Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 15:48

TIRANE – Në Shqipëri burime të Prokurorisë së Përgjithshme i thanë sot Zërit të Amerikës se do të bëhEt ankim në gjykatën e Apelit ndaj vendimi të djeshëm të Gjykatës së Tiranës e cila shpalli dje të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011 të cilat cuan në përleshje të dhunshme me forcat e policisë që kisin rrethuar selinë e kryeministrisë në Tiranë.

Gjykata vlerësoi se nuk kishte prova që të mbështesnin akuzën e prokurorisë për vrasje me dashje. Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon.

Po sot Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pati një takim me ambasadorin amerikan Tiranë Aleksandër Arvizu. Dje ambasada amerikane u shpreh e tronditur nga vendimi i Gjykatës duke vlerësuar se ai “ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Nga ana e saj gjykata e Tiranës sot tha se deklarata e ambasadës amerikane është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt ligjor. Deklarata të tilla, vlerëson Gjykata, mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm.
Por ambasadori amerikan tha se pretendimet e gjykatës nuk qëndrojnë sipas tij. “Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbërshtet nga qeveria e Shqipërisë”, deklaroi ambasadori Arvizu, duke ju referuar kështu asistencës amerikane të dhënë gjatë hetimeve dhe përfshirjen e laboratorit kriminalistik të FBI për kryerjen e ekspertizave të cilat vërtetuan se plumbat më të cilët u qëlluan tre manifestuesit e vrarë kishin dalë nga armët e komandantit Prendi dhe vartësit të tij Llupo.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 13:55

Tirane – Vendimi i gjykatës për shpalljen të pafajshëm të ish-shefit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-oficerit Agim Llupo, u pasqyrua gjerësisht në agjencitë dhe mediat ndërkombëtare.

Gazeta prestigjoze “Washington Post” nënvizon faktin që vendimi u kritikua nga Shtetet e Bashkuara, që garantuan ndihmë në hetimet mjeko-ligjore për “21 Janarin”.

“Washington Post” i referohet deklaratës së lëshuar nga ambasada amerikane e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila shprehu zhgënjimin nga vendimi.

“Gjykata nuk mori në konsideratë ndihmën e madhe, – shkruhej në deklaratë, – përfshirë ekspertizat nga Byroja Federale e Hetimeve, që iu garantua nga Shtetet e Bashkuara pas një kërkese urgjente nga qeveria e Tiranës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm”.

Kësaj deklarate i referohen edhe dy agjencitë prestigjoze të lajmeve, Associated Press dhe Reuters. “Vendimi i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe vullnetin e sistemit juridik të Shqipërisë, për të dhënë drejtësi në një mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Mediat ndërkombëtare i referohen edhe deklaratës së Renato Myrtajt, djalit të Faik Myrtajt, një prej viktimave të 21 janarit, i cili tha se tani do të marrë në dorë çështjen, duke iu rikthyer historive të hakmarrjes.

Gazeta “Washington Post” citon edhe Albi Seranin, zëdhënësin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm, i cili nuk pranoi të thoshte nëse prokurorët do të apelonin vendimin.

Sipas tij, – siç shkruan gazeta amerikane, – duhet të lexojnë së pari vendimin, që shton tensionet politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 23 qershor.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 12:25

TIRANË- Gjykata e Tiranës nëpërmjet një deklarate ka bërë me dije se vendimin e plotë për të pandehurit e 21 janarit do ta zbardhë brenda afateve ligjore.
Në këtë deklaratë gjyqtarët theksojnë se janë të vendosur për zbatimin e ligjit, ndërsa duke komentuar deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjyqtarët shprehen se ajo ishte një ndërhyrje në një proces të rregullt gjyqësor.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se cfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim. Në këtë kontekst deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt gjyqësor nëpërmjet komenteve mbi një cështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së procesit të rregullt ligjor me këtë cështje”, thuhet në deklaratë.

Sipas gjyqtarëve deklarata të tilla janë shqetësuese dhe paragjykuese.

“Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm. Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt, të paanshëm dhe të besueshëm ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur cdo qëndrim paragjykues ndaj këtij procesi dhe punës e misionit të gjykatës në përgjithësi”, përfundon deklarata.

ARVIZU: NDËRHYRJA PËR TË LEHTËSUAR HETIMI
Pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu në një prononcim për gazetarët, tha se takimi me të u zhvillua pikërisht pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për ngjarjet e 21 janarit.

“Para së gjithash e vlerësoj që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të takohet me mua, e për më tepër kaq shpejt, patëm një takim të rëndësishëm, biseduam hollësisht për ngjarjet e 21 janarit e hetimet dhe morëm angazhimin se bashkëpunimi ynë me këtë zyrë do vazhdojë”, tha ai.
Arvizu u ndal të komentojë edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës, ndërsa nënvijëzoi se kjo nuk është një çështje amerikanë, por një çështje shqiptare dhe janë ata, sic tha ai që duhet ta cojnë deri në fund.

“Lidhur me vendimin e gjykatës, para së gjithash dua të them se SHBA e kanë bërë të qartë që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim për atë që e shkaktoi atë ngjarje. Kemi theksuar që ky lloj hetimi duhet të ishte i besueshëm, nevojitej që të adresoheshin disa elemente, se kush e organizoi sjelljen e demonstruesve dhe gardës në fund, ky ka qënë qëndrimi ynë dhe nuk ka ndryshuar”, tha Arvizu.

Ai tha më tej se, “Pika e dytë, ku dua të ndalem ka të bëjë me përfshirjen e ekspertëve amerikanë. Kjo cështje ka qenë dhe do jetë cështje shqiptare, nuk ka patur qytetarë amerikanë të përfshirë në ngjarje. Është kërkuar nga kryeprokurorja e atëhershme asistenca teknike amerikane, kjo është ajo që kemi bërë kemi dhënë cfarë na është kërkuar”, shtoi ai.

Ambasadori më tej, i cilësoi të pabaza akuzat e sotme të Gjykatës së Tiranës.

“Lidhur me deklaratën e Gjykatës së Tiranës, unë nuk bie dakord me ta se kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë buron drejtpërdrejt pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm. SHBA ka bërë ndërhyrje për të lehtësuar hetimin”, shtoi ai më tej.

DEKLARATA E SHBA, DJE
Ambasada Amerikane nëpërmjet një reagimi e konsideroi tronditbs vendimin e Gjykatës së Tiranës për pafajësinë e të pandehurve të 21 janarit.
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 Janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”,- përfundon deklarata.

Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume si dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Teksa lexoi vendimin për të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandatin e Gardës Ndrea Prendi.

Prokuroria kërkoi kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.

AMBASADORI ARVIZU TAKON KRYEPROKURORIN LLALLA
Ambasadori amerikan ne vendin tonë, Aleksander Arvizu ka nisur sot paradite një takim me kryeprokurorin e vendit, Adriatik Llalla.

Takimi është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe vjen vetëm një ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës, e cila u dha pafajësi dy të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit gjatë demonstratës së PS-së.

Takimi vjen një ditë pas reagimit të ashpër që bëri ambasada e SHBA mbi vendimin dhënë dje për 21 Janarin.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 16:40

TIRANE- Kryesocialisti Edi Rama ka mbajtur sot një konferencë për shtyp ku ka ‘dënuar’ vendimin e Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm 2 të pandehurit e ngjarjeve të 21 janarit.

Rama tha se sot për këtë ngjarje nuk u mor vendim, pasi sic shtoi ai drejtësia nuk vihet në vend me vendime të padrejta.

“Kryeministri i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj që e pushkatojnë drejtësinë në publik njësoj si garda 4 dëshmorët e 21 janarit. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë atij që pas 23 qershorit do jetë thjesht kryetari i Partisë Demokratike. Sot nuk pati gjykim por vetëm një përfaqësim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të 4 protestuesve. Edhe pse ishte krimi më barbar në Shqipëri pas komunizmit, vendimi i sotëm është më barbari”, tha Rama.

Sipas tij, “Familjet e 4 dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin e një gjyqi që në të vërtetë ende nuk ka filluar. Siguroj se 21 janari është nga ato ngjarje që nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe nuk mbyllen me gjykim të padrejtës”, shtoi ai.

Ai tha më tej se, “Pas 23 qershorit, do të nisë një proces publik për kreun e PD”.Sipas Ramës, mos dënimi i të pandehurve është një turp për të gjithë shoqërinë.

“Ky i sotmi nuk është turp nga vrasësit e drejtësisë, ky është një turp për shoqeërinë tonë, është përgjegjësia jonë historike si shoqëri. Përgjegjësi që duhet ta ndjejë cdo prind, cdo i ri dhe e re në këtë vend, cdo socialist apo demokrat që ka respekt për veten”, tha ai.

Rama shtoi se sot, “Cdo mik ndërkombëtar që u angazhua për 21 janarin, besoj se ndjehet më afër një shteti ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin”, shtoi ai.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 12:40

TIRANË – Gjykata e Tiranës shpalli sot të pafajshëm ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi, Margarit Kume si dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011.

Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. 
Teksa lexoi vendimin për të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi.

Avokati i Ndrea Prendit komentoi për mediat se vendimi nuk lë vend për asnjë koment. Ai shtoi se klienti i tij do të kërkojë dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim. Në prononcimin për mediat, avokati Genc Gjokataj e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë pasi sipas tij ai komandanti i gardës Ndrea Prendi ashtu edhe gardisti Agim Llupo ishin në mbrojtje të institucioneve.

Të pandehurit kryesore te kësaj çështje ishin ish komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011.

Në seancën e djeshme, avokatët mbrojtës kërkuan që klientët e tyre të shpallen të pafajshëm për akuzat e vrasjeve të 4 protestueve të 21 janarit. Avokatët e Ndrea Prendit dhe të Agim Llupos kërkuan dje rrëzimin e akuzave të Prokurorisë pasi ato nuk vërtetohen. 

Prokuroria kerkoi kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.

Ky proçes gjyqësor i nisur dy vjet më parë shkoi sot drejt mbylljes së tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndersa mbeten me ende pa autor vrasjet e ka demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Aleks Nikaj.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 14:02

TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Prokuroria lexoi konkluzionet përfundimtare për ngjarjet e bujshme të 21 janarit, në një sallë të mbushur me gardistë dhe familjarë të të pandehurve.

Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj.

Për gardistin Agim Llupo, prokuroria kërkoi dënimin me 25 vjet burg, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas organit të akuzës, ai i ka shënjestruar demonstruesit duke i qëlluar në mënyrë selektive. Ndërkaq prokuroria ka tërhequr akuzat për shoferin e ish-kreut të Gardës Margarit Kume, i cili dyshohej për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Përfaqësuesit e prokurorisë deklaruan se akuza ndaj Kumes nuk është vërtetuar.

E vetmja vrasje e pazbardhur është ajo e Aleks Nikës, që me shumë gjasa do të mbetet një ngjarje pa autor, pasi plumbi që goditi për vdekje të riun, është tërësisht i dëmtuar. 

Ndërkaq, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi deklaroi në seancë se nuk kishte dijeni për faktin se gjatë demonstratës kishte patur viktima, derisa ka dëgjuar lajmet ne media.

Sipas Prendit, “prokuroria hetoi vetëm Gardën e Republikës, duke harruar të hetonte ata që sulmuan kryeministrinë dhe vunë në rrezik jetën e kryeministrit.”

Pas 38 seancash gjyqësore, gjatë të cilave u paraqitën provat me dëshmitarë dhe provat shkresore, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke ia lënë radhën Prokurorisë.

Shqyrtimi i provave të palëve në proces është mbyllur me dilemën e madhe lidhur me vrasjen e Ziver Veizit. Dy ekspertët e thirrur nga Gjykata për të analizuar dëmtimin e predhës që u gjet në trupin e Veizit, kanë dhënë përfundime diametralisht të kundërta.

Njëri ka pretenduar se plumbi ka ndeshur diku tjetër para trupit të viktimës, duke qenë rikoshet, ndërsa specialisti tjetër përjashton në mënyrë kategorike mendimin e kolegut. Ai ka thënë se vrasja ka qenë direkt dhe plumbi mund të jetë dëmtuar në kockat e Ziver Veizit, pasi ka gjurmë të tilla në predhën e gjetur në organizmin e viktimës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 11:32

TIRANE – Në Tiranë përkujtohet sot 2-vjetori i ngjarjeve tragjike të 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona. Opozita përkujton me homazhe, dokumentar, lule e muzikë funebre, 4 protestuesit e saj që u vranë në 21 janar 2011, në qendër të Tiranës. Dy vjet pas tragjedisë, PS-ja po nderon viktimat, me lule dhe një parakalim pranë fotove të tyre, vendosur në 4 vendet ku ata ranë, shumë pranë kryeministrisë. Shumë qytetarë nga e gjithë Shqipëria i janë bashkuar marshimit homazh. 

Vijon në heshtje marshimi drejt sheshit përpara Kryeministrisë
Ora 11: 20- Kortezhit që u nis në orën 11:00 nga selia rozë, iu bashkuan qytetarë të shumtë me lule e kurora në duar. Organizatorët e protestës homazh kanë marrë masa për të orientuar kortezhin. Kulmi i homazheve do të jetë në vendin ku u vranë katër viktimat e 21 janarit. Persona me shirit të zi në krah, koordinojnë qytetarët, në mënyrë që të gjithë të nderojnë viktimat. Në mes të turmës dallohet kreu i PS-së, deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste.

Opozita nis marshimin homazh nga selia rozë
Ora: 11:00- PS-ja nisi nga selia rozë marshimin homazh, pikërisht nga aty ku nisi edhe protesta e 2 viteve më parë. Njerëzit po marshojnë në heshtje drejt bulevardit kryesor të Tiranës, për të qëndruar më pas para kryeministrisë. Aty jenë vendosur 4 fotot e të vrarëve të 21 janarit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Bashkë me deputetët e drejtuesit e opozitës janë edhe familjarët e 4 të rënëve. Gjatë gjithë kohës marshimi shoqërohet në sfond me muzikë funebre.

Me të mbaruar homazhet, një tjetër aktivitet pritet të nisë, në kinema “Millenium”. Aty do të shfaqet një dokumentar me gjithçka ndodhi në 21 janar. Ky është një dokumentar, CD-ja e të cilit iu dha edhe ambasadorëve të huaj, pas 21 janarit. Aty shfaqen të gjitha pamjet e protestës, së bashku me momentet tragjike të 4 vrasjeve. Por gjithashtu janë edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, si edhe fakte të tjera që PS-ja i ka ruajtur me fanatizëm, së bashku me komentet e saj mbi atë ngjarje. Në përfundim edhe të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së do të shpërndahen për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve që tashmë nuk jetojnë më.

21 janari, mbështetës të PS-së në rrethe drejt Tiranës
Ora 10:30 –
Mbështetës të Partisë Socialiste nga të gjitha qytetet e vendit janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në tubimin homazh të organizuar nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të përkujtuar katër viktimat e demonstratës së 21 janarit.

Mbi 300 protestues opozitare nga Elbasani janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, ku do të marrin pjesë në marshimin e heshtur të opozitës. Kreu i PS-së së Elbasanit, Astrit Halili deklaroi se për simpatizantët e PS-së nga Elbasani janë vënë në dispozicion autobusë, ndërsa një pjesë e mbështetësve janë organizuar në mënyrë private.

Ndërkohë nga qyteti i Durrësit janë nisur drejt Tiranës 15 autobusë me 750 persona. Nga Korça pritet të mbërrijnë në kryeqytet rreth 200 mbështetës të PS-së, të cilët janë nisur me 3 autobusë dhe furgona të linjës Tiranë-Korçë.

Babai i Aleks Nikës: Pres drejtësi
Ora 10:14 –
Babai i Aleks Nikës, Ndue Nika kërkon zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para drejtësisë së vrasësit të djalit të tij. Ndërsa akuzon kryeministrin Berisha për vrasjet, ai hedh akuza dhe ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama që sipas tij, neglizhoi zbardhjen e së vërtetës ndërkohë që shpreson te prokurori i ri Adriatik Lalla.

“Kam shkuar para disa muajsh me gjithë nusen e djalit tek Ina Rama, tek zyra e kontrollit aty tek dera, dhe përfundimisht pas një ore ajo9 na ka kthy përgjigje, “nuk kam kohë, nuk merrem me këtë punë”. Sot e kësaj dite ujë jam sikur gogla në majë të ujit. Pres drejtësi. Djali im nuk ngjallet, por duhet të më japi përgjigje shteti kush e ka fajin. Fajin unë e di se e ka shteti komplet. Më ka vrarë djalin me urdhër, nuk përdoret snajperi në asnjë vend të botës pa urdhër të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Më ka borxh Sali Berisha sa të jetë gjallë. Prokurori i ri të studiojë kush është fajtori. Pse e anulojnë dosjen e Aleksit. Tre vetë kanë dalë emrat se kush i ka vrarë, Aleksi im nuk del.”- u shpreh babai i Aleks Nikës, në një prononcim për NEWS24. 

Policia e Tiranës: Bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Ora: 09:20 –
Nga ora 10:00 deri në orën 14:00, Policia e Tiranës do të bllokoj qarkullimin e automjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin Nën Tereza”, si dhe nga Sheshi “Austria” drejt Kryeministrisë.

Sipas njoftimit për shtyp të uniformave blu të kryeqytetit, gjatë ditës së hënë për shkak të homazheve që do të zhvilloj Partia Socialiste, në kuadër të 2 vjetorit të “21 Janarit”, kur, gjatë një proteste të dhunshme të organizuar nga opozita në 2011-ën humbën jetën 4 persona.

Sipas Policisë, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë për qytetarët e kryeqytetit, gjatë tubimit homazh të organizuar nga partia Socialiste.

Ndërsa, mësohet se orari o kufizimit të qarkullimit do të jetë nga ora 10:00 deri 14:00. Rrugët e bllokuara do të jenë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga “Sheshi Skënderbej deri tek Sheshi “Nën Tereza”, po ashtu dhe zona nga Sheshi “Austria” tek Kryeministria.

Deklarata e Ramës një ditë më parë
Ora 7:50 – Një ditë para homazheve për 21 janarin dhe viktimat e kësaj proteste, kreu socialist deklaroi se: “Ky është një tjetër 21 janar pa drejtësi! Madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm”. “Ne do të jemi nesër (sot), aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit. Dua të shpreh edhe njëherë bindjen se 21 janari është nga ato ngjarje, që një vend nuk ka mundësi t’i harrojë. Sepse është një plagë që do të mbetet e hapur, deri kur drejtësia të vihet në vend”, – deklaroi Rama. Sipas kreut të PS-së, “është një nga ato plagë që kombet nuk i mbyllin dot me sytë e harresës. Është një plagë, që ne do të bëjmë çmos për ta shëruar përmes drejtësisë”. “Nga ana tjetër, dua ta vlerësoj shumë lart qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë në Shqipëri në kërkim të drejtësisë për 21 janarin. Është një qëndrim, që vjen duke u forcuar muaj pas muaji dhe vit pas viti, ashtu siç vjen duke u forcuar bindja e përgjithshme se 21 janari është një nga ato momente, që nuk mund të harrohen kurrë dhe nuk mund të mbeten kurrsesi aty të paharruara dhe të pagjykuara”, – tha kreu socialist. 

Procesi gjyqësor për 21 janarin
Agim Llupo, është i vetmi efektiv i Gardës që ndodhet prapa hekurave për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Ai akuzohet dhe për vrasjen e demonstruesit Hekuran Deda. Ndërsa, mbi supet e ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit fierak Faik Myrtaj. Sipas prokurorisë, Prendi, për të fshehur krimin ndërroi tytën e pistoletës me atë të shoferit të tij, Margarit Kume. Ky i fundit, akuzohet për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. E vetmja vrasje e pazbardhur është ajo e Aleks Nikës, që me shumë gjasa do të mbetet një ngjarje pa autor, pasi plumbi që goditi për vdekje të riun, është tërësisht i dëmtuar.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 January 2013 14:58

TIRANË – Ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi ka bërë apel që shteti shqiptar të vendosë drejtësi për 4 jetët e humbur në ngjarjet e 21 Janarit, 2 vite më parë. 2 vjet pas ngjarjeve të rënda gjatë protestës së opozitës para godinës së qeverisë, Sequi në një prononcim për mediat theksoi se, ende nuk ka përfunduar hetimi dhe procesi gjyqësor.

“Ne ndjejmë dhembshuri, por ky përvjetor i dytë gjithashtu na shtyn të jemi përballë faktit se hetimi dhe procesi gjyqësor ndaj këtyre ngjarjeve ende nuk kanë përfunduar. Në respekt të atyre që humbën jetën dhe në respekt të parimit ligjor këto procese duhet të përfundojnë në kohë dhe të pavarur. Drejtësia duhet të vihet në vend!” 

Sequi kujtoi momentin kur mbërriti në Shqipëri dhe 3 ditë më pas ndodhën ngjarjet. “Po mendoja se pikërisht sot, para 2 vitesh kam arritur në Tiranë, më 18 janar dhe vetëm 3 ditë më vonë ndodhi kjo tragjedi. Një tragjedi që në atë kthim të dytin timin në Shqipëri më trishtoi së tepërmi”. 

Sequi shprehu indinjatë për humbjet e 4 jetëve, ndërsa theksoi se politikanët iu shqiptarëve që përfaqësojnë që të ndërtojnë një shtet ligjor më të fortë. “Dëshiroj që të bëj disa komente lidhur me këtë cështje. Mendimet tona shkojnë në radhë të parë, ndaj atyre që humbën jetën, ndaj familjarëve të tyre. Në këtë ditë të trishtuar do të doja dhe njëherë të shprehja indinjatën më të ndjerë për humbjen e tyre. Të gjithë politikanët shqiptarë u detyrohen atyre që përfaqësojnë që të ndërtojnë një shtet ligjor më të fortë. Dhe vetëm duke treguar se e kanë forcën për të zbatuar ligjin Shqipëria i ka mundësitë për tu intergruar në BE”. 

Deklarata e Sequi vjen në vijim të atyre të ambasadës së SHBA-së ,dhe të ambasadorit ë OSBE,Wollfarth për drejtësi për këtë proces.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 12:46

TIRANE – Amnistia parlamentare, e cila hyn në fuqi më 28 Nëntor 2012, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, fal tre deputetët e Partisë Socialiste, Tom Doshin, Taulant Ballën e Besnik Barajn, të akuzuar për “21 janarin”.

Tre të zgjedhurit socialistë po hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme që prej datës 23 janar 2012 për veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Numri i çështjeve që ndodhen ende në Prokurori, të cilat preken nga amnistia, është i madh, por çështja e 21 janarit është një prej tyre.

Gazeta “Panorama” disponon kopjen e ligjit për amnistinë me gjithë ndryshimet e pësuara në Kuvend, dokument i hartuar pas votimit në seancë. Ky dokument i është dërguar Policisë, gjykatave e Prokurorisë për zbatim pas hyrjes në fuqi më 28 Nëntor.

Më datë 23 janar 2012, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi në konferencë shtypi se atë ditë i ka kërkuar Parlamentit autorizim për hetimin e tre deputetëve të PS (kërkesa për heqjen e imunitetit). Kryeprokurorja përmendi qartë dhe publikisht se ishte e nevojshme që deputetët të hetohen në lidhje me veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e parashikuar si krim në nenin 262 të Kodit Penal. Pikërisht ky nen i Kodit Penal, mes shumë të tjerave, është përjashtuar nga kriteri ndalues i ligjit për amnistinë, i votuar pak ditë më parë në Parlamentin e Shqipërisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 10:00

TIRANË –Cilat janë pikat ku ndalet progres-raporti për Shqipërinë? Në dokument vlerësohet se Shqipëria ka bërë një progres të mirë drejt përmbushjes së kriterit politik, por Brukseli i kërkon qeverisë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit të angazhimeve të marra.

Zgjedhja e njëanshme e presidentit nga mazhoranca vlerësohet se frenoi bashkëpunimin mes palëve. Dokumenti po ashtu nënvizon problematikën në fushën e gjyqësorit, administratës, anti-korrupsionit dhe ekonomisë.

Në progres-raport kërkohet që proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjen e 21 janarit duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besuar gjyqësor.

Citimi:“Në përgjithësi Shqipëria ka bërë progres të mirë drejt përmbushjes së ‘kriterit politik’ për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash nga masat kyçe të Opinionit të 2010-ës të Komisionit. Progres i mirë u arrit në reforma kyçe politike”.

Zbatimi: “Në të gjitha fushat që mbulohen nga prioritetet kyçe të paplotësuara deri në fund, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar qëndrueshmërinë e zbatimit të angazhimeve që janë ndërmarrë dhe më shumë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit”.

Politika: “Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogu i përmirësuar politik në Parlament, si dhe klima më konstruktive në komisione dhe seanca plenare mundësoi progres të mirë në një numër fushash, pavarësisht disa periudhave të shkurtra të një retorike politike konfrontuese dhe një ngadalësimi të përkohshëm të reformave”.

Presidenti: “Më 11 qershor 2012, një President i ri u zgjodh në raundin e katërt të zgjedhjeve vetëm me votat e shumicës qeverisëse. Megjithëse në përputhje me Kushtetutën, zgjedhjet presidenciale nuk përmbushën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje dhe frenuan forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik”.

Qeverisja lokale: “Në lidhje me qeverisjen lokale, decentralizimi i përgjegjësive të shtetit nuk u ndoq me transferimet e duhura të burimeve financiare dhe administrative nga qeverisja qëndrore drejt asaj lokale. Ekzistenca e dy shoqatave të ndara të qeverisjes lokale nuk çon në përmirësimin e mardhënieve institucionale mes qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale në kuadër të një procesi decentralizimi transparent dhe të suksesshëm”.

Administrata: “Ka patur progres në reformën e administraës, një prioritet kyç i Opinionit, më shumë nëpërmjet miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative dhe për Organizimin dhe funksionimin e Administriatës Publike, si dhe nëpërmjet zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Është tashmë thelbësore të miratohet ndryshimi i ligjit për Shërbimin Civil. Duhet përforcuar zbatimi i akteve administrative dhe ligjeve të miratuara. Kuadri ligjor dhe institucional për administratën publike vazhdon të preket nga parregullsi që duhen adresuar, me synimin për të përforcuar profesionalizmin, depolitizimin, meritokracinë, transparencën dhe llogaridhënien”.

Gjyqësori: “Sa i përket gjyqësorit, është shënuar progres i moderuar në plotësimin e reformës gjyqësore që është prioritet kyç i Opinionit. Megjithatë, ligje të rëndësishme për të forcuar llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit presin akoma për t’u finalizuar, miratuar dhe zbatuar. Në këtë kuadër është tashmë thelbësore që ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë të miratohen. Organizimi i gjykatave, transparenca dhe zvarritjet, si dhe statusi i administratës gjyqësore vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për efikasitetin e gjyqësorit”.

21 Janari: “Proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011 duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besueshëm gjyqësor”.

Anti-korrupsioni: “Në fushën anti-korrupsion, një prioritet kyç i Opinionit, progresi ishte i moderuar, për shembull nëpërmjet kufizimit kushtetues të imunitetit për zyrtarët e nivelit të lartë dhe për gjykatësit. Megjithatë, mungesa e qasjes proaktive dhe mungesa e burimeve dhe pajisjeve vijon të pengojë hetime të vërteta. Nuk ka gjurmë të përshtatshme provash në hetimin, ndjekjen dhe dënimin në të gjitha nivelet. Korrupsioni mbizotëron në shumë fusha dhe vijon të përbëjë një problem veçanërisht serioz”.

Bashkëpunimi rajonal: “Në lidhje me çështjet rajonale dhe detyrimet ndëkrombëtare, Shqipëria vijoi të luajë një rol konstruktiv duke i ndihmuar stabilitetit të rajonit duke konsoliduar mardhëniet pozitive me fqinjët dhe partnerët rajonalë”.

Ekonomia: “Ekonomia shqiptare vijoi rritjen, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë dhe pavarësisht kushteve të vazhdueshme të pafavorshme tek partnerët kryesorë tregëtarë. Gjithësesi, defiçiti fiskal u rrit në 2011, duke çuar në një rritje edhe më të madhe të borxhit relativisht të lartë publik që vijon të tregojë një anim afat-shkurtër. Mbetja në nivele të larta e deçfitit të llogarisë korente është një burim dobësie. Papunësia vijon të mbetet vazhdimisht e lartë”.

Detyrimet e anëtarësimit: “Shqipëria ka bërë progres të moderuar në përmirësmin e aftësisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në veçanti në fushat e konkurrencës, taksave, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, edukimit dhe kulturës dhe unionin e doganave. Progresi ka qenë i kufizuar në fusha të tjera si liria e lëvizjes së punëtorëve, prokurimet publike, e drejta e autorit, siguria ushqimore, peshkimi, energjia, ambienti dhe ndryshimet klimatike”.(T.Ch)