Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 14:52

Vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar të 2011 janë ngritur si çështje shqetësuese në Strasburg ku po zhvillohet takimi dy ditor i Komitetit të Shtatë Ndërparlamentar i Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë.

Eurodeputetja Tanja Fajon ka ngritur pyetje në lidhje me çështjen e 21 janarit.

“Është e papranueshme që nuk ka ende autorë,” ka thënë Tanja Fajon. Deklaratën e bërë në Parlamentin Europian Fajon e ka postuar në Twitter, raporton shqiptarja.

 
Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:41

Njëri nga ish-komandantët e të ashtëquajturve “grupet e zjarrit” në protestën e 21 janarit, emërohet drejtor në kompaninë shtetërore “CEZ Shpërndarje”.

Agron Malaj, mësohet se prej katër ditësh ka marrë këtë detyrë, duke drejtuar CEZ-in, për rajonin e Burrelit, që përfshin pesë rrethe: Mat, Dibër, Bulqizë, Kurbin dhe Mirditë. Vendimi për emërimin e tij në këtë detyrë është marrë nga Administratori i Përgjithshëm i CEZ, Arben Seferi, i cili ka liruar nga kjo detyrë ish-drejtorin, që ishte emëruar nga qeveria aktuale para disa muajsh.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë kësaj kompanie, të cilat thanë për “Shqiptarja.com” se ish-gardisti është emëruar në krye të këtij posti vetëm disa ditë më parë. Agron Malaj në muajin Tetor është larguar nga Garda me një vendim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe komandantit aktual të Gardës së Republikës Gramoz Sako. Momentalisht vendimi i ministrit është kundërshtuar në gjykatën, ku po zhvillohet një gjyq civil-administrativ për këtë çështje. Malaj ka qënë pjesëmarës në “grupet e zjarit” në 21 janar, ku ka qëlluar me armë zjarri kundër demonstruesve.
 
Detyra në 21 janar
Në protestën e 21 janarit të zhvilluar nga Partia Socialiste para godinës së Kryeministrisë, Agron Malaj ka qënë me detyrë komandant seksioni në grupet e zjarrit. Shpesh herë ai është parë në 21 janar të qëllojë, ndërkohë që, në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës,  thuhet se Malaj ishte planizuar së bashku me disa persona të tjerë të qëndronin në gadishmëri për të hapur zjarr me armë luftarake.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ”Një grup me komandant Agron Malaj dhe komandant grupi toger Spartak Zilja, nënoficer Meleq Zaimi dhe persona të tjerë ishin caktuar në gadishmëri për hapjen e zjarrit me armë luftarake, në rast të çarjes së kordonëve të seksionit të dytë, të njësisë së dytë dhe grupit të njësisë speciale nga krahu i djathtë nga hyrja e ministrave, për pengimin e protestuesve në teritorin e Kryeministrisë”
 
Shkarkimi në tetor
Në muajin tetor Agron Malaj është përjashtuar nga rradhët e Gardës së Republikës. Vendimi është marrë nga ministri Tahiri. Ky vendim tashmë është kundërshtuar në gjykatë, ndërkohë që Malaj momentalisht mban postin e drejtorit të “CEZ Shpërndarja” për një nga rajonet veriore të vendit. Malaj ka qënë një nga dëshmitarët e prokurorisë së Tiranës në gjyqin e dy ish të pandehurve Agim Llupo dhe Ndrea Prendi.

Ai ka pohuar në gjykatë se në 21 janar përballur me një turmë agresive dhe vendosjen në kolonë, sipas rregullave, e kishin të pamundur, kjo për shkak të goditjeve nga shumë anë me sende të ndryshme. Sipas Malajt, në momentin kur janë sulmuar, kanë qënë rreth 100 protestues, të cilët në disa momente arritën të hynin dhe brenda territorit të Kryeministrisë. Në dëshminë e tij, Agron Malaj tregon se në fillim kur ka dashur të qëllojë, i është bllokuar arma, dhe s’ka mundur të hapë zjarr në ajër. Malaj sqaron në dëshmi se njësia e tij ka pasur vetëm fishekë luftarakë. Më tej në dëshmi ai pohon se për viktimat e ka mësuar lajmin në radio teksa largohej me makinë nga Kryeministria përnë Gardën e Republikës./shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 11:26

Tre vjet pas humbjes së baballarëve të tyre, fëmijët e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt të vrarë gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 para Kryeministrisë, hedhin në gjyq Gardën e Republikës.

Sipas gazetës Panorama, familjet dëmtuara kërkojnë përkatësisht 15 dhe 14 milionë lekë të rinj për dëmin pasuror dhe moral të pësuar nga humbja e të afërmve të tyre.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 15:41

Sot shënohet 3-vjetori i ngjarjeve të 21 Janarit të vitit 2011. Partia Socialiste mbajti një ceremoni përkujtimore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kryeministri Edi Rama zbuloi fillimisht pllakat përkujtimore prej bronzi, në nder të katër viktimave Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.

Përpara nisjes së ceremonisë Rama ka dhënë edhe një mesazh të fortë ndaj sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar një reformë të thellë dhe zbardhjen e plotë të vrasjes së 4 protestuesve.

“Vetë nuk e kam harruar për asnjë çast, që nga dita që kam hipur këto shkallë se nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. S’do ta harrojmë se, ky i yni është një mandati për t’i dhënë kuptim fjalës ‘Drejtësi”. Për të luftuar që drejtësia të bëjë drejtësi. Që e drejta të mos jetë një mall që blihet dhe shitet në dyert e Prokurorisë apo gjykatave. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por një nga gjërat që s`ka ndryshuar për Shqipërinë është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë. Është ferri ku treten shpresat dhe kur përqeshet një Shqipëri e tërë përpara sprovës, mes të drejtës dhe organeve të drejtësisë”, ka theksuar Rama.

Rama në fjalën e tij u shpreh se, kanë ndryshuar shumë gjera nga 21 janari, pasi qeveria e re nuk do të ngjallë më frikë te qytetarët, por do të punojë për ta.  “Kjo godinë nuk është më fasada ku dilnin tytat e armëve për të qëlluare mbi njerëzit në emër të pushtetit të vjetër, por qeveria e zgjedhur nga njerëzit punon me njerëzit dhe për njerëzit. Ky bulevard nuk është kufiri i frikës, dhe qytetarët protestojnë pa frikë. Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari i 2011”.  

 

Ai i cilësoi ngjarjet e 21 Janarit një pushkatim pa gjyq, pa ligj pa mëshirë, në sytë ë një populli të tërë të marrë peng. Sipas Ramës, “ky popull s’është më peng i një votë të vjedhur, i një qeverie të pazgjedhur, i një pushteti që e grabit sa të mundet, që e tradhton si të mundet. Ende s’jemi çfarë meritojnë të jemi, pasi Shqipëria vuan ende varfërinë, papunësinë, borxhet e një qeverie të shkuar. Por, sot Shqipëria as rrezikon të kthehet më aty ky ishte, në 21 janarin e tre viteve më parë, as rrezikon të mbetet aty ku ishte, sot pushteti është kthyer në duart e popullit. Shumë gjëra kanë ndryshuar”, tha kryeministri Rama.

Më pas kryeministri i shoqëruar edhe nga familjarët kanë vendosur lule në 4 pllakat përkujtimore prej bronzi të katër viktimave.   Ndryshe nga vitet e tjera këtë herë bashkë me kryeministrin Rama, veç deputetëve të PS-së dhe familjarëve, në bulevard kanë qenë edhe aleatët e qeverisë, deputetë dhe drejtues të LSI-së. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili theksoi se, duhet të zbardhjet ngjarja e 21 Janarit. “Kemi ardhur për të nderuar viktimat, nuk ndryshuam qëndrim,21 Janari duhet të zbardhet”, u shpreh ai. 

Katër persona janë vrarë gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë në 21 janar të vitit 2011. Çështja e vrasjes së katër protestuesve, aktualisht po shqyrtohet në gjykatën e Lartë, por asnjë prej përgjegjësve për këtë tragjedi nuk ndodhet aktualisht në burg.

Familjarët: Kërkojmë vepra, jo fjalë

Djali i njërit prej viktimave është shprehur i indinjuar me drejtësinë shqiptare, edhe pse kanë kaluar 3 vite, asnjë përgjegjës nuk është vënë para drejtësisë për vrasjet në protesta. 

Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj i vrarë në protestën e “21 janarit”, pas tre vitesh të vrasjes së babait të tij vazhdon të kërkojë drejtësi dhe fajëson ish-kryeministrin Berisha, i cili i ka mbrojtur personat që vranë katër njerëz të pafajshëm. “Berisha në momentet e fundit, ata njerëz që kanë kryer krimin, i ka mbrojtur tepër mirë, duke i larguar jashtë vendit, ndërkohë që sistemin e gjyqësorit e ka bërë si i ka dashur qefi, prandaj populli shqiptar, ashtu si dhe familja ime nuk ka pse të çuditen, kur për këto vrasje nuk ka asnjë autor”, u shpreh Renato Myrtaj për “A1 Report”.

 Djali i Faik Myrtaj thotë se beson se kryeministri Rama do të punojë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thekson se tani nuk “do më fjalë, por vepra”.

 “Tani besimi im është vetëm të kryeministri Rama. Është shpejt pasi me tre muaj nuk mund të bëhet gjë për të zbuluar autorët, pasi ai ka marrë një qeveri që ishte komplet në humnerë. Kryeministri është shprehur se kjo do të zbardhet, por boll me fjalë, dua vepra”, vijoi Renato Myrtaj.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 11:19

Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi shprehet se tre vitet që shkuan dhe që s’e vunë dot drejtësinë në vend, tregojnë se sistemi i ynë i drejtësisë është i korruptuar, përveçse ekonomikisht dhe politikisht. Për Fatos Klosin, përgjegjësia e plotë për moszbulimin e ngjarjes së 21 janarit është e sistemit të drejtësisë, pasi sipas tij, policia në këtë rast ishte palë dhe prej saj nuk është pritur drejtësi. 

 

Sot bëhen 3 vjet nga ngjarja e 21 janarit ku humbën jetën 4 demonstrues. Si e shikoni mungesën e dënimit për përgjegjësit e asaj ngjarjeje?

Natyrisht, është e pafalshme për shtetin shqiptar, që për një ngjarje që ndodhi në mesin e bulevardit, para të gjitha kamerave fotografike dhe televizive, akoma nuk ka mundur të japë drejtësi. Natyrshëm mund të themi se është përgjegjësi e plotë e sistemit të drejtësisë, pasi policia në këtë rast ishte palë dhe prej saj nuk është pritur drejtësi. Tre vitet që shkuan dhe që s’e vunë dot drejtësinë në vend, tregojnë se sistemi i ynë i drejtësisë është i korruptuar, përveçse  ekonomikisht dhe politikisht. U morën vetëm me aspektet teknike të ngjarjes:  se kush armë bëri qitje, kush e përdori etj, por asnjëherë nuk u morën me linjën e urdhrave, pasi me siguri përgjegjësia do të shkonte shumë lart. Kush urdhëroi fshirjen e filmimeve të sistemit të sigurisë së Kryeministrisë, me siguri, e ka bërë se në ato filmime kishte prova për përgjegjësitë. Kush urdhëroi që gardistët “të burgoseshin” për tre ditë në godinën e Kryeministrisë, me siguri, e bëri për tu ruajtur nga “dalja e llafit”. Kush e sulmoi rëndë Prokuroren e Përgjithshme,  me siguri, e bëri për të trembur të gjithë vartësit e saj dhe të tjerë. Sigurish ka dhe mjaft fakte të tjerë jo teknikë, që tregojnë hapur se për ngjarjen e 21 janarit dhe vetë fajtorët e kanë të qartë se kanë bërë një krim, që duhet fshehur. Edhe në raste të tjera, pak a shumë kështu kanë vepruar. Problemi nuk është ky, problemi është pse janë lejuar ta bëjnë këtë?!

A mendoni se mazhoranca e tanishme, e cila ka 4 muaj në pushtet, duhet të ndikonte për përshpejtimin e zbardhjes së vërtetës?

Mazhoranca e tanishme nuk e komandon sistemin e drejtësisë, por ajo duhet të përpiqet që të gjejë prova të reja, për ta rihapur procesin dhe ta mbrojë më mirë atë. Nuk do të jetë e lehtë pasi fajtorët i kanë manipuluar rëndë provat, megjithatë dëshmitarët janë gjallë dhe ka prej tyre që duan ta thonë të vërtetën.

Opozita e dikurshme, sot në pushtet, ka akuzuar ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e brendshëm Basha për vrasjen direkte të protestuesve. Sa e mundshme është vënia nën përgjegjësi e këtyre dy zyrtarëve?

E thashë dhe më parë, nuk më duket e pamundur. Problemi më i vështirë sipas meje është “kapërcimi  i ylberit”.

Sa i përket drejtuesve të SHISH-it, a duhet parë dhe riorganizimi i asaj strukture që nuk mori masa për parandalimin e ngjarjeve?

SHIK-u, si të gjithë institucionet e tjera të shtetit, e ka kohën për t’u riorganizuar në koncepte, në struktura dhe në prioritetet e punës, por kjo nuk lidhet me pozicionin e tij në ngjarjet e 21 janarit. Ajo ngjarje nuk parandalohej dot nga puna e SHIK-ut. Çfarëdo që të bënte ai, nuk mund të frenonte mendësinë perverse të Kryeministrit (që është dhe shefi i tij direkt) se kishte ardhur rasti që të tregonte se është vetëm ai  “që e bën zap këtë popull”. Në asnjë vend të botës shërbimet inteligjente nuk janë konceptuar për të “ndaluar” kryeministrat, pasi asnjë ligjvënës në kondita normale, nuk mund të parashikojë që kryeministri do të jetë “e keqja”.

Si e shihni rolin e drejtësisë dhe deklaratat e Ambasadorit Amerikan Arvizu për këtë çështje?

Roli i drejtësisë në një demokraci  funksionale është shumë i rëndësishëm, pasi të gjithë konfliktet midis qytetarëve dhe midis shtetit dhe qytetarit, përfundojnë tek ajo. Prandaj, kur sistemi i drejtësisë bëhet palë, demokracia nuk është më e tillë. Për këtë arsye amerikanët besojnë tek drejtësia, prandaj dhe ambasadori amerikan ka qenë shumë këmbëngulës në deklaratat e tij për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë, për nevojën e luftës kundër korrupsionit ekonomik dhe politik në radhët e tij./Shekulli online/ 

 
Lajme Shqip Friday, 17 January 2014 13:45

Më 21 janari  do të shënohet 3 vjetori i protestës para Kryeministrisë së Shqipërisë, ku humbën jetën Faik Myrtaj, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda.  Në nder të tyre, kryeministri Rama personalisht është angazhur t’i ngrejë memorialet, por me ndjeshmërinë e një artisti, raporton TV AS.

Prej 1 muaji deputetit Artan Gaçi i është ngarkuar përgatitja dhe vendosja pllakave memoriale në nder të tyre.

“Nuk do të ketë mbishkrime. Shenjat që reflektojnë janë si hije të viktimave në Bulevard, që flasin vetë. Kujtimi i tyre tragjik flet vet, këto do të jenë të përjetshme këtu dhe nuk donim ta banalizonim duke kaluar me mbishkrime. Objekti të kishte edhe vlera artistijke dhe historike’, tha Artan Gaçi.

Vetë kryeministri inspektoi punimet për vendosjen e pllakadave që  do të bëhen njësh me trotuarin. Sipas deputetit Gaçi, nderimi i katër viktimave nuk do të mbetet me kaq.

”Pa u vënë drejtësia në vend nuk quhet i shlyer detyrimi që ka partia socialiste dhe qeveria Shqiptare ndaj viktimave të 21 janarit. Kjo është thjeshtë një monumentë një memorial përkujtimor në vendet ku ata kanë rënë.” tha Artan Gaçi.

Pllakat po përgatiten prej 1 muaji, duke studiuar vendosjen e tyre me arkitektë të huaj, në mënyrë që gjatë protestës së përkujtimore para Kryeministrisë në 3 vjetorin e ngjarjes së dhimbshme të jenë gati.

”Nuk do të jenë të ngritura nga trotuari, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi vizual. Ato janë të futura në folenë e tyre dhe do të jënë në një nivel me trotuarin dhe rrugën. kjo forma që rrjedh nga trotuari në bordurë dhe nga bordura në xhade, nga ana formale është një zgjidhje shumë atraktive.” tha skulptori.

Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë Beqja kërkoi heqjen e licencës për 3 vjet për 2 mjekë në Spitalin e Traumës, pasi sipas tij dezinformuan opinionin publik për ngjarjen e 21 janarit duke shkelur Kodin e Etikës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 January 2014 12:32

21 janari,Të hetohen deklaratat e mjekëve për vrasjet

Ministri i Shëndetësisë kërkon të hetohen deklaratat e dy ish drejtuesve të Spitalit Ushtarak pasditen e 21 Janarit menjëherë pas vrasjes së 4 protestuesve para godinës së Kryeministrisë.

Përmes një letre drejtuar Urdhrit të Mjekut Beqaj  kërkon të fillojë procedimi dhe Gjykimi pranë Komisionit Disiplinor të Urdhërit të Mjekut për mjekët e spitalit ushtarak Sami Koçeku dhe Alfred Gega në lidhje me deklaratat televizive që ata bënë në lidhje me vdekjen e  4 protestuesve.

Po kështu kërkohet dhe  heqja e përkohëshme e Liçencës për ushtrimin e profesionit për një periudhë 3 vjet si dhe detyrimin për rikualifikim profesional dhe për studime plotësuese për këta dy mjekë.

Mjekët deklaruan se vdekja e protestuesve kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt.

“Ndërkohë që shumë mjekë e infermierë të përkushtuar ndaj detyrës, qëndronin dhe ju shërbenin pacientëvë, të dy këta mjekë, më qëllim të qartë politik, jepnin intervista ne tv. duke  deformuar realitetin dhe dizinformuar publikun, mbi gjëndjen shëndetësore dhe shkakun e vdekjes së shtetasve:  Ziver  Veizi  Hekuran  Deda, Faik Myrtja,  Aleks Nikaj.

Mjekët deklaruan se vdekja e shtetasve të sipërcituar, kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt, duke marrë kështu përsipër të bënin dhe punën e ekspertit balistik.”- thuhet në letrën që i është dërguar Urdhrit të Mjekut. 

“Thëniet e tyre janë tërësisht të pavërteta dhe krahasuar me Akt-ekspertimin mjeko ligjor që ju është bërë viktimave nga Instituti I Mjeksisë Ligjore, ato bëhen edhe më të rënda, pasi janë jo vetëm në shkelje të Kodit të Etikes, por shkojnë deri në element të vepres penale. Kështu, lidhur me shkakun e vdekjes së viktimave, është administruar si prove të cilën po jua paraqesim dhe juve.”- nënvizohet më tej në letrën e ministrit 

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 November 2013 17:48

Ish-gardisti i përfshirë në ngjarjet e 21 janarit, Fatos Skeja, njëherësh edhe ish-truprojë e djalit të Berishës, ka paditur Gardën e Republikës dhe Ministrinë e Brendshme në Gjykatën e Tiranës për lirimin e tij nga detyra.

Padia është regjistruar disa ditë më parë në gjykatë. Skeja kërkon nga gjykata që t’i njihet e drejta e pagës për 24 muajt e ardhshëm, pasi siç pretendon ai, Garda ia ka zgjidhur në mënyrë të menjëhershme dhe të njëanshme kontratën e punës. 

Çështja, e cila mban numrin 19173, regjistruar më 8.11.2013, ndiqet nga Gjykata e Shkallës së Parë, me gjyqtare Anila Capo-Zere. 

Ai kërkon anulimin e urdhrit nr. 577, datë 18.10.2013 të ministrit të Brendshëm si edhe pagën e 24 muajve për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës. /shekulli/

 
Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 11:03

“21 janari”, Ndreca relator i dosjes për Prendin, Llupon e Kumen
Tom Ndreca, një nga gjyqtarët më të sulmuar nga maxhoranca aktuale, do të jetë relator i një prej dosjeve më të përfolura në drejtësisë shqiptare, “21 janari”.

Ndreca u përzgjodh nga shorti si relator i dosjes me tre tëpandehurit, Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës së Republikës, ish-gardisti Agim Llupo dhe Margarit Kume, të akuzuar për ngjarjet e dhunshme të 21janarit.

Anëtarë të kolegjit penal do të jenë, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli, Edmond Islamaj dhe Aleksandër Muskaj. Ndrea Prendi, akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe u dënua nga Apeli me 1 vit burg, ndërsa Agim Llupo u dënua me tri vite burg për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Të dy të pandehurit në Gjykatën e Tiranës, morën pafajësinë.

Prokuroria kërkoi në Gjykatën e Lartë dënimin me 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon. Kolegji penal me në krye Ndrecën, pritet të caktojë datën e nisjes së procesit gjyqësor, që është dhe beteja e fundit e prokurorisë, për të dënuar dy të pandehurit, për vrasjet e demonstruesve para godinës së Kryeministrisë. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj, u vranë gjatë demonstratës së 21 janarit 2011. Aleks Nika mbeti i plagosur dhe gjeti vdekjen pak ditë më vonë, në një spital në Turqi. /albeu/

 
Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 16:15

Tiranë- Ashtu siç ishte paralajmëruar ka nisur reforma edhe në Gardën e Republikës. Me propozim të komandanti të Gardës Gramoz Sako, ministri i Brendshem Saimir Tahiri raportohet se ka firmos perjashtimin nga garda te tete efektiveve, mes tyre edhe oficere te lakuar si ‘grupi i zjarrit’ pergjate protestes se 21 janarit 2011. 

Nje burim i tha Top Channel se aktualisht po verifikohet se si kane perfituar grade pas zgjedhjeve te 23 qershorit disa oficere ne kete institucion, ne nje kohe qe pritet qe te propozohet perjashtimi edhe per 18 efektive te tjere, që rezultojne se nuk janë paraqitur në detyrë. 

Sipas burimeve jane liruar e me pas perjashtuar nga radhet e Gardes me motivacionin per thyerje te dispilines dhe shkelje te betimit. oficeri Fatos Skeja, se fundmi i angazhuar ne njesine speciale, por para 23 qershorit njihet si shoqerues i familjes se ish-Kryeministrit Berisha, por gjithashtu edhe nje emer i lakuar ne dosjen hetimore per rastin e  nje gjobevenieje ne Tirane. 

Jane liruar e perjashtuar edhe ish-shoqeruesi i ish-komandantit te Republikes, Ilir Duraku, dhe ish-komandanti i njesise speciale Agron Malaj i perfolur si pjesetar ne ate qe u identifikua si grupi i zjarrit me 21 janar. 

Po ashtu eshte liruar nga detyra edhe nenkapitene Marjana Prendi, bashkeshortja e ish-komandantit te Gardes se Republikes Ndrea Prendi. Rezulton, thane burimet, se te perjashtuarit kane udhetuar jashte Shqiperise pa lejen e ministrit te Brendshem, nje rregullore kjo e percaktuar qarte per efektivet e Gardes. 

Nderkohe ka paraqitur doreheqjen nga detyra, Drejtori i Ruajtjes se Personaliteteve ne Garde Bashkim Boletini.

Ne fund te muajit shtator gjate ceremonise se prezantimit te kreut te ri te gardes, ministri i Brendshem  Saimir Tahiri deklaroi se brenda 100 diteve do te mbyllet procesi i reformimit ne kete institucion qe pritet te mos jete me nen varesi te Ministrise se Brendshme, por te Drejtorise se Pergjithshme te Policise se Shtetit. / Top Channel/