Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:11

Ditën e sotme kanë nisur festimet në mbarë vendin me rastin e festës së “Pavarësisë”. Një axhendë e ngjeshur me aktivitete është parashikuar në kryeqytet dhe veçanërisht në qytetin e Vlorës, aty ku 101 vite më parë Ismail Qemali i shoqëruar dhe nga 83 delegatë shpalli pavarësinë e vendit. “Shekulli” i uron të gjithë shqiptarët, si brenda dhe jashtë trevave shqiptare, kudo që ndodhen gëzuar festën e “Pavarësisë”. 

 

Krerët e shtetit së bashku në Ditën e Pavarësisë 

 

Në Ditën e Pavarësisë do të jenë së bashku krerët e shtetit Presidenti Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Sot në orën 11:00 nisin në Vlorë festimet për 28 Nëntorin dhe tre krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit dhe më pas në vendosjen e kurorave me lule te varri i Ismail Qemalit. Aktivitetet do të vijojnë në teatrin “Petro Marko” ku kryeministri Rama do të ketë dhe një prononcim për mediat. Në orën 12.00 në teatrin “Petro Marko do të bëhet prezantimi i projektit “Lungo Mare” si dhe do të shpallet konkursi ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Në orën 19.00 kreu i qeverisë do të marrë pjesë në pritjen e Presidentit të Republikës. Aktivitetet janë paraprirë nga mesazhe të shumta urimi. Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti Nishani ka marrë mesazhe urimi nga presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, ai austriak, Heinz Fischer, i Izraelit, Shimon Peres, nga Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar homologun shqiptar, Edi Rama për festën e 28 Nëntorit. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, – shkruan Thaçi. 

 

Festimet në Tiranë   

 

Edhe në Tiranë bashkia ka planifikuar një sërë aktivimesh që do të nisin që në mëngjes herët por vetëm për 28 nëntorin, ditën e Pavarësisë, pasi demokratët, të cilët drejtojnë aktualisht bashkinë e Tiranës, nuk e njohin 29 nëntorin, si ditë të çlirimit të vendit, por njohin vetëm datën 28 nëntor.

 

Homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

 

Orari: 10:00

Vendndodhja: Varrezat e Dëshmorëve

Homazhe nderi te memoriali i Komandantit legjendar Adem Jashari

Orari: 11:00

Vendndodhja: Rr. e Durrësit, përballë shkollës “Qemal Stafa”, pranë bllokut të Ambasadave

 

Panair në rrugën pedonale “Murat Toptani”

 

Orari: 09:00 – 21:00

Vendndodhja: Përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani”

 

 Lojëra popullore

 

Aktivitet do të zhvillohet në ambientet e parkut “Rinia”, duke u bërë kështu pika e takimit mes të rinjve, adoleshentëve dhe qytetarëve të Tiranës që duan të ndajnë mes tyre dinamikën e lojrave popullore, të inkuadruar nga animatorë profesionistë.

Orari: 11:00 – 21:00

Vendndodhja: Parku “Rinia”

 

Ekspozita fotografike, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Tiranës si dhe me foto historike të Tiranës

 

Ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe momente të tjera të rëndësishme ndër vite të lidhura me këtë ditë, në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit.

Hapja në datën 26 Nëntor, me fotot që i përkasin qytetit të Tiranës, ku do të përfshihen foto të viteve 1912 – 1920, të vendndodhjes ku është ngritur flamuri. Kjo ekspozitë e hapur më datë 26 Nëntor, me rastin e ditës së Pavarësisë së Tiranës do të vazhdojë deri në datë 28 Nëntor, në ambientet e qendrës TEN.

Orari: 09:00 – 16:00

Vendndodhja: Qendra “Ten”

 

Ansambli i Tiranës

 

Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave, për t’i shtuar frymën festive të gjithë qytetarëve të cilët do të mbushin rrugët në qytet, për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë.

Sheshi para Galerisë Kombëtare 12:00 – 13:00

Sheshi para Vëllezërve Frashri 11:00 – 12:00

Orari: 11:00 – 13:00

Vendndodhja: Sheshi para Vëllezërve Frashëri, sheshi para Galerisë Kombëtare.

 

Banda e qytetit

 

Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Orari: 11:00 – 13:00

Vendndodhja: Rr: “Murat Toptani” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, (aktivitet lëvizës).

 

Këndi i Fotografisë

 

Aktorët e Teatrit të Metropolit do të vishen me veshje të personazheve historike, si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, etj. në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit dhe do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjnë foto me këto personazhe. 

Orari: 11:00 – 13:00 dhe 16:30 – 18:00

Vendndodhja: Trotuari përpara Galerisë së Kombëtare të Arteve

 

Shfaqje filmi historik

 

Në ambientet e qendrës TEN, “Poli Artistik i Tiranës” do të organizojë shfaqen e filmave dokumentar “Himni i Flamurit” dhe “Unë jam Ismail Qemali”, për të plotësuar mozaikun e festimeve./shekulli/