Shkodër – Anton Cena, shqiptari me banim në Prishtinë, është shpallur nënkampion i botës në sportin e Xhudos, aktivitet ky i zhvilluar në Gjermani. Lajmin e bën të ditur anëtari i Kryesisë së Federatës Shqiptare të Xhudos, Anton Shkoza, njëherazi edhe president i Akademisë së Xhudos në Vaun e Dejes së Shkodrës.
Sipas Shkozës, paraqitja e Anton Cenës në Frankfurt të Gjermanisë, ku u zhvilluan garat e botërorit të Xhudos, ka qenë e shkëlqyer. Cena ka dalë fitues ndaj gjermanit Notzel Werner me rezultatin 10 me 0, për të vijuar më pas edhe me një fitore tjetër, me të njëjtin rezultat, këtë radhë ndaj brazilianit Ivan Penne. Pasi ka fituar edhe ndeshjen e tretë, këtë radhë 5 me 0 ndaj norvegjezit Chinchila Alfredo, Cena ka mbërritur në finale me rusin Egerov Nikkollai. Lufta e fortë dhe plot rivalitet në këtë ndeshje, ka bërë që në përfundim rezultati të ishte i barabartë. Sipas rregullores, gjyqtaria, duke gjykuar se kush ka qënë më aktiv gjatë ndeshjes, i kanë dhënë fitoren rusit Nikkollai.
“Fitorja e medaljes së argjentë në Kampionatin Botëror nga Anton Cena, përbën një sukses të padiskutueshëm për xhudon shqiptare, e cila tashmë ka shënuar një progres të madh gjatë periudhës së fundit”, tha anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Xhudos, Anton Shkoza.