Javët e fundit të kampionatit anglez të futbollit do të dhurojnë një luftë të ethshme për kualifikimin në Ligën e Kampioneve ku tani duket qartë që janë 4 skuadra që luftojnë për vendin e tretë dhe të katërt: Arsenali, Totenhemi, Njukasëlli dhe Çelsi.
Arsenali, që ka zhvilluar një ndeshje më pak, mban aktualisht vendin e tretë, të cilin do ta ruajë sido që të ndahet ndeshja e tij me Ulvërhempton. Kjo vjen për shkak të gabimeve që kanë bërë si Totenhem, ashtu edhe Çelsi, në ndeshjet e javës së 33-të.
Totenhemi u mund në fushën e tij nga Noruiç me rezultatin 2-1, disfata e katërt në 8 ndeshjet e fundit ku kanë marrë vetëm një fitore. Kjo ecuri aspak pozitive i ka kushtuar shtrenjtë skuadrës së Herri Redknap, që ka pësuar një rënie drastike nga lufta për titull, në luftën për vendin e katërt në renditje.
Kjo skuadër është arritur tashmë nga Njukasëlli i Alan Pardju, i cili falë 6 fitoreve radhazi, të fundit 2-0 ndaj Bolton, ka mbërritur të shkojë në kuotën e 59 pikëve, duke kaluar edhe Çelsin. Pikërisht londinezët janë zhgënjyesit më të mëdhenj të këtij sezoni. Barazimi 1-1 me Fullhemin ka treguar për të disatën herë se planifikimi i këtij sezoni ka qenë krejtësisht i gabuar, pasi skuadra që duhej të luftonte për titull, tashmë është në vendin e 6-të dhe në sezonin e ardhshëm, lojtarët e saj mund të ndjekin ndeshjet e Ligës së Kampioneve nga ekrani i televizorit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Fullhem-Çelsi 1-1
82′ Dempsei / 45′ (p) Lampard
Aston Vila-Stouk 1-1
32′ Viman / 71′ Huth
Everton-Sandërlend 4-0
52′ Gueue, 75′ Pienar, 76′ Osman, 81′ Aniçebe
Njukasëll-Bolton 2-0
73′ Ben Arfa, 83′ Papis Cise
Totenhem-Noruiç 1-2
13′ Pilkington, 65′ Benet / 33′ Defo
Renditja
Mançester Junajtid 79, Mançester Siti 71, Arsenal 61, Totenhem 59, Njukasëll 59, Çelsi 57, Everton 47, Liverpul 43, Noruiç 43, Fullhem 43, Sandërlend 42, Stouk 42, Suonsi 39, Uest Bromëiç 39, Aston Vila 35, Bolton 29, Bllekbërn 28, QPR 28, Uigan 28, Ulvërhempton 22.