Shkodër – Çështja “Vllaznia” vazhdon të jetë një problem jo pak shqetësues për opinion sportiv shkodran. Vështirësia në ecurinë e menaxhimit në parametrat e një klubi elitar dhe pretendent për fitimin e trofeve, e ka detyruar presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, të vërë në pikpyetje mbajtjen e postit te presidentit në klubin kuqeblu.
Në një deklaratë për mediat, presidenti i klubit shkodran shprehet se, “nuk mund të pres më zgjidhje të tjera dhe për rrjedhojë brenda dy ditëve mund të vendos nëse do vazhdoj të qëndroj në krye të këtij klubi apo të jap dorëheqjen”. Sipas Fushaj, gjatë të tetë viteve të drejtimit të tij, ai e ka ndjerë shumë pak mbështetjen e bashkisë në aspektin finaciar.
Ndërkohë, burime zyrtare nga institucioni vendor bëjnë të ditur se titullarët e Bashkisë së qytetit verilindor, pasi e kanë ndjekur me vemendjen deklaratën e presidentit të ekipit kuqeblu, kanë filluar të mendojnë per marrjen e masave në rast se një gjë e tillë do të bëhet realitet. Sipas këtyre burimeve, Bashkia nga ana e saj vlerëson pozitivisht të gjithë kontributin që presidentit Fushaj ka dhënë në shërbim të futbollit shkodran, por në vazhdim, burimet sqarojnë se klubi i futbollit është futur tashmë në një proces të pakthyeshëm në drejtim të shndërrimit në Shoqëri Aksioniere, që është edhe një detyrim ligjor dhe ne perputhje me vendimet e UEFA-s.
Presidenti Fushaj deklaroi se “është duke shqyrtuar disa alternativa për të bërë të mundur garantimin financiar në masën e duhur të një Vllaznie pretendente për sezonin e ri futbollistik, por nëse ato nuk do të jenë të sukseshme, ai edhe mund të largohet nga detyra e presidentit”.