Në një intervistë për revistën “Chi”, kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka folur për dy ish-zikaltër, Zhoze Murinjon dhe Mario Balotelin, ashtu si edhe ka bërë një bilanc të skuadrës dhe dështimit të këtij viti me trajnerë të ndryshëm.
“Me Murinjon sigurisht që vazhdoj të flas, është miku im. Shpresoj që Reali i tij të fitojë Ligën dhe Champions. Me Ibrën? Jo dhe nuk jam pishman. Ai mbetet një lojtar i madh për atë që ka bërë te Interi por pastaj secili ecën në rrugën e tij”.
Argjentinasi tregon se zikaltërit do të pritnin me shumë qejf kthimin e Mario Balotelit, ndonëse ky i fundit vazhdon të jetë një personazh problematik. “Mario është një kampion, por duhet të gjejë ekuilibrin jashtë fushës. Unë do ta kisha dashur përsëri në skuadër. Kam vlerësuar faktin që ka kërkuar falje për gabimet që ka bërë kohët e fundit. Po nëse nuk ndërron sjellje, rrezikon që të dëmtojë përgjithmonë karrierën e tij”.
“Unë trajner? Jo, preferoj të jem më afër klubit në një rol drejtuesi, më pret një tavolinë sapo të braktis futbollin. Falënderoj Moratin që më ka plotësuar këtë ëndërr, por ka ende kohë deri atëherë”.
“Çfarë nuk funksionoi me Gasperinin? Gjithçka! Dëmtime, mungesë fati, rezultate që nuk vinin. Kur e hoqën nga puna erdhi më takoi me lot në sy, dukej si djali im, diçka shumë e dhimbshme. Ranieri? Grupi e mbështeste por përsëri rezultatet nuk erdhën. Stramaçioni? Është një djalë shumë guximtar, i ka idetë e qarta dhe e meriton këtë shans që i është dhënë”, deklaroi ndër të tjera kapiteni i Interit. (LajmeShqip.com)