Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 18:43

Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të kombit dhe qytetërimit shqiptar është Kongresi i Manastirit, i mbajtur në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit njëzetë, 103 vjet më parë, theksoi sot në një mesazh kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai vlerëson se Kongresi i Manastirit është historik sepse në të u arrit përcaktimi i alfabetit shqip, me germa latine, duke shënuar etapë të re të zhvillimit gjuhësor, komunikimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.

“Përqafimi i këtij alfabeti nga studiuesit, shkrimtarët, gazetarët, administrata dhe mbarë qytetërimi shqiptar ishte fitore dhe tregues i identitetit të lashtë të kulturës sonë dhe të forcimit të identitetit kombëtar”, thuhet në mesazhin e kryeministrit kosovar.

Ai shprehet se pjesëmarrësve të shquar të Kongresit të Alfabetit edhe sot u jemi mirënjohës për arritjen me të cilën krenohen shqiptarët  kudo: në trojet shqiptare dhe gjithandej ku jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë botën e tyre shpirtërore, shkencore dhe kulturore.

“Me germat e alfabetit të Kongresit të Manastirit  qytetërimi shqiptar krijon vlera shpirtërore, kultivon, përçon dhe përqafon vlerat më të përparuara të njerëzimit, duke dhënë kontribut në rritjen e lirisë,  paqes dhe demokracisë”, përfundon  mesazhi i kryeministrit Thaçi.

 
Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 18:45

Shkup – Një grup studentësh shqiptar nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe trevat tjera sot të organizuar do të marshojnë drejt Manastirit, për të shënuar dhe festuar përvjetorin e Kongresit të Alfabetit, të 14 nëntorit të 1908. 

“Lusim të na bashkoheni në numër së më të madh të mundshëm dhe së paku këtë ditë ti nderojmë dhe ti gëzojmë ata shqiptar që çdo ditë jetojnë në Manastir me shpresën se një ditë ky popull do të zgjohet dhe do ti përmirësoj gabimet që ka bërë dhe po bën për çdo ditë, para shqiptarëve të Manastirit të gjithë duhet të ndjehemi të turpëruar, se është faj i joni dhe politikanëve shqiptar, që i kemi lënë në mëshirën e politikës shfarosëse të ashtuquajturve sllavomaqedonë, por ende nuk është vonë të përmirësojmë gabimin tonë”, theksohet në komunikatën e grupimit organizues.

Sipas agjendës, marshi fillon nga Prishtina në orën 10:00 bëhet nisja prej te stacioni autobusëve; në ora 11:30 mbërrijnë në Shkup ku takohen edhe me shqiptaret nga trevat e tjera në sheshin Skënderbeu, më pas vijohet në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Ohër, duke mbërritur në mbrëmje në Manastir. 

“Në mbrëmje nën shoqërimin e shqiptarëve të Manastirit do të festojmë shqip me një festë të madhe kombëtare”, theksojnë nga grupi nismëtar.  Të tubuarit do të jenë pjesë e koncertit në Manastir të organizuar nga shoqata “Estrada”. (F.Demiri/INA)

 
Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 22:59

Tiranë – Sende personale të Gjergj Fishtës ekspozohen për herë të pare, në 140-vjetorin e tij të lindjes.

Bastuni i tij i vitit 1933, tavolina e punës dhe makina e shkrimit e lahuta janë objektet e veçanta, pjesë e ekspozitës së çelur pasditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar. Marrë nga koleksione personale, në përkujtim të Fishtës janë ekspozuar edhe dorëshkrime, letër këmbime, fotografi, medalje, që dëshmojnë aktivitetin letrar të rilindasit, por edhe jetën e tij politike, përpjekjet për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ekspozita është konceptuar në dy pjesë. Në njërën ku pasqyrohet jeta e tij përmes fotografive, librave e objekteve personale ku evidentohet edhe bashkëpunimi i Fishtës me shoqëritë patriotike e kulturore, pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit, Konferencën e Paqes në Paris, etj.

Ndërsa në pjesën e dytë të eksozitës pasqyrohet veprimtaria e poetit në fushën e letrave mes ekspozimit të botimit origjinal të “Lahutës së Malësisë”, apo “Mrizit të Zanave”, veprimtaria si redaktor në revistat “Hylli i Dritës”, “Zani i Shna Ndout”, etj.

I pranishëm në çeljen e ekspozitës, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi tha se ruajtja e objekteve të Fishtës është një provë unike për popullin tonë pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë. ” Kjo ekspozitë është një dëshmi e dyfishtë, së pari ajo sjell për herë të parë në origjinalitetin e saj jetën krijuese të Gjergj Fishtës, të ambjentit të tij të punës dhe mbi të gjitha shndërrohet në provë të marrëdhënies unike të popullit me poetin e vet kombëtar”, tha Bumçi.

Ministri bëri me dije se shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare si dhe po shqyrtohet mundësia e vendosjes në skenë për herë të parë të një vepre të tij nga Teatri Kombëtar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi u shpreh se me veprat e tij Fishta ishte një emër i madh në kulturën shqipe të gjysmës së parë të shek XX. “Regjimi komunist u përpoq ta rrëzoj atë nga kulmi i tij, i ngritur me mund, por më kot. Pa vendosjes së sistemit pluralist filloi edhe një herë rivlerësimi i plotë i veprës së tij”, tha Malltezi.

Për shkak të represionit sllavo-komunist ka qenë e vështirë gjetja e eksponentëve, sendeve personale dhe fotografive të Gjergj Fishtës. Në vitin 1945 filloi represioni sistematik ndaj klerikëve në Shqipëri e në veçanti ndaj veprës së tij.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor. Teolog, shkrimtar (poet e prozator), historian, pedagog, filozof, piktor (mendohet të ketë mbi 20 piktura), deputet. Është shqiptari i parë i kandiduar për Nobël dhe përfaqëson letrarin shqip në gjithë madhërinë e tij.

Më 1913 botoi librin “Mrizi i Zanave” dhe pas 35 vjet pune, më 1937 nxorri “Lahuta e Malcis”, një vëllim prej 17 000 vargjesh, që u cilësua si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shqipes.

Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 18:55

Prishtinë – E përditshmja prishtinase, Koha Ditore, përcjellë sot një një shkrim të publicistit Halil Matoshi, në të cilin autori jep të dhëna dhe fakte për mangësitë dhe shtrembërimet rreth monografisë Kosova, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), për historinë e Kosovës.

Sipas Matoshit, Monografia Kosova e ASHAK-së, sidomos në pjesët e saj që janë fushë e interesimeve të tij, si historiografia, letërsia dhe informimi‚ është një libër i përpiluar me zor, me qasje turbofolklorike, me plot pasaktësi dhe mangësi, me plagjiat të çuditshëm edhe për çështjet më të thjeshta, si dhe me shkrime gazetareske.

Në një libër të tillë, botimi i të cilit është i paguar nga taksapaguesit kosovarë, shkruan Matoshi, lexuesi kosovar e, sidomos, një i huaj i interesuar nuk do t’i gjejë informacionet themelore rreth dardanëve dhe arbërve e, sidomos, jo për emërtimin Kosovë-Kosovo, që si emërtim sllav është etabluar edhe sot në shumicën e gjuhëve të huaja, tek i referohen shtetit kosovar, pra emrit zyrtar të shtetit të ri, të cilit edhe i dedikohet monografia.

Matoshi, në këtë reagim përdorë argumente për mungesën dhe të dhënat e duhura në këtë monografi. Në një fragment nga shkrimi i tij, thuhet se: “Duke bërë fjalë për Manastirin e Banjskës, autorja shkruan: “Manastiri Banjska me kishën e Shën Stefanit u ndërtua midis viteve 1312-1316 godine.” Pra, godine d.m.th.“viteve”! (Fq. 486;), Klikoni këtu: http:/www.anacomp.net/srbija?mesto=srbija_manastir%20banjska; dhe do ta gjeni fjalë për fjalë këtë fjali: Manastir Banjska sa crvkom posvecenom Svetom Stefanu sagragjen je izmedju 1313. I 1317, godine. (…).

Për hir të këtij kredibiliteti shkencor, të ndershmërisë autoriale dhe për shkak të të shkruarit keq, ky botim duhet të tërhiqet nga publiku, me një kërkim-fajle për fyerjen e inteligjencës-mesatare të secilit lexues. Në këtë pandershmëri, tërheqja e botimit do të ishte e vetmja gjë e ndershme, shkruan publicisti Halil Matoshi.