Tierri Henri ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme kthimin e tij te Arsenali duke shënuar golin e fitores në minutën shtesë të takimit kundër Sandërlend. Tashmë futbollisti francez mund të luajë vetëm në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Milanit në mesjavë, për t’u kthyer më pas drejt MLS te Nju Jork Red Bulls.
“Mu duk vetja si fëmija që shënon golin e parë për skuadrën që pëlqen. Nëse Arsenali do të ketë nevojë për mua, mund të kthehem përsëri ndonjë ditë”, ishin fjalët e sulmuesit 34 vjeçar i cili shënoi në këtë ndeshje golin e tij të 176 në kampionatin anglez, ku ka luajtur 258 takime me fanellën e “topçinjve”.
Edhe trajneri Arsen Venger e lavdëroi publikisht sulmuesin për ndihmën që i kishte dhënë skuadrës në këtë periudhë, duke e kthyer përsëri në garë për kualifikimin në Ligën e Kampioneve. “Ai sot mbylli historinë e një legjende në kampionatin anglez. Por shpresoj që të shtojë disa gola të tjerë për ne të mërkurën në Ligën e Kampioneve. Talenti i jashtëzakonshëm mbijeton te lojtarë të këtij kalibri. Ishte një luks të kishim një lojtar të tillë në stolin e rezervave”, ishin fjalët e Venger. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Man. Junajtid-Liverpul 2-1
Bllekbërn-QPR 3-2
Bolton-Uigan 1-2
Everton-Çelsi 2-0
Fullhem-Stok 2-1
Sandërlend-Arsenal 1-2
Suonsi-Noruiç 2-3
Totenhem-Njukasëll 5-0
12.02.2012
Ulvërhempton-Uest Bromuiç 14:30
Aston Vila-Man. Siti 17:00
Renditja
Man. Junajtid 58, Man. Siti 57, Totenhem 53, Çelsi 43, Arsenal 43, Njukasëll 42, Liverpul 39, Noruiç 35, Sandërlend 33, Everton 33, Suonsi 30, Stok 30, Fullhem 30, Aston Vila 28, Uest Bromuiç 26, Ulvërhempton 21, QPR 21, Bllekbërn 21, Bolton 20, Uigan 19.