Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 14:33

Tiranë-Në prag të 101-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, monumenti i cili u ndërtua një vit më parë dhe ndodhet në Parkun Rinia në kryeqytet, është në gjendje të mjerueshme. Monumenti i Pavarësisë vijon të ‘zhvishet’ nga pllakat metalike, por jo vetëm, pasi në të dyja faqet e brendshme i janë shtuar edhe ‘fir-mëtarët’ e Deklaratës së Pavarësisë. Papërgjegjshmëria qytetare arrin deri aty sa të citojnë edhe reklama mbi faqet e kësaj vepre arti, e cila ka kushtuar mbi 400 mijë euro dhe është simboli i 100-vjetorit të lindjes së shtetit shqiptar. 

Dëmtimet 

Për të disatën herë, hajdutët e skrapit nuk kur-sejnë as pllakat e monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë, pasi sërish kanë shqyer disa prej tyre, edhe pse ishin zëvendësuar nga vjedhja e mëparshme, që u bë që në muajt e parë të vendosjes së tij në qendër të kryeqytetit. Kjo vepër arti, e cila ka një simbolikë për mbarë shqiptarët, edhe pse është e vendosur në mes të Parkut Rinia, shumë afër institucioneve shtetërore, çdo ditë dhunohet dhe vidhet në mënyrë barbare. Jemi vetëm 12 ditë para 28 Nëntorit dhe Monumenti i Pavarësisë është për faqe të zezë, pasi mbi faqet e tij, qytetarë të shumtë u janë radhitur firmëtarëve, në lënien e shënimeve mbi të, shkrimin e emrave apo deklarata dashurie. Fatkeqësisht, ky monument, në mungesë të banjove publike është kthyer në një të tillë për njerëzit, por edhe për qentë që të zotët e tyre i nxjerrin në këtë park. 

 

Monumenti 

Monumenti i Pavarësisë ka kushtuar 450 mijë euro dhe është vepër e arkitektëve Kai Kiklas dhe Visar Obrija, me banim në Gjermani; u përurua më 28 Nëntor 2012 me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Vepra ka një lartësi 8 metra dhe me bazament 4.4 metra katrorë, ndërsa pesha e gjithë monumentit është 14 tonë. Pjesa që ka veshur sipërfaqen e brendshme të monumentit është prej bronzi, si dhe është lyer me vaj lubrifikant mbrojtës. Shqiponja është prerë me laser, është 10 milimetra e trashë, ndërsa është ndriçuar nga pas me dritë të bardhë, që natën të duket e zezë./Gazeta Shqiptare/