Shkup – Përgjatë bisedës me legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrrin, në prag të ndeshjes Shkëndija-Partizani i Beogradit, dialogu ynë i përbashkët u soll edhe tek të qenit shqiptar dhe të luajturit me një skuadër serbe kundër një skuadre shqiptare në Kupat e Evropës. Vokrri me shumë seriozitet u përgjigj: “E kam pasur shumë të vështirë përballjen me ekipin shqiptar, duke pasur parasysh rrethanat politike shumëvjeçare. Megjithatë, një profesionist duhet të sillet në mënyrë profesionale dhe siç i ka hije një lojtari të vërtetë. Kishte disa shkrime në gazetat serbe, të cilat shkruanin sikur unë nuk kam dashur të luaj kundër Flamurtarit të Vlorës.
Gazeta “Politika” e Beogradit pati shkruar se Vokrri nuk ka luajtur me qëllim kundër Flamurtarit. Pas ndeshjes së dytë, ku ne fituam 2:1, por u eliminuam, kjo gazetë kishte vendosur foto në një çast loje nga ndeshja e parë në Vlorë, ku unë isha fokusuar në sulm dhe prapa në sfond ishte Enver Hoxha. Atë ditë në stadiumin e Vlorës kishte reklama “Parti-Enver” dhe fotoreporterët jugosllavë kishin fiksuar jo pak fotografi”.