Lajme Shqip Wednesday, 02 January 2013 14:07

PRISHTINE – Në Kosovë fëmija i parë i vitit 2013 është djalë. Ai ka lindur në orën 00:01 dhe mban emrin Edi. 

Nëna Afërdita Zogaj nga Prishtina tregon se ai është fëmija i gjashtë i saj, ndërsa i vogli është në gjendje të mirë shëndetësore dhe peshon 4 kilogram e 600 gram, ndërsa 58 centimetra i gjatë.

“Jam shumë e lumtur që pas 5 vajzave tashmë kam një djalë, e që është dhurata më e bukur për vitin 2013. Urime të gjithëve 2013-ta, gëzuar!”, tha ajo për mediat kosovare.

Për ta përshëndetur dhe uruar nënën dhe Edin e vogël në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, erdhi edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahajga, por edhe drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi dhe sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani. 

“Urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri. Nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë të shëndetshme të lumtur dhe me shumë begati. Të kalojë një fëmijëri dhe një jetë afër dashurisë prindërore, familjare dhe një jetë të suksesshme dhe një të ardhme me plotë të mira dhe mbarë në familjen e tij. Dua ta përgëzojë stafin dhe personelin e QKUK-së, klinikën gjinekologjike të Prishtinës dhe gjithë personelin dhe stafin e shërbimeve shëndetësore që gjithmonë japin shërbime kualitative dhe janë pranë qytetarëve”, tha Jahjaga.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 30 December 2012 16:55

TIRANE – 2012-a ishte viti i grupeve muzikore të djemve, një rikthim i lavdisë së kohës së grupeve ‘N Sync dhe Backstreet Boys. Grupi The Wanted, që u krijua nga provat në masë të muzikantëve, ishte i suksesshëm në Britani, por fitoi edhe më shumë famë kur menaxheri i Justin Bieber, Scooter Broën, filloi të punonte me ta.

Kënga ritmike “Glad you Came” bën pjesë në albumin e dytë “Battleground” dhe është shitur në tre milionë kopje vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një nga pjesëtarët e grupit, Max George fitoi përkohësisht një admiruese të re të flaktë” Lindsey Lohan.

Grupi One Direction, u mor në patronazh nga Simon Coëell, dhe hyri në histori në vitin 2012. Ata ishin grupi i parë britanik që kapën numrin një në klasifikim në Shtetet e Bashkuara me albumin e tyre të parë dhe turma adoleshentësh në gjithë botën u magjepsën me ta. “Live While You’re Young” e albumit të dytë të One-Direction “Take Me Home”, u bë kënga më e shitur para se të dilte në treg në histori. Tani ata kanë një biznes me vlerë prej 50 milionë dollarësh.

Disa mund ta pëlqejnë dhe disa mund të mos të duan ta dëgjojnë, por një nga këngët më të preferuara të vitit 2012 dhe që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon e quajti ‘një forcë për paqe në botë’ ishte “Gangnam Style” i yllit korean PSY.

Kjo këngë sensacionale që është parë një miliard herë në YouTube, ka si admirues artistët Britney Spears, Katy Perry, T-Pain, Nelly Furtado dhe Josh Groban. Videoja dhe humori i saj shërbyen si frymëzim për një milion parodi dhe e çuan këngën në numrin një të klasifikimit në mbi 30 vende.

“Vallëzimi si galop, ishte i famshëm në vitet ’80. Për 12 vjet në Kore, unë kam bërë poza të ndryshme të pazakonta vallëzimi. Unë nuk jam një artist i zakonshëm. Prandaj lëvizjet e mia të vallëzimit duken ndryshe. Fytyra ime është serioze, por vallëzimi nuk është serioz”.

Një sukses tjetër këtë vit ishte Payphone e albumit Overexposed të grupit Maroon Five. Kënga doli në krye të klasifikimit në mbi 30 vende.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 16:24

Tirane – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka organizuar në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë pritjen e përvitshme të personaliteteve të medias shqiptare.

Ai e cilësoi median si pasurinë më të madhe të vendit.

“Gjatë këtij mandati qeverisës, media ka qenë de facto opozita e shkëlqyer e vendit”, ka deklaruar Berisha.

Ai më pas ka folur për spontanitetin e organizimit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, me ç’rast ka thënë pohuar se askush nuk duhet t’i trembet nacionalizmit shqiptar, i cili është nacionalizmi më qytetar dhe tërësisht i frymëzuar nga vlerat e lirisë.

“Do të ishte e pafalshme që për shkak të barbarive të nacionalizmave të tjerë, të vendosim në të njëjtin shtrat nacionalizmin shqiptar, që nuk bazohet mbi urrejtjen dhe shfarosjen”, ka thënë Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 16:52

TIRANË – Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë festat e fundvitit me dhjetë nxënësit më të dalluar nga çdo qark i vendit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe i biri, në një atmosferë të ngrohtë festuan me nxënësit më të dalluar të 12 qarqeve të vendit festat e fundvitit. Në festën e organizuar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës ishin ftuar 10 nxënësit më të dalluar të çdo qarku, të cilët shoqëroheshin nga mësuesit dhe drejtuesit e drejtorive arsimore të qarqeve përkatës.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti i Republikës i falenderoi dhe i uroi nxënësit për rezultatet e larta në mësime, të cilat janë frut i përpjekjeve të mëdha të vetë nxënësve, por edhe i punës e përkushtimit të mësuesve. Duke u uruar nxënësve një Vit të Ri të gëzuar dhe të jenë sa më të suksesshëm, Kreu i Shtetit u shpreh se viti që po mbyllet ishte një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët, të cilët kujtuan me madhështi 100-Vjetorin e Pavarësisë së vendit, por edhe një moment kur shqiptarët treguan dashurinë e madhe për Atdheun. 

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Ajo e meriton që të ketë njerëz po aq të mirë. Kështu që, unë dëshiroj të shpreh të gjithë besimin që, ju do të bëheni jo vetëm banorët më të mirë në breza të këtij vendi, por do të jeni dhe drejtues shumë të mirë të këtij vendi. Jam plotësisht i bindur që, Shqipëria ka një të ardhme të shkëlqyer, ndaj për këtë të ardhme duhet që ne së bashku t’i ofrojmë vendit përpjekjet dhe punën tonë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani duke përshëndetur prindërit e fëmijëve për mundësitë që u kanë krijuar për t’u shkolluar, u kërkoi nxënësve të ruajnë respektin më të lartë ndaj mësuesve. “Unë kam një kërkesë të veçantë për ju. T’i doni shumë mësuesit tuaj, t’i respektoni shumë dhe t’u bëheni krah edhe në momente të vështira, që ata kanë gjatë ditës së mësimit, sepse ata kanë nevojë dhe për përkrahjen tuaj. Ju mund të mendoni, se mësuesi është shumë i fuqishëm dhe nuk ka nevojë për ndihmë. Unë besoj që ata kanë nevojë për ndihmën tuaj. Kështu që unë do t’ju kërkoja që, ju në çdo moment t’ua ofroni këtë ndihmë, t’ua ofroni këtë bashkëpunim”, theksoi Presidenti Nishani.

Në fund të fjalës së tij, Kreu i Shtetit shprehu sigurinë se, viti i ardhshëm do të sjellë edhe më shumë investime për infrastrukturën e shkollave, mjediset e studimit dhe mësimit, duke shprehur bindjen se Shqipëria ka një të ardhme të shkëlqyer përpara, për të cilën duhet të përpiqen dhe të kontribuojnë të gjithë. Më pas, Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë shpërndanë dhurata për të gjithë nxënësit, të cilët patën mundësinë të ruajnë një kujtim të veçantë me Kryetarin e Shtetit.(SH.O/LajmeShqip.com)