Zinedin Zidan ka shprehur pëlqimin e tij për dy futbollistë që në të ardhmen pritet të jenë liderët e rinj të ofensivës së kombëtares franceze të futbollit. Drejtori sportiv i Real Madrid ka folur me superlativa për dyshen e Montpelje, Olivier Zhirud dhe Jounes Belhanda.
Ish-futbollisti i kombëtares franceze ishte në stadium për të parë ndeshjen mes Montpelje dhe Evian, të përfunduar me rezultatin 2-2, ndërsa nuk ngurroi të vlerësonte mesfushorin dhe sulmuesin si dy lojtarët më të mirë të këtij sezoni për skuadrën që kryeson kampionatin francez të futbollit.
“Të shohim nëse arrijnë të fitojnë titullin kampion pasi në futboll nuk mund të parashikosh asgjë. E gjithë skuadra është e mirë, por Belhanda dhe Zhirud po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”, ishin fjalë e tij për “Canal+”.
22 vjeçari Belhanda ka qenë surpriza e këtij sezoni ndërsa ka shënuar 12 gola dhe dhënë 4 pasime në 28 ndeshje që ka luajtur si mesfushor ofensiv me fanellën e Montpelje në kampionatin francez. Gjatë muajve të fundit, për të është folur se interesohen Inter dhe Real Madrid, ndaj kanë lindur spekulime se vizita e Zidan ishte bërë me qëllimin për të parë nëse ky lojtar është i vlefshëm apo jo.
Ndërkohë, Zhirud ka konfirmuar se është një sulmues shumë i aftë duke shënuar 21 gola në 33 ndeshje, ndërsa ka dhuruar 8 pasime. Për të interesohen shumë klube angleze, duke filluar nga Arsenal, Totenhem dhe Liverpul. (LajmeShqip.com)