Kapiteni i Anglisë, Stiven Xherard, beson se Uejn Runi nuk është shkaktar për eliminimin e Anglisë nga Euro 2012. Sulmuesi mungoi në dy ndeshjet e para të Evropianit për shkak pezullimi dhe pas kthimit në fushë nuk dukej në formën e tij më të mirë.
Por Xherard mendon se është e padrejtë të fajësohet Runi, i cili vlerësohet me standarde më të larta se pjesa tjetër e skuadrës.
“Mendoj se që në momentin kur Uejn iu bashkua kombëtares dhe për shkak të paraqitjes së tij në Euro 2004, ka një pritshmëri që ai duhet të vijë në turne dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet i vetëm për ne. Mendoj se është e padrejtë, sidomos kur gjërat shkojnë keq, pasi atëherë njerëzit e drejtojnë gishtin nga ai dhe e fajësojnë për gjithçka. Përgjegjësia duhet të bjerë te të 23 lojtarët”, u shpreh kapiteni i Anglisë.
Por ndërsa Xherard përpiqet ta pikturojë gjithçka me nota pozitive, kritika shumë të ashpra kanë ardhur nga ish-sulmuesi i kësaj kombëtare, Alan Shirer, i cili mendon se ekipi po ecën mbrapsht.
“Nëse ne pranojmë këtë lloj paraqitje, atëherë do të thotë që kemi hequr dorë nga Anglia. Kaq shumë kemi rënë larg skuadrave të mëdha sa po duartrokasim kombëtaren pasi është munduar dhe ka qenë e organizuar në mbrojtje? Nuk më kujtohet kur është hera e fundit që ky komb ka festuar për kualifikimin e kombëtares nga faza në grupe”, ishte ironia e tij. (LajmeShqip.com)
Grupi D
Francë-Angli 1-1
39’ Nasri / 30’ Leskot
Suedi-Angli 2-3
49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek
Angli-Ukrainë 1-0
48’ Runi
Çerekfinalet
Angli-Itali 0-0 (2-4 p.)