12
 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 17:01

Tiranë – I shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Kosovës në vendin tonë,  Basha vendosi kurorë me lule pranë bustit të komandatit legjendar të luftës çlirimtare të  Kosovës. 
Kryebashkiaku vlerësoi kontributin e Adem Jasharit për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe premtoi se  vitin tjetër, në të njëjtin vend ku sot ndodhet busti i tij në Tiranë, do të vendoset një përmendore e tij, e realizuar nga skulptori i njohur Muntaz Dhrami. “Është dita e lindjes së Adem Jasharit, por edhe dita e rilindjes së tij dhe gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan në altarin e sakrificës për lirinë e kombit, pavarësinë e tij dhe për të drejtat e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë”, tha Basha.
“28 Nëntori është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është dita e Flamurit Kombëtar, por ka një domethënie shumë të madhe. Në histonë tonë, njihet si dita e ngritjes së flamurit në Krujë nga heroi ynë Gjergj Kastriot Skënderbeu,  por është edhe dita e lindjes së heroit së luftës së Kosovës, Komandatit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Nuk ka rastësi. Është dita e lindjes së Adem Jasharit, por edhe dita e rilindjes së tij dhe gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan në altarin e sakrificës për lirinë e kombit, pavarësinë e tij dhe për të drejtat e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë”.

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 13:12

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi se demokracia parlamentare në Shqipëri ka arritur sukses. Këtë koment, siç njofton presidenca kosovare, ajo e bëri gjatë një takimi me një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama. Jahjaga theksoi gjithashtu se “është e arritur që në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe që të ardhmen e shohin në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Rama, ndërkaq, tha se “Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese evropiane”. Komunikata e presidencës citon atë të ketë thënë se “duhet realizuar aspiratën e brezave të rinj për integrime evropiane duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave”. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si “një simbolikë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 12:00

Qendra e kryeqytetit të Kosovës është e mbuluar me flamuj Kuq E Zi, ku tashmë me qindra qytetarë janë duke parakaluar duke e shijuar festën.

Nëpër sheshin Nëna Terezë, është një atmosferë festive, ku gjatë ditës pritet të ketë edhe shumë aktivitete kulturo artistike.

Përvec qytetarëve nga Prishtinë dhe vendet e tjera të Kosovës kishte edhe që kishin ardhur nga Shqipëria që për herë të parë të shijonin festën e 28 nëntorit në Kosovën e pavarur.

Organizimet në kryeqytet po bëhen nga Komuna e Prishtinës, lëvizja VV, dhe shoqatat e tjera. Komuna e Prishtinës ka organizuar një program kulturo-artistik, me një koncert i cili do të fillon në mesditë.

I pari i Komunës Isa Mustafa, sot vendosi lule te varri i presidentit Ibrahim Rugova, pastaj te varrezat e Dëshmorëve, shtatorja “Zahir Pajaziti” dhe Monumenti Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

Vetëvendosje ka përgatitur një program gjatë tërë ditës, duke filluar me një panair të prodhimeve vendore. Aktivitetet me ngritjen e flamurit gjigand ka paralajmëruatr edhe Aleanca Kuq e Zi.

Qytetarët janë të kënaqur me organizimet dhe atmosferën.Në kryeqytet po mbizotëron një atmosferë festive, me muzikë, valle, panair, ekspozitë, ansamble folklorike dhe shumë aktivitete tjera. Kjo atmosferë do të vazhdoj deri në orët e vona të natës.

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 11:52

Kryeministri Berisha ka bërë homazhe gjatë ditës së sotme tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, ku ka uruar shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, por edhe të Çlirimit.

Berisha gjatë fjalës së tij ka thënë se kjo ditë është frymëzuese për shqiptarët. Ai u ndal veçanërisht edhe tek viti që vjen, duke thënë se do të jetë më festivi për shqiptarët, pasi shënohet 100-vjetori i Pavarësisë.

“Ishin kryengritjet që bënë të pashmangshme pavarësinë e Shqipërisë. Sot ne nderojmë me respektin më të madh, themeluesit e saj: plakun e urtë, Ismail Qemali, tributë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e shumë të tjerë që i prinë luftës për pavarësi.

Sot ne nderojmë edhe ata burra, gra, djem, vajza, që në fund të shekullit që shkoi rrokën armët, luftuan për liri dhe dinjitet dhe bënë Kosovën të pavarur. Kombi përulet para Adem Jasharit dhe atyre që vendosën themelet e Kosovës së pavarur.

Dita e pavarësisë është një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Një ditë ku ne zotohemi për të ardhmen.

Kjo ditë shënon fillimin e vitit që vjen, 100-vjetorit të pavarësisë, vitit më të madh, pas vitit 1912. Ky vit do të jetë një nga më festivët në historinë tonë kombëtare. Ky vit do të kthejë veprën dhe legjendën e përpjekjeve shqiptare, nga Lidhja e Prizrenit, deri në ditët e sotme.

Sot festojmë një datë tjerër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë. Ditë që do të mbetet në historinë tonë.

Lufta nacional çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë sonë. Ndaj, nder të madh për të gjitha ata që luftuan dhe ranë për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin e saj krenar”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 11:47

Ndërsa kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, kanë përkujtuar 99 vjetorin e Pavarësisë në Tiranë, presidenti Bamir Topi është nisur për në Vlorë, për të marrë pjesë në festime pikërisht në qytetin e Flamurit.

Topi është takuar me qytetarë të shumtë që e kanë pritur atë, ka vendosur një kurorë në varrin e Ismail Qemalit dhe ka nderuar Flamurin Kombëtar. Nga Sheshi i Pavarësië Topi tha se nderimet shkojnë për Ismail Qemalin.

“Nderimi ynë shkon për Atin e Kombit, për pagëzuesin e kësaj dite, Ismail Qemalit, modeli i urtësisë, sakrificës dhe vendimeve të mëdha. Projekti që nisi në vitin 1912 u pasua në shkurt të vitit 2008 me Pavarësinë e Kosovës.

Tashmë janë dy shtete të pavarura me të njëjtat ndjesi e aspirata. Me bazë trashëgiminë e të parëve duhet të impenjohemi së bashku për të ardhmen evropiane,” tha Topi.

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:56

Në të gjitha trevat shqiptare por dhe në mbarë botën shqiptarët festojnë sot ditën e flamurit. 99 vjet më parë Shqipëria shpalli pavaresinë nga Perandoria Otomane dhe kjo ditë është dita e themelimit të shtetit modern shqiptar.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malii Zi por dhe në komunitetet shqiptare në mbarë botën përkujtohet sot dita e flamurit. Sot Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë do të pushtohet nga një varg aktivitetesh kushtuar 99 vjetorit të pavarësisë së vendit. Në rrugën pedonale do të hapet edhe panairi i produkteve shqiptare, me moton “Bli shqip”.

 

Ndërsa Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave. “Fëmijët do të jenë një pjesë e rëndësishme e festimeve më 28 Nëntor. Në Parkun Rinia trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri “Metropol” do të luajë një pjesë për fëmijët në terren të hapur.

Vogëlushët që ndjekin kurse artistike pranë qendrës “Ten” do të performojnë një kolazh këngësh dhe vallesh popullore. Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të realizohet një ekspozim picture interactive me temë “Shqipëria Ime”, deklaroi Anila Bisha, zëdhënëse e Bashkisë Tiranë. Mbrëmja do të mbyllet me koncertin e madh që do të nisë në orën 18.00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë disa nga këngëtarët më të njohur shqiptarë.

 Festime në Kosovë, Maqedoni e diasporë

99-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit do të festohet me disa aktivitete edhe në Prishtinë, Shkup dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Kështu në Prishtinë do të organizohen një varg manifestimesh nga Komuna e Prishtinës, Lëvizjes Vetëvendosje, por dhe Aleancës Kuqezi.

Aktivitete do të zhvillohen në pallatin e Rinisë dhe në sheshin “Nëna Tereza” ku do të organizohet edhe një koncert festiv. Aleanca Kuq e Zi gjithashtu ka organizuar një aktivitet festiv, për të shpalosur flamurin gjigant kuq e zi, i cili është nisur me karvanin nga Vlora. Lëvizja Vetëvendosje vjen me një program jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Gjakovë dhe Prizren.

Në Maqedoni gjithashtu janë parashikuar një sërë aktivitetesh me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit. Gati në të gjitha komunat e banuara me shqiptarë janë organizuar manifestime të ndryshme për të shënuar këtë përvjetor të 99-të.

Në Shkup do të organizohet një koncert festiv në sheshin “Skenderbeu” nën organizimin e Lëvizjes “ZGJOHU”, Shoqatës studentore “Dardania”, ndërsa mbështetur nga Komuna e Çairit dhe Ministria e Ekonomisë. Në Institutin për Trashëgimi Kulturore Shqiptare janë parashikuar aktivitete festive letrare.

Në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Strugë gjithashtu janë parashikuar aktivitete festive të organizuara nën patronazhin e komunave dhe shkollave, e organizatave joqeveritare dhe kombëtare.

Në Gradec të rajonit të Gostivarit do të shënohet festa e 99 vjetorit, ku do të zbulohet busti i Mehmet Pashë Derallës, Ministrit të parë të mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit bashkë me pllakat përkujtimore për varezat e 163 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1915.

Në këtë eveniment do të marrin pjesë personalitete politike, ndër të cilët kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka konfirmuar praninë e tij. Gjithashtu përvjetori i 99-të i Ditës së Pavarësisë do të festohet me aktivitete të ndryshme edhe në diasporë. (Tema)

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:45

Me rastin e 28 Nëntorit,  Festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe daljes publike të UÇK-së, kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe vendosi kurora lulesh.

Pas homazheve para varrit të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kryeministri Thaçi deklaroi se ky është vendi ku merr frymëzim, vendi ku merr energji për punë, për angazhime për të realizuar vizionin për të ardhmen e Kosovës për integrim në BE dhe në NATO, për të zhvilluar edhe më tepër Kosovën, për të ndërtuar Kosovën evropiane.

“Dashuria për atdhe duhet të kultivohet dhe kurrë nuk është e mjaftueshme. Prandaj, ky nderim shtetëror sot është nderim për të kaluarën, për Familjen Jashari, për Komandantin Legjendar Adem Jashari, për gjithë dëshmorët e lirisë, për luftën e UÇK-së dhe sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. Sepse, pa luftë nuk do ta kishim lirinë dhe çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e saj”, tha kryeministri Thaçi.

Duke shprehur edhe një herë respektin më të madh për të gjithë dëshmorët e lirisë ai tha se “pa liri nuk do të kishim këtë zhvillim që kemi sot në Republikën e Kosovës”.

 
Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:12

“Kombi shqiptar sot, 99 vjet pas ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së vendit, si rrallë herë gjatë historisë është i lirë në të gjitha trojet ku jeton. Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, i ndërgjegjshëm për identitetin kombëtar, punon dhe vepron për të ardhmen e tij më të mirë për integrimin në strukturat euro-atlantike, për anëtarësim në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-në”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo vuri në dukje se shqiptarët, me fitimin e lirisë, krijuan të gjitha rrethanat të ndërtojmë një shoqëri demokratike, të kenë një zhvillim të mirë ekonomik dhe një përparim të përgjithshëm në të gjitha fushat e jetës. Sot, tha ajo, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, komunikojmë lirshëm ndërmjet vete dhe duke i shembur të gjitha barrierat nga më të ndryshmet që në të kaluarën na mbanin të ndarë. 

“Pas pavarësimit të Shqipërisë, shpallja e Pavarësisë së Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarëve në këtë shekull. Republika e Kosovës, e ndërtuar në parimin qytetar, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjërë. Idetë dhe synimet e rilindasve tanë, sakrifica sublime e të gjithë dëshmorëve ndër shekuj për të qenë ne sot të lirë dhe të pavarur u kurorëzua duke përshtatur ne sot filozofinë tonë politike me synimet e integrimeve euro-atlantike, me vlerat e civilizimit evropian, dhe me vlerat e demokracisë perëndimore amerikane”, tha Presidentja Jahjaga.

Duke folur për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë sot dhe në të ardhmen znj. Jahjaga tha se sot nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. “Axhenda e integrimeve evropiane na ndihmon shumë në konkretizimin e shfrytëzimit të të gjitha resurseve dhe potencialeve tona që si natyrë dhe begati na i dhuroi Perëndia”, tha ajo.

Në përgjigje të pyetjes për raportet me vendet fqinjë, me Maqedoninë, Malin e Zi, Presidentja Jahjaga tha se “Republika e Kosovës është realitet tashmë i pranuar dhe i respektuar nga të gjithë. Kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Nuk kemi çështje të hapura dhe kontestuese. Marrëdhëniet po i zhvillojmë sipas standardeve evropiane, duke i ndihmuar njëri-tjetrit që në një të ardhme të afërt i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së”.

Po kështu znj. Jahjaga shprehu dëshirën për marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Republikën e Serbisë. “Kosova ka sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, të cilin e respektojnë të gjitha shtetet dhe këtë duhet ta respektojë edhe Republika e Serbisë. Me Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshjen e Kumanovës, të gjitha strukturat e shtetit të Serbisë, përfundimisht, janë larguar nga Kosova. Serbia në mënyrë të jashtëligjshme po ndihmon strukturat e caktuara në tri komunat veriore të Kosovës. Ajo po e shfrytëzon lidhjen e drejtpërdrejt territoriale të këtyre komunave me Serbinë, duke bërë një diferencim të padrejtë edhe të paarsyeshëm me serbët e tjerë, që si komunitet jetojnë në komunat e tjera të Kosovës. Kjo veprimtari është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për vetë interesat e komunitetit serb, i cili në numër më të madh ka jetuar dhe jeton edhe sot jashtë territorit të këtyre tri komunave veriore të Kosovës”, tha Presidentja Jahjaga.

Sipas saj, zgjidhja qëndron dhe do të gjendet vetëm në zbatimin e plotë të Planit të Ahtisaarit, që parasheh autonomi të gjërë në nivel komune, të cilat po i shfrytëzon shumica e komunitetit serb dhe shumica e komunave ku jeton ky komunitet. “Ashtu si edhe në gjashtë komunat e tjera, me shumicë etnike serbe, edhe në këto tri apo katër komuna në veri të Kosovës, duhet të mbahen zgjedhjet lokale, të zgjidhen përfaqësuesit legal dhe legjitim dhe të sundojë ligjshmëria dhe kushtetutshmëria. Ky territor sot, fatkeqësisht, ka mbetur nën ndikimin e grupeve kriminale dhe të kontrabandës dhe në ndikimin e grupeve radikale politike serbe që nuk dëshirojnë ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, por as më heret administrimin ndërkombëtar të Kosovës’, tha Jahjaga.

Duke folur për pretendimet për rindarjen e kufijve apo shkëmbimin e territoreve, Presidentja Jahjaga tha se “Kosova, ashtu si edhe të tjerët, i ka këta kufij të përcaktuar edhe me Kushtetutën e saj dhe të ish-Jugosllavisë, nga viti 1974. Administrata ndërkombëtare në vitin 1999, u vendos edhe me pajtimin e Serbisë, në këtë territor. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, por edhe më herët, politikanë të Serbisë japin propozime për ndarjen e Kosovës, për shkëmbim territoresh, apo për shkëmbim të popullsisë. Këto teori gjatë dy shekujve të kaluar na kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe dhimbje, shumë dhunë dhe shumë shkatërrim. Në kohën e integrimeve evropiane është anticivilizuese shkëmbimi apo ndarja e territorit dhe krejtësisht johumane është shpërngulja e popullsisë me qëllim të rigrupimit nacional”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shprehu shpresën se dialogu dhe bisedat që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë po jep rezultate dhe këtë e shikon si rrugën e vetme të gjetjes së zgjidhjeve që janë në interes të qytetarëve dhe në interes të dy vendeve tona.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë kthim prapa, por të dyja vendet do të ecin në rrugën e integrimeve evropiane, duke ndihmuar dhe jo duke e penguar njëra tjetrën”, tha Jahjaga.
Presidentja Jahjaga shprehu bindjen se së shpejti Kosova do të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në si vijëzim për qartësimin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në BE. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 15:33

Prishtinë- Kosova feston në këtë 28 Nëntor arritjet e mëdha dhe historike të Shqipërisë, që hyn në vitin e jubileut  të 100-vjetorit të Pavarësisë, të Kosovës shteti më i ri evropian, edhe të shqiptarëve në vendet e tjera fqinjë në synimet e tyre në idealin evropianizues të kombit e të rajonit.

Flamujt kuq e zi me mijëra e mijëra valojnë bashkë me flamurin shtetëror të Kosovës, të SHBA-ve, të BE-së e vendeve anëtare dhe të gjitha 85 shteteve që e kanë njohur, si dhe të NATO-s, forcës më të madhe që për lirinë e saj ndërhyri në pranverën e para 12 viteve dhe vazhdon të jetë këtu me mision paqeje e sigurie.

Atmosfera e festës ndihet kudo ditë e natë në kryqytetin Prishtinë dhe në qytetet e lokalitetet e tjera, ku në ditën e 99-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të gjitha rrugët dhe sheshet do të jenë plot njerëz në festë dhe me buçitjen e daulleve, të këngëve dhe valleve të artistëve e grupeve artistike nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Shqipëria dhe Kosova në këtë festë janë edhe më afër pasi në këtë nëntor u përuaruan rreth 40 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdar, në vazhdim të Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, nga Durrësi deri në Morin.

Prizreni, si një portë e madhe e komunikimeve ndërshqiptare, qyteti i parë i madh nga kalon autostrada në pjesën kosovare, do presë në festë shumë bashkëkombas nga Kosova e Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare e diaspora.

Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, në prag të festës, një trupë profesionistësh të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nga Tirana me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore kanë sjellë  Shqipërinë e traditave artistike.

Edhe si Ditë e Pavarësisë edhe si Ditë e Flamurit, 28 Nëntori festohet tradicionalisht në Kosovë. Festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me kufirin e hekurt që ndante, festohet edhe tani kur edhe Kosova ka Ditën e Pavarësisë së vet dhe me Shqipërinë ka bashkëpunime të shkëlqyera edhe si dy shtete, shembull për rajonin.

 
Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 15:21

Tiranë- Bashkia e Tiranës ka ftuar sot të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve për 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha bëri me dije programin që Bashkia do të ndjekë nesër në kuadër të festimeve, ku sheshet kryesore do shndërrohen në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që pritet të sjellë atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori.

Në rrugën Murat Toptani, do të çelet panairi “Blej Shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale.

Ndërsa fëmijet do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nentorin. Sipas saj, në parkun Rinia, trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol, do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur dhe fëmijët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN, do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj.

Në bashkëpunim me Liceun Artistik, do të organizohet një ekspozim pikture interaktive, me temë: “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga Kori i Fëmijëve të liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës.Për herë të parë vijnë në menyre origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë, etj.

Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe, mund ta realizojë në kendin e fotografise para galerisë së arteve, tha Bisha, duke shtuar se, Tek Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambjent të hapur, filmi “Nëntori i dytë”.

Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. Bashkia e Tiranës fton edhe një herë të gjithë shqiptarët të festojmë së bashku në Tiranë, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë.

12