Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 13:55

Beograd – Shteti serb dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë takuar mbrëmë vonë në Beograd për të tejkaluar të gjitha pengesat e pjesëmarrjës së serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të Kosovës.

Takimi i mbajtur në presidencën serbe, ndërsa në të zyrtarët më të lartë serbë si dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë informuar me detajet e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Pas takimit nuk është thënë se është arritur ndonjë marrëveshje, por sipas Marko Gjuriq, këshilltari i presidentit serb, Tomislav Nikoliq, ka thënë se të gjitha palët janë pajtuar se duhet pasur unitet për hir të “interest shtetëror serb”.
“Është shumë e rëndësishme që çdo marrëveshje që ne e arrijmë, në çfarëdo drejtimi, të jetë një marrëveshje që rezulton në unitet. Ka ardhur koha që konfliktet partiake të lihen anash dhe se interesi kyq i shtetit serb në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje është që ky vendim të merret së bashku dhe se serbët të marrin pjesë si një parti e vetme”, ka thënë, Gjuriq.

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 July 2013 09:53

Prishtinë – Derisa LDK, AAK dhe Vetëvendosje kanë bërë nominimet e para për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të këtij viti, Partia e Hashim Thaçit nuk ka bërë kurrfarë lëvizjesh në këtë drejtim.

Megjithëkëtë, Lideri i PDK’së ka filluar qysh tash të kërkojë votën e qytetarëve për partinë e tij, e cila udhëheqë shumicën e komunave të Kosovës, shkruan Express.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati thotë se pavarësisht nga lëvizjet e partive tjera, PDK nuk është vonuar në publikimin e emrave të zyrtarëve që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sidoqoftë, ai tregon se në PDK ka një orientim sa i përket zyrtarëve që do t’i hyjnë garës për Kryetar të komunave.

“Ne ende nuk i kemi bërë nominimet për Kryetarë komunash. Njëfarë orientimi ideor gjegjësisht identifikimin e një pjese të kandidatëve i kemi”, ka thënë Musmurati për Express, të hënën.

“Ne e kemi njëfarë orientimi për nomiminet – kandidatët ku kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet dhe kanë qeverisur mirë është bukur vështrirë me u largu prej tyre”, ka shtuar ai.

Megjithëse ka kohë deri më 4 shtator për t’i zyrtarizuar kandidaturat për kryetar të komunave, zyrtarët e PDK’së thonë se deri në fund të gushtit do të përfundojë gjithçka.

“Nuk mund të caktoj kohën për shkak të pushimeve. Mund të zhagitet pak, por nëse ne arrijmë t’i bëjmë gjatë gushtit t’i kompletojmë krejt atëherë konsideroj se e kemi kryer punën me sukses”, ka treguar Musmurati.

Sipas tij, nominimet e bëra nga partitë tjera nuk kanë ndikuar që PDK të ngutet për t’i gjetur kandidatët dhe për t’i prezantuar para votuesve.

Megjithëkëtë, analisti Ardian Arifaj thotë se PDK nuk po ngutet të përcaktohet për kandidatët për kryetarë të komunave pasi ka marrë mësim nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj dhe Kaçanik, duke gjetur kandidatë të mirë dhe duke fituar zgjedhjet me lehtësi.

“PDK ka mësuar nga zgjedhjet e Ferizajt dhe Kaçanikut. Në këto dy qytete i ka gjetur njerëz të respektuar dhe të njohur të komunitetit dhe s’ka pasur nevojë për shumë fushatë për t’i fituar zgjedhjet. Madje në Kaçanik ka fituar qysh në raundin e parë”, ka thënë Arifaj.

Sipas tij, nuk ka asnjë problem edhe nëse partitë e presin afatin e fundit për t’i treguar qytetarëve kandidatin për kryetar të komunës.

“Te ne janë të vogla qytetet dhe njihen njerëzit. Nuk është problem edhe nëse zyrtarizohen kandidatë pak para zgjedhjeve për shkak se komunat janë të vogla dhe njerëzit njihen mes vete”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet lokale janë caktuar të mbahen më 3 nëntor, ndërsa gara më e fortë pritet të jetë në qytetet ku asnjë parti nuk e ka të sigurt krejtësisht fitoren si në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Obiliq, Kamenicë, Viti, Suharekë e Rahovec.

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 12:14

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, më 3 Nëntor, serbët duhet të marrin pjesë me “një listë të përbashkët”, e jo të paraqiten me më shumë parti.
Sipas tij, këto zgjedhje janë të rëndësishme, meqë pos tjerash, do të vendosin se kush do ta udhëheq edhe Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë.
Mëtutje, në një intervistë për televizionin beogradas, B92, ai e ka mbrojtur politikën e qeverisë së tij ndaj Kosovës.
“Serbia nuk do ta mbrojë me tanke Kosovën”, tha Daçiqi dher shtoi se “sikur këtë ta kishte dashur, do ta mbronte kur është shpallur pavarësia”.
Ai theksoi se tash Serbia ka ardhur në situatë ku “ose do ta humbim ardhmërinë tonë dhe të qëndrojmë në bajoneta, ose do ta zgjidhim këtë çështje në mënyrën më të padhimbshme”.

 
Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 14:35

Prishtinë – Partitë politike nga Serbia nuk do të mund të marrin pjesë nëzgjedhjet lokale në Kosovë me emrin e tyre pasi që nuk janë të regjistruara në Kosovë.

Sipas të përditshmes serbe “Blic”, kjo pengesë administrative mund te tejkalohet në atë mënyrë që partitë politike para akronimit të shtojnë edhe “grupi i qytetarëve” ose “iniciativaqytetare”, me mbledhjen e 200 nënshkrimeve.

Të gjitha partitë që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit duhet që deri më 4 shtator të dorëzojnë dokumentacionin në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës në Prishtinë, është konfirmuar nga KQZ-ja.

Këtë nuk do ta bëjnë drejtpërdrejt, por përmes OSBE-së. Duke ditur se procesi i regjistrimit të partive zgjatë shumë, partitë politikë nga Serbia duhet të regjistrohen si shoqërim, grupim qytetar, iniciativa qytetare, lëvizje, transmeton Orainfo.

Partitë, përveç DSS-it të Vojisllav Koshtunicës, vendimin për pjesëmarrje nëzgjedhje do ta marrin pasi që Qeveria e Serbisë të njoftojë për detajet dhe kushtet me të cilat do të zhvillohet ky proces.

Kryetari i komisionit parlamentar për Kosovën dhe anëtari i SNS-së, Milovan Drecun ka thënë për “Blic” se partitë politike serbe duhet të dalin në zgjedhjenë kuadër të një liste të bashkuar, që mos të ndodh që në vendet në të cilat serbët i bojkotojnë zgjedhjet të fitojnë “disa parti serbe që janë themeluar nën patronatin e Prishtinës”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 16:57

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar konsultimet përmbyllëse me liderët e partive politike parlamentare dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve komunale në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës. 

Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij. 

Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre. 

Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre. 

Bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga ka dekretuar 3 Nëntorin 2013, datë të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në vend. 
Ndryshe, 3 nëntori është përfolur edhe më parë si datë e zgjedhjeve, pasiqë kjo siç kishte deklaruar kryeministri Hashim Thaçi, ka ardhur si rezultat i Marrëveshjes në Bruksel.