Shkup – Këtyre ditëve lajmet më interesante sportive në Ballkan pa dyshim se vijnë nga radhët e Shkëndijës dhe Partizanit të Beogradit, dy ekipe që do të përballen për herë të parë mes vete, por që do të sjell një duel shqiptaro-serb. Për lajmin se skuadra tetovare do të përballet me “bardhezinjtë” nga Beogradi është informuar edhe kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, që dikur ishte futbollisti më i mirë i beogradasve. Edhe pse Vokrri tani 51 – vjeçar dhe me detyrë tjetër, ai edhe më tutje është në rrjedha me futbollin evropian, e në veçanti mr atë të Ballkanit. Bisedën telefonike që kemi zhvilluar me futbollistin më të mirë shqiptar të ish-Jugosllavisë, e bëmë për të marrë mendimin e tij se si e sheh ai këtë duel, që ndoshta është më atraktivi në këtë fazë të Ligës së Kampioneve.
“Kam dëgjuar lajmin se në këtë fazë do të takohen Partizani dhe Shkëndija. Them se do të jetë shumë vështirë për Shkëndijën, por mos të harrojmë se në futboll është e mundur gjithçka. Pa dyshim se unë i dëshiroj shumë sukses skuadrës shqiptare, pavarësisht asaj që unë kam luajtur për Partizanin”, ka thënë Vokrri duke mos lënë anash të tregojë se Partizani ka qenë ekipi me të cilin ka arritur kulim e karrierës.
“Unë, nëse do të bëja një krahasim me futbollin që po luhet në shtetet e ish-Jugosllavisë, mund të them se të gjitha kanë një rënie shumë të madhe të kualitetit, andaj nuk pritet që të ketë edhe një lojë shumë cilësore. Por, do të ndalem pak më shumë te Partizani, pasi ajo është një skuadër shumë e fortë, ndërsa nuk duhet të harrojmë se vitin e kaluar arriti edhe në fazën e ndeshjeve në grupe edhe pse nuk fitoi asnjë pikë, nuk ka qenë dhe shumë e dobët aq sa edhe mendohet”, ka shtuar më tej Vokrri.
Kujtojmë se Fadili ka qenë një nga futbollistët që tifozët serb “Grobari” e kanë dashur shumë, ndërsa flamuj të mëdhenj kanë qenë me foton e tij, kur ekipi luante në ndeshjet kampionale.
Në pyetjen se cila është arma më e madhe e “bardhezinjve”, “Pa dyshim se arma më e fortë e tyre është eksperienca që luajnë secilin vit në garat evropiane. Por, në anën tjetër duhet potencuar se motivi për sukses është më i madh te ekipi i Shkëndijës, por asnjëherë në futboll nuk janë të mira parashikimet. Për këtë më së miri është të presim dhe të shohim. Pa dyshim se sot pjesë përbërëse e çdo ekipi janë edhe tifozët, ndërsa sa e mbaj mend dhe sa kam parë, Partizani edhe më tej ka një ndër tifo – grupet më të zjarrta dhe e përcjellin atë në të gjitha ndeshjet. Ndërsa, Shkëndija do të ketë të gjithë shqiptarët me vete, që do të jetë edhe ndihmë e madhe në ndeshjen që luhet në Shkup”, është shprehur Vokrri. Nga UEFA, ky takim pritet të shpallet e rrezikut të lartë, andaj edhe Vokrri ka porositur të gjithë që të mos bien pre e provokimeve që mund të ndodhin, pasi që skuadra ndihmohet vetëm me anim korrekt pavarësisht se cili do të jetë rezultati.
“Sigurisht se kjo do të jetë ndeshje e madhe për Shkëndijën, ndërsa edhe unë do të jem pjesë e këtij evenimenti sportiv më 20 korrik, në Shkup, për të dhënë përkrahjen skuadrës së Shkëndijës”, ka thënë legjenda, Fadil Vokrri.