Arsen Venger ka pranuar se merita e një sezoni të mirë që po kalon Arsenali duhet t’i jepet formës së shkëlqyer të sulmuesit Robin Van Persi, i cili barazoi një rekord të kampionatit anglez me golin që shënoi në fitoren 3-0 ndaj Ulvërhempton.
Van Persi shënoi ndaj ekipit të 17-të në të njëjtin sezon, pasi nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës vetëm kundër Mançester Sitit dhe Fullhemit.
Kjo paraqitje e tij ishte e njëjtë me atë të ish-futbollistit tjetër të Arsenal, Ian Rajt, i cili shënoi ndaj çdo skuadre me përjashtim të Mançester Junajtid dhe Sandërlend gjatë sezonit 1996-97.
Në total, sulmuesi holandez i Arsenalit ka shënuar 34 gola në të gjitha aktivitetet, por po “vuante” pasi kishte katër ndeshje që nuk gjente rrugën e rrjetës.
“Është e rëndësishme edhe për një sulmues si Van Persi të gjejë rrugën e rrjetës pas disa ndeshjeve pushim. Ai barazoi rekordin e Ian Rajt që shënoi ndaj 17 prej 19 skuadrave të kampionatit. Në lojën moderne, kjo është një arritje e pabesueshme dhe kjo është arsyeja pse të gjithë duhet ta përgëzojmë”.
“Normalisht që je i lumtur kur ke në skuadër një sulmues që shënon në një sezon me 19 skuadra kundërshtare kundër 17 prej tyre. Më vjen keq që nuk shënoi një javë më parë ndaj Mançester Sitit, pasi kështu do ta kishte thyer rekordin e Rajt”, ishin falët e Venger. (LajmeShqip.com)