Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 14:58

Shkup-  Parulla “Smrt sa shiptarite” (Vdekje shqiptarëve) e skalitur në murin ballor të Shtëpisë së  Alfabetit, nuk i ka bërë përshtypje, as zëvendës kryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferit, as ministres së Kulturës së Maqedonisë, Elisabeta Kançeva Milevska, as sekretarit shtetëror të ministrisë së Kulturës, së Maqedonisë,  Muzafer Bislimi. Po ashtu kjo parullë nuk i ka bërë përshtypje as Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mimoza Kumbaro si dhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Veton Firzi, megjithëse këto dy të fundit ndoshta nuk e kanë kuptuar domethënien e parullës, pasi nuk dinë maqedonisht, shkruan “Lajm”.

Që të gjithë këta politikanë së bashku me akademikë e historianë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria hynë të premten në Shtëpinë e Alfabetit, ku dhe u shënua 105 vjetori i A, B, C -së shqip dhe aspak nuk e vunë re parullën e vdekjes që i priste te dera.

“Ndoshta janë miopë, ndaj dhe se kanë vënë re”, thotë me shaka për “Lajm”, analisti Sem Mehmeti.

Drejtori i Muzeut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj thotë se duhet një restaurim i ri i të gjithë fasadës së muzeut. “Ajo është me ngjyrë  jalli. Ne e lyem,  aq sa mundëm dhe u përpoqëm që ta mbulojmë atë mbishkrim“, thotë Hoxhaj për “Lajm”, duke shtuar se Muzeu ka nevojë të restaurohet nga themeli.

Ai sqaron se objekti është nën mbrojtjen e shtetit dhe për çdo ndërhyrje nevojiten procedura.

“Nuk është vetëm ai mbishkrim , fasada e të gjithë muzeut po rrëzohet. Restaurimi që është bërë në vitin 2008 është bërë shkel e shko. Janë harxhuar 240 mijë euro për restaurimin e fasadës dhe çatisë dhe pas tre vjetëve fasada ra në tokë, çatia pikonte. Duhet të bëhet një restaurim i plotë i objektit dhe muzeu ti ngjajë muzeve të tjerë botëror”, thotë Hoxhaj, duke shtuar se së shpejti do të niset edhe me këtë investim. Ai sqaron se me ato pak mjete që i kanë pas në dispozicion, ata kanë arritur që muzeut ti japin pamje dhe atmosferë pune.

Ndërkaq, në 105 vjetorin e Alfabetit, Akademia e Shqipëri  dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni i kanë dhuruar muzeut plot vepra të rëndësishme që i nevojiten këtij institucioni. 

Me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, para pak vitesh u themelua Muzeu i Alfabetit shqip. Edhe pse muzeu i alfabetit shqip është institucion kulturor i nivelit nacional, ai nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me institucionet simotra të Maqedonisë. Numri i të punësuarve në këtë muze është dukshëm më i ulët se i muzeve të tjera të Maqedonisë.  Mjetet që ndahen nga ana e qeverisë për mbarëvajtjen e punëve në këtë muze, janë shumë  më të ulëta se të muzeve të tjera.

Ndërkaq, problemi i pronësisë me Shtëpinë e Alfabetit akoma nuk është zgjidhur. Kati i parë i shtëpisë ku para 105 vjetëve u vendosën themelet e alfabetit shqip është pronë e një funksionari të VMRO-së. Edhe pos mjaft premtimeve që janë bërë se do të zgjidhet çështja e pronësisë, problemi akoma vazhdon të ekzistojë. Drejtori Hoxhaj shpreson se çështjes së pronësisë do ti vihet kapaku vitin e ardhshëm.

Shtëpia e alfabetit shpeshherë ka qenë cak i huliganëve të Manastirit, të cilët, ose kanë shkarravitur muret me parulla fyese, ose kanë thyer xhamat e shtëpisë, ose kanë shkaktuar dëme të tjera. Kryerësit e këtyre veprave asnjëherë nuk janë zbuluar nga policia.