Adnan Januzaj nuk do të zgjedhë një kombëtare pa u kthyer më parë në një lojtar të rëndësishëm në futbollin europian dhe një futbollist që luan rregullisht si titullar në klubin e tij, ky është vendimi që në fakt është marrë nga babai i futbollistit të Mançester Junajtid, i cili kërkohet nga kombëtarja shqiptare e futbollit, por edhe ajo e Belgjikës.
18-vjeçari ka preferuar të qëndrojë në heshtje rreth kësaj teme, duke lënë që në vend të tij të flasin familjarët dhe në rastin konkret menaxheri i tij, Dirk De Vrise. Ky i fundit, është ai që mundësoi kalimin e talentit shqiptar nga Anderleht te Mançester Junajtid dhe vazhdon të jetë një nga këshilltarët kryesorë të familjes Januzaj për të ardhmen e djaloshit të talentuar. Megjithatë, ai ka pranuar se në rastin konkret nuk mund të ndërhyjë, pasi gjithçka është në dorën e djaloshit për të bërë zgjedhjen e tij.
“Mënyra si ka renditur gjërat babai i tij, do të thotë se fillimisht i biri duhet të luajë për një klub të madh. Atëherë, kur ai të jetë titullar do të bëjë zgjedhjen e tij për ekipin kombëtar”, shpjegoi De Vrise. Ky i fundit ka treguar gjithashtu se nëse Federata Shqiptare e Futbollit është treguar disi e ndrojtur në kontaktet me futbollistin, Federata Belge po insiston aq shumë sa është bërë disi e bezdisshme.
“Federata belge e ka bombarduar Adnanin me e-maile dhe mesazhe, por babai i tij dëshiron që djaloshi të lihet i qetë”, deklaroi menaxheri për mediat belge. Sipas këndvështrimit të menaxherit, Januzaj nuk do të zgjedhë shumë shpejt një kombëtare, pasi ai duket se është përqendruar 100% te Mançester Junajtid, skuadër që do t’i rinovojë kontratën 18-vjeçarit. /koha/