Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 16:58

Komiteti i monitorimit te Këshillit te Evropës, përgjegjës për verifikimin e përmbushjes se angazhimeve dhe detyrimeve te marra përsipër nga vendet anëtare, diskutoi sot raportin mbi vendet anëtare ende nen procedurën e monitorimit. Eduard Shalësi I cili merr pjesë në këtë Komitet theksoi se gjate paraqitjes dhe diskutimit te raportit vjetor te Komiteti Monitorues mbështetur ne vizitën e raportuesve ne Shqipëri u nënvizuan një numër shqetësimesh qe përfshijnë sistemin e drejtësisë, diskriminimin e minoriteteve dhe përjashtimin social te komunitetit Rom, korrupsionin si dhe pastrimin e parave nga krimi i organizuar.

Një theks i veçante u vendos ne politizimin e ngjarjeve te 21 janarit gjate te cilave u vranë 4 protestues përpara zyrës se kryeministrit qe, siç ve ne dukje raporti, ka ndikuar negativisht ne pavarësinë institucionale te gjykatës dhe prokurorisë.
Po sot në debatin për Kosovën në Komitetin e Politikave të Këshillit të Evropës, deputetja Valentina Leskaj kërkoi rritjen e mbështetjes së KE për Kosovën mbështetur në rezolutën e Asamblesë Parlamentare.
Leskaj tha se Kosova ka bërë hapa pozitiv në raport me shtetin ligjor si dhe ka arritje në procesin e dialogut politik dhe negociatave.
Ajo kërkoi mbështetje për procesin e njohjes së Kosovës si dhe shqiptarët e Luginës se Preshevës të cilët duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzon çdo qytetar i KE.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Jagland, ju referua kërkesës së Leskajt për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës./tema/

 
Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 14:16

Tiranë – Komiteti i OKB për të drejtat e njeriut shpreh shqetësim për hetimet mbi ngjarjet e 21 janarit dhe bën thirrje për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë si dhe kompensimin e familjarëve të 4 protestuesve që humbën jetën gjatë atyre protestave.

Në konkluzionet e publikuara nga ky komiteti pas raportit të dytë të Shqipërisë, i bëhet thirrje shtetit shqiptar të përmbyllë hetimet për 21 janarin duke garantuar standardet ndërkombëtare të hetimit, ndërsa përgjegjësit e ngjarjes të ndëshkohen në mënyrën e duhur.

Po kështu bëhet thirrje që të kompensohen familjarët e 4 viktimave. Ndërkaq, Komiteti shpreh shqetësim që Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e grave dhe fëmijëve dhe i bën thirrje shtetit të forcojë masat ekzistuese për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore dhe të hetojë rastet e keqtrajtimit të fëmijëve në rajonet e policisë. Një tjetër fenomen për të cilin shprehet shqetësim është ai i gjakmarrjes, ku komiteti OKB për të drejtat e njeriut i kërkon shtetit të marrë masa për të ndihmuar familjet e ngujuara.

Komiteti i bën thirrje shtetit shqiptar të marrë masa më efektive kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe të hetojë në mënyrë efektive krimet e gjakmarrjes. Komiteti shpreh shqetësim edhe për kushtet jo njerëzore të të burgosurve duke bërë thirrje që burgjet e reja të përmbushin standartet ndërkombëtare, raporton BallkanWeb.

Komiteti shpreh gjithashtu shqetësim për raportimet mbi sulmet kundër gazetarëve duke i bërë thirrje shtetit të marrë masa për të garantuar lirinë e shprehjes në të gjitha format.

“Të hetohen rastet e dhunës apo sulmeve kundër gazetarëve dhe të parandalohen dhe frenohen paditë kundër medias” –thuhet tek konkluzionet e këtij komiteti.

 
Lajme Shqip Thursday, 25 July 2013 14:17

Tiranë – Gjykata e Apelit ka pezulluar gjykimin për çështjen e 21 janarit.Pas përjashtimit të dy gjykatësve, çështja ka ngecur sërish.
Kësaj here ishte prokuroria që kërkoi përjashtimin nga kjo çështje të relatorit Astrit Haxhialushi.
Sipas prokurorisë, Haxhialushi ka qenë pjesë e dy trupave gjykuese që kanë dënuar dy nga demonstruesit e 21 janarit.
Sipas prokurorisë, gjykatësi duhet të përjashtohet për këtë arsye, raporton tema.
Kjo kërkesë është depozituar në sekretarinë e Gjykatës së Apelit dhe pritet që të merret një vendim.
Pak ditë më parë ishte mbrojtja që kërkoi përjashtimin nga trupa gjykuese të Agron Papajanit dhe Fatos Qatos me argumentin se kanë konflikt interes.
Pas përjashtimit të tyre, në trupën gjykuese u përfshi Ervin Metalla dhe Evgjeni Sinoimeri.
Të akuzuar janë Ndrea Prendi, ish- komandant i Gardës së Republikës dhe Agim Llupo, ish- gardist.
Gjykata e shkallës së parë i ka shpallur ata të pafajshëm.
Ata akuzohen për vrasjen e Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt.

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:10

Tiranë –  Ka nisur me dorëheqjen e gjyqtarit Agron Papajani shqyrtimi i dosjes së “21 Janarit” në gjykatën e Apelit ndaj dy gardistëve të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në 21 Janar të viti 2011.

Seanca ka zgjatur vetëm pak minuta dhe është shtyrë për në datën 25 korrik, pas kërkesës së palës mbrojtëse për ndryshim të trupës gjykuese. 

Avokati mbrojtës Genci Gjokutaj, që mbron interesat e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, kërkoi që në nisje të seancës përjashtimin e gjykatësve Agron Papajani dhe Fatos Qato. 

Sipas tij, Papajani nuk mund të gjykojë këtë çështje pasi ka qënë edhe në seancën gjyqësori kur ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, iu dha masa e sigurisë, ndërsa Fatos Qato është bashkëshorti i anëtares së PS-së, Merita Qato, e cila është edhe një nga organizatoret e 21 janarit. 

Menjëherë pas kërkesës së avokatit Gjokutaj, gjykatësi Papajani dha dorëheqjen nga gjykimi i çështjes, duke çuar kështu edhe në shtyrjen e seancës gjyqësore.

Gjykatësi Agron Papajani tha se kishte vendosur personalisht të jepte dorëheqjen pasi kishte marrë pjesë në gjyqin e zhvilluar ndaj gardistit. 
Në seancën e sotme mugonin dy të akuzuarit, Agron Llupo dhe Ndrea Prendi. 

Seanca e radhës u vendos të mbahej në 25 korrik, në orën 10:00. 

AVOKATËT E ANA E KLAJDI VEIZIT: DUAM 180 MLN LEKË DËMSHPËRBLIM 

Avokatët e Ana dhe Klajdi Veizi, dy fëmijët e protestuesit të vrarë në protestën e dhunshme të 21 Janarit, kërkuan sot 180 milionë lekë dëmshpërblim. Avokatët Andi Kanani e Dorian Matlija, që mbrojnë cështjen e Ziver Veizit, pretendojnë se fëmijëve të protestuesit të vrarë duhet tu jepet një shumë të hollash si dëmshëprblim pasi tashmë nuk ka kush të kujdes për to . 

Ndërkohë, Avokati Matlija, në një prononcim për mediat pas shtyrjes së seancës ka deklaruar se mungon dosja e ankimimit të bërë nga klientët e tij. 

“Mungon dosja e ankimimit që kanë bërë familjaret e viktimave të 21 janarit. Donim të shihim pse nuk është në dosje ankimimi që ne kemi paraqitur që në mars. Do të bëjmë verifikimet për të parë se ku ka mbetur ankimimi ynë. Familjarët e viktimave të 21 janarit duhet të merrnin pjesë në seancën e sotme. Ata kanë të drejtë të pyesin ekspertët dhe dëshmitarët pasi ata janë të dëmtuarit kryesore në ngjarjet e 21 janarit”, theksoi Matlija. 

Gardisti Agim Llupo akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës 

21 JANARI, NIS SHQYRTIMI NË APEL 
Çështja e 21 Janarit mbërriti në këtë gjykatë pas apelimit që Prokuroria i bëri vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm ish-kreun e Gardës, gjeneral Ndrea Prendin dhe ish-komandantin e njësisë speciale Agim Llupo. /BallkanËeb/Lajmeshqip/

Gjykata argumentoi, në shkurt të këtij viti, se akuza e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron, për shkak se nga ana e të pandehurve nuk ka patur dashje për të vrarë demonstruesit. 

Prokuroria apeloi vendimin pak ditë pas zbardhjes së tij, duke i qëndruar akuzave se Prendi dhe Llupo janë autorët e vrasjes së tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet ende e pazbardhur edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit.

 
Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 19:25

Tiranë – Televizioni informativ “A1 REPORT” transmeton pamjet filmike të akt-ekspertizës të kryera nga experti Ndoc Çardaku në rrobat e Ziver Veizit, i cili mbeti i vrarë në protestën opozitës në 21 Janarin e dy viteve më parë para Kryeministrisë.

Në video shikohet momenti i akt-ekspertimi që prokurorët akuzojnë ekspertin Ndoc Çardaku se me veprimet e tij ka vendosur vetë dy copëzat e ashklave të drunjta në këmishën e Ziverit, duke i nxjerrë më pas si prova materiale.

Fillimisht pamjet tregojnë momentin kur experti Ndoc Çardaku ka identifikuar ku është ashkla dhe ka bërë lëvizjen e saj drejt vrimës dhe e lëviz me doreza për arsyen se ashkla e drurit është e vështirë për t’u lëvizur me gishtërinj. Më pas eksperti kriminalistikes kërkon klemën në përfundim për të hequr ashklën nga këmisha e të ndjerit Ziver Veizi.

I futuar në studion e lajmeve të televizionit A1 REPOR! gazetari investigativ, Artan Hoxha, ndër të tjera deklaroi se eksperti “nuk e ka menduar se po ta dinte do të ishte përkjekur të mos e bënte këtë ekspertim me video, siç nuk janë bërë dhe ekspertime të tjera” Hoxha kujton dhe një moment të deklaratës së mjekut të Spitalit Ushtarak pasi u mësua për vrasjet e 21 Janarit, ku thotë se “në vrimat hyrëse të të tre viktimave ka pasur djegie dhe gjurmë baruti”, çka tregon se vrasjet janë bërë nga afër.

Gjatë ekspertimit, video ka momente të turbullta të pamjeve filmike ndëra për disa momente me gishta të fiksuar në këmishën e Ziver Veizit, eksperti Ndoc Çardaku duket qartë se është në pritje për të gjetur diçka në një vrimë në këmishë, ku nuk duket asgjë. Pas kësaj, nga ndihmësi i tij eksperti kërkon një klemë me anë të së cilës nga brendësia e këmishës nxjerr dy ashkla të drunjta dhe i vendos si prova materiale mbi një letër duke i rrethuar si prova materiale e më pas filmimi ndërpritet. Eksperti dëgjohet të thotë: “Më jep një klemë i çikë.. edhe një letër”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 18:31

Tiranë – Roderich Kiesewetter, raportuesi i partisë më të madhe në Gjermani për Shqipërinë, i bashkohet, siç pohoi dhe vete në intervistën e dhënë Deutsche Welle-s, kritikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vendimin gjyqsor për të shpallur të pafajshëm pjesëtarët e Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen të tre demonstruesve në 21 janar të 2011-ës.

“Nuk i njoh ne detaje rezultatet e hetimeve, por kur prokuroria konstaton se bëhet fjalë për vepra penale të shkallës më të rëndë, pasi përndryshe nuk kërkohen 23 dhe 25 vite dënim dhe më pas vjen një vendim pafajësie, këtu lipset një hetim i veçantë. Në Gjermani kjo do të çonte ne ngritjen e nje komisioni hetimor parlamentar, sepse ka paqartesi te medha për mënyrën sesi u arrit në këtë vendim. Po, e dëshirojmë një drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri, por midis kërkesës për 23 dhe 25 vjet heqje lirie dhe shpalljes së pafajësisë ka një dallim gjigant, dallim i cili është i pakuptueshëm për vendet e Bashkimit që i duan të mirën Shqipërisë, e ku ben pjese dhe Gjermania. Për këtë arsye mendoj se nje çeshtje e tille kerkon hetim, aq më tepër ne nje kohe kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Besoj që këtu së paku duhet shmangur përshtypja se vendimi mundtë jetë arritur në rrugë jo të ligjshme”, tha Kiesewetter.

Kiesewetter shton me tej se ‘që në janar 2011 e kam kritikuar sjelljen e autoriteve të drejtësisë. Vendimi për pafajësi nuk mund të jetë përfundimi i të gjitha hetimeve’, thote ai. Dhe duke pasur parasysh perpjekjet e Shqiperise per anetaresim, nje vendim i tille fiton peshë të veçantë.

Deputeti demokristian shton me tej se BE-ja nuk mund t’i lejojë vetes që të kandidojnë për aderim shtete, të cilat nuk kanë trajtuar sipas rregullave të caktuara pjesë të rëndësishme të çështjeve të hapura juridike.

“Apeli im për përgjegjësit në Shqipëri është që të kujdesen bashkarisht për zbardhjen e ngjarjeve dhe të bëjnë reklamë për vendin jashtë”, shprehet ai. “Blloku eshte i interesuar te dije perse u arrit ne kete vendim,  pra duhen zbuluar të gjitha të dhënat dhe duhet të bëhet e qartë që drejtësia shqiptare ka interes në zgjidhjen e rasteve. Nuk lejohet të krijohet përshtypja që këtu mbulohen pazarllëqe. Nëse nuk kryhet kjo zbardhje e plotë, atëherë edhe të gjithë përkrahësit e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të tërhiqen dhe do të thonë: Shqipërisë iu dashkërka më shumë kohë. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet në Shqipëri dhe që Shqipëria ta mbledhë veten dhe t’i zgjidhë shpejt e pa vonesë në javët e ardhshme incidentet e 21 janarit”, vazhdon deklarata e tij. (T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 16:01

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar sot apelimin për vendimin e Gjykatës së Tiranës të 7 shkurtit lidhur me shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011.

Lajmin e publikon Zeri i Amerikes, referuar burimeve brenda prokurorise. Sipas gjykatës, e cila pranonte se të paktën dy nga manifestuesit ishin qëlluar nga armët e përdorura nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria nuk kishte paraqitur provat që të vërtetonin se ata kishin qëlluar me dashje.

Por prokuoria vlerëson se Gjykata ka vepruar sipas saj “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente”.

Sipas prokurorisë, “Gjykata në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo”. Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Tiranës, në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke i deklaruar fajtorë për veprat penale që ata akuzuhen.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 09:01

Tirane – Pesë ditë pas verdiktit që i dha pafajësi dy oficerëve madhorë të Gardës së Republikës, treshja gjyqësore me kryesues gjyqtarin Besnik Hoxha dhe pjesëtarë Ardiana Bera dhe Arjana Caco, ka mbyllur dhe firmosur argumentimin e vendimit për dosjen e “21 janarit”.

Argumentimi i vendimit, një dokument me rreth 40 faqe, ku shpjegohen arsyet se përse gjykata shpalli pafajësinë për kreun e gardës, gjeneral Ndrea Prendi dhe për komandantin e njësisë speciale, oficerin Agim Llupo ende nuk është bërë publik, por Top Channel ka mundur të sigurojë përmes një burimi jozyrtar disa pjesë të tij.

Top Channel ka mësuar se Gjykata argumenton se akuza e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron në mënyrën se si është formuluar nga prokuroria, atë për dashjen e të pandehurve për të vrarë.

Gjykata, sipas argumentimit, nuk mohon që në 21 janar mbetën të vrarë Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, por ajo arsyeton se nuk ka elementë të akuzës së vrasjes me dashje, pasi nuk u provua se të pandehurit njiheshin me viktimat.

Sipas Gjykatës, nuk mund të ketë akuzë tjetër të seksionit të vrasjeve, sikurse janë akuzat e vrasjes nga pakujdesia, vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike, apo vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.

Gjykata është treguar e rezervuar të shprehet se për çfarë akuze mund t’i kishte sjellë prokuroria të pandehurit për gjykim, duke mos riklasifikuar akuzën, edhe pse pranon tre viktimat e ngjarjeve të 21 janarit.

Gjykata pranon ekspertizën e Byrosë Federale të Hetimit, duke arsyetuar në dy faqe të vendimit se prova kryesore e gjykimit të dosjes “21 janari” është pikërisht kjo ekspertizë.

Gjykata deklaron se e merr në konsideratë këtë provë dhe se nëpërmjet saj Gjykata ka krijuar bindjen se plumbi që ka vrarë demonstruesin Faik Myrtaj ka dalë nga arma e kreut të gardës, Ndrea Prendi.

Por gjykata kundërshton natyrën e akuzës, vrasjes me dashje në rrethana cilësuese dhe që u soll për gjykim nga Prokuroria. Në konkluzionet e sa thuhet më sipër, Gjykata në argumentimin e saj, pavarësisht se pranon vrasjet, por jo akuzën për vrasje me dashje, thotë se nuk mund të rikualifikojë një akuzë të re.

Kjo, sepse Gjykata shprehet se, e kufizojnë dy vendime të shpallura nga shkallët më të larta të gjyqësorit shqiptar. Vendimi i parë është një dokument i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 1999, në të cilin thuhet se: Gjykata nuk është organ akuze dhe nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e fakteve të paraqitura bën cilësimin e duhur ligjor të veprës.

Në këtë rast, thotë Gjykata Kushtetuese, Gjykata bën një interpretim të ligjit që ajo zbaton dhe që është në kompetencë të saj dhe nuk cënon aspak kompetencat e prokurorit.

Në këtë pikë, në argumentimin e vendimit për 21 janarin, gjykata e Tiranës shton edhe një tjetër vendim, atë të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë që i përket dhjetorit 2011.

Bëhet fjalë për çështjen e 53 fermerëve të Shkrelit, për të cilët gjatë gjykimit për sagën e gjetjes nëse bima e bllokuar nga policia ishte kërp apo kanabis, gjatë gjykimit Gjykata Penale e Shkodrës doli me vendimin e një akuzë të re, sipas të cilës të pandehurit nuk kishin bashkëpunuar rastësisht por në formën e grupit të strukturuar kriminal e për këtë arsye ajo nuk ishte kompetente, por gjykimin duhet ta bënin Krimet e Rënda.

Konfliktin mes Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës Penale të Shkodrës e zgjidhi Gjykata e Lartë, e cila u shpreh se kjo e fundit, duke ngritur një akuzë të re, ka vepruar jashtë kufijve të së drejtës duke i dhënë vetes atributet që ka Prokuroria.

Ndërsa për referimin që i bëri rastit të Strasburgut, gjykata shprehet se ka marrë në referencë rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, që oficerët e akuzuar kanë qenë në krye të detyrës në mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve të larta dhe jo për mënyrën se si janë kryer vrasjet e protestuesve.

Gjykata çmon jufstifikimin e përdorimit të armëve kur ata ndodhen në presionin apo tensionin e turmës. Këto janë vetëm disa nga argumentat e Gjykatës Penale të Tiranës, ndërkohë që të mërkurën pritet të bëhet publik i gjithë argumentimi i kësaj çështjeje. Një vendim që po pritet nga të gjithë dhe që pritet të sjellë sërish polemika. (T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 February 2013 13:50

TIRANË – Kryeministri i vendit Sali Berisha ka komentuar ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011, për herë të parë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila dha pafajësinë gardistit Agim Llupo dhe kreut të gardës Ndrea Prendi. 

Berisha gjatë një bashkëbisedim me të rinjtë e EPP (Partitë Popullore Europiane) në ambientet e kryeministrisë, akuzoi liderin e opozitës Edi Rama për kryengritje të armatosur, ndërkohë që konfirmoi se po pret ende fjalë ne fundit të drejtësisë për këtë ngjarje.

Shefi i qeverisë duke iku rikthyer zhvillimeve teksa përshkruajti detaje të asaj dite, the se 21 janari ishte ditë e zakonshme punë për të, ndaj nuk pranoi që të largohej nga zyra edhe pse kreu i opozitës sipas tij donte ti rrëmbente karrigen me kryengritës që e qëlluan me dinamit dhe gurë. 

“Ne kemi një problem se kryetari aktual i pozitës i cili në vend që të mbështesë reformat e integrimit, bën cdo gjë për ti bllokuar ato. Mw 21 janar mendoj se mund të përmbyste pushtetin me dhunë, këto protestues dhe midis tyre dhe 200-300 persona të paguar të dhe të nxjerrë nga bota e krimit, me të cilët mendoi se do përmbyste me dhunë qeverinë, pregatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se do mund të përshëndeste kryengritësit e tij, ata sulmuan në mënyrë agresive ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Mbi policinë dhe gardën u hodhën mijëra tulla, gurë dhe dinamit. Natyrisht unë isha në zyrë. Ati mendoi se unë do largohesha nga zyra, por unë jam njeri i detyrës dhe nuk kisha motiv të largohesha pasi ai ishte ditë e zakonshme për mua dhe nuk kisha ndërmend të largohesha nga zyra. Pati 4 viktima, ishte përpjekje për të përmbysur një qeveri të zgjedhur me zgjedhjet ë lira. Por, dështoi. Një proces hetimor është në vijim, kërkova që drejtësia të thotë fjalën e vet për cdo aspekt të këtij kati të shëmtuar, ne po presim”, deklaroi Berisha. 

3 ligjet, Berisha: Rama po bllokon integrimin, zgjidhja referendumi 
Kryeministri Berisha nuk ka kursyer sulmet ndaj kreut të opozitës edhe për bllokimin që sipas tij ai po i bën integrimit të vendit, nëpërmjet mos votimit të tre ligjeve të kërkuara nga BE, duke e paralajmëruar se do mbajë referendum nëse ai nuk ndryshon qëndrim.

“Pasi bllokoi vendin me këto akte, tani kërkon bllokimin e 3 ligjeve që janë në Parlament, për të cilat u ra dakord dhe tani është tërhequr. Pse është tërhequr. Pasi do të vendosë një mur qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. Në këtë kushte ne po shkojmë drejt Referendumit dhe do jetë për këto ligje që i pengon zotëria”, theksoi Berisha. 

Zgjedhjet, Berisha: Rama pas disfatës do i kundërshtojë
Duke iu përgjigjur interesit të rinisë evropiane , Berisha i konfirmoi se qeveria do zhvilloi zgjedhjet ë rregullta, por sipas tij lideri i së majtës, do i kontestojë pas disfatës. Kryeministri shqiptar tha se kodi elektoral i mbështetur në përvojat më të mira evropiane siguron zgjedhje transparente apsi ka sitetmin mët ë sigurtë të numërimit të votave..

“Rama pas cdo disfatë elektorale deklaron se më vodhën votën, problemi është ndryshe. Ne kemi sistemin me transparent të numërimit të votave dhe kjo i ka shpëtuar zgjedhjet tona. Sistemi ynë i numërimit është shpëtimtar kur ka persona që nuk duan të pranojnë votën. Një pjesë të tij e morëm nga Britania e Madhe. Domethenë përqendruam dhe të gjithë sa janë në tavolinën e numërimit, qofshin komisionerë apo vëzhgues janë me të drejtë vetoje. Përshembull, në rast se të të gjithë thonë se kjo është fletë votimi dhe një thote nuk është, fleta e votimit futet në një zarf që quhet zarfi i të kundërshtuarave. Kur fleta e votimit është e vlefshme pasi është vlerësuar me sy vendoset në një skaner, filmohet dhe fotografohet, projektohet në mur dhe transmetohet në kohë reale në KQZ. Ky sistem i saktë ka bërë që cdo lloj pretendimi të faktohet nul, i pavlerë. Zgjedhjet që vijnë do jenë të rregullta, dhe natyrisht Rama nuk do njohë rezultatin sepse ai nuk njeh asnjë rezultat që i jep humbjen ati. E dini historinë sesi humbi. Thjesht. U numëruan votat, ditën e votimit para qytetarëve kishte 4 kuti votimi. Kuti për kreun e bashkisë, për këshillin e bashkisë, për këshillin e minibashkisë, dhe kryetarin e këshillit të minibashkisë. Qytatarët gjatë votimit ngatërronin kutitë. Në kodin e komisionit të Venecias, në kodin ndërkombëtar të zgjedhjeve të mira, në ligjet e të gjitha vendeve tona ato janë vota të vlefshme. Ky zotëria nuk pranonte që të numëroheshin. E rrethoi KQZ me qëllim bllokimin e numërimit, ajo nuk mund të ndodhte pasi vota e cdo qytetari do numërohej, dhe u numërua duke u paraqitur para 5 kamerave dhe nuk kundërshtohej asnjë votë. Kandidati ynë doli me 91 vota më shumë dhe fiti zgjedhjet. Ndaj problemi i zgjedhjeve është i zgjidhur”, theksoi Berisha.

Berisha: Anëtarësimet në PD, certifikata e fitores më 23 qershor
Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë një bashkëbisedim me të rinjtë e EPP (Partitë Popullore Europiane) në ambientet e kryeministrisë vlerësoi se anëtarësimet e reja në PD, janë certifikata e fitores së kësaj partie në zgjedhjet që Shqipëria po përgatitet të mbajë më 23 qershor.

“Unë dua t’ju rrëfej se kjo parti është e lidhur me shumë se cdo parti tjetër që ju mund të imagjinoni, me të rinjtë dhe të rejat. Por, po të shkojmë 22 vjet me parë kjo është dhurata me e bukur që të rinjtë e e vendit i bënë kombit shqiptar. Ata mbeten energjia kryesore e kësaj partie por edhe vizioni më i ndritur i saj. Ata kanë luajtur rol përcaktues në të gjitha iftoret e PD-së dhe në të gjitha reformat e realizuara nga kjo pati gjatë gjithë këtyre viteve. Unë dje isha në durrës, ku mund t’ju them të vërtetën se u mrekullova, takova 3 mijë të rinj, që sapo ishin anëtarësuar në PD në qarkun e Durrësit, nuk mund të kishte besim më epror sesa besimi i të rinjve në këtë parti. Pas 22 vitesh themelim dhe 8 vite në pushtet, ky besim dhe mbështetje është certifikatë e fitores së ardhshme”, deklaroi Berisha.
(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 20:07

Prishtinë – Akademiku Rexhep Qosja e ka konsideruar vrasje të dytë vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për “21 Janarin”.

“Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist, i cili mendon, gjykon dhe burgos siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste,” shprehet Qosja.

Ai pohon se: “Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka adet t’i komentojë krimet e tij: Nuk i ka komentuar dhe nuk i komenton në asnjë fushë të jetës kombëtare”.

“Garda Kombëtare, tha ai, ka mbrojtur qeverinë! Qeverinë që s’e rrezikonte kush? E dëgjuat çka tha një gjykatës a avokat? Gjykata jonë, tha ai, mori vendim në nivelin e vendimeve për çështje të njëjta të gjykatave evropiane! Kjo mendje katërkëmbëshe gënjen poshtër. Gardistët evropianë nuk i vrasin protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth saj. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë. Mbas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarve për 21 janarin, kryeministri i vendit, njëkohësisht edhe kryetar i partisë në pushtet, (që pretendon të jetë serish në pushtet edhe pas 23 qershorit), doli në një konferencë për mediat, ku foli për arritjet në bujqësi e blegtori, duke refuzuar të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës,” deklaron Qosja.

Qosja i bën apel opozitës që “mospajtimin e saj me këtë krim të ri mund ta shprehë si duhet, përgjegjshëm, ngushëllueshëm për familjet e të vrarëve vetëm me demonstratë popullore. Mu aty, në atë shesh, ku janë vrarë ata”. (LajmeShqip.com)