Nuk do të binim ndesh me Kushtetutën. E kemi studiuar mirë dhe e kemi parë se Kushtetuta këtë e lejon”, ka thënë Tërmkolli. 
Ndërkaq anëtari i Kryesisë së NISMËS për Kosovën, Bilall Sherifi, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Epokën e re” se duhet lejuar të gjitha institucionet kushtetuese t’i ushtrojnë përgjegjësit e tyre, pa bërë presion nga jashtë. “Mendoj se çdo prononcim tani për veprimin e presidentes do t’i bie që po ushtrojmë presion indirekt edhe mbi presidenten, edhe mbi Gjykatën Kushtetuese. Ne mendojmë se duhet t’i lëmë të lira të gjitha institucionet kushtetuese siç janë presidentja, Gjykata Kushtetuese, Parlamenti apo Qeveria që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre konform Kushtetutës. Nuk mendoj se duhet të bëjmë presion qoftë direkt apo indirekt, sepse tanimë procesi ka filluar. Komenti ynë është se nuk dëshirojmë ta komentojmë veprimin e presidentes, sepse do t’i binte se dëshirojmë ta influencojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Sherifi. 
Ai ka theksuar se NISMA do ta respektojë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se a do t’i pëlqejë apo jo. “Nuk diskutohet ajo. Edhe nëse nuk do të na pëlqejë, ne do ta respektojmë atë vendim, sepse për vendimet e gjykatës nuk shtrohet pyetja se a doni ta respektoni apo jo. Ato janë vendime të pakontestueshme. Ne sigurisht se kemi pozicionin tonë rreth kësaj çështje. Mendojmë se Kushtetuta është e qartë, mirëpo ky është vetëm pozicioni ynë dhe i partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar Sherifi. Menjëherë pasi presidentja Atifete Jahjaga e ka dërguar në kushtetuese çështjen e mandatarit të qeverisë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga palët ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 
Lajme Shqip Thursday, 13 February 2014 15:18

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur të mbledhë nënshkrimet e deputetëve për mocion mosbesimi për Qeverinë e Kosovës, raporton KTV.  

Këtë iniciativë të AAK-së e ka konfirmuar deputetja e kësaj partie,  Donika Kada –Bujupi.

Ditë më parë deputeti i kësaj partie Ardian Gjini pati thënë se opozita nuk mund t’i bëjë 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 22:42

Prishtinë- Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel të degëve në Prizren kanë nënshkruar marrëveshje koalicion. AAK-ja së bashku me LDD-në do ta mbështesin kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja, i cili shkon në balotazh me Eqrem Kryeziun e LDK-së. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj. “Sot Partia Demokratike e Kosovës në nivel dege ka arritur një marrëveshje me AAK-në dhe LDD-në për të mbështet kandidatin Ramadan Muja në rundin e dytë për të qeverisur dhe ky bashkim është bazuar në parime dhe platforma për t’i vazhduar ndryshimet në Prizren dhe për ta bërë model të zhvillimit”, i ka thënë Hoxhaj KTV-së nëpërmjet telefonit. Ai ka thënë se edhe në komuna të tjera të Kosovës mund të ketë koalicione të tilla.

 
Lajme Shqip Monday, 14 October 2013 17:19

 

 

Vetëm pak ditë më parë, deputeti i Kuvendit të Kosovës Nijazi Idrizi kishte bërë publike largimin e tij nga PDK-ja  duke dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka ushtruar në kuadër të partisë.

Ndërkohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës , Dega në Gjilan veç ka bërë të ditur se  sot edhe zyrtarisht do të bëhet publike kalimi i tij në AAK., për çka është ftuar edhe një konferencë me gazetarë.

Përndryshe, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nijazi Idrizi, në një letër njoftuese  kishte  njoftuar se ka vendosur që të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës, që nënkupton edhe dorëheqjen  e tij nga të gjitha pozitat e deritashme që ka ushtruar në kuadër të partisë.

“Duke marrë parasysh rrethanat objektive dhe subjektive, kam konsideruar të pamundur vazhdimin e aktivitetit tim politik, partiak e institucional në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.  Ngjarjet në Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht Degën e PDK-së në Gjilan, rrodhën në atë mënyrë saqë e ngushtuan shumë, hapësirën e veprimit tim politik. Prandaj këtu dhe në kuadër të kësaj dege, (të cilën e kam pasur edhe bazën time të veprimit dhe angazhimit politik), e ndiej vetën të tepërt dhe të panevojshëm. Dëshiroj të ju falënderoj për punën dhe bashkëpunimin e deritashëm që kam pasur me ju, duke mbetur me bindje se na ndajnë konceptet e idetë politike, por jo edhe synimi. Megjithatë synimi mbetet i përbashkët”, thuhej në letrën e Idrizit. /2lonline/

 
Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 11:46

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Suharekë, e ka realizuar një videoklip parazgjedhur, i cili më shumë ngjason me një flirt mes një mashkulli e një femre sesa një thirrje për të dalë në zgjedhje. Megjithëse zyrtarë të partisë arsyetojnë çdo sekondë të secilës skenë flirtuese, që nis në një stacion autobusësh mes dy të rinjsh, aty ku vajza me disa shikime mundohet fillimisht ta josh një djalë i cili pret autobusin në këmbë, e më pas ia lë një letër me anë të së cilës e fron atë për të votuar përnime me 3 nëntor.

Burim Ramadani, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, nuk beson se në këtë reklamë të cilën thotë se e kanë bërë vullnetarët e Aleancës atje, ka ndonjë element provokues e as degradues. “Reklama e tillë është simpatike, ka mesazh të qartë të daljes së qytetarëve në zgjedhje, dhe sidomos ka target të rinjtë. Të rinjtë vullnetarë që kanë punuar në atë reklamë kanë synuar të nxisin bashkë-moshatarët e tyre që të votojnë në këto zgjedhje, mos të abstenojnë më 3 nëntor 2013”, ka thënë Ramadani për Express.

Sipas tij, flirti që paraqitet mes dy të rinjsh në këtë reklamë realisht dëshmon diçka tjetër. “Thirrjen për të votuar. Nuk besoj se ka qenë rastësi reklama e tillë, sepse dëshmon diçka më shumë. Thjesht, të rinjtë therandas dëshmojnë se më e rëndësishme se çfarëdo flirti është dalja në zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse të rinjtë duhet të fokusohen në atë ditë që vendos për katër vjetët e ardhshëm. E ajo ditë është 3 nëntori”, thotë Ramadani.

Sipas sekretarit të AAK-së, fushata “Përnime” është reflektim i vendosmërisë së Aleancës dhe kandidatit Bali Muharremaj që të punojë fuqishëm në katër vitet e ardhshme, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë neglizhencë. “Të punojë Përnime!” Megjithëse kjo reklamë, është akoma e papërfunduar. Në një deklaratë për Express, vet Bali Muharremaj thotë se kur të nis zyrtarisht fushata, ai do të paraqitet në fund të reklamës. “Por reklamën akoma se kam pa. Nuk e di as se si është realizuar. Di vetëm që thirrje për të votuar aty, do të bëj edhe unë”, ka thënë Muharremaj.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:40

Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përpos që e kërkon postin e nënkryetarit të Kuvendit, pozitë kjo të cilën e mban Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes”, kërkon nga kjo e fundit t’i lëshojë edhe ulëset e para në Kuvend.
Kjo për faktin se AAK aktualisht ka më shumë deputetë se VV në Kuvend, pas largimit të deputetes Alma Lama nga partia e Albin Kurtit.Sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, gjatë një vizite në Kroaci javë më parë ka kërkuar nga Lama t’i bashkohet AAK-së në Kuvend, duke arritur që numrin e deputetëve ta çojnë në 13. Mirëpo, kërkesat e tilla të AAK-së hidhen poshtë nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, ka thënë të martën për “Zërin” se pas diskutimeve që do t’i kenë në parti do ta bëjmë edhe kërkesën pranë Kuvendit të Kosovës për postin e nënkryetarit dhe për ulëset në ndërtesën e legjislativit.
Ndërsa zëdhënësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, thekson se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2010 , partia e tyre është e treta.
“Ne renditemi si subjekt i tretë parlamentar dhe pavarësisht nëse ndonjë deputet largohet nga grupi parlamentar, fuqia jonë ka të bëjë me numrin e votave nga zgjedhjet parlamentare dhe jo me numrin e deputetëve në Parlament”, ka thënë Vraniqi.
Ai ka sqaruar se sa i përket përfaqësimit në Kryesinë e Kuvendit, kjo dëshmohet edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 67 dhe Rregullores së Punës së Kuvendit nenit 13, ku thuhet që “përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit bëhet në bazë të numrit më të madh të votave nga zgjedhjet e fundit për Kuvend”.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë nga AAK-ja për ta marrë postin e nënkryetarit, si dhe ndryshimin në renditjes së ulëseve.

 
Lajme Shqip Sunday, 07 July 2013 17:45

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje, pas daljes nga grupi të deputetes Alma Lama, nuk është forca e tretë parlamentare në Kosovë.

Ky vend tash i takon Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Partia e Albin Kurtit, pas zgjedhjeve të fundit, kishte hyrë në Parlamentin e Kosovës me 14 deputetë. Dy prej tyre, Agim Kuleta e Aurora Bakalli, pas problemeve që partia e tyre, Lëvizja për Bashkim kishte me Lëvizjen Vetëvendosje, dolën në kampin e deputetëve “pa grup”. Kurse tash pas ikjes së Alma Lames, Vetëvendosje ka ngelur me vëtëm 11 deputetë.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i AAK’së ka qenë mjaftë stabil në këtë mandat. Ata aktualisht kanë 12 deputetë.

Kjo ka shtyrë drejtuesit e AAK’së që të mendojnë t’i dërgojnë një kërkesë Sekretarit të Kuvendit për ridizajnimin e ulëseve.

“AAK kërkon që grupi i saj parlamentar të dalë në rreshtin e parë, aty ku aktualisht është Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë një burim i Express brenda Kuvendit të Kosovës.

Por, sipas tij, kjo kërkesë vështirë se do të realizohet, pasi që renditja e deputetëve bëhet në fillim të legjislaturës dhe pavarësisht ndryshimeve në grupet parlamentare, ulëset e partive nuk ndryshojnë.

Grupi i Vetëvendosjes

Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Albana Fetoshi, Albulena Haxhiu, Albin Kurti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi, Afrim Hoti, Albana Gashi.

Grupi i AAK’së

Ardian Gjini, Xhevdet Neziraj, Blerim Shala, Donika Kadaj-Bujupi, Teuta Haxhiu, Ramiz Kelmendi, Time Kadriaj, Daut Haradinaj, Ahmet Isufi, Burim Ramadani, Bali Muharremaj, Kymete Bajraktari.

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 23:21

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj përmes një letre publike ka mohuar se qëndron prapa ndonjë objeti biznesor siq përflitet dhe prapa fajdeve e reketit.

Haradinaj nuk apostrofon se për cilin objekt bëhet fjalë dhe nuk tregon arsyen se pse pikërisht në këtë kohë po bën demantin publikë.

“Qytetarët e Kosovës, i garantoj me përgjegjësi të plotë morale e publike, se të gjithë ata që kërkojnë haraq dhe bëjnë reket, që ndërtojnë pa leje apo që në çfarëdo mënyre bijnë ndesh me ligjin, janë armiqtë e mi, të familjes sime dhe të subjektit politik të cilit i takoj”, potencohet në reagimin e Haradinajt.

Ai shton se gjithçka që e lidh emrin e tij me këto gjera është spekulim dhe ka për qëllim dëmtimin e tij e familjës së tij.

——————————————

Letra e plotë e Daut Haradinajt  

 

Për hir të sqarimit të opinionit publik, rreth spekulimeve të pandërprera në emrin tim, deklaroj se ndaj çfarëdo objekti në Kosovë, që fshihet prapa emrit tim, duhet të merren masat më të ashpra.

Ndërsa, ata që janë përgjegjës, do të mbahen përgjegjës për mosveprim në këtë drejtim.
Andaj, e përsëris se çdo ndërtesë apo objekt që përfolet, duhet të rrënohet.
Gjithashtu, deklaroj publikisht se çdo biznes që operon në Kosovë dhe që nuk iu përgjigjet ligjeve të Kosovës, duhet të mbyllet sa më parë, kurse personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë. Ata që janë përgjegjës dhe nuk veprojnë, duhet po ashtu të ndëshkohen, pavarësisht se kush janë ata.
Deklaroj haptas dhe me përgjegjësi të plotë se përpos asaj që është deklaruar në formularët zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, nuk posedoj asnjë objekt apo pronë tjetër.
Në këtë aspekt, për të gjitha përfoljet dhe mosveprimin e organeve kompetente, do t’i mbajë përgjegjësi pikërisht këto organe apo mekanizma përgjegjës, si të përfshirë në këto tema denigruese kundër emrit tim.
I thërras publikisht institucionet qendrore dhe ato lokale që t’i rrënojnë të gjitha objektet, të cilat spekulohet dhe përflitet se janë në emrin tim dhe që janë të ndërtuara pa leje.
Nëse këto institucione nuk e bëjnë këtë, atëherë konsideroj se përgjegjësit e këtyre institucioneve janë vetë të përfshirë në këto afera dhe se një ditë ata do të përgjigjen.
Iu bëj thirrje, gjithashtu, institucioneve të vendit që t’i arrestojnë dhe të ngrisin padi kundër të gjithë atyre që po vëjnë haraq, që po reketojnë dhe që janë të përfshirë në fajde, anembanë vendit.
Institucionet përgjegjëse e dinë mirë se kush janë këta njerëz, dhe nëse nuk veprojnë në këtë drejtim, atëherë vetë njerëzit që i udhëheqin këto institucione do të jenë përgjegjës dhe një ditë ata do të përgjigjen.
I thërras qytetarët e Kosovës që ta denoncojnë çdo rast të tillë, për të cilin kanë informacione apo që mund të jenë përballur edhe vetë me persona të tillë.
Qytetarët e Kosovës, i garantoj me përgjegjësi të plotë morale e publike, se të gjithë ata që kërkojnë haraq dhe bëjnë reket, që ndërtojnë pa leje apo që në çfarëdo mënyre bijnë ndesh me ligjin, janë armiqtë e mi, të familjes sime dhe të subjektit politik të cilit i takoj.
Andaj, gjithçka e tillë apo e ndonjë natyre tjetër, që thuhet e dhe spekulohet në emrin tim, nuk është e vërtetë dhe është rrenë me qëllime të këqija ndaj meje, familjes sime dhe kolegëve të mi.

Prishtinë, 20 qershor 2013

Sinqerisht,
Daut Haradinaj

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 14:58

 

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani ka treguar planin e partisë së tij për luftimin e reketit dhe fajdeve në Kosovë.

Luftimi i këtyre dukurive sipas tij bëhet duke e krijuar njësitin e veqantë kundër reketit e fajdeve në kuadër të Policisë së Kosovës.

Plani i AAK-së parasheh edhe fuqizimin e Drejtorisë së Krimeve të Rënda dhe fuqizimin e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike.

Zyrtari i AAK-së publikoi këto ide pas publikimit të raportit të të Freedom House që e rëndit Kosovën keq sa i përket lirisë së shprehjes, demokratizimit dhe luftimit të korrupsionit.

Për këto të këqija, Burim Ramadani ka thënë se degradimi i demokracisë në Kosovë ka arritur në nivelin më shqetësues.

“Raporti i “Freedom House” për vitin 2013 vlerëson se Kosova gjendet më së keqi në rajon për secilën fushë, duke degraduar në krahasim me tri vjetët e kaluara. Degradimi më i madh i evidentuar në këtë raport është sidomos tek Korrupsioni”, ka thënë Ramadani gjatë një konference për media.

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 22:15

AAK-ja e udhëhequr nga Ramush Haradinaj reagoi ndaj sondazhit të Qendrës së Kosovë për Studime të Sigurisë që konstaton se këtë subjekt e mbështesin 14 për qind e qytetarëve.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rezultatet sondazheve të publikuara së fundmi i konsideron si të pasakta, tendencioze dhe spekuluese”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK-ja beson se është duke shënuar rritje të përkrahjës së qytetarëve dhe se është oferta e vetme e qartë dhe e sigurtë për qeverisje të mirë të vendit.

“Gjatë punës në terren dhe të gjitha hulumtimeve të bëra, po shënohet përditë e më shumë rritje e besimit te qytetarët anembanë vendit”, thuhet në komunikatë.

Sondazhi konstatoi se më së shumti përkrahje ka PDK-ja me 31 përqind e pasura nga LDK-ja me 26 përqind dhe e treta Vetëvendosje me 2 përqind.

Më pak se AAK-ja përkrahje ka AKR-ja e Behgjet Pacollit e cila mbështetet vetëm nga 2 përqind e qytetarëve të Kosovës bazuar në sondazhin e QKSS-së.

 

12